Kujtesa e pashlyeshme për Agim Tafilin e madh dhe shokët e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2022 | 20:17

Kujtesa e pashlyeshme për Agim Tafilin e madh dhe shokët e tij

NGA BESNIK DIZDARI

Është 35 vjet më parë. Më saktë, afërsisht nja pesë muaj më mbas. Por po e fiksoj në këtë cikël historie të përvjetorëve më të mëdhenj sportivë të vitit 2022, duke e ruajtur si një 35 vjetor. Doemos nuk e kisha harruar, ndërsa e kisha gati që para pak muajsh, por “çuditë” e një rendi befasues të të shkruarit, ma lanë për tash.

pjimage (30)

I ribotoj këto reportazhe dhe mbresa nga Rrethi apo Turi Çiklistik i Turqisë 1986, sepse për Shqipërinë ai mbetet tejet i rrallë. Tejet i rrallë, sepse për sot e kësaj dite, ndonëse kanë kaluar mbi 35 vjet, ajo paraqitje e çiklizmit shqiptar nuk është arritur më asnjëherë tjetër. Nuk është arritur asnjëherë tjetër që në një tur çiklistik ndërkombëtar zhvilluar në një shtet tjetër, Shqipëria të renditet e dyta për vetëm 55 sekonda larg ekipit të shtetit të fitues.

Kësisoj, paraqitja e Kombëtares së çiklizmit të Shqipërisë në Turin e Turqisë (29 shtator – 5 tetor 1986) mbetet e vetme (unike) për sot e kësaj dite. I risjellim këto reportazhe përshkruese, sepse ato përbëjnë vetvetiu edhe një “shkollë” jo fort të vogël gazetarie. Kam qenë kryeredaktor i gazetës “Sporti popullor”, por duke qenë se vija prej një përvoje të “gazetarisë çiklistike”, siç po më pëlqen ta quaj, isha zgjedhur anëtar i kryesisë së Federatës Shqiptare të Çiklizmit. Them “përvojë çiklistike”, sepse për 13 vjet me radhë kisha qenë i dërguar në Rrethin Çiklistik të Shqipërisë që ishte nën kujdestarinë (patronazhin) e gazetës “Bashkimi”, gazetar i së cilës kisha qenë.

Dihet ndërkaq se Mbasluftës, gazeta e përditshme “Bashkimi” kishte marrë përsipër kujdestarinë e saj për Rrethin Çiklistik, duke imituar “La Gazzeta dello Sport” të Milanos për Giro d’Italia dhe atë “L’Equipe” të Parisit për Tour de France. Kjo do të thoshte që gjatë zhvillimit të Rrethit të Shqipërisë, gazeta “Bashkimi” do të botonte përditë reportazhet e përshkrimit të etapave. Isuf Kurshumi, një gazetar i paharrueshëm i “Bashkimit”, për vite të tëra kishte qenë i dërguar në rrethet, duke u bërë fort i njohur dhe i nderuar në gjithë Shqipërinë edhe për këtë shërbim, në të vërtetë të një gazetari tejet origjinal në këtë gjini. Mbas tij më kishte takuar mua.

Por rasti i Turqisë ishte vërtet specifik. Ka qenë këmbëngulja e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Eqrem Shaba – figurë e shquar e këtij sporti te ne, sa si një çiklist kombëtaras i viteve ‘50, por edhe më shumë si drejtues i federatës përkatëse. Me thënë të vërtetën, ndonëse dëshira për të parë Turqinë e kisha të madhe, nuk më pëlqente rangu i përgjegjësit të ekipit. U dorëzova më në fund, dhe doemos nuk mund të rrija pa bërë edhe gazetarin. E, kjo ishte fort e vështirë, sepse detyrat e përgjegjësit nuk janë aq të lehta, e ndërkohë më duhej që sapo të mbaronte etapa, t’ua dorëzoja përgjegjësinë dy trajnerëve të paharrueshëm, Gani Muriqi e Bilal Agalliu, e të shndërrohesha në gazetar, aty në dhomat e hoteleve, në recepsionin e tyre, në lidhje telefonike apo përmes teletekstit.

T’ia nisja ambasadës sonë në Ankara apo konsullatës në Stamboll dhe këta mandej t’ia transmetonin Tiranës. Nuk ishte si sot kur ka e-mail. E geni i gazetarit triumfoi, edhe në ato kushte… Ashtu si Eqremi, miku im i çmueshëm, isha edhe unë një nga ata që luftoja në Komitetin e BFSSH për ta përfshirë çiklizmin në takime ndërkombëtare. I njihja mirë çiklistët, forcën e pasionin e tyre, aq më tepër që ky sport i nënvleftësuar jo pak, po shpërthente.

Të dy shpresonim fort se ata do të bënin një paraqitje befasuese. Bisedova me kryeredaktorin e gazetës kryesore, “Zëri i populli”, të përkujtueshmin tonë Arshin Xhezo, që reportazhet të botoheshin çdo ditë në këtë gazetë që kalonte tirazhin e 100.000 kopjeve dhe mandej, kur dilte “Sporti popullor”, atë vit 1986 në 51.000 kopje, të botoheshin edhe aty. Kështu u bë. Reportazhet janë botuar çdo ditë në gazetën “Zëri i popullit” pra, dhe janë përsëritur në “Sporti popullor”, siç emërtohej ende. Duheshin edhe pesë vjet që ta shndërroja me emrin e origjinës “Sporti shqiptar”. Përjashtim bën shkrimi i fundit i mbresave që u botua vetëm në “Sporti”.

fOTOT

Më duhet të them se jehona e këtyre shkrimeve ka qenë e papërshkrueshme, duke marrë edhe përgëzimet e sektorit të shtypit të KQ të Partisë, drejtuesit të tij Miti Tona, i cili përveç korrektësisë së tij të detyrës mjaft delikate, ishte një gazetar i sprovuar. Të mos harrojmë, në atë Shqipëri të izoluar tejet të vitit 1986, kjo dukej si një lloj lirie. Liri që përforcohej tek unë edhe ngaqë Turqia, me sa dukej, kishte mbetur miku i vetëm i Shqipërisë. Po ndodhte kështu për herë të parë në histori që një e përditshme shqiptare të botonte çdo ditë reportazhe çiklistike nga një tur ndërkombëtar në një shtet tjetër.

Dhe më duhet të pohoj ndërkaq se këtë ribotim e bëj jo vetëm thjesht për dobësinë vetjake që mund të kem për këto shkrime – të paktën nga ana profesionale e zhanrit tonë, ato janë historike – por mbi të gjitha si një kujtesë për atë se çka arritën çiklistët shqiptarë dhe trajnerët e tyre. Ky ribotim i mbas 35 vjetëve është një nderim për të gjashtë çiklistët, por veçan një nderim sublim, sidomos për kapitenin e tyre të skalitur në histori, Agim Tafili – njeriu që nxiti dhe kryesoi një kthesë të jashtëzakonshme në zhvillimin e çiklizmit shqiptar. E bëjmë po veçan edhe për kujtimin e trajnerëve po aq historikë, Gani Muriqi e Bilal Agalliu.

E bëjmë për Sytki Tafilin e Brahim Sykjen, për Agron Huqin, Ardian Ferraizajn e Albert Çukon – këta djem të mrekullueshëm, që nuk e panë Turqinë, sepse i gjithë vështrimi i tyre qe mbi rrugët e saj të bukura që ata deshën t’i mposhtnin dhe them se në të shumtën i mposhtën. Për fatin e tyre të bukur, duke i përshkuar në dy kontinente: Europë e Azi. Ndërsa ne, sadopak kalonim vështrimin në gjarpërimet e rrugëve të Anadollit, të Çanakalasë, Dardaneleve, të Trojës, që drejt me thënë, aq fort kisha ëndërruar t’i shihja. Pata mbetur vetëm 77 kilometra larg Iznikut historik të Bursës, tregimet familjare për të cilin, prej fisit tonë Dizdari kishin mbushur jo pak edhe adoleshencën time…

E ndërkaq, këtë ribotim në gazetën tonë “Panorama Sport” të një brezi të ri të profesionit, mendoj se bëhet edhe si një kujtesë gazetarie për të kuptuar po aq edhe një kohë të vështirë, me botime fort të rralla asisoj, që kapërceheshin, shpesh madje, përmes “sekreteve” jo të pakta “që fsheh” ky profesion. Do të lexoni dhe do të gjykoni vetë. Uroj që do të mund të kuptoni jo pak nga shkolla jonë e gazetarisë, qoftë edhe në diktaturë, sado modeste që mund të duket ajo – ndonëse për hir të së vërtetës nuk ka shkak të duket plotësisht ashtu…

Shkrimet këtu botohen pa i lëvizur jo më një fjalë, por as edhe një presje. Pra, pa hequr as ata tre-katër rreshta për “Shqipërinë e Enver Hoxhës”, siç për çudi përsërisnin aty-këtu edhe qytetarë turq. Shpresoj se për një gjë do të binden lexuesit tonë të çmueshëm, që kjo “gazetari çiklistike” ishte e vërtetë jo 90 për qind, por 100 për qind!

Që përpiqej edhe në ato kushte izolimi, të mësonte jo pak, prej atij që një gazetar i shquar, Italo Cucci, e quan “vocobolario vivente”, duke portretizuar një nga më të mëdhenjtë e gazetarisë sportive, novator i rrallë, sidomos në “gazetarinë çiklistike”, universalin Sergio Zavoli (1923-2020) që aq fort na emociononte e padashur na mësonte edhe ne “të vegjëli” e Shqipërisë, teksa ndiqnim jo aq rrallë emisionin e tij që mbeti thuajse legjendar, “Il processo alla tapa” të Giro d’Italia (Çudi e madhe se si më pati bindur një herë kolegu e miku i paharrueshëm Vladimir Grillo të shndërrohesha në një komentator i drejtpërdrejt gjatë transmetimit të tij të një etape të Giro d’Italia!).

Dhe Cucci që përcakton kështu për Zavoli-n e madh: “…Ajo që ka shkruar do të lexohet për të ndalur dekadencën e gjuhës më të bukur, gjuhën tonë tashmë e prishur prej demokracisë gjuhësore të rrjeteve sociale, të blog-eve, të televizionit. Të injorantëve”. Fort e rreptë për sot kjo! Qenka problem edhe në Itali prej së cilës aq fort ka mësuar dikur, sidomos brezi ynë dhe ai më i vjetër para nesh, mbas të cilit asisoj vazhduam edhe ne. Por këto janë probleme që i përkasin librit tim të ardhshëm për gazetarinë…

BESNIK DIZDARI, Tiranë, 2022

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"