Izmir Smajlaj dhe një histori shekullore përreth tij…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2019 | 23:05

Izmir Smajlaj dhe një histori shekullore përreth tij…

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Izmir Smajlaj. 8.11 metra në njëhapësh – kërcimin së gjati. Shkodër. 22 qershor 2019. Kampionati Kombëtar i Atletikës së Lehtë. Kampionati i 90-vjetorit të Kampionatit të 1-rë të këtij sporti: 1929. Në të vërtetë, Kampionati i parë Kombëtar për të gjitha llojet e sporteve në Shqipëri. Një vit para futbollit (1930). Çudi e madhe, madje krejt e jashtëzakonshme për krejt historinë e sportit shqiptar.

REKORDE QË PREJ PADIJES NUK BËJNË PËRSHTYPJE.

Në këtë retrospektivë historie të rekordit të kësaj gare, jam i detyruar të përsëris jopak nga ç’kam shkruar më parë kur në vitin 2014 Smajlaj arrinte në Elbasan rekordin e 8.03 metra. Dihet, ai është i vetmi Kampion i Europës në Atletikën e Lehtë që ka Shqipëria. 8.08 metrat spektakolare të Beogradit në Kampionatin e Europës në sallë: 29 mars 2017. Në të vërtetë ky 8.08 i titullit Europian të sallës, deri javët që shkoi ishte rezultati më i lartë në gjithë historinë tonë të kësaj gare.

izmir-smajlaj

Tash, duke dalë në “natyrë”, nuk ka vend për “keqkuptime” sepse kemi krejt të pastër rekordin absolut 8.11 metra! Pata shkruar se thyerja e rekordit të Izmir Smajlajt, nuk i pat bërë përshtypje askujt. Më duket se edhe kësaj radhe po ngjet po ashtu: nuk i bën përshtypje thuajse askujt, as 8 e 11- ta si dhe dhe as 8 e 03-shi. Posaçërisht televizioneve ku duket qartë se nuk ka njerëz që kanë njohuritë më të pakta për Atletikën e Lehtë, përderisa e paraqesin aq dobët.

Por jo vetëm kaq. Për shembull, ua merr mendtë caktimi i trajnerit Sarri për te Juventusi i Italisë – lajm i cili absolutisht nuk ka punë me Shqipërinë. Po ta dinte Sarri se në Europë ka një televizion të një shteti që në lajmet e tij kryesore të ditës – madje një shtet me plot probleme e shqetësime jete – jep me ngazëllim shërbëtorësh lajmin e caktimit të tij trajner te Juventusi, me siguri do të mahnitej… Ndërkaq, nuk di nëse e kanë dhënë dhe lajmin se Shqipëria zhvilloi Kampionatin Kombëtar të Atletikës së Lehtë dhe se kampion u shpallën Vllaznia për meshkuj e SK Tirana për femra.

smajlaj-kampion-evrope-696x464

Sigurisht, nuk mëtoj që këta televizione, qoftë dhe ai publik, ta trasmetonin drejtpërdrejt Kampionatin Kombëtar të Atletikës (ndonjëherë, dikur e kemi pasë trasmetuar) sepse e di që nuk kanë as kulturën dhe as aftësinë e transmetimit kësisoji, madje vështirë të dinë edhe sa e si duhet të vendosen kamerat rreth e rrotull pistës prej 400 metrash. Dhe aq më pak të kërkojnë të njohin disi historinë shqiptare të këtij sporti që quhet “mbretëresha e sporteve”, e aq më pak historinë e këtij rekordi të kërcimit së gjati që i përket Atdheut të tyre.

Kujtojnë se shqiptarët televizivë gëzohen fort për trasmetimin e motoçiklizmit ndërkombëtar – një “sport” joolimpik pra – që në Shqipëri nuk ekziston dhe as që ka ndërmend të ekzistojë… Dhe vazhdojmë me historinë tonë. Nja pesë vjet më parë, kur ende ishte në këmbë Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” me pistën e tij të atletikës në Kupën me emrin “Alberto Huantorena” – vrapues epokal i atletikës botërore – një atlet 21- vjeçar me emrin Izmir Smajlaj, i Vllaznisë së Shkodrës, ka thyer rekordin kombëtar të kërcimit së gjati, mbasi e kishte barazuar para do kohe. Shifrat e tij të reja ishin 7.78 metra nga 7.75 që ishte më parë, vendosur në vitin 2008 nga Admir Bregu dhe që ishte barazuar para pak javëve të asokohe prej Smajlajt.

E Smajlaj kishte barazuar rekordin e një atleti po të qytetit të tij, Admir Bregut, pikërisht në veprimtarinë e Kupës “Hysni Bebeziqi” – korifeu i garave të kërcimeve në Shqipëri, edhe ai qytetar dhe sportist legjendar i Shkodrës, i Shqipërisë, i qytetarisë, i familjes nobël Bebeziqi. Thyerja e rekordit të Izmir Smajlajt, që nuk i pat bërë përshtypje askujt, dukej sikur shkonte vetvetiu te kujtimi i më të madhit (duke respektuar kohën, natyrisht) që është Hysni Bebeziqi.

Smajlaj

HYSNI BEBEZIQI DHE TË TJERËT PARA TIJ ME NË KRYE SEJFEDIN BIÇAKUN.

Për të mbërritur përsëmbari te Hysni Bebeziqi, siç pata shkruar në këtë gazetë, gazetarisë së sotme, më parë do t’i duhej që të njihte Sabit Çokun, rekordmenin e jashtëzakonNga cikli i ri: “90 vjet të Kampionatit të Parë Kombëtar Sportiv në Shqipëri” IZMIR SMAJLAJ dhe një histori shekullore përreth tij… BESNIK DIZDARI shëm të Shqipërisë së Paraluftës në kërcimin së gjati me 6.58 metra, rekord i vendosur qysh më 1935, një rezultat i madh për Shqipërinë e vogël për dhjetëvjetëshin e katërt të shekullit të shkuar, atë Sabit Çok – kampion i Shqipërisë edhe në futboll me Sportklub Tiranën – të cilit me siguri do t’ia mësojnë emrin vetëm nëse lexojnë këtu.

Sepse Çoku i harruar edhe ky, ka qenë i burgosur e i flakur tej prej Regjimit. E me të burgosurit e të flakurit e Regjimit, media e sotme shqiptare nuk e ka fort për qejf të merret. Kaq i rrallë ka qenë Sabit Çoku për Shqipërinë sportive, saqë duhej të kalonin plot 21 vjet dhe të vinte viti 1956, e bashkë me të një djalë nga Shkodra, 22-vjeçari Hysni Bebeziqi i Partizanit, për fat i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Popullore, i drejtuar nga trajneri i tij Tajar Pipa, do ta thyente këtë rekord njëtëkatërtshekullor duke mbërritur në 6.63 metra. Ka qenë një ditë e vitit 1956 dhe Shqipëria Komuniste e Sportit kaloi në eufori, sepse më në fund u thye edhe një rekord që mbahej prej një “borgjezi” me emrin Sabit Çoku, i cili përveç të tjerave, ishte vëllau i një “tradhtari” në emigracion, siç e përcaktonin pa mëshirë Prof. Mentor Çokun e nderuar.

Të gjitha këto radhë të sotme unë i marr prej shkrimit të atyre ditëve kur ende pista e Stadiumit Kombëtar ishte në këmbë, sot e zhdukur pra, prej “trimave” të mëdhenj që po nxjerr këto vite e ashtuquajtura “politikë moderne shqiptare”. Në korrik të vitit 1957, Hysni Bebeziqi do ta çonte rekordin në 6.69 dhe kur vjen 1958-ta, pra bukur 61 vjet më parë, Bebeziqi arrin atë që as që mund të mendohej: fiton në takimin e Tiranës me 6.68 metra, për 1 centimetër më tepër, garën dramatike me rekordmenin e Armenisë të Bashkimit Sovjetik, Tumanian, pa dyshim i vetmi rast në histori që një shqiptar fitonte kundër një atleti të një Republike të Bashkimit Sovjetik – sundues i atletikës botërore.

peter andoni 1925

Dhe pikërisht të Armenisë që do t’i jipte botës fenomenalin e kërcimit së gjati, Igor Ter Ovenasjan me 8.35 metra. Një vit më vonë Bebeziqi do të mbërrijë rekordin 6.99 ose 7 metra pa 1 centimetër. Me siguri ju duket pak. Ngaqë si të paditur apo harrues shembullorë që jeni, ju kujtoj se kjo tash është 60 vjet më parë!… Hysni Bebeziqi në ato vite të çuditshme ’50, iu sul edhe rekordit të trehapëshit. Këtu më duhet të bëj një “errata corrige” nga ajo çfarë kam shkruar më parë kur kam fiksuar se në shtatorin e 1956-tës, duke arritur plot 14.00 metra, Bebeziqi i madh theu rekordin 13.64 i vendosur qysh në 1952 prej Vlash Koljakës – figurë e shquar e atetikës, basketbollit e sportit kombëtar. Por e vërteta e zbuluar së voni prej autorit të këtushëm është tjetër, Bebeziqi pra, nuk ka thyer rekordin e Koljakës (13.64), por të Sejfedin Biçakut që ishte 13.68.

Shtatë vjet më vonë, në 1945, Shqipëria do të bëhej vendi i parë në Europën e pasluftës që do të vriste një rekordmen të Atletikës së Lehtë, sportistin e madh shqiptar Sejfedin Biçakun, vëlla i Sabaudin Biçakut dhe i Vasif Biçakut, të dy futbollistë, i pari pasluftës në Itali, ndërsa Vasifi – Kampion i Ballkanit në Shqipëri në tetor 1946. Sejfedin Biçakut, i vrarë si kundërshtar trim i regjimit të ri diktatorial që po vendosej, do t’ia ekspozonin trupin në mes të qytetit të Kukësit duke tmerruar popullin. Rekordi i Sejfedin Biçakut do të thyhej vetëm në 1956, pra nga Hysni Bebeziqi, ndërsa rekordmeni ynë i madh do të vononte 46 vjet që të shndërrohej në dëshmor i kombit.

hysni bebeziqi 1959

Ndreqja e historisë na kthen kështu 81 vjet mbrapa. Na kthen për te Kampionati i 2-të Europian i Atletikës së Lehtë të vitit 1938 në Paris, ku ka marrë pjesë edhe Shqipëria. Kjo është pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në një Kampionat Europian për të gjitha sportet. Edhe ky nder i takon Atletikës së Lehtë dhe asnjë sporti tjetër. Ajo është paraprijësja. E shihni se sa largpamës e të një kulture të lartë që kanë qenë organizatorët sportivë të asaj kohe. E gjitha ka qenë vepër e Ministrisë së Arsimit të asokohe pra, në të cilën nuk punonin si sot njerëz të zgjedhur nga partia, përveç të tjerave me një të ashtquajtur curriculum krejt të varfër, siç veprohet në Shqipërinë e sotme, por figura të shquara të sportit kombëtar, të profesoratit të edukimit fizik, të tillë si Luigj Shala që në këtë Ministri kryesonte gjithë organizmin e sporteve për Shqipërinë.

Sigurisht nuk e njihni as këtë figurë të jashtëzakonshme themeluese të sporteve dhe të kulturës fizike në Shqipëri. Sensacioni tjetër më i madh është se në këtë Kampionat një atlet shqiptar, për ne fenomenal, me emrin Sejfedin Biçaku, ka arritur të jetë midis finalistëve, duke mbetur deri në korrikun e vitit 2016, për plot 78 vjet, i vetmi atlet shqiptar që kishte hyrë në një finale të Kampionatit Europian të Atletikës së Lehtë. Dhe është renditur i 9-ti në garën e trehapshit me shifrat e larta për kohën që thamë: 13.68 metra – rekordi kombëtar të cilin Shqipëria e ka thyer pas bukur nja 25 vjetësh, kohë e Pasluftës nga Hysni Bebeziqi.

Kjo është edhe “errata corrige” ime e këtushme, siç e kam bërë edhe në botimin e dytë të librit tim “BALLKANIADA 1946 – Shqipëria – Kampione e Ballkanit në startin e “Luftës së Ftohtë” në Europë”. Renditja Europiane e Biçakut kishte mbetur pra më e larta në historinë tonë deri ditët e Kampionatit të Amsterdamit. E barazoi atleti tjetër i yni, djaloshi i talentuar Izmir Smajlaj, i stërvitur nga trajneri Vildan Tufi i meritave tejet të mëdha, duke mbërritur finalen për Shqipërinë pas plot 78 vjetësh po në një garë kërcimi. Në këtë rast jo në trehapëshin e Biçakut, por në atë të kërcimit së gjati dhe duke u renditur edhe Smajlaj po i 9-ti sa dhe Biçaku i paharrueshëm.

Duke iu kthyer Bebeziqit, historia na thotë se brenda 5 vjetëve, në 1963, ai do ta çonte rekordin deri te plot 15.01 metra. Shifra që kalonin dhjetëra e dhjetëra shtete të botës në këtë rekord të trehapëshit. Në 1958, në Spartakiadën e ashtuquajtur “të Ushtrive Mike” në Lajpcig të RD Gjermane, Bebeziqi do të kishte fatin të matej me atletë të dëgjuar të Europës. Dhe jo vetëm që nuk stonon assesi, por është në gjashtëshen e më të mirëve, saktësisht i 6-ti, me 14.67 metra (vendi i parë është për atletin e shquar Cem të BRSS me 15.07 metra) duke lënë mbrapa një tufë të tanë kërcyesish gjermanë, bullgarë, hungarezë, polakë e kinezë, të shteteve atletikë të mirënjohur…

E pra, a duhet ta ripërsëris tregimin tim të hershëm rreth tij? Them se po. Krejt papritmas Hysni Bebeziqi, tash i Vllaznisë së Shkodrës së tij, një ditë të bukur vjeshte të vitit 1960 kërkon të kërcejë edhe së larti. Ai do ta bënte këtë veprim thjesht sepse i tha mendja se rekordi i kërcimit së larti në Shqipëri nuk po thyhej, teksa ishte vendosur vetëm 1.78 nga polisportisti i shquar Masar Aga në 1957. Pa u specializuar aspak për këte disiplinë, shpejt e shpejt, Bebeziqi shpik një stil të tijin që na habiste të gjithëve, duke iu sulur drejtpërdrejt e në “lule të ballit” stekës dhe kështu, në 1960 në stadiumin e Shkodrës që thirrej “Vojo Kushi”, arrin 1.80 metra, teksa, në mos gaboj, vetë nuk ishte më shtatlartë se nja 1.67 metra, çka do të thoshte se kishte kërcyer plot 13 cm mbi lartësinë e tij trupore, duke hyrë në këtë tregues për asokohe ndër “rekordmenët” e botës!

Madje 15 centimetra mbi shtatëlartësinë e tij, sepse pas pak javëve, po në Shkodër arrin rekordin e 1.82 metrave. Dhe prej këtu drejtpërdrejt te sensacioni i një dite prej ditësh, kur Hysni Bebeziqit i tha mendja ta braktiste atletikën për hir të futbollit. Kështu, krejt papritmas, një pasdite të bukur u pa në stërvitje me Vllazninë në stadiumin “Vojo Kushi” dhe nuk kishte kundërshtar që t’ia ndalonte shpejtësinë e rrufeshme dhe as driblimin fantastik. Trajnerët e tij, të paharrueshimit Feti Dizdari dhe Ibrahim Dizdari, shtangën dhe shpejtuan ta ndalonin të dilte në fushën e futbollit! Se ndryshe atletika shqiptare do të humbiste heroin e saj të vërtetë. Bebeziqi vuri buzën në gaz dhe iu rikthye atletikës…

NJË HISTORI 90-VJEÇARE E RRËMBYER NGA IZMIR SMAJLAJ.

Pata shkruar se për Izmirin prapë do të kemi mundësi të shkruajmë. Dhe kështu po ndodh, duke më dhënë përsëri mundësinë që të plotësoj e saktësoj edhe më tej historinë statistikore të rekordit kombëtar të kërcimit së gjati në Shqipëri, të cilën për ta përtimtuar kësisoji, e di unë se çfarë kam hequr! Nuk më vjen fort mirë që shkruaj kështu, mirëpo ja që jam i vendosur për t’ua hequr maskën përherë plagjiatorëve që kopjojnë, që s’dijnë të kopjojnë, që sajojnë, që shtrembërojnë historinë e sportit kombëtar, madje si edhe në një shkrim të javës që sapo kaloi…

Rekordi shqiptar i kërcimit së gjati është një histori e cila qysh në nisje ka një figurë themeluese që sot po aq nuk e njeh askush më. Është historia e profesor Peter Andonit të Elbasanit, i cili po kështu, në periudhën 1929-1934 kishte qenë rekordmen i Shqipërisë po në tri gara të kërcimeve (së gjati, së larti, trehapësh). Një tjetër fenomen i atletikës shqiptare, edhe ky profesor i famshëm i edukimit fizik, i Normales së Elbasanit, i gjimnazit të Shkodrës po dhe i Robert College Amerikan të Stambollit ku do ta mbyllë edhe ai krejt i zhdukur pra, nga historia e sportit shqiptar! Shkrimi i sotëm ka një risi të madhe: është një foto unikale e vitit 1925, nga një vrapim 200 metra ku Peter Andoni nën fanellën e Robert College është duke fituar! Është 1925!

Gati 100 vjet më parë. Ruajeni fort këtë kujtim atletik nëse keni sadopak atdhetari. Mirëpo, Shqipëria gjithmonë zhduk e harron, sidomos ata që janë pjesë e masonerisë së saj të sotme. Eshtë normale edhe kjo për këtë Shqipëri të mjerë ndaj historisë së saj. Kurrë një komb nuk do të përparojë me ritme të kohës, për sa kohë nuk denjon të merret me veten, me ngjarjet e tij, me historinë e tij, me protagonistët e tij. Por le të mos e zgjasim. Tema “të vjetëruara” tashmâ edhe këto… Të qëndrojmë te historia jonë e këtushme. Dhe prapë rikujtoj.

Ka qenë 29 qershor 2007, një atlet 26- vjeçar, Admir Bregu, po nga Shkodra, arrin 7.71 metra në kërcimin së gjati në Kupën e Europës në Zenica të Bosnje Hercegovinës, medalje e artë europiane e tij mû në ditën e ndarjes nga jeta të Hysni Bebeziqit, duke i bërë vetvetishëm nderimin më të madh themeluesit të shkollës shqiptare të kërcimeve në atletikë, Bebeziqit të paharrueshëm të Shkodrës e të Shqipërisë.

Bregu thyente kështu rekordin tonë kombëtar 23 vjet të pathyer, rekord i të mirënjohurit tjetër për ne, Gjergj Ruli, sot president i Federatës Shqiptare të Atletikës së Lehtë, sport të cilit qeveria jonë e ndritur e “mosudhëhequr” në këtë fushë prej Ministrisë së Arësimit e Sporteve, e ka flakur tej. Ministri së cilës ndoshta i duhet hequr tashmâ cilësimi “e Sporteve”, ngaqë nuk duket se e meriton këtë emërtim. Për sportet jo më ka ardhur koha, por po kalon koha për të realizuar një organizim krejt tjetër qeveritar, pse jo shtetëror, krejt ndryshe nga ky i sotmi, madje me zyrtarë të tjerë të saj, çka besoj se do të jetë një temë jo fort e largët e shkrimeve tona të ardhshme…

Nuk ia vlen ta zgjas më shumë. Pas kujtimit të Hysni Bebeziqit, në nderim të tij, por dhe të rekordit të ri të këtyre ditëve të Izmir Smajlajt dhe trajnerit të tij të tashëm Gjergj Ruli, po e mbyll pra me historinë statistikore të 90 vjetëve të rekordeve të Shqipërisë në kërcimin së gjati:

HISTORI KRONOLOGJIKE:

Rekordet e Shqipërisë – Kërcim së gjati 1929 – 2019
1929 Peter ANDONI / Elbasani 5.97 m.
1930 Peter ANDONI / Elbasani 6.16 m.
1932 Selman STERMASI / SK Tirana 6.27 m.
1934 Sabit ÇOKU / SK Tirana 6.38 m
1935 Sabit ÇOKU / SK Tirana 6.58 m.
1956 Hysni BEBEZIQI / Partizani 6.58 m.
1956 Hysni BEBEZIQI / Partizani 6.63 m.
1957 Hysni BEBEZIQI / Partizani 6.69 m.
1957 Hysni BEBEZIQI / Partizani 6.89 m.
1959 Hysni BEBEZIQI / Vllaznia 6.99 m.
1961 Sabaudin RAMKU / Partizani 7.04 m.
1964 Sabaudin RAMKU / Partizani 7.14 m.
1970 Koço MULLA / 17 Nëntori (SK Tirana) 7.15 m.
1971 Koço MULLA / 17 Nëntori (SK Tirana) 7.30 m.
1975 Arben PAPULI / 17 Nëntori (SK Tirana) 7.34 m.
1979 Gjergj RULI / Studenti 7.64 m.
1984 Gjergj RULI / Dinamo 7.70 m.
2007 Admir BREGU / Vllaznia 7.71 m.
2008 Admir BREGU / Vllaznia 7.75 m.
2014 Izmir SMAJLAJ / Vllaznia 7.75 m.
2014 Izmir SMAJLAJ / Vllaznia 7.78 m.
Elbasan. 21.05.2016: Izmir SMAJLAJ / Vllaznia 8.03 m.
Shkodër. 22.06.2019 Izmir SMAJLAJ / SK Tirana 8.11 m.

Kjo është historia e nxitur prej rekordit të ri, datuar 2019, i Izmir Smajlat, tash i sportklub Tiranës. Kjo histori më bëri të nderoj ndërkaq edhe rekordet e Sabaudin Ramkut, i cili qe njeriu që e modernizoi më tej këtë garë, fizik i mrekullueshëm, elegant dhe njeri i pafjalë, kryeulë edhe kur “fluturonte” në pedanë. Smajlaj më bëri të kujtoj edhe Koço Mullën, i cili të dukej se ishte një mpleksje e stilit të Bebeziqit e Ramkut, duke i dhënë garës “fotografinë” e një kinograme më se elegante.

Kur pas tij si një meteor do të ndriçonte këtë përparim Arben Papuli i fuqishëm. Për të kaluar mandej te kujtimi i rekordit të bujshëm për ne, atë të Gjergj Rulit (7.70), i cili ishte si shpërthimi ndezës i një rakete moderne. Do ta mposhtte “shkolla shkodrane” që rilind me Admir Bregun – përmbysësi i madh i 7 e 70 –ës ruliane. Tash, për “fat të keq”, do ta mbyll, duke risjellë si gjithnjë kritikën që tashmâ u bë “e hershme”, natyrisht duke e plotësuar gjithnjë me risi. I ka kapë ankthi se kur do të përurohet stadiumi i ri, në shtator apo tetor.

Punë e madhe fort! Le të përurohet edhe në dhjetor apo janar. Nuk i prish punë aspak sportit kombëtar. Ajo çka prish punë është Tirana – i vetmi kryeqytet në Europë pa pistë atletike! Ose prish punë vetëm sa për të vonuar paksa për të shitë mend qeveria shqiptare së bashku me Federatën Shqiptare të Futbollit. Ata të cilët deshtën të rrëmbejnë organizimin e një Kupe të Europës pa filluar ndërtimi i këtij stadiumi. Ndërkohë që nuk janë të zotët të ndërtojnë shpejt e shpejt (sepse kushton shumë më pak) një pistë atletike, bie fjala në gjelbërimin e kodrave të Tiranës me emrin e themeluesve rekordmenë të atletikës shqiptare, pra: pista “Selman Stërmasi”, “Petër Andoni” a “Sabit Çoku”. Pse jo edhe një pistë tjetër në Shkodër, qoftë dhe midis kodrave të Tepes apo në gjelbërimin e kodrave të Ajasmës me emrin “Hysni Bebeziqi”.

Mirëpo nuk jeni të vetëdijshëm në atdhetari. Jeni pompozë e të vetëkënaqur, përveçse arrogantë dhe përvetësues të pamerituar të drejtimit të sportit kombëtar. Historia “smajljane” e Kampionit të Europës besoj se nuk ndal më 22 qershor 2019. Edhe pse për ne është në apogje: 8.11 metra në kërcimin së gjati! Një rezultat i madh për Shqipërinë e vogël, që për të gjitha qytetet e klubet atletike të saj ka vetëm dy pista atletike me të meta jo të pakta të parametrave olimpikë.

Dhe meqë jeni injorantë (të paditur) edhe në këto punë, po ju kujtoj se rekordi i Izmir Smajlaj është bukur më i lartë se i shumë e shumë shteteve si Azerbajxhani, Bosnje Hercegovina, Qipro, Estonia, Islanda, Izraeli, Letonia, Malta, Mali i Zi, Maqedonia, Norvegjia, Sllovakia, Turqia, Argjentina, Kili, Kolumbia, Zelanda e Re, Peru, Filipinet… Sa për të përmendur vetëm disa. Sepse mbrapa rekordit shqiptar të Smajlajt mbesin një tufë e pafund shtetesh të tjera. Kështu pra, e filluam ciklin tonë të 90-vjetorit të Kampionatit të Parë Sportiv të Shqipërisë, që është ai i Atletikës së Lehtë, me këtë ese historiko-kritike që na e nxiti rekordi i lartë i Izmir Smajlajt. Me shpresë se do të kemi befasi të tjera kësisoji…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"