Franca 1896 – Franca 2018!

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Korrik 18, 2018 | 21:39

Franca 1896 – Franca 2018!

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Përse ky titull? Sepse më 1896, falë një themelimi francez, bota mbarë ka përuruar Olimpiadën e parë. Dhe qysh atë vit, të gjitha themelimet më të rëndësishme sportive janë vepër e Francës. Olimpiada (1896 – Pierre de Coubertin), Kampionati Botëror i Futbollit (1930 – Jules Rimet), Kampionati Europian i Futbollit (1960 – Henry Delaney), Kupa e Kampioneve të Europës (1955 – Jacques Ferran)..

kilian mbape

Në këtë hark kohor shekullor 122-vjeçar, sa herë që shkruan je i detyruar të ndalesh te këto katër histori të mëdha, që janë themelime apo ide të Francës. Dhe kur mbërrijmë tash te viti 2018, edhe pse të duket se këtu merr fund historia, në të vërtetë ajo është një vazhdimësi me themele franceze. Kështu, themeluesja e madhe e këtyre katër ngjarjeve epokale, u bë për herë të dytë mbas 20 vjetëve Kampione e Botës në sportin e futbollit, të cilit i përkasin tri prej katër ngjarjeve të të mësipërme, tashmâ legjendare… Me sa duket, historia nuk ndërron dhe aq fort. Ajo që është më interesantja tjetër, ka të bëjë me faktin se Franca futbollin e saj të madh, deri diku ashtu si dhe Gjermania, e realizoi vetëm mbas Luftës së Dytë Botërore. Kur në vitet e kësaj lufte, teksa ishte nën nazizmin, njohu deri dhe kampionatet nën pushtim.

Madje, për vështirësi të panumurrta të kushteve të udhëtimeve, ajo shpalli deri dy e tri Kampione mbrenda një viti! Më 1940 FC Ruen, Olympique Nice dhe Bordeaux; më 1941 Red Star Paris dhe O.Marseille; më 1942 Reims dhe FC Sete; më 1943 Racing Lens dhe Toulouse; më 1944 Equ.Fed. de Lens – Artois; më 1945 FC Rouen dhe Lyon! Kjo është Franca, për të cilën kujtojmë ndërkaq, se është vendi që, falë të çmueshmes së tij “France Football”, çdo vit qysh nga 1956, përcakton Futbollistin e Europës e tash të Botës, përmes trofeut mitik “Topi i Artë”. Shqipëria nuk ka ndonjë lidhje kushedi se çka me Francën futbollistike, ndonëse prapë se prapë, i ka nja tri lidhje modeste. Të parën e ka me futbollistin e Sportklub Tiranës, të famshmin Riza Lushta të Juventusit, i cili për pak kohë, më 1948-’49 qe futbollist i Cannes, duke u bërë kështu shqiptari i parë, i cili luajti në një Kampionat të Francës. Mandej, më 1947, kur në Shqipëri pat ardhur një përzgjedhje amatorësh futbolli me emrin Përfaqësuesja e Sindikatave të Parisit, e lidhur jo pak me komunistë francezë e me të cilin Përfaqësuesja e Tiranës pat fituar 5- 0.

Lidhja tjetër është ajo që ka të bëjë me futbollistin Lorik Cana, i cili erdhi prej Kampionatit të Francës (Paris SG * O.Marseille * Nantes) dhe pa jetuar asnjë ditë në Shqipëri, u bë kapiteni i shquar i Kombëtares së Shqipërëisë dhe rekordmeni i saj ende i pambrritshëm me 93 ndeshje nën fanellën e saj. Lidhja tjetër e veçantë është se Shqipëria, nën drejtimin e trajnerit Gianni De Biasi, ka fituar miqësoren historike me Francën 1- 0 (Kaçe 43′), duke mbetur kjo fitorja e vetme që Kombëtarja e Shqipërisë së vogël ka arritur me Kombëtaren e një shteti Kampion i Botës! Ka qenë 13 qershor 2015, në Elbasan të Shqipërisë.

Trajneri francez ishte po ky i sotmi, Diedier Deschamps. Dhe pikërisht këtu të lind mësimi i një historie. Nga të 16 lojtarët që aktivizoi atë ditë Franca, në ekipin e 23 Kampionëve të Botës 2018 janë vetëm 6 djem: Lloris, Varane, Pogba, Griezmann, Giroud, Fekir. Vlera e kujtimit shqiptar është se 5 prej tyre, me përjashtim të Fekir-it, ishin në finalen e madhe të Luzhnikit! Ky them se duhet të jetë kujtimi më i bukur shqiptar për këtë Kampione të Botës, ndonëse nuk ka asnjë arsye për të rrahë gjoksin me krenarinë shqiptare, shpeshherë krejt artificiale. Dhe prej këtij viti “shqiptar” 2015, lind pyetja: mos ndoshta kjo humbje u bë shkas për të menduar Franca diçka më gjatë?… Ishte një humbje, të cilën “L’Equipe” e Francës e titulloi në gjithë faqen e parë: “E tani, çfarë të bëjmë?… Për Diedier Daschamps – frikë dhe për një dështim të madh!”

Dhe mbas disfatës së rrufeshme në Euro 2016, “i paralajmëruar” paksa edhe prej fitores shqiptare, trajneri Deschamps, nisi të bëjë revolucionin e tij rindërtues të asaj skuadre, e cila jo larg, por vetëm mbas dy vjetëve, më 2018, do të bëhej Kampione e Botës. E vërteta e madhe është se me këtë humbje shqiptare merr fund e ardhmja e një tufë emrash të mëdhej të Francës: Evra, Lacazete, Payet, Valbulena, Benzema… Asokohe dukej disi ëndërr që mbas ndeshjes sonë të mrekullushme të Elbasanit, trajneri Deschamps do të mbërrinte te mbasditja e ndritshme e Moskës së 15 korrikut 2018. Një revolucion i plotë në guximin e vet, do të triumfonte. Fitoi rinia, freskia, një futboll në dukje i thjeshtë teknikisht, por që ka meritën se është krejt i qartë dhe i pastër, siç përcaktoi një vëzhgues. Në të vërtetë, triumfi është spektakolar.

Ai shfaqet nën rreptësinë e pamëshirshme të shifrave 4-2 ndaj një prej Kombëtareve më të jashtëzakonshme të Kroacisë, së cilës edhe më 1998-ën Franca i kishte rrëmbyer gjysmëfinalen për të shkuar po te titulli botëror. Por kësaj rradhe do t’i rrëmbente më të çmueshmen: vetë finalen botërore, krejt të papërmbajtshme për kah shifrat, që kishin mbërritur deri në 4-1! Kjo ishte Franca që mposhti Argjentinën e Messit në 4-3-shin përtej historisë si dhe Uruguain 2-0 – dy Kampione të hershme të Botës. U pohua njëzëri se këtu rilindi Franca – Kampione e Botës – çka nuk mundi ta ndalte as Kroacia, e cila për shumë e shumë minuta e sundoi ndeshjen, por jo rezulatin. Edhe pse e pati të sajin topin deri në 61 për qind përballë vetëm 39 për qind të francezëve, edhe pse gjuajti 15 herë në portë përballë vetëm 8 të francezëve, edhe pse kreu 6 goditje këndi përballë vetëm 2 të francezëve.

Po për fatin e saj, ajo humbi duelin kreyesor, ate të gjuajtjeve mbrenda katrorit të portës: vetëm 3 përballë 6 të Francës, prej ku lindën plot katër gola. Vetëgol (autogol) njëri, por dy të tjerë me gjuajtje të një force, teknike e spektakolariteti të rrallë të denjë për vetë antologjinë e pasur të finaleve të Kupës së Botës. Kjo nuk do të thotë se mund të harrohet goli që e përcaktoi jo njeriu, nëse mund të guxoj deri këtu, por “vegla” – moviola zyrtare e FIFA-s. Episod, për të cilin për shumë kohë nuk do të ndalen diskutimet… Ky ishte fataliteti i Kroacisë dhe fati i madh i Francës, për të cilën me gjithë këto peripeci, njohësit e vërtetë të futbollit e quajtën Kampionen e merituar të Botës. Në fund të fundit, 6 fitore në 7 ndeshje! Krejt e rrallë dhe e jashtëzakonshme! Kështu bëhen llogaritë. Të tjerat mandej janë kuriozitete (kërshërina), që i përkasin gjithashtu historisë.

Të tilla, si ajo që na kujton po historia: me Deschamps shkoi në tre numri i trajnerëve, të cilët e kanë fituar titullin botëror edhe si lojtarë: Zagallo më 1958 dhe 1970, Beckenbauer më 1974 dhe 1990, Deschamps më 1998 dhe 2018. Ose kjo tjetra: që të dyja skuadrat e garës për titull shpalosën të njëjtën taktikë: 1-4-2-3-1, ku sundon deri përtej mesfusha, por një taktikë që u interpretua disi ndryshe në fushë. Kroatët me epërsi teknike, shpesh dhe tokësore, francezët me epërsi zgjuarësie e kundërsulmi të shpejtë – një model jo aq fort i njohur së fundi. Ose ajo më e rëndësishmja dhe më e parëndësishmja njëkohësisht, që mund të guxojë të na thotë se Kroacia luajti më mirë se Franca. Por që siç pohon Deschamps: “Nuk kemi qenë fort të bukur, sidomos në pjesën e parë, por kishim një shpirt që kapërcen male – çka vlen më shumë se asgjë tjetër për të marrë fitoren, e çka ne e realizuam”.

E vërteta është se futbolli po evoluon me shumë ngadalësi. Po flitet për një lloj “futbolli realist”. Një eufemizëm, për të zhdukur nga historia përcaktimin e dikurshëm të futbollit të “cattenacio”-s italiane, që mbi gjithçka ngre fitoren, pavarësisht se si arrihet ajo. Finalja e Moskës, edhe pse aty-këtu ka reminishenca të tilla, megjithatë qe krejt sulmuese dhe e hapur. Kjo jo vetëm e rikthesuar me 6 golat e shënuar, që për 90 minuta mbajtën lart spektolaritetin e madh të një ndeshjeje moderne të futbollit të shekullit XXI, por mbi të gjitha se guximi për ta fituar atë – çka gjente shprehje te të 22 lojtarët – qëndonte mbi të gjitha. Tjetër punë në të imtat e interpretimit.

Ndërkaq, çudia e madhe për krejt historinë e 21 Kampionëve të deritashëm të Botës, është mandej kjo tjetra: se në 11- shin francez kishte vetëm një lojtar të Kampionatit të Francës: sulmuesi 19-vjeçar i një talenti të rrallë, Kylian Mbappe i Paris SG, me babë prej Kamerunit dhe nënë algjeriane. Shembull, që dikë e bëri të përcaktonte se kemi të bëjmë me një Francë gati pëgjysmë myslimane. Kësisoji, me në krye Paul Pogba-në, i cili i lutet Allahut me sy të mbyllur, duke vështruar prapë se prapë nga qielli. Pa shkuar te të tjerët: Samuel Umiti i lindur në Kamerun, N’Golo Kante nga Mali, për të cilët presidenti i Francës Emmaneul Macron fluturoi, duke kërcyer me këmbë mbi tryezën e tribunës zyrtare të Luzhnikit e duke ia përkdhelur flokët presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar – Kitarovic! Këto skena nuk ishin parë deri më sot në mjedisin e një Kupe të Botës.

Për ditë e më fort futbolli po bëhet diçka më shumë se futboll… Në fund të fundit, ajo çka qëndron mbi të gjitha të tjerat, është rikthimi francez te brezat mitikë të tij. Nga ai i Michel Paltini, tek ai i Zinedine Zidane dhe tash te brezi i Antoine Griezmann. Unë do të shtoja me to edhe një brez “antik”, atë të Kopas dhe Fontain-it të vitit 1958 me Francën e treta e Botës, një “tilull” i harruar, por tejet i rëndësishëm, sepse i tha Francës se mund të bëhej superfuqi e futbollit. Ndoshta nuk gaboj, kur them se këtu janë themelet e fuqishme të saj.. Duke mbetur ajo që ka mbirëndësi: “Vive la France, vive la Republique!” Po për fat, futbolli i Kupës së Botës ende mbetet një “diktaturë”. Diktaturë të mëdhenjsh, që qysh më 1950 me Uruguain e vogël vetëm dymilionësh, nuk lejojnë asnjë “të vogël” të triumfojë: Gjermania më 1954, 1974, 1990, 2014; Brazili më 1958, 1962, 1970, 1994, 2002; Anglia më 1966, Argjentian më 1978, 1986; Italia më 1982, 2006; Franca më 1998, 2018, Spanja më 2010. Dhe mandej guxojnë e thonë se futbolli i majave po shkon edhe te të vegjlit?…






www.minuta90.com