Francë-Shqipëri 1991: vija ndarëse e dy epokave…

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 22:02

Speciale Të fundit

Francë-Shqipëri 1991: vija ndarëse e dy epokave…

BESNIK DIZDARI

BESNIK-DIZDARI

Kështu po më shkon për shtat t’i titulloj këto radhë, si në një introduktë të shpejtë të ribotimit të shkrimit shoqërues të para 28 vjetëve. Sepse ato dy ndeshje të largëta me kombëtaren e Francës në 1991- shin në Anxhers dhe në Paris, sot më shumë se kurrë e shoh se kanë qenë vija ndarëse nga futbolli i regjimit komunist me atë demokratik që sapo mbërrinte. Mû për këte, mbas plot 28 vjetëve po e ribotoj shkrimin me titullin

“KRONIKË FRANCEZE E SKUADRAVE SHQIPTARE”.

Ashtu, me germa kapitale, me nëntituj të dukshëm në korsivë dhe pa i lëvizur presjen në asgjë. “Vulë” e gazetarisë datuar 1991, që me hov po përshpejtonte te caqe të reja. Parapëlqeva këte ribotim, ndonëse ditari im francez do të vazhdonte edhe me dy shkrime të tjera, njëri si ballafaqim i organizimit të futbollit shqiptar me atë europian, tjetri përshkrues i vizitës në redaksinë e gazetës së famshme, “L’Equipe” të Francës.

vata dhe boli gjate ndeshjes

Nga e djathta: Vata dhe Boli gjatë ndeshjes

Natyrisht në këte ribotim ka dhe nostalgji prej gazetari të vjetër. Ndonëse nuk është kjo më e rëndësishmja. Shkrimi, një lloj reportazhi apo kronikë përshkruese, që vetvetiu përmbyll ciklin e plot 25 ndeshjeve rresht pa fitore të Shqipërisë së asokohe, madje prej tyre plot 21 ishin humbje, i vinte kufirin e ri Kombëtares së Shqipërisë.

Kjo periudhë tejet e rëndë nuk do të mbërrinte kurrë më. Sigurisht ne nuk mund të parashikonim kurrsesi se do të vinte një kohë që Shqipëria do të fitonte edhe me Francën! E aq më pak se do të vinte një kohë kur Shqipëria do të arrinte deri finalet e një Kampionati Europian, pikërisht në tokën franceze, duke qenë madje në një grup me Francën. Dhe duke zhvilluar para spektatorëve francezë tri ndeshje për ne të mëdha, njëra më e bukur se tjetra, pavarësisht se dy ishin humbje, por të “dorëzuara” përballë një fitoreje historike, siç qe ajo me Rumaninë.

faqja e pare e l'equipe

Faqe e parë e “L’Equipe” që pasqyron ndeshjen

Vija e demarkacionit e dy epokave kishte mbetur mbrapa thuajse në tri dekada tek ai mars 1991. Më 31 mars 1991 Shqipëria votonte për zgjedhjet e para pluraliste dhe Kombëtaret shqiptare këte do ta përjetonin jashtë Shqipërisë. Kombëtarja do të votonte në Paris, në Ambasadën e Shqipërisë në Francë! Nuk ma merr mendja se mund t’i ketë ndodhur ndonjë skuadre kombëtare të futbollit kudo në botë, që të votonte në kryeqytetin e një shteti tjetër ku kishte shkuar për të luajtur futboll. Edhe ky ishte një absurd shqiptar. Ne shkonim për të votuar si me të qeshur, pa u interesuar aspak se kush ishte komisioni, kush ishin anëtarët e tij të paanshëm, e jo më se si u numëruan votat tona kur dihej që të gjithë punonjësit e Ambasadës ishin të partisë ende në fuqi. Në historinë e votimeve shqiptare ky rasti ynë në të vërtetë përbën falsifikimin më të natyrshëm e më origjinal në histori.

Dhe jo vetëm kaq. Marsi 1991 mbart në vetvete jo vetëm dy rezultate ndeshjesh, por dhe “arratisje” të qeta të plot 7 futbollistëve: Kaçaçi, Ibro, Leskaj, Kepa e të nesërmen edhe Gjergji, Vata e Sukaj! Edhe kjo ishte si një përvijim më tepër po për atë, vijën ndarëse. Kam qenë i vetmi gazetar i dërguar i posaçëm në atë udhëtim. Nuk do të përshkruaj në këto radhë, sepse këte e bën reportazhi që po ribotohet këtu mbas bukur 28 vjetëve.

Një reportazh, siç dhe e përcaktoja në mbyllje të tij, “më kontradiktori në gjithë jetën time si gazetar, për nga përmbajtja e ngjarja që mbart, për kah episodit sportiv edhe social që rendit”. Një reportazh që sot na kujton se si kemi qenë, ku kishim mbetur. Dhe për t’u kujtuar për së mbari se ku jemi ngjitur me Kombëtaren e sotme, e cila kurrë më nuk do të humbiste 21 ndeshje prej të 25-ave të zhvilluara rresht brenda atyre 6-7 vjetëve. Ishte drama që vinte e gjitha mbas fitores 2-0 me Belgjikën 1984!…

skeda e dy ndeshjeve

Skeda e dy ndeshjeve sipas botimit në “Sporti Popullor

Ai shkrim që e keni këtu në këto faqe, asokohe të gazetës “Sporti Popullor” e sot të gazetës së re sportive “Panorama Sport”, nuk më përngjan me asnjë tjetër që kam shkruar në shërbimet e posaçme, aq sa ata kanë qenë. E lexoj sot mbas 28 vjetëve dhe për çudi befasohem jo pak se çka paskam treguar apo përshkruar ashtu. Dhe gjithçka më jep një kënaqësi profesionale të veçantë. Regjimi sapo po binte, ndonëse zyrat do t’i mbante edhe për pak kohë.

Por shkrimet tona, tashmë nuk kishin më as parti, as ideologji. Ato po bëheshin të lira e pa politizime që na e kishin marrë frymën. Në një farë mënyre, ky shkrim devijon, sepse po devijonte vetë koha që po vinte. Pa ndonjë krenari, megjithatë, sot them se ky shkrim më duket tejet i rëndësishëm dhe tejet përkujtues, sepse ai përshkruan një lamtumirë, lamtumirën e një regjimi edhe në sportet e në futbollin e Kombëtares së Shqipërisë. Nga ana tjetër ky shkrim është një kujtesë kuptimplotë për të gjithë ata futbollistë të 28 vjetëve më parë, djem të mirë e modestë, me plot ëndrra europiane, që shpejt do të nisnin t’iu realizoheshin. Po ashtu edhe për trajnerët e tyre, të cilët të gjithë së bashku u përpoqën për të dhënë diçka të mirë, të bindur edhe ata se diçka tjetër fort më e bukur po mbërrinte. Mbi të gjitha liria.

Sot, në këte vit 2019, në prag të ndeshjes me Francën, sigurisht është diçka krejt tjetër. Nuk mund të ketë më 5-0. Nuk mund të ketë më ndjenja inferioriteti. Nuk mund të ketë më ndrojtje, mpakje, çka shpesh gjigantët t’i imponojnë. Madje, gati- gati, sot ka një barazi, sado ndryshime të ketë ndërmjet superfuqive dhe atyre që po i quaj fuqi, të paktën deri në një farë mase. Nuk mund të ketë më 21 humbje në 25 ndeshje të vetme.

Ribotimi i shkrimit “KRONIKË FRANCEZE E SKUADRAVE SHQIPTARE”, botuar më 1 prill 1991 në “Sporti Popullor”, na çon te një histori tjetër që nuk duhet harruar kurrë. Në të gjitha kahet nga ta gjykosh. Ribotimi i këtij shkrimi, dashtë pa dashtë, hyn edhe në evolucionin e gazetarisë shqiptare, evoluim me të cilin për fat, sot askush nuk merret në Shqipëri. Si autor them se jam po ai edhe sot, por shumë gjëra i kam ndryshuar edhe unë. E zbatoja me korrektësi drejtshkrimin, madje deri aty sa që emrat francezë i shkruaja “shqip”, duke ia deformuar disi autenticitetin – çka sot kurrsesi nuk e bëj dhe askush nuk duhet ta bëjë. Për çudi ende sot kjo po cenon vërtetësinë e emrave të futbollistëve të huaj që luajnë në Shqipëri. Pa shkuar tek ajo tjetra, që askush nuk ka të drejtë të ndryshojë në toskënisht leksikun e gegnishtes (për fjalë të caktuara) përderisa këto fjalë i përmban Fjalori i sotëm i gjuhës shqipe.

Sot, në këte aspekt unë edhe do ta korrigjoja paksa shkrimin e 28 vjetëve më parë. Kisha me thënë se edhe në krahasimin evolues gjuhësor (e stili mbetet po ai), shkrime asisoji të atëhershme ia vlejnë ribotimin. Siç po veprohet me këte shkrim që i përket një historie të paharrueshme, pikërisht në prag të ndeshjes së tashme Shqipëria – Franca. Merret me mend ndërkaq, kjo ndeshje nuk më përngjan assesi me atë Franca – Shqipëria të 30 marsit 1991, jo për rezultatin e arritur, por për sendërtimin apo vështrimin profesional të gazetarit të vetëm shqiptar të atyshëm. E, si i tillë, miqtë francezë nuk do të më drejtonin te tribuna e shtypit, por do të më vendosnin në tribunë që sot quhet VIP, teksa në shkrimin tim e quaj “tribunë e nderit”, siç emërtohej asokohe.

Franca – Shqipëria 5-0 e 30 marsit 1991 nuk hyn në historinë tonë me rezultatin apo humbjen e rëndë. Ajo hyn në historinë tonë me fitoren e madhe të lindjes së një Shqipërie të re, demokratike. E po kështu edhe të lamtumirës së Kombëtares të asokohe dhe mbërritjes së Kombëtares së sotme datuar shekulli XXI. Në fund të fundit,mendoj ky shkrim ribotohet për të mos harruar kurrsesi atë, vijën historike të kufirit ndarës, midis dy epokave tona të vetë jetës shqiptare, në këte rast edhe të futbollit kombëtar.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com