Kampioni rekordmen VANGJO AFEZOLLI dhe epoka e atletikës së tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2018 | 21:51

Kampioni rekordmen VANGJO AFEZOLLI dhe epoka e atletikës së tij

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

1. Më ka ndodhur nja pesë e gjashtë vjet më parë që sektori përkatës i Akademisë së Shkencave për përgatitjen e Enciklopedisë shumëvëllimëshe të Shqipërisë, të më ftonte për të kontribuar për zërat që kishin të bënin me historinë e sporteve në Shqipëri. Mbasi kisha kontribuar paksa edhe për Enciklopedinë trev- ëllimshme, pranova. Ashtu siç kisha pranuar edhe për një emëror të sportistëve më të shquar të Shqipërisë, që më kishte kërkuar, me sa duket, edhe shkaqe dekoruese, edhe Ministria e Kulturës dhe Sporteve – emëror, çka sigurisht ndodhet në kancelaritë e saj, pse jo, duke u shfrytëzuar keqas prej ndonjë amatori që pa asnjë meritë mund të punojë aty.

Kisha përzgjedhur kështu, nga historia e sporteve të Shqipërisë, si zëra të veçantë plot 720 emra! Dhe të të gjitha viteve e kohërave të Shqipërisë menjëherë mbas-Osmane madje, e deri tek ajo Zogiste, Fashiste, Komuniste e Demokratike. Mirëpo, çudia është se kur kaloi pak kohë dhe kur mendova se çfarë punë të jashtëzakonshme do të duhej për të realizuar këtë ndërmarrje, papritmas shkova dhe dhashë dorëheqjen. E bëra këtë sepse mendova që Shqipëria ka bazamente tejet të dobëta për këto punë. Madje, Shqipëria ka shumë pak njerëz të ditur, të ndershëm e skrupulozë për këto punë.

vangjo afezolli

Ose më mirë me thënë, nuk ka burra për këto punë. Dhe e shihni se si janë shpërbërë vlerat kombëtare të personazheve të mëdhenj të Shqipërisë, thuajse në të gjitha fushat e jetës… Shkova e kërkova emëronin tim prej 720 emrash, e tërhoqa nga kompjuteri i zyrës përkatëse, duke shpresuar se ndershmëria do t’i ketë bërë që t’i heqin edhe nga pjesa e “nëndheshme” e kompjuterit. Tash, sapo po hyjmë në përvjetorin më të rëndësishëm të historisë themeluese të sportit shqiptar: 90– vjetorin e themelimit të Kampionatit të parë për gjithë sportet në Shqipëri, që është Kampionati i Parë i Shqipërisë në Atletikën e Lehtë. Dhe në këtë kuptim rrethanash (kontekst), këto kohë, mbasi kisha takuar për herë të parë mbas kaq e kaq vitesh ing. Vangjo Afezollin – një rekordmen e kampion i madh i atletikës shqiptare – befas iu ktheva emërorit tim.

Dhe duke ecur, po thosha me vete: “A thua e kam në atë emëror Vangjo Afezollin?” Nxitova për tek arkivi im në kompjuter, kalova në kapitullin “atletikë e lehtë” dhe menjëherë ndjeva një lehtësim kur pashë se emri i parë në atë emëror ishte ky: “Afezolli Vangjo!” Gjithçka fi llonte me të, sigurisht edhe për shkak të mbiemrit që fi llonte me “A”, e vazhdonte me “F”, çka e bënte që të renditej i pari….. Ai ishte i pari në emërorin tim. Por në kujtesën e shkruar të historisë të të gjithë këtyre viteve po më dukej se këtë personazh të madh të sportit e të atletikës shqiptare, i pari i emërorit të arkivit tim, Vangjo Afezollin, i cili kishte bërë fort mirë si inxhinierin po ashtu dhe atletin, për ne zâmadh, disi po më dukej se e kishin harruar.

Por kjo nuk ishte edhe aq e vërtetë, edhe pse nuk e përmendnin, ose krejt rrallë e përmendnin. E pra, nuk ka punë më të dëmshme, kur ti ngatërron ose shpërqendron radhën e historisë, asisoj. Ose kur ti shkruan portrete për ata që do vetëm ti, që njeh vetëm, ti, që i ke miq vetëm ti, siç po ngjet jo rrallë, sidomos sot prej autorëve që unë i kritikoj dhe do të vazhdoj t’i kritikoj pa ua nda. Jo për ndonjë egoizëm vetjak, por për të kontribuar sadopak për shpëtimin e historisë kombëtare të kësaj fushe, që po rrezikon të shuhet ose të ngatërrohet keqas…

2. U takova me mjeshtrin Vangjo Afezolli dhe u befasova me gjallërinë e tij, ndonëse ai është një burrë, i cili i ka kaluar 85 vjetët. E që duket shumë e shumë më i ri se kaq. Mandej, prej arkivit tim, shkova e hapa një libër të rrallë botuar prej Regjimit, me titullin “15 vjet Fizkulturë e Sport në Shqipërinë e re 1944-1959”. Me sa di, është botuar për Shqipërinë në Bashkimin Sovjetik. Kam qenë vetëm diçka më shumë se 16 vjeç, kur ia kam arritur ta blej në Shkodër midis aq pak kopjeve që erdhën – për çka ndiej një “vetëkënaqësi” të veçantë.

Libri është botuar në shqip e në rusisht, doemos, për sa kohë Shqipëria sundohej nga Bashkimi Sovjetik, prej së cilit, në këtë rast për mirë, jo pak kishte marrë e po përvetësonte edhe organizimet sportive. Në libër, midis fotove të shumta të tij, gjithnjë ndalem te dy prej tyre, që u kushtohen dy të mëdhenjve të atletikës shqiptare: ajo për Hysni Bebeziqin dhe tjetra për Vangjo Afezollin. Janë sa elegante aq dhe madhështore dhe që për njohësin e atletikës, madje edhe teknikisht të përsosura. Për një çast të duken si pjesë të një kinograme për t’ua më- suar studentëve stilin e përsosur të kërcimit së gjati dhe të vrapimeve të thellësisë. Kemi të bëjmë me një nga fotot sportive më të përkryera për një sportist shqiptar.

Mban diçiturën “Vangjo Afezolli (Nr.242) në vrapimin 5000 metra në Festivalin Botëror të Rinisë dhe Studentëve në Moskë”. Gara zhvillohet në stadiumin gjigant 100 mijësh “V.I.Lenin” (sot “Luzhniki”) të Moskës. Për kah eleganca e një kontrasti bardhezi, por botuar në ngjyrë kafe, gjithçka në këtë foto të lë përshtypjen si të ishim në një fi nale olimpike me qartësinë e pistës dhe tribunës “qiellore” të stadiumit të “Luzhnikit”. Mbi të gjitha, me portretin si të një statuje lëvizëse të vrapuesit Vangjo Afezolli nga Shqipëria, i cili po kryeson garën e 5000 metrave. Elegancë e tanë, vendosmëri, hap rekordmeni e kampioni, seriozitet, stil, forcë! E shihni vetë në foton që e kemi vendosur në krye të vendit për të shoqëruar këtë shkrim. Ngjarja ka të bëjë pra, me Festivalin e 6-të Botëror të Rinisë dhe Studentëve të Moskës 1957. I mirënjohuri “VI Всемирный фестиваль молодёжи и студентов” nën emblemën “Për paqe dhe miqësi” («За мир и дружбу»).

E, ndonëse nuk ka qenë një Kampionat Botëror apo Turne Olimpik, në shumë hapësira të tij i tillë ka qenë, jo pak i ngjashëm. 34.000 pjesëmarrës, 131 shtete nën përshtypjen e siglës së tij të përfaqë- suar prej “Pëllumbit të Paqes” së Picasso-s. E vërteta është se politizimi i fuqishëm i një kampi të ashtuquajtur socialist që mëtonte paqen botërore – pa i hequr asnjë presje shtypjes si regjime komuniste që ishin – çuditërisht në vetvete përmbante një sport të madh. Çka me triumfi n e Bashkimit Sovjetik në Olimpiadën e Melburnit sapo i kishte vënë vulën Kjo foto e mbi 60 vjetëve më parë (1957) i bën një nder të madh atletikës shqiptare, edhe pse fi timtari i saj nuk është protagonisti i këtij portreti me emrin Vangjo Afezolli, i cili po kryeson garën në fjalë.

Po ndërkaq, historia e këtij 5000-metërshi me shifrat 15.29.6 po aq i bën nder të madh atletikës shqiptare. Mos harroni: është plot 61 vjet më parë! Aq më tepër kur kujton se Kampioni i tashëm i Shqipërisë, më 2017 u shpall duke pasur rezultatin 16.04.24! Plot 35 sekonda më keq se 61 vjet më parë!…. Në këtë garë kanë qenë 10 shtete pjesëmarrëse dhe vendi i pestë i Afezollit është kuptimplotë kur dihej se vrapuesit e Bashkimit Sovjetik sundonin botën. Shto këtu mandej edhe rekordin e ri kombëtar të Afezollit po në këtë Festival në vrapimin e 1500 metrave (4.09.4), duke u renditur i 6-ti midis atletëve të 13 vendeve, them se vetëm me kaq Festivali i Moskës për atletikën shqiptare sigurisht ishte një pikë kthese. Aq më tepër kur kujton se Vangjo Afezolli, Albert Koja, Rrukije Domi, Telemak Theodhosi, Hivzi Kotrri, Marie Rranzi, Kimeta Pregja, Rexhina Hanxhari e Bashkim Çoçoli për më se një muaj do të stërviteshin prej trajnerit të shquar sovjetik Aleksei Maksimoviç Kuzmin.

3. Sot, mbas 6 dekadave, portreti i Vangjo Afzollit m’u duk thuajse po ai. Fiziku atletik, shtatdrejtë po ashtu. Gjallëria e shikimit të tij si drejt një horizonti fi timtari, po aq. Përpara meje qëndronte njeriu që kishte bërë revolucionin shqiptar të garave të vrapimeve 5000 e 10.000 metra, madje edhe të 1500 metrave. Kampion dhe sidomos rekordmen, pa ndërprerë kurrnjiherë as studimet, as punën e sapo nisur të profesionit të tij të inxhinierit mekanik dhe sot e kësaj dite pa përfi tuar asgjë, përveç zënies së vendit të tij të nderuar në histori, po që për dekada pakkush ia përmend për së mbari në Shqipëri. Vangjo Afezolli si një sfi dë, megjithatë është aty, mbi piedestalin e ndritshëm të historisë së sportit tonë kombëtar…

Nëse do të kërkosh të shkosh në fi llimet e rinisë sportive të tij, ashtu si dhe te shpërthimi i tij i menjëhershëm për në majë të atletikës shqiptare, pak a shumë në moshën 18-19 vjeçare, për një çast kjo nisje të duket disi krejt e qetë, e pa bujë. Mirëpo mandej, shpërthimi do të jetë kaq befasues, saqë thuajse në pak ditë ai do të mbushë faqet e gazetave tona të kohës. Për një çast të duket se ai ka vonuar disi të shfaqet në faqet e gazetave, por kur do të vendosë ta bëjë këtë, ai nuk do të përmbahet.

Shkrimtari francez i mirënjohur Jean Echenoz – fi tues i Çmimit Gouncourt – ka bërë një libër të mrekullueshëm me titullin “Courir” (që në shqipe përkthehet në paskajore, pra: “Me vrapue”) për Emil Zatopekun – vrapuesin legjendar të garave të 1500, e sidomos të 5000 e 10.000 metrave. Echenoz tregon se si Zatopekut nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend të merrej as me sport dhe as me vrapime. Po ai tregon se si atij shpesh po i ndodhte që në mëngjes, teksa shkonte për te fabrika e famshme “Bata” e prodhimit të këpucëve ku punonte, vetvetiu i përshkonte pjesë të rrugës duke vrapuar.

Dikush e thirri në një vrapim rrugëve të qytetit Brno dhe atë ditë, në këtë rastësi që do të bëhej mitike, niste historia e tij e përbotshme e vrapimit. Natyrisht, nuk ka vend që një Zatopek të gjendej në Shqipëri, por ja që edhe Vangjo Afezollit të ri, andej kah viti 1947, teksa për pak kohë punonte në një ofi çinë të Korçës pa i shkuar kurrë ndër mend se mund të merrej me sport apo me vrapime, po vetvetiu, si prej një instinkti, çuditërisht po vraponte. Ai sapo linte punën, me vrap drejtohej për në shtëpi. Ndodhi që toger apo kapiten Vasil Adhami – një ndër dashamirët më të mëdhenj dhe më origjinalë që sportet mund të kenë pasë në Shqipëri – e sheh dhe e ndalon, duke zbuluar kështu vokacionin e natyrshëm të djaloshit Vangjo Afezolli.

Në të vërtetë, ai kishte zbuluar njeriun që do të bënte revolucionin në ecurinë e garave të 5000 e 10.000 metrave në Shqipëri. Nuk gabojmë nëse pranojmë se mû këtu, në një rrugë të Kor- çës niste historia e madhe shqiptare e Vangjo Afezollit. Nuk do ta takojë kurrë Zatopekun mitik, por një çudi e përmasave do të ndodhte një herë kur shqiptari Vangjo Afezolli do të gjendej në një garë me dy kolosë të tjerë botërorë që erdhën mbas Zatopekut: sovjetikët Vladimir Kuc dhe Pjotr Bolotnikov. I lindur më 1932 në Hoçisht të Korçës, Vangjo Afezolli vjen kështu në Tiranë më 1947 si nxënës i Politeknikumit “7 Nëntori” dhe pa marrë pjesë në asnjë Kampionat të të rinjve, ai shpërthen drejtpërdrejt me të rriturit. Sapo mbaron, e caktojnë mësues po në Politeknikum dhe ai i bën të dyja: edhe mësuesinë, edhe atletin. Një jetë në dy fronte që nuk do t’i ndahet për disa vite të mira me radhë.

Do të përshkohet nga klubi i Tiranës te Partizani, prapë te Tirana dhe përfundimisht te Dinamo, duke konkurruar lavdia e tij sportive dinamase me atë të futbollit të skuadrës së mrekullueshme që kishte futbolli shqiptar i asokohe. Një talent i famshëm shqiptar, pedagogu dhe kampioni i shquar, Belul Hatibi, si të thuash, i blaton fi llimet kryeqytetase si trajner i tij ndër të parët. Për të vazhduar e përfunduar te pedagogu e trajneri i pandashëm Zef Hila – gjithashtu fi gurë e madhe e atletikës dhe sportit shqiptar, me të cilin do të mbërrijë lartësitë e tij të bujshme për atletikën shqiptare.

Në Shqipëri, në fi llimin e viteve ’50, garat 5000 e 10.000 metra sundohen prej rekordmenit Hasan Dinia të Partizanit – një atlet i shkëlqyeshëm për mundësitë e Shqipërisë të asokohe. Shqetësimi ishte se po rezistonte ende rekordi i Paraluftës në 5000 metra. Dhe ja ku mbërrin Kampionati Kombëtar i vitit 1954 dhe shtypi shkruan se “Hasan Dinia i Partizanit arrin kohën më të mirë që është realizuar deri më sot në garën e 5000 metrave me 16.07.0”, dhe se kështu “kemi atletë me perspektive për t’u thyer dhe përmirësuar rekordi i vjetër”… A ishte një prej tyre Vangjo Afezolli?

Kur mbërrin fundi i vitit dhe botohen më të mirët e atletikës për çdo garë për vitin 1954, për 1500 metrat, midis 6 rezultateve të më të mira të vitit na shfaqet edhe emri i “të panjohurit” Vangjo Afezolli, në vendin e katërt simbas kësaj pamjeje:

1. A.Koja (Dinamo)         4.17.2
2. Th.Duro (Partizani)     4.21.6
3. L.Daci (Dinamo)          4.22.2
4. V.Afezolli (Partizani)   4.24.8
5. O.Gruda (Puna)           4.26.8
6. A,Rapushi (Puna)       4.28.4

Por jo vetëm kaq. Vangjo Afezolli “i panjohur” është edhe midis 6 më të mirëve të vitit edhe në 10.000 metra. Gjashtëshja ka këtë renditje:

1. H.Dinia (Partizani)     33.59.0
2. M.Arapi (Partizani)    34.43.6
3. M.Peqini (Dinamo)    35.00.4
4. F.Bala (Partizani)      35.35.6
5. V.Afezolli (Partizani) 36.15.8
6. P.Gjyshi (Puna)        36.36.0

Siç shihet, ai është me klubin e Partizanit që s’ka lënë atlet pa rrëmbyer: 4 ndër 6 janë të tijtë. Në këto dy gara, shumica e tyre do të bëhen njeri mbas tjetrit kampionë e rekordmenë të shquar të kohës: Albert Koja, Theodhos Duro, Osman Gruda, Hasan Dinia, Meleq Arapi, Musa Peqini… E shumë shpejt, të gjithë këta do t’i mposhtte ai që përmendej më pak: Vangjo Afezolli, kryepersonazhi ynë i kësaj historie të treguar kësisoj për herë të parë në këto faqe të “Panorama Sport”. Më 1955m, Vangjo Afezolli ia arrin të hyjë në listën e 10 rezultateve më të mira të vitit, – çka për asokohe kishte një vlerë të veçantë për atletët. Këtu shfaqet, si të thuash më në plotmëri, ndonëse disi “i ngushtuar” nga emra të tjerë, edhe emri i tij. Në këtë bilanc 1955, Afezolli ynë renditet i 9-ti në 10.000 metra, po në dy gara të tjera emri i tij ka vërtet një renditje befasuese. Në 1500 metra ai ka rezultatin e katërt mbas Theodhos Duros, Albert Kojës e Osman Grudës, ndërsa në 5000 metra rezultati është në vendin e 3-të mbas Hasan Dinies dhe Besnik Kroit. Këtu, me sa duket, jepet dhe starti i shpërthimeve të tij të pandalshme. ..

4. E pra, çfarë do të ishte viti tjetër sportiv shqiptar, ai 1956? Janë ditë vërtet të rralla sportive në Shqipëri… Dinamo e Tiranës fi ton 3-1 në futboll një ndeshje të pashlyeshme në Berlin kundër Dinamos vendëse në stadiumin madhështor “Walter Ulbricht” të Berlinit. Kur pak ditë më parë në mënyrën më të bujshme kishte fi tuar po 3-2 në Pragë me përfaqësuesen e Pragës. Duhet të hysh në kohën e atyre viteve të vetëm 11 vjetëve të Pasluftës për të kuptuar rëndësinë e pazakontë të këtyre ndeshjeve. Nga Berlini Dinamo shkon në Leningrad dhe barazon një ndeshje të rrallë 1-1 me një nga skuadrat më të mirënjohura të Bashkimit Sovjetik, Zenit të Leningradit.

Emrat e dinamasve shqiptarë janë të paharrueshëm: Vogli, Maliqati, Deliallisi, Papadhopulli, Halluni, Shaqiri, G.Merja, Begeja, Lubonja, Jareci, Resmja, Deda, B.Boriçi, Gjinali. Por në Leningrad Dinamo e Tiranës është pa portierin e madh Qemal Vogli, i cili arratiset për në Gjermaninë Perëndimore. Është një turne krejt i jashtëzakonshëm që përshkohet në tre shtete “mike”, siç përcaktoheshin. Është një turne i papamë i një klubi të një vendi të vogël si Shqipëria – çka për një herë tjetër meriton një tregim përimtues (analitik), që ka të bëjë pikërisht me rritjen befasuese të futbollit të Shqipërisë të 60 e më vjetëve më parë!…

Ndërkaq, në mënyrën më të bujshme, në Shqipëri mbërrin skuadra e basketbollit e Ushtrisë Sovjetike, një variant befasues i CSKMO-së të famshme të basketbollit. Dhe rezultatet që janë të frikshme: Përfaqësuesja e Qytetit të Tiranës – CSKMO 58-77, Durrësi – CSKMO 38-84, Studenti – CSKMO 65-84, Puna e Shkodrës – CSKMO 29-72, Partizani – CSKMO 49-87, Partizani – CSKMO 39-57! Nuk mund të harroj ndeshjen e Shkodrës. Nuk di se çfarë vështirësie kishim për ta parë ndeshjen, ne, nxënës 14-vjeçarë, midis një turme ndoshta prej nja 4000 spektatorësh të Këndit “Spartak”, teksa skuadra e qytetit tonë, që admirohej aq shumë prej nesh, befas na dukej tejet e vogël përballë basketbollit të papërmbajtshëm sovjetik: Aleksandr Mojsejev, Evgeni Kazakov, Viktor Antonov, Aleksandër Travin, të cilët ishin të fanellës së Kombëtares të Bashkimit Sovjetik – ndër më të mirat e botës. Por çudia nuk mbaron këtu.

Në Tiranë janë sportistë të tjerë sovjetikë: një ekip sovjetik i gjimnastikës, ngritjes së peshave, mundjes e shahut. Takime, stërvitje të përbashkëta me kulm një shfaqje të paparë sportive mû në skenën e Teatrit Popullor! Sporti i Bashkimit Sovjetik përhapte kështu në shtete vasale përvojën e tij sportive mbarëbotërore, pikërisht në këtë fund të vitit 1956, kur për herë të parë ai triumfon në një Olimpiadë, këtë te vitit 1956 në Melburn me 37 medalje ari përballë 32 të SHBA. Çudia tjetër është se po në këtë dhjetor 1956, për herë të parë në Shqipëri mbërrin edhe një ekip sportiv i Kinës Popullore.

Është skuadra e futbollit të Pekinit, e cila habitet se si Shqipëria kishte një futboll të tillë: Tirana – Pekini 5-1, Vlora – Pekini 3-1, Tirana – Pekini 4-1! Viti 1956 është pra, viti i Olimpiadës së Melburnit, ku natyrisht Shqipëria nuk merr pjesë, por jehona olimpike e saj mbërrin deri aty saqë shtypi shqiptar i bën jehonë mbështetëse deri dhe pjesëmarrjes së Jugosllavisë së Titos, me të cilën Kongresi XX i Partisë Komuniste (b) të Bashkimit Sovjetik kishte urdhëruar Shqipërinë që të pajtohej…

Duhej të vinte Kampionati Kombëtar i Atletikës së Lehtë i 9-11 shtatorit 1956 (Partia e konsideronte të 12-in, duke mos njohur 6 kampionatet themeluese të Paraluftës) kur në garën e 5000 metrave Vangjo Afezolli i Tiranës të bëhet Nënkampion i Shqipërisë, “vetëkuptohet”, gjithnjë mbas të padorëzueshmit Hasan Dinia të Partizanit… Eshtë një Kampionat që rrethohet prej një publiciteti që nuk e gjen as sot. Me folë me gjuhën e sotme, publicitetin e marrin kampionë të tillë të shquar të asokohe, për ne të mëdhenj, si Hysni Bebeziqi (trehapësh), Rauf Kazazi (çekiç), Pina Thani (disk dhe gjyle), Meleq Arapi (3000 m/p) dhe duelanti i Vagjo Afezollit, Hasan Dinia (10.000 metra) – të gjithë përmirësues të rekordeve kombëtare në këto gara të këtij Kampionati.

E vërteta është se Nënkampioni Vangjo Afezolli i 11 shtatorit 1956 në 5000 metra, edhe pse kuptohej që paralajmëronte jo pak, mbetet si në hije. Hasan Dinia e fi ton titullin e Kampionit me shifrat 16 minuta. Çka do të thotë 9 sekonda larg rekordit të Paraluftës, që aq me e ngulm e kërkonte Partia që të thyhej. Një jehonë e madhe i bëhej pak ditë para Kampionatit kur atletika shqiptare, natyrisht modeste në krahasim me Europën, shpërthen me thyerjen e rekordit kombëtar të Paraluftës në kërcimin së gjati prej atletit, i cili për ne do të bëhej mitik: Hysni Bebeziqi i Partizanit. Ai arrin 6.63 përballë 6.58 të Sabit Çokut “reaksionar” të viteve ’30, i cili shihej rrugëve të Tiranës, si të thuash në punë të vet, i panjohur prej të gjithëve…

E në këtë tregim të vërtetë, kë- sisoj gazetarie e historie, vetvetiu ndiej edhe një emocion krejt të veçantë, si të thuash familjar e fi snor. Midis atletëve të shquar të Shqipërisë së asokohe gjej emrin e të paharrueshmit Sadedin Hoti, djalit tim të tezes. Ndër më të njohurit në hedhjen e gjyles dhe të diskut, e për çudi e gjej edhe të parin në hedhjen e granadës. Një garë që në të gjithë vendet komuniste qe bërë simbol i kujtesës për fi toren në Luftën e Dytë Botërore. Ndërkaq, historia vjen e më bind se Sadetinin, Det Hotin, siç njihej në gjithë Shkodrën, vetvetiu ne e ndienim si një mbasardhës sportiv të dajës sonë të shtrenjtë, atletit dhe futbollistit të dëgjuar të viteve ’20, Dr.Bahri Koplikut – babai i ing.

Bashkim Koplikut – zëvendëskryeministër e ministër në Shqipërinë Demokratike. Dr. Kopliku – fi timtar befasues (së larti e kërcim së gjati) i viteve ’20, në të dëgjuarën Olimpiada e Zetës në Malin e Zi – është kështu edhe një nga themeluesit e Kampionatit të Parë të Atletikës së Lehtë (1929) me pjesëmarrjen e tij – ndër më të mirët në kërcim së gjati. Mandej, trashëgimia sportive për fi sin tim do të bartej te vëllai i Detit, i mirënjohuri Syrri Hoti i kërcimit së larti. E më mbas te mbesa e tyre Valbona Teli – rekordi i së cilës në kërcimin së larti për moshën 15 vjeç me 1.65 qëndron i pathyer prej plot 37 vjetësh (1981), pa shkuar te dy titujt e saj si Kampione e Shqipërisë për të rritura në pesëgarësh (1985, 1986).

Natyrisht që do të mbërrij edhe te djali tjetër i tezes, atleti i trehapëshit e përtej, Skender Bushati (Fusha), përveçse volejbollist, talenti i të cilit do të zbehej tejet prej një regjimi të egër. Fati i pamëshirshëm do t’i ndante nga jeta Sadetinin dhe Valbonën tonë në një fatalitet krejt të parakohshëm moshe, 38 e 34 vjeç! Sadetin Hoti – përveç të tjerave, mësues i çmueshëm i matematikës, një personalitet i shquar i intelektualëve të Shkodrës – për rrethana e kushte krejt familjare, ka qenë jo pak ndikues krejt i veçantë, për të mbërritur te një formim sa më i plotë kulturor te mosha jonë e re, sidomos tek e imja dhe vëllait të tij, të pashlyeshmit dr. Ferit Hoti (1943- 2008), deputeti i mirënjohur i Parlamentit Shqiptar.

Edhe ky formim i një kulture atletike, vetvetiu që do të më nxiste qysh herët te gazetaria në tanësi e tek ajo sportive në veçanti. Det Hoti mbinxinte blloqet e mia të para me plot emra e ngjarje sportive, ku mbas do kohe, ashtu si dhe për të tjerë, do të kishte vend edhe për një rekordmen tjetër, ende të panjohur me emrin Vangjo Afezolli. Në të vërtetë, ndonëse disi në largësi, ky personazh i djeshëm dhe i sotëm, do të ndiqej me plot simpati prej dy trajnerëve të mëdhenj të atletikës shqiptare, Feti e Ibrahim Dizdari, gjithashtu të afërmit e fisit tim dhe profesorët e mi të edukimit fi zik, të cilët plotësojnë edhe ata, si të thuash, rrethin atletik të një kulture të fi sit si autor i këtushëm për çka ndjeva këtë përsiatje si një detyrim kujtese, e pse jo, disi personale. Përveçse një vit olimpik, 1956-ta ishte dhe viti i Revolucionit Hungarez, i ashtuquajturi “Kundërrevolucion” prej shteteve komuniste të Europës me në krye Bashkimin Sovjetik të Nikita Hrushovit.

Ne sapo kishim nisur klasën e parë të gjimnazit e Shkodra, që i jepte vendit atletë, edhe pse e mbajtur nën frê prej 12 vjetësh, e ndiqte me ankth ngjarjen e Hungarisë. Në shtëpinë time vinte përnatë pra, djali i tezes, Sadetin Hoti. E, teksa çdo natë ndërsa ndiqte ngjarjet përmes “Philipsit” të viteve ‘30 të familjes sime, ai më komentonte plot gjakim (pasion,) por dhe me shpjegime të një logjike të ftohtë, se çka po ndodhte në Hungari. Kësisoj, mua, një 14-vjeçari, më dukej se përnatë në atë tetor – nëntor 1956, merrja kësisoji leksionet për ngjarjen e bujshme të Budapestit.

Dhe me që e kemi fjalën për këtë histori të jashtëzakonshme të protagonistit tonë Vangjo Afezolli të 5000 e 10.000 metrave, vetvetiu ne do të bindeshim që në duelin olimpik të 10.000 metrave të ishim me Jozsef Kovacs-in e Hungarisë dhe jo me Vladimir Kuc-in e Bashkimit Sovjetik. Ata do të ndanin midis tyre medaljen e artë dhe të argjendtë olimpike për punë 6-7 sekondash. Sigurisht ne nuk mund të merrnin assesi nëpër mend se mbas nja disa muajve, një atlet shqiptar me emrin Vangjo Afezolli, do të garonte në pistën e “Luzhnikit” pikërisht me këtë Kampion Olimpik me emrin Vladimir Kuc – një legjendë e përbotshme, “kundër” të cilit ishim ne, gjimnazistë të rinj sportdashës të Shkodrës…

5. Sigurisht ngjarja e parë e madhe e Vangjo Afezollit është ajo e fi llimit të vitit 1957, kur ai thyen rekordin e Shqipërisë të Paraluftës në 5000 metra që po rezistonte prej 20 vjetësh. Për përkim, ngjarja lidhet me një personazh, me të cilin kur unë do të isha gazetar i “Bashkimit”, do të më lidhte një miqësi e veçantë. Dhe jo vetëm sepse ishte fjala për një rekordmen e kampion të famshëm të Shqipërisë Mbretërore, së bashku me Feti Dizdarin e Ibrahim Dizdarin e mi, por edhe për faktin se në vitet ’20 ai kishte qenë nxënës i babait tim Gani Dizdari në Plotoren e Vlorës, për të cilin ruante një nderim të veçantë.

Emri i tij është Minella Anastasiadhi. Sa herë që më takonte përlotej, çka ia shkaktonin kujtimet e një kohe… Të dukej se pikërisht me garat e rekordet e Minella Anastasiadhit – maratonistit, kampionit dhe rekordmenit të paarritshëm të viteve ’30 – pjesëmarrësit dinjitoz të atyre që emërtoheshin si Olimpiada Ballkanike të Atletikës së Lehtë, nga Athina, Stambolli, Zagrebi e Beogradi – do të “kishte punë” 25-vjeçari i vitit 1957, Vangjo Afezolli. Minella Anastasiadhi është Kampion i viteve ’30 në disa gara, qysh nga 1500 metrat, 3000 metrat, 5000 metrat, 8000 metrat, 10.000 metrat, dhe maratonë! I vetmi kësisoj, sot e kësaj dite, në historinë e Shqipërisë. Në kohën e tij në 1500 metra do të ketë punë me Simon Todoshin e Ragip Lohjen.

Në 5000 metra me Jorgji Kojën e Kristo Isakun, në 10.000 metra me Jorgji Kojën, emra të shquar themelues të atletikës shqiptare të viteve ’30 – absolutisht të panderuar sot e kësaj dite. Rekordi kombëtar i Minella Anastasiadhit në 5000 metra 15.51.0 i vitit 1933 do të rezistonte deri më 1956, plot 23 vjet për t’u thyer nga Vangjo Afezolli. Ngjarja ka përmasa mbarëshqiptare të propagandës sportive. Sa herë që thyhej një rekord i Paraluftës, Regjimi shpërthente. Në historinë politike apo gjeopolitike të sportit shqiptar, për gati 40 vjet kemi përjetuar një çoroditje të tanë, që shpesh mbërrinte deri në një urrejtje të mëkuar po prej Regjimit.

Ja sa poshtë bie “Sporti popullor” – kryeredaktor i bindur, i të cilit do të bëhesha edhe unë më 1982 – në numrin e tij të 10 nëntorit 1954 kur shkruan fjalë për fjalë: “Sporti i regjimit të Zogut, si çdo sport borgjez, përhapte frymën e imoralitetit, të lokalizmit dhe të për- çarjes fetare dhe krahinore. Në atë kohë nuk kishte ndeshje dhe garë ku të mos plasnin grindjet e rrahjet. Futbollistët, për shembull, dhe tifozët e tyre, shkonin në fushat sportive me shkopinj dhe thika”. Vështirë të besoj se në një vend tjetër të Lindjes komuniste, të jetë shkruar kështu! Ishte fjala për sportin shqiptar mbretëror të viteve ’30, që kishte themeluar edhe atletikën e kombit.

Kur madje jo pak prej kampionëve të saj, mbas pak vitesh do të rrëmbenin armët kundër pushtuesit, me në krye një kampion e rekordmen të paharrueshëm si Kristo Isak – pikërisht i garave të gjysmëthellë- sisë dhe të thellësisë – kampion dhe rekordmen i Shqipërisë në 1500 e 5000 metra. Vështroni këtu, të botuar absolutisht për herë të parë në shtypin shqiptar, në këtë rast në gazetën “Panorama Sport”, ecurinë e titujve të Kampionit të Shqipërisë të Paraluftës:

1500 METRA
1929; Simon TODOSHI / Korça 4.51.0
1930: Simon TODOSHI / Korça 4.54.4
1931: Minella ANASTASIADHI / Vlora 4.42.0
1932: Kristo ISAK / Korça 4.43.2
1933: Ragip LOHJA / Shkodra 4.47.2
1934: Kristo ISAK / Korça 4.34.0
5000 METRA
1929: Jorgji KOJA / SK Tirana 18.25.6
1930: Jorgji KOJA / SK Tirana 18.30.0
1931: Kristo Isak / Korça 18.33.0
1933: Minella Anastasiadhi /Vlora 15.51.0
1934: Minella Anastasiadhi / Vlora 17.43.4

A u thua i njohin shqiptarët e sotëm këta themelues unikë të sportit dhe atletikës shqiptare? Nuk e besoj. Dhe prej kësaj mosnjohjeje natyrisht vjen dhe mosnderimi. Do të vazhdojmë në numrin e nesërm me plot episode sa të panjohur, po aq dhe të rrallë…

(Vijon në numrin e nesërm)

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"