Flamurtari i Vllas Arapit, i Fatos Arapit, i Petrit Arapit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2021 | 20:08

Flamurtari i Vllas Arapit, i Fatos Arapit, i Petrit Arapit…

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Këtë shkrim historie dhe futbolli mund ta titulloja edhe kështu: “Flamurtari i heroit Vllas Arapi, i poetit Fatos Arapi, i trajnerit Petrit Arapi”. Kësisoj, të përmbledhur në një, përveç të tjerave, e shkrova kundër atyre që për shkak të mosdijes dhe indiferentizmit, e kanë organizuar kampionatin e sotëm të Shqipërisë me vetëm 10 skuadra. Për t’ua kujtuar se sado që ata të rezistojnë, mënyrat apo organizimet e tyre, nuk do të mund të vazhdojnë edhe më tej. Sepse, janë organizime që kanë flakur tej kampionatit kombëtar Vlorën e Elbasanin, Gjirokastrën e Beratin, Kavajën e Lushnjën. Pa harruar Dinamon 18 herë kampione të Shqipërisë. Duke e mpakur kështu deri në skaj futbollin tradicional qytetar të Shqipërisë. Dhe kthehem te tri personazhet e paharrueshme të këtij dossier-i. Te Vllasi, te Fatosi, te Petriti. Të paharrueshëm në krejt veprimtarinë e tyre atdhetare, letrare, brenda dhe jashtë sportit. Është një nga treshet familjare ndër më të rrallat e historisë së futbollit shqiptar. Prej këtyre tre vëllezërve të paharrueshëm, futbollistë të njëmbasnjishëm të Flamurtarit të Vlorës, mik dhe të njohur nga afër, pata njërin: Fatos Arapin. U bëra mik me të falë mikut të tij dhe kushërinit e të afërmit tim të ngushtë Syrri Rroji. Takimet e mia me Fatos Arapin, poetin, shkrimtarin, pedagogun e shquar shqiptar ishin thuajse të përjavshme. Bisedat e pafund, ecejaket po aq. Thuajse gjithnjë para Bibliotekës Kombëtare dhe në baret aty mbrapa Pallatit të Kulturës, duke pirë një kafe që aq fort na e shtonte bisedën. Futbollisti i parë i kësaj tresheje unikale të historisë së Shqipërisë e të rezistencës antifashiste, të letërsisë e të futbollit shqiptar është Vllasi. Mandej Fatosi. E mbas tij Petriti që do të bëhej një nga trajnerët më të shquar të skuadrës së Vlorës dhe të Kampionatit të Shqipërisë.

ARAP2

VLLASI – HEROI…

Vllas Arapi – partizan i orëve të para, është dëshmor i Shqipërisë, i vrarë prej regjimit komunist, prej të cilit u nda sepse ndër të parët kuptoi dhe parashikoi synimet e pamëshirshme të tij. Për fatin e madh familja, e cila me në krye babain Toli Arapi – një familje atdhetare e mirënjohur dhe mbështetëse e madhe edhe e Luftës Nacionalçlirimtare – nuk pësoi gjë nga regjimi. Kështu po shkojmë te futbollisti i parë i treshes Arapi, që është pra, Vllas Arapi. Ndalem kështu, te libri ekskluziv III “Historia e kampionateve në Shqipëri” (Vitet ‘39-‘42). Vllasin e kam në disa formacione si lojtari i Vlorës. Ndërkaq, mbasi kisha botuar një portret të shpejtë për të, shkruaja: “Sapo kam lexuar një libër të mrekullueshëm dokumentues të Fatos Arapit, ‘Kush ishte Vllas Arapi’, për historinë dramatike të vëllait të tij atdhetarit Vllas Arapi, një futbollist i talentuar i Flamurtarit, shok i Teli Ndinit e Ndue Palit, një trio e paharruar e futbollit të Vlorës që dhanë jetën për një Shqipëri të lirë…”. Tragjedia e tyre heroike na thotë që ndonëse të tre kishin të njëjtin ideal, rëniet e tyre kanë kahe të ndryshme. Vllasi, ndonëse partizan, vritet nga forcat e ndjekjes. Ndue Pali, futbollist i Vllaznisë dhe i Flamurtarit – vëlla i Pal Mirashit të Kombëtares – vritet mbas vendimit të gjyqeve komuniste. Ndërsa Teli Ndini në luftë me okupatorin. Fatos Arapi kishte shumë dobësi për dy vëllezërit e tij. Kur binte fjala për Vllasin përherë sytë i mbusheshin me lot. Në librin e tij biografik “Kujtohem që jam”, me vlera të shumta e që mendoj se ia vlen të ribotohet, ai shkruan: “…Në fillim të vitit 1942 Vllasi hidhet në ilegalitet, ndërsa Liria (motra) burgoset atë vit. Vllasi ishte student shembullor, me shoqëri të gjerë e të hapët në shkollën tregtare. Vllasi ka qenë anëtar i grupit të të Rinjve para se të themelohej Partia Komuniste. Ai është ndër partizanët e parë të Çetës Plakë të Vlorës…”.

Mandej, partizan i Brigadës së Parë. Dhe papritmas, më 1944, Vllas Arapi e braktis Brigadën e Parë. I shkruan të atit duke i treguar se Brigada hyri në Martanesh duke lënë 101 të vrarë e të ngrirë nga bora ndërsa shton: “…Vetëm në Martanesh vramë 25 vetë nga populli”, siç shkruan fjalë për fjalë. Duke qenë dëshmitar ai tregon se si “në Moglicë të Oparit u bë ceremonia e hedhjes poshtë të flamurit kombëtar i cili u zëvendësua me një tjetër me drapër e çekan”, siç shkruan edhe në këtë rast po fjalë për fjalë. Dhe më tej: “…Kuptova se e ashtuquajtura Nacional çlirimtare nuk punonte për çlirimin e atdheut, por për zhdukje të racës arbërore…”. Vllas Arapi rrëmben ilegalitetin e ri sepse kupton fort mirë padrejtësinë dhe mossinqeritetin e regjimit që po mbërrinte. Endet në ilegalitet deri më 1946, kur në një përpjekje vritet. Ky ishte Vllas Arapi atdhetari që populli i Vlorës e njihte me emrin legjendë “Pelivan Vlora” – përveç gjithë kësaj edhe futbollist i Flamurtarit, sot e kësaj dite i panderuar prej askujt. Për dy vjet e mbajtën dhe e ruajtën shokët e tij. Një herë, i strehuar te shoku i tij besnik, një futbollist i Besës së Kavajës, kur Flamurtari vjen të luajë në Kavajë, ai ka gjestin e tij trimëror unikal. Maskohet disi, shkon në stadium dhe kur mbaron ndeshja u afrohet shokëve të tij futbollistë të Vlorës, duke u folur e përshëndetur me mall të pamatë. Ata mahniten dhe asnjëri nuk e tregoi. Edhe sporti e futbolli shqiptar ka pasur të tillë atdhetarë heroikë. Vllas Arapi është futbollist i kampionatit të luftës të vitit 1939. Ndeshja e 16 korrikut 1939, ajo Ismail Qemali (Flamurtari) – Durrësi 1-1 është një emblemë futbollistësh që dhanë jetën për Shqipërinë. Janë vëllezërit Sallata, Lef e Mitaq, Vllas Arapi, Teli Ndini. Vështirë të gjesh në historinë e futbollit europian një 11-sh të një ndeshjeje të një kampionati kombëtar, brenda të cilit të ndodhen tre heronj të luftës kundër fashizmit!

ARAP1

Ndërkaq, ja dhe një 11-sh tjetër e skuadrës së Vlorës, edhe ky i Kampionatit të vitit 1939: Kolea, Mitaq Sallata, Kaçmolli, Çela, Dibra, Teli Ndini, Shara, Profi, Rakipi, Vllas Arapi, Lef Sallata. Për fat, kam njohur Sallatën II, fort të respektueshmin Spiro Sallatën, kur ka dhe një Sallata I, Nani Sallata ndër më të famshmit e Vlorës dhe të Durrësit në kampionatet kombëtare të viteve ‘30 e më tej. Ky është fisi Sallata, unikal i katër futbollistëve vlonjatë të një epoke. Flamurtari 1939 i Vllas Arapit e këtyre shokëve të tij është në katërshen e skuadrave më të mira, e për të shkuar më tej, e pengojnë dy ndeshje shtesë me Durrësin zhvilluar në Shallvaren e Tiranës. Ndeshja e parë dramatike është ajo e 6 gushtit 1939, 3-2 për durrsakët. Për të shkuar mandej te një ndeshje tjetër shtesë po me Durrësin më 17 shtator ‘39, po në Shallvare ku kronika e shtypit shquan midis më të mirëve edhe Vllas Arapin, Teli Ndinin e Lef Sallatën, të rinj të cilët fati dramatik i rënies së tyre heroike, nuk do t’iu lejonte më shumë se sa edhe nja katër apo pesë vjet jetë! Fatos Arapi ka një libër me poezi “In-tenebris” (1996) të cilin e nëntitullon “Cikli i Vllasit”. Në faqen e parë përkushtuese, ka vënë këta rreshta të Vllas Arapit: “…Unë kështu qeshë brumosur, që të mos e duroj atë që më duket e padrejtë. U revoltova kundër saj dhe mora një tjetër qëndrim për jetën time”. Një pjesë e mirë e poezive i kushtohen Vllasit përmes vargjeve tronditëse (“Të mjerët ne, o Vllasi, të mjerët ne!… Dhe shpresa jonë kishte fluturuar, përpara se ta prekte kutinë fatale Pandora…”).

FATOSI – POETI

Kisha botuar librin 2 “Historia e kampionateve të Shqipërisë” dhe në mbaskopertinën e mbrapme është një foto e përbashkët e Vllaznisë dhe Flamurtarit para një ndeshjeje. Ia dhuroj Fatosit librin dhe ai pak ditë më vonë, buzagaz vë gishtin mbi foton e kopertinës së librit dhe më thotë: “Ky këtu jam unë”. Në këtë foto ai është një futbollist 18-vjeçar, simpatik, fytyrë mendimtare e qytetare bashkë. Tash vonë kam fiksuar se fotoja i përket ndeshjes Vllaznia – Flamurtari 5-0 të 20 prillit 1947, luajtur në Shkodër për kampionatin e Shqipërisë të vitit 1947. Si Vllaznia ashtu dhe Flamurtari ishin kampione, nënkampione të Shqipërisë (1946) në fuqi. Fatos Arapi është i pari nga e djathta ulur pranë futbollistit të madh shkodran Muc Koxhja. Sa ndeshje ka luajtur në këtë kampionat Fatos Arapi, kjo është e vështirë të përcaktohet. E rëndësishme është se në librin 2 “Historia e kampionateve të Shqipërisë” (Vitet ’40) kam shkruar këto radhë: “Është 16 mars 1947… dhe Ylli i Kuq i Durrësit që triumfon në Vlorë 4-0 ku Flamurtari ka dy futbollistë të rinj të cilët do të bëhen, njëri kompozitor dhe tjetri poet ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë. Quhen Fatos Arapi dhe Tish Daija. Luajnë të dy në sulm…”.

ARAP3

Më tej kam botuar skedën e kësaj ndeshjeje ku Flamurtari është ky: Sharra, Emiri, Q.Laçaj, Aliko, Isaia, Ranxhi, Fatos Arapi, Mina, Tish Daija, Sano, Ndini (Çela). Kemi mbërritur kështu, te futbollisti që po e mbiemëroj si Arapi II, që nuk është askush tjetër, përveçse Fatos Arapi. E vërteta është se te bisedat me Fatosin për futbollin gjithsesi, ishin të shkurtra e më të rralla. Fatosi kalonte shpejt te letërsia, te poezia, te problematikat historike e politike të kohëve e viteve shqiptare. Ai fliste me plot nderim për poetët e famshëm shkodranë, me në krye Fishtën, ndërsa unë me dobësinë time për Vlorën, ç’kam vinte prej kujtimit të babës sim, Gani Dizdari, mësues dhe drejtor i Plotores së Vlorës në vitet 1925-1928. Enver Memisha shkruan në librat e tij se Tahir Dizdari ynë, orientalisti i famshëm, i cili ishte si vëlla me babën tim, asokohe ishte sekretar prefekture në Vlorë, kur kryetar i bashkisë ishte Nuredin Bej Vlora. Ndoshta kjo lidhje ka ndikuar që Gani Dizdari nga mësues i thjeshtë si kundërzogist që ishte, megjithatë u bë shpejt drejtor i Plotores.

Mandej, gjatë viteve të luftës Nuredin Beu i mori me qira një shtëpi në Tiranë, Tahir Dizdarit. Ai herë jetonte jashtë Shqipërisë e herë brenda. Por në ditën 1 të çdo muaji vinte te Tahir Dizdari njeriu i tij për të dorëzuar pagesën e qirasë me një saktësi të palëvizshme xhentëlmenësh. Të gjitha këto histori apo marrëdhënie shpesh zinin vend në bisedat me Fatosin. Po aq sa dhe punët e gjuhës shqipe, teksa unë i kujtoja se sa bukur e fliste toskërishten babai im kur i vinte shpesh për vizitë një nxënës i tij i Vlorës që ishte në azilin e Shkodrës. Mandej unë mbroja gegnishten letrare, por me Fatosin asgjë nuk e diskutonim si diçka absolute, teksa ai ishte një liberal shembullor në gjithçka. I thosha shpesh se si ka mundësi që Vlora nuk ka një monument, të paktën një bust, për babain e Nuredin Beut, Ferid Pashë Vlorën – kryeministri ndër më të fundit (1903-1908) i shtetit osman, nën drejtimin e Sulltan Hamidit, shtet multietnik ky, ndër më të mëdhenjtë në historinë e njerëzimit. Fatosi që sa fort që e donte Vlorën dhe historinë e saj, vinte buzën në gaz dhe mandej më thoshte se ka mbetur një pakënaqësi për Ferit Pashën, sepse nuk qe shumë luftarak për hapjen e shkollave shqipe. Mua kjo nuk më bënte aspak përshtypje, aq më tepër që nuk dokumentohej, kur kujtoja se Vlora e Shqipëria duhej të ishte krenare që një bir i saj i një prej fiseve më atdhetare shqiptare siç ishin Vlorajt, për bukur 5 vjet kishte qenë kryeministri një prej shteteve shumëkombëshe më të bujshme të historisë së njerëzimit, siç ishte shteti osman. Nuk ka gjë më interesante se sa historia e ndërlidhja me të. Dhe kujtoj edhe këtu që dy dhëndurë të Sulltan Bajazitit II (1481- 1512) ishin Sinan Pashë Vlora nga Vlora dhe Nasuf Bej Dizdari nga Shkodra…

E pjesë e historisë është dhe sporti me në krye mbretin e tij, që është futbolli. Gjithmonë jam përpjekur ta përbëj futbollin pjesë të historisë kombëtare, pra, jo diçka të veçuar prej saj, veçim që në Shqipërinë e sotme ka mbërritur kulmin. Tash së voni i hyra më tej edhe një herë hulumtimit dhe e gjej futbollistin Fatos Arapi në nja tri ndeshje të tjera po të kampionatit të vitit 1947. Për fat, janë ndeshje të humbura nga skuadra e Vlorës, por që përmbajnë dramaticitetin e tyre të qartë: Flamurtari – Dinamo e Korçës 2-3, Partizani – Flamurtari 4-2 dhe Tomori – Flamurtari 1-0. Fatos Arapi është aty i pandashëm, së bashku me shokët e tij, edhe ai do t’iu dorëzohej fitimtarëve të mëdhenj të historisë së kampionateve tona, të tillë si Klani Mariani i Korçës, po sidomos Besim Fagut, Isuf Pelinkut, Bule Vathit, Alush Merhorit apo Zihni Gjinalit të Partizanit kampion 1947. Janë ndeshje që kanë nderin të gjykohen prej profesorëve tonë të shquar Luigj Shala e Adem Karrapici, po dhe të të mirënjohurit Ejup Laçi. Këtu po shënoj skedën e ndeshjes Partizani – Flamurtari 4-2 si një kujtesë e rangut më të lartë me Partizanin kampion i Shqipërisë për herë të parë, ku është fiksuar edhe futbollisti 17-18- vjeçar Fatos Arapi.

ARAP5

PARTIZANI – FLAMURTARI 4-2

04.05.1947. Tiranë.

PARTIZANI: Stërmasi, Cuciqi, Pelinku, Sakiqi, Fagu, Vathi,

A.Merhori, Baçi, Z.Gjinali, Gavoçi, Tafmizi.

FLAMURTARI: Bezhani (Sharra), Isaia, Emiri, Ranxhi, Mina,

Palla, Tish Daia, Çela, Shamo, Fatos Arapi, Ndini.

GOLAT: Gavoçi 10’, Tafmizi 27’, Z.Gjinali 32’, Ndini

49’,Gavoçi 73’, Shano 82’.

GJYQTAR: Adem Karrapici

Ky ishte futbollisti Fatos Arapi – pjesëmarrës i kampionatit kombëtar të Shqipërisë me Flamurtarin – nënkampion në fuqi. Kur më 2001 organizova anketën për futbollistët më të mirë të viteve ’30, botova mendimin e Fatos Arapit i cili ishte për këtë pesëshe mjaft interesante: R.Lushta, N.Kryeziu, N.Dovana, N.Sallata, T.Samsuri. Për një çast të duket se me këtë votim futbollistik, mbyllej edhe bashkëbisedimi ynë për futbollin qytetar e atdhetar edhe të kohës së Vllas Arapit, Arapi I dhe të Fatos Arapit që e emërtova Arapi II. A kemi diku tjetër një poet për kombin e tij që të ketë qenë futbollist i kampionateve kombëtare të vendit të tij? Në të vërtetë kemi një. Është poeti tejet origjinal, Muhamet Ademi – dy herë kampion i Shqipërisë me Vllazninë 1945 dhe 1946. Por një poet i heshtur, që gjithë jetën ka shkruar pa botuar, në vetminë e tij. U botua vetëm tash vonë në demokraci… Poeti i madh ruso-sovjetik, Jevgeni Jevtushenko, qe ushtrues plot pasion i futbollit në adoleshencën e paksa edhe në rininë e tij. Vitet e fundit ai i ka kushtuar futbollit librin e tij “Moja futbolliada”. Nuk ka luajtur në Kampionatin e Bashkimit Sovjetik, por një herë ia ka arritur të luajë në një ndeshje simbolike në një skuadër me tre të mëdhenj të futbollit sovjetik dhe europian: Homiç, Salnikov dhe Ponjedjelnik. “Unë u ngjita në qiellin e shtatë kur Ponjedjelnik shënoi golin me pasimin tim”, shkruan Jevtushenko. Dhe më tej: “…Poezia në fund të fundit, triumfoi ndaj fushës së futbollit”. Pak a shumë siç ka ndodhur me Fatos Arapin tonë. Jevtushennko na ka lënë ndërkaq, këtë përcaktim emblematik, kur shkruan: “Poeti duhet të zotërojë cilësitë e futbollistit universal – të dijë të jetë sulmues dhe mbrojtës, disa herë edhe portier dhe bile edhe trajner”. Të duket se e ka fjalën për poetin e regjimit komunist, përmes kësaj lloj metafore të një përcaktimi “sui generis”. Them kështu kur mendon se sa e vështirë ka qenë të ishe poet në një regjim komunist, teksa duhej të mbroheshe me kujdes, të sulmoje me “finta” dhe të përgatiteshe për të pritur penallti të pamëshirshëm e befasues. Çka pak a shumë në këtë interpretim kanë qenë të detyruar të përfshihen edhe Fatos Arapi e disa kolegë të tij poetë.

ARAP4

PETRITI – TRAJNERI…

Dhe ja tek mbërrijmë tek Arapi III, që nuk është askush tjetër, por vëllai i dy të parëve, emri i të cilit është Petrit Arapi. Prej të tre vëllezërve ai mbetet në histori sa si futbollist, por po aq edhe si formues modernizues – për çka mund të përcaktohet në kontekstin e asaj kohe të Flamurtarit të Vlorës. E them pa drojë se ato janë vitet, si të thuash, të një fillimi ere formimi modern të skuadrës vlonjate, që natyrisht do të duheshin edhe nja 25 vjet për të mbërritur te Flamurtari i mirënjohur europian në sfidat e tij përballë një Partizani të Beogradit apo të një Barcelone të Spanjës. Për fat, sot një Flamurtar i flakur tej në Kategorinë II! Jo thjesht për gabimet lokale, por më shumë për gabimet e rënda, për të mos të thënë faje të çorganizimeve të kampionatit të Shqipërisë, të një gjeopolitike të vetëm 10 skuadrave, fort cenuese kjo, e futbollit të sotëm qytetar të Shqipërisë – “vepër” absurde e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kësisoj, teksa mbërrijmë te vëllai tjetër, po aq i paharrueshëm, Petrit Arapi, që në krye them se karriera futbollistike e tij qe e përmasave. Ai do të mbërrinte deri në një prej trajnerëve më të shquar të skuadrës së Flamurtarit dhe të Shqipërisë. Futbollistin Petrit Arapi, të dokumentuar e gjej për herë të parë në ndeshjen Dinamo e Durrësit – Puna e Vlorës të 22 marsit 1953, java 7 e kampionatit të Shqipërisë. Por lartësinë e tij befasuese Flamurtari i tij dhe i shokëve tij do ta ketë në kampionatin e vitit 1956 kur skuadra Vlorës është midis 4 më të mirave të Shqipërisë, çka do të përsëritet në 1959, pa harruar as kampionatin vitit 1961 – Flamurtari në pesëshen e më të mirëve.

Mbeten të paharrueshme ndeshjet e asokohe, kur dihet që sundimi i kampionatit prej Partizan-Dinamos ishte i pamëshirshëm, kur dy vendet e para të kësaj dysheje nuk guxonte t’i prekte askush. Për shkak të këtij sundimi të ishe në katërshe, kjo konsiderohej vërtet diçka e madhe për skuadrat e qyteteve. Do të mbeten të pashlyeshme ndeshje të tilla si 17 Nëntori – Flamurtari 0-2 (1960), Partizani – Flamurtari 1-1, Flamurtari – Vllaznia 2-1 e Labinoti – Flamurtari 2-3 (1961). Në të vërtetë ndeshjet e fundit këto, të Petrit Arapit midis bashkëlojtarëve e shokëve të tij të paharrueshëm, futbollistë të shquar si Mina, Papa, Ibrahimi, Bejkosala, Elmazi, Opingari, Gjyli, Palla, Ferko, Llupa, J.Sallata. Ky është brezi i Petrit Arapit që kulmon me arritjen e dy finaleve të paharrueshme të Kupës së Shqipërisë të vitit 1960, përballë një Dinamoje të shkëlqyeshme e saposhpallur kampione e Shqipërisë. Në të vërtetë, janë humbje të njëjta 0-1. Por me një Flamurtar të pashlyeshëm, sidomos në ndeshjen e dytë kur Dinamo fiton vetëm dy minuta para mbarimit me golin e Stavri Lubonjës. Është një ndeshje historike për Flamurtarin për të cilën Anton Mazrreku shkruan këto radhë: “…Vlonjatët lidhen mjaft mirë midis tyre, lozin në përgjithësi pranë njëri-tjetrit, janë gjakftohtë dhe disa herë i nisin sulmet e tyre qysh në mbrojtje. Për një seri minutash kanë epërsi sulmesh. Manovrojnë me kalime mjaft të përpikta deri në zonën e rreptësisë kundërshtare e çdo gjë shkon në rregull…”. Vetvetiu blatojmë fort respekt përmes kësaj skede historike të finales së dytë të Kupës së Shqipërisë të 60 vjetëve më parë: Finalja e Kupës së Shqipërisë 1960:

Finalja e Kupës së Shqipërisë 1960:

DINAMO – FLAMURTARI 1-0

20.11.1960. Tiranë. Stadiumi “Dinamo.

DINAMO: Beliu, S.Gjoci, Halili, Halluni (Rreli), Verrija,

Duma, Tallushi, S.Jareci, Bushati, Lubonja, Duro.

FLAMURTARI: Mina, Ibrahimi, Bejkosala, Dupi, Petrit Arapi, J.Sallaha, Opingari, Thomaj, (Gjyli), Ferko, Llupa, M.Shehu.

GOLAT: Lubonja 88’.

GJYQTARË: R.Kuka, D.Djepaxhia, F.Bakllava.

 

Duket që kjo finale vlonjate e Kupës së Shqipërisë është pragu i mbylljes së karrierës së futbollistit Petrit Arapi, i cili vetëm mbas pak muajve do të shndërrohej në trajner. Fati madje do t’i rezervonte të bëhej trajner i bashkëlojtarëve të tij, të tillë si S.Ibrahimi, S.Elmazi, F.Bejkosala, S.Seferaj, S.Gjoka, Dh.Gjyli, J.Sallata… Me kampionatin 1961-‘62 mbyllet futbolli i drejtpërdrejtë i fushës së blertë për Arapin III. Kësisoj, për Petrit Arapin, që si futbollist mund ta konsiderojmë një mesfushor titullar për Vlorën, thuajse rrufeshëm nis ëndrra tjetër e realizuar prej tij, që do të ishte ajo e trajnerit. Nuk do të vonojë, madje deri aty sa që gazeta “Sporti popullor”, mbas një diskutimi të flaktë e të ashpër disa javësh me temën e kalimit në një gjendje të re të zhvillimit të futbollit shqiptar, e përfshin trajnerin Petrit Arapi si shembullin e aftësive të mëdha dhe novatore madje, kur në shkrimin redaktorial të mbylljes së këtij diskutimi, i kushton këto radhë, që për asokohe dhe për sot them se mbeten emblematike. Shkruan “Sporti popullor”: “Se ç’dobi sjell stërvitja intensive, po e ilustrojmë me një shembull. Gjatë fazës së parë të sezonit 1962-1963 të k.k. të futbollit ‘Flamurtari’ mblodhi vetëm 5 pikë. Shtrohet pyetja: A do të qëndronin dot në kategorinë e parë vlonjatët? Me caktimin si trajner të P.Arapit, ekipi u mësua me një botkuptim më të drejtë për ngarkesën e stërvitjes. Nisi të stërvitej gjashtë herë në javë, plus një ndeshje. Rezultati? ‘Flamutari’ jo vetëm që nuk ra nga kategoria, por në klasifikimin e përgjithshëm zuri vendin e shtatë, kur për fazën e dytë vendin e tretë”? Me këtë trajner të ri befasisht kishte lindur Flamurtari i viteve ‘60, çka edhe pse nuk është në shkallë fort të larta klasifikimi, teksa qëndron në vendet 5-6, ai shfaqet si një shkollë talentesh me në krye më të madhin, M.Haxhiun. Por dhe me N.Saraçin apo G.Zeqirin.

Teksa mbas kaq vitesh i sjellë Vlorës atë që po i mungonte: portierin e shquar Aqif Sulo. Shok i çmueshëm imi i fakultetit, rasti i të cilit është për t’u përimtuar fort. Në dy vjet student (Instituti i Lartë Pedagogjik “A.Xhuvani” i Tiranës), ai nuk luan. Dhe pa luajtur për gjithë këtë kohë, mbas diplomimit rikthehet titullar i Flamurtarit, ndeshjet e të cilit nuk do të lënë numër të “Sportit popullor” pa cilësimet e një protagonisti. Trajneri Petrit Arapi pati futbollistë emra të tillë si Bejkosala, Ibrahimi, Gjyli, Gjoka e Seferaj, por duke synuar te të rinjtë të tillë si M.Haxhiu, N.Saraçi, Aqif Sulo, N.Thomai, G.Zeqiri, B.Nelaj, A.Duka, Gjebrea, F.Liçaj e të tjerë. Sot mund të them se ardhja në Tiranë e M.Haxhiut (Partizani) dhe e N.Saraçit (Dinamo), natyrisht që e dëmtoi tejet këtë Flamurtar, edhe pse lojërat e tij kur kujton kushtet e asokohe tejet të vështira të trajtimit të futbollistëve të klubeve të qyteteve apo të rretheve, siç quheshin shpesh me nënvleftësim, prapëseprapë ishin mbresëlënëse.

 

* * * Kaq desha të shkruaj, teksa për herë të parë u “zbulua” dhe u bashkua në këtë dossier, një ndër treshet më të rralla familjare të historisë së futbollit shqiptar, siç është treshja Vllas Arapi – Fatos Arapi – Petrit Arapi. Një treshe e një historie heroizmi, enjë një historie poetësh, e një karriere futbollistësh e trajnerësh të shquar. Në thelb kjo është një historie jashtëzakonshme enjë skuadre për ne, të jashtëzakonshme e qytetare të Shqipërisë, siç është Flamurtari i Vlorës.

Pse jo, edhe e një kultura qytetare të vërtetë. Mirëpo, kur shoh se ky Flamurtari që është edhe i Vllas Arapit, i Fatos Arapit e Petrit Arapit ka zbritur në vendin e parafundit të grupit B të kampionatit të Kategorisë II, fakt që e kërcënon për të zbritur në Kategorinë III, edhe unë si shumë të tjerë, përjetoj thuajse shkatërrimin e futbollit qytetar në Shqipëri. Një shkatërrim kryeshkaktare e të cilit është vetëm një: Federata Shqiptare e Futbollit, e cila në shekullin XXI, ka mpakur tejet një kampionat me vetëm 10 skuadra. Zvogëlim i pamëshirshëm që sot ka përjashtuar Vlorë e Elbasan, Kavajë e Gjirokastër, Berat e Lushnjë. Kjo, përballë një shteti, një qeverie e ministrie që bëjnë sehir. Them se kjo qeveritaro-shtetëroro-sportive është një treshe që po e quaj “të politikës”, një treshe” që me sa duket, nuk njeh as historinë e Shqipërisë, as historinë e qyteteve shqiptare, as historinë e sportit kombëtar, as historinë e futbollit kombëtar, as historinë e Flamurtarit të Vlorës – ky për ne një margaritar i sportit kombëtar, që me historinë e tij prapëseprapë shndrit edhe në këto dit të përjetimit të braktisjes së tij… Për mua kjo nuk është një temë e re. Nuk frikësohem të krenohem se jam i vetmi që e trajtoj kësisoj. E shoh që nuk gjej përkrahje. Megjithatë, nuk do të ndal. Për këtë temë të rënies së madhe të klubeve të qyteteve të Shqipërisë do të lexoni përsëri shkrime të tjera. Një shqiptar me ndjenja atdhetare nuk mund të heshtë përpara kësaj situate përveç të tjerave, joatdhetare ndaj skuadrave të Vlorës, Elbasanit, Kavajës, Gjirokastrës, Beratit, Lushnjës apo dhe Dinamos. Skuadra qytetare të famshme për ne, skuadra punëtorësh, veprimtarësh, intelektualësh, poetësh, dëshmorësh, atdhetarësh të dëgjuar, mjekësh e mësuesish, inxhinierësh e njerëzish të shquar të artit e të kulturës; ashtu si dhe te Flamurtari i Vlorës i Vllas Arapit, i Fatos Arapit, i Petrit Arapit…

* Botimi është ekskluzivitet i “Panorama Sport”. Asgjë nga ky botim studimor nuk mund të ribotohet prej dikujt pa lejen e redaksisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"