Finalja Partizani-Dinamo 120 minuta, por 1-1!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2020 | 15:42

Finalja Partizani-Dinamo 120 minuta, por 1-1!

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

PJESA E KATËRT 

FINALJA PARTIZANI – DINAMO 120 MINUTA, POR 1-1! 

Midis tyre ishte baraspeshë më se elokuente: të dyja nga 30 pikë me nga 14 fitore, 2 barazime e 2 humbje secila. Me një ndryshim të vogël vetëm në golavarazh: Partizani 46-13 dhe Dinamo 41-12. Duhej ndeshja e tretë për të përcaktuar titullin… Është 29 qershor 1961. Stadiumi “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”). Pjesa e parë e ndeshjes është me vizita të dyanshme në porta, me disa gjuajtje, por disi edhe njëfarë paqartësie apo nxitimi, çka shpjegohej me emocionet që përshkonin lojtarët, të cilët po luanin një finale për të fituar titullin.

Megjithatë, ndeshja ka një episod të veçantë andej kah minuta e 35-të kur Refik Resmja trondit shtyllën horizontale të portierit dinamas Qoshja. Drama ishte lënë të shfaqej në pjesën e dytë të ndeshjes e cila ka dy ndërrime: Tomor Shehu në vend të Kolec Krajës për Partizanin dhe Skënder Jareci në vend të Mehdi Bushatit për Dinamon. Megjithatë, nuk mund të thuhet se këto ndërrime sunduan ecurinë e ndeshjes. Ajo që mund të thuhet është se Partizani ka epërsi të qartë dhe dyshja Pano-Resmja është një dyshe që jep tonin. Nuk ka gola as në këtë 45- minutësh. Dhe shtesë 2 herë nga 15 minuta. Papritmas, këtu ndeshja ka një kthesë në të mirë të Dinamos, që çuditërisht duket më e freskët. Gjithnjë 0-0 dhe ndeshja ka shkuar thuajse në skajet e fundit të saj. Një dorë e padukshme e ka lënë që të sendërtojë dy episode që duhet të hyjnë në antologjinë e futbollit. Është minuta 117.

Protagonisti ka një emër të madh: Refik Resmja! Ka marrë topin prej shokëve, afrohet me shpejtësi, gjuan fort dhe 1-0 për Partizanin, për të cilin të gjithë mendojnë tashmâ se është ai kampioni i Shqipërisë. Po ndërsa Partizani duket se ende gëzon, 60 sekonda më vonë protagonisti ka një emër tjetër: Stavri Lubonja! Ai ka një aksion personal ashtu si dhe Resmja, afrohet, gjuan dhe 1-1. Dhe në çast, prej emocioneve, Resmes i bie të fiktë. Nuk ka pasë Shqipëria futbollist më emotiv, më artist futbolli, më virtuoz të teknikës se Refik Resmja, përveç të tjerave, një paraardhës, për ne i rangut botëror të teknikës së gjuajtjeve të dënimit që japin gola. Ne që atë ditë kemi qenë në stadium, kemi shtangur. Partizani kishte humbur titullin për një minutë. Dhe nuk ka pasur rast tjetër në gjithë historinë e futbollit shqiptar që fundi i një ndeshjeje kaq dramatike të bëjë të heshtë një stadium. Merreni me mend: të shtangë asisoj një stadium me 20.000 spektatorë, ndonëse kapacitetit i të cilit ishte nja 10.000. Po tash, çka do të ndodhte?… 2 KORRIK 1961:

1

 PARTIZANI KAMPION ME “GOLDEN GOAL” 

Njëherë kam shkruar këto fjalë: “Panajot Pano – shpikësi i “golden goal”. Në të vërtetë, nuk është ai, por Anton Mazrreku. Mirëpo, duke qenë se Panajot Pano shënoi “golden goal”-in (goli i artë) e parë në historinë botërore të përcaktimit të një titulli kampion të garave të futbollit të çdo lloji, më pëlqen t’ia atribuoj Panajotit këtë shpikje, që FIFA “e rishpiku” 32 vjet mbas tij: mars 1993, Australia – Uruguai, ndeshje e një të katërtave fundore të Kampionatit Botëror të të Rinjve. Ndërkohë që në KE 1996 u fiksua “golden goal”-i i parë i rangut të lartë me autor Oliver Bierhoff në ndeshjen Gjermania – Republika Çeke. Do të pasohej nga “golden goal”-i i dytë, tash për Kupën e Botës 1998, me autor Laurent Blanc në ndeshjen Franca – Paraguai. Me Panon, Shqipëria ishte e para që ka përcaktuar me “golden goal” një titull të kampionit, në këtë rast të kampionit të saj kombëtar.

Kështu do të ndodhte. Ngjarja i përket, pra, ditës së 2 korrikut 1961, ndodhur në stadiumin “Dinamo” të Tiranës (sot “Selman Stërmasi”). Fjala është për ndeshjen e dytë plotësuese për titullin e kampionit të Shqipërisë 1961. Kjo, mbasi Partizani dhe Dinamo, siç u tregua më lart, e kishin përfunduar kampionatin me pikë të barabarta, nga 30 secila. Me 17 Nëntorin në vendin e tretë, me 7 pikë mbrapa dhe me Vllazninë e cila binte për herë të dytë nga kategoria, duke zënë thjesht vendin e 9-të në një kampionat me vetëm 10 skuadra, aq sa e kanë bërë edhe sot, si të donin të imitonin një kampionat të 60 vjetëve më parë! Mënyrë e mrekullueshme kjo e sotme për t’i humbë çdo forcë të vërtetë gjeopolitike kombëtare, qytetare kampionatit të Shqipërisë!… Çka u trajtua në pjesën e tretë të këtij dossier-i. Siç u përshkrua, ndeshja e parë 120-minutëshe fundore për titullin e zhvilluar më 29 qershor 1961 përfundoi në barazim 1-1. Vendimi ishte marrë tashmâ: në rast barazimi edhe mbas 120 minutave lojë, do të zhvillohej një ndeshje e dytë po deri në 120 minuta. Bukur. Po sikur përsëri të kishte barazim? Atëherë, siç ka deklaruar i mirënjohuri Alfred Kazanxhi, në të famshmin “dossier” që kam organizuar në gazetën “Sporti Shqiptar” vite më parë, i cili ishte zyrtari drejtues i futbollit në Ministrinë e Arsimit (sepse FSHF nuk përmendej kurrë), ka ndërhyrë Anton Mazrreku. Dhe me mendjen e tij krijuese ka propozuar se mbas 120 minutave të tjera barazim, ndeshje të shtyhet edhe 15 minuta të tjera dhe në çastin e shënimit të një goli, ajo të ndërpritej në vend dhe titulli i kampionit t’i shkonte skuadrës shënuese të këtij goli, çka nuk do të ishte tjetër veçse paraardhësi i “golden goal”-it të FIFA-s i vitit 1993, plot 32 vjet mbas shpikjes së tij në Shqipëri. Është, pra, 2 korrik 1961. Kronika e lojës kësaj here është edhe më e pasur. Gjithçka nis me episodin e dyshes Bushati-S.Jareci, fare pranë golit, por më mbas episodet i përkasin Partizanit: T.Shehu, Pano, madje S.Jareci, Bushati, përsëri Pano – çka mbyllet me tjetrin e Panos të minutës 89, thuajse në shënim të golit të titullit.

Mirëpo, gjithnjë 0-0! Dhe doemos 2 herë nga 15 minuta të tjerë me vendimin “tragjik” që sapo një skuadër shënon, ndeshja ndërpritet dhe titulli shkon tek ajo, çka ndodh në minutën e 122-të. Autori është, pra, ai që unë e kam quajtur si “shpikësin” e “golden goal”: 22-vjeçari Panajot Pano. Ai shpërthen nga krahu i majtë, mënjanohet, afrohet dhe askush nuk parashikon sado pak se kur do të gjuajë apo kur do të pasojë. Nuk ka mëdyshje. Ai gjuan drejt e në rrjetën e portierit Qoshja dhe 1-0 për Partizanin. Dhe ndeshja që ndërpritet në vend. Nuk mund të përshkruhet se çka ngjet në stadiumin “Dinamo”. Është një shpërthim që nuk di nëse e ka përjetuar ndonjëherë ky stadium në gjithë historinë e tij. Ishin 20.000 njerëz, sigurisht shumica e të cilëve ishin të Partizanit, kur dihej si përherë se simpatizantët e Dinamos kanë qenë tejet më të paktë. Kjo kishte qenë ngjarja e papame në historinë e futbollit. Kur sapo kishte filluar shtesa pra, në minutën e dytë të saj, ngjitet në katedër 22-vjeçari Panajot Pano me “golden goal”-n e tij historik. 1-0 dhe Partizani është kampion i menjëhershëm i Shqipërisë! Titull i mbërritur mbas dy ndeshjeve ose mbas plot 242 minutave lojë. Nuk njihej kësisoj në krejt historinë e futbollit botëror. Po çka do të bëhej nëse as kësaj radhe nuk do dite askush nuk mund t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje. Ndoshta veç një Anton Mazrrek mund të kishte parashikuar përsëri ndonjë shpikje tjetër. Por, providenca kishte paracaktuar tashmâ një njeri që do t’u jepte fund gjithë mëdyshjeve, hamendjeve, parashikimeve, dramave të tjera. E quanin Panajot Pano.

2

DINAMO, PO AQ E DENJË SA DHE PARTIZANI 

Kështu ka qenë. Dhe nëse Partizani fitoi me meritë titullin, po kaq e meritueshme ka qenë dhe kjo Dinamo elegante e vitit 1961. Ndërsa sot e kanë përjashtuar për në Kategorinë e Dytë! Ndonëse, për fat, po duken shêjat e një rimëkëmbjeje. Le të shpresojmë, edhe pse kështu do të shpëtohet historia e saj për ne, legjendë: 18 herë kampione e Shqipërisë dhe 13 herë fituese e Kupës. Duke qëndruar te ndeshja vendimtare e titullit me Partizanin, e vërteta është se në tanësi, epërsia e ndeshjes kishte qenë për Dinamon, por episodet e një rrezikshmërie kishin qenë për Partizanin. Dinamo, e cila gjithnjë shquhej për një futboll teknik e korrekt, e lë fushën e lojës në heshtje, duke qenë e bindur se i kishte dhënë shumë këtij kampionati, sidomos me kthesën emotive, dramatike, pse jo, historike, që i kishte blatuar atij. Teksa në pjesën e fundit ajo ia arriti ta kapërcente epërsinë e Partizanit, duke i detyruar historisë së kampionateve të Shqipërisë që të mbërrinte në këto dy ndeshje, të cilat me maratonën e paharrueshme të 242 minutave lojë, të dukej se ngriheshin lart si një monument plot shkëlqim i vetë historisë së futbollit. Ajo ishte një Dinamo, që edhe për mundësitë jo të shumta të futbollit modest të Shqipërisë, mund të përcaktohej si skuadra e një elegance të tanë.

Me në krye dyshen Skënder Jareci-Mehdi Bushati, por edhe me atë Stavri Lubonja-Niko Bespalla, autore e plot 20 golave, çka do të thoshte sa gjysma e golave që Dinamo kishte shënuar në tanësi. Nuk mund të harrohet asnjë dinamas. Prej portierit Dhimitër Qoshja plot përvojë, prej kapitenit stoik Qamil Halluni e të riut Nazmi Çaushi, prej dyshes së gjysmëmbrojtjes Hysen Verria-Namik Jareci. E mbi të gjithë te qendërmbrojtësi i madh Skënder Halili që po mbërrinte kulmet e tij, çka në kujtesën tonë ka mbetur për sot e kësaj dite si nga më origjinalet në futbollin shqiptar. Ndërsa atje tej, në sulm, nuk mund të harrohen dy djem fort të shpejtë, shpesh të papërmbajtshëm: Lorenc Vorfi e Thoma Duro. Ky qe thjesht një portretizim i rrufeshëm i një skuadre e cila e drejtuar nga trajneri Zyber Konçi ishte gjithnjë një frymëzim më vete për kampionatin e Shqipërisë. Tek është edhe botimi i skedave të dy ndeshjeve të 11-sheve që sa u bën nder futbollistëve, po aq u bën nder edhe 6 gjyqtarëve të këtyre 242 minutave lojë: Besim Hamdiu me ndihmësit e tij A.Lika e H.Cenoymeri të ndeshjes së parë dhe Hysen Hysenaj me ndihmësit e tij Sh.Gruda e M.Tiko të ndeshjes së dytë. Të paharrueshëm përveçse në zotësinë e tyre, por po aq në ndershmërinë, paanësinë dhe guximin që kërkonte gjykimi i dramave të tilla të jashtëzakonshme të futbollit.

3

Dy ndeshjet shtesë për titullin kampion

29.06.1961. Tiranë. Stadiumi “Dinamo”:

PARTIZANI – DINAMO 1-1 * 120′

PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, M.Papadhopulli, Dingu,

Ndini, G.Merja, Kraja (T.Shehu 46′), Bukoviku, Pano, Resmja,

Jashari. TRAJNER: R.Spahiu.

DINAMO: Qoshja, N.Çaushi, Halili, Halluni, H.Verria, N.Jareci, Vorfi, Bespalla, Bushati (S.Jareci 46′), Lubonja, Duro.

TRAJNER: Z.Konçi.

GOLAT: Resmja 117′, Lubonja 118′.

GJYQTARË: B. Hamdiu, A. Lika, H.Cenoymeri.

SHIKUES: 20.000.

02.07.1961. Tiranë. Stadiumi “Dinamo”:

PARTIZANI – DINAMO 1-0 * 122′

PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, M.Papadhopulli, Dingu,

Ndini, Merja, Kraja, Bukoviku, Pano, Seferaj, Shehu. TRAJNER:

R.Spahiu.

DINAMO: Qoshja, N.Çaushi, Halili, Halluni, H.Verria,

Vorfi, Bespalla, Bushati, S.Jareci, Lubonja, Duro. TRAJNER:

Z.Konçi.

GOLAT: Pano 122′.

GJYQTARË: H.Hysenaj, Sh.Gruda, M.Tiko

SHIKUES: 20.000.

“TREGIMTARI” PANAJOT PANO… 

Është një kujtim gazetarie që gati katër dhjetëvjetësha më vonë do të më çonte drejtpërsëdrejti te Panajot Pano – pa dyshim protagonist parësor i titullit të vitit 1961. Ka qenë e shtunë e 30 korrikut 1994. Në gazetën “Sporti” (“Sporti Shqiptar”) që drejtoja, kishim vendosur të përkujtonim dy ndeshjet e jashtëzakonshme të përcaktimit të kampiones së Shqipërisë 1961. Titulli i madh në dy faqet e kësaj kujtese ishte vërtet tejet mëtues. Shkruhej me të madhe: “Ajo që propozon Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Blatter është eksperimentuar në Shqipëri më 2 korrik të vitit 1961!” Protagonisti i madh, përveç “shpikësit” autentik (të vërtetë) Anton Mazrreku, ishte pra, siç e tregua më sipër, “shpikësi” i dytë ose interpretuesi i parë, me emrin Panajot Pano të asaj ndeshje Partizani – Dinamo të 2 korrikut ’61. Asaj drame tjetër, kur në të 88′ Pano mund të kishte zgjidhur gjithçka brenda 90 minutave të rregullta me rastin e tij. Mirëpo, fati e deshi që të shkohej te shtesa e fundit 15-minutëshe së cilës duhej t’i kërkohej patjetër “golden goal”-i dhe që e sundon po Panajot Pano. Ky ishte 22-vjeçari Panajot Pano.

Ky ishte njeriu, i cili në minutën e 122-të ose të 2 minutave të para të atij 15-minutëshi të parë që zhvillohej për herë të parë në historinë e futbollit botëror, shënon “golden goal”-in e tij të famshëm, që në të vërtetë do t’i përkiste vetë historisë së futbollit botëror si ndeshja më e gjatë që njihte ky sport. Le t’ia japim tash fjalën vetë Panajotit se si e ka përshkruar ai këtë gol në korrikun e vitit 1994: “…Këtë gol të vështirë s’e harroj ndonjëherë. Partizani sulmonte në portën tonë nga ana e kodrave të liqenit që e mbronte portieri Qoshja, i cili tani nuk jeton më. Nga ana e tribunës për karshi, Sotir Seferaj vuri topin në lojë nga anësorja (në ndeshjen e dytë në ekipin tonë kishte disa mungesa). Topi përfundon tek unë që kaloi fillimisht Çaushin e Dinamos, më pas Namik Jarecin e Skënder Halilin dhe tek vendi ku puqen dy vijat e 16- metërshit kam goditur dhe topi përfundoi në këndin e majtë të portës së Qoshjes…”.

4

Ky është përshkrimi i botuar në gazetë 33 vjet më vonë, më 30 korrik 1994, i këtij goli “botëror” (ndodhte pra kështu për herë të parë në botë në përcaktimin e një titulli) prej vetë autorit të tij, që është Panajot Pano. Vështroni se me sa hollësi e me çfarë kujtese e ka treguar Panajoti! Kësisoj, deri këtë ditë asnjëherë më parë shtypi shqiptar nuk e kishte detajuar kësisoj atë gol të përtejhistorisë. Thonë se golat që ata shënojnë, më bukur se i tregojnë vetë futbollistët, askush tjetër. Dhe nuk ka gazetar që mund t’i afrohet vërtetësisë të këtij lloj tregimi a përshkrimi që bën vetë futbollisti. Edhe Panajoti si shumë të tjerë ishte tejet tërheqës në përshkrimin e këtyre episodeve përmes mënyrës së tij modeste, “popullore”, po me një vërtetësi që të mahniste. Nuk them se mund të arrinte Refik Resmen, megjithatë, i cili ishte një “tregimtar” tejet i rrallë. Për mua po kështu ishte Din Zhega, ndërsa Loro Boriçi, për çudi të madhe, çdo gjë e tregonte vetvetiu më tepër në vështrimin e një trajneri taktik sesa të vetë protagonistit, edhe kur ky mund të kishte qenë ai vetë. Ajo që mund t’i vlejë si një kujtesë gazetarisë së sotme, është ky pra: rrallë, për të mos thënë asnjëherë, nuk ua japim fjalën futbollistëve për të treguar edhe ata në mënyrën e tyre episodet kulmore që interpretojnë… Në mbarim të këtij përshkrimi emblematik të Panajotit, atë ditë unë kam marrë telefonin për ta përshëndetur dhe falënderuar. Krejt papritmas për mua nga goja e tij kanë dalë këto fjalë: “Më ke harruar Besnik Dizdari!” Dhe mandej e qeshura e tij e sinqertë që vinte prej një modestie që ai e kishte si pakkush. Kam shtangur për një çast dhe shpejt kam kërkuar të justifikohem paksa, ndërsa kemi mbyllur telefonin dhe menjëherë i jam drejtuar tastierës së germave të makinës sime të shkrimit (kompjuteri nuk ekzistonte ende ndër ne) dhe thuajse me një frymë kam shkruar këtë skicë-ese të shpejtë me titullin thirrës “Pano! Pano! Pano!”. Gjithçka nën okelion e rubrikës “10 radhët e mia” që u bë shumë e mirëpritur prej lexuesit, të botuar në korsivin “bold” të nesërmen në “Sportin” tim të 2 gushtit 1994. Po e ribotoj germë për germë edhe këtu si një kuintesencë emotive për vlerën e madhe të Panajot Panos po të madh.

* * *

“10 rradhët e mia… Pano! Pano! Pano! Tri herë rresht Pano! Përjetësisht Pano! Duke folur në telefon ditën e shtunë me të, Panajoti më tha me atë humorin e tij origjinal: “Më ke harruar Besnik Dizdari”. E di që nuk e ka përnjimend. Se nuk mund të harrohet historia. Dhe Panajot Pano është historia, historia e futbollit shqiptar e pakta nga 1957 deri në 1974. Më tej Pano është krenaria e futbollit shqiptar. E rrëmbyen nga Tirana, po tifozët e kësaj shoqërie nobël të Shqipërisë, e deshën fort edhe kur ai iu shënonte gola e iu shkaktonte humbje. Nuk ishte punë inati, ishte punë mjeshtrie, punë arti. Panajot Pano është sulmuesi më i madh i futbollit shqiptar, një sulmues i kalibrit botëror. Nuk ekzagjeroj, them realitetin. Para meje këte kanë thënë një Franc Bekenbauer e një Helmut Shën. Ai ka luajtur në një kohë kur dyert e botës qenë të mbyllura për futbollistët shqiptarë.

Panajot Panos i bëheshin oferta sa herë që dilte jashtë, po ai kthehej në Shqipëri për të mbajtur gjallë të vetmin gëzim të një populli të tanë. Eshtë ndër të paktët futbollistë shqiptarë që i kish tifozët në gjithë stadiumet e Shqipërisë. Kur dilte prej tyre fëmijët e të rinjtë nxitonin ta preknin paksa me dorë si të ishte një zot. Sa skuadra të huaja ka mposhtur Panajoti? Norçepingun, Këlnin, Torinon, Gjermaninë…Edhe nëse jo me rezultat, ai i ka mposhtur me artin e tij unikal. Nuk pati fat të luante me Boriçin e madh. I kam parë bashkë vetëm në një ndeshje veteranësh. E pati trajner. Dhe ia dëgjoi fjalën e artë. Pati fat të luante me Resmen e madh e prej këtu mbërriti deri te Bizi i madh. Ishte 9 vjet më i vogël se Resmja dhe 9 vjet më i madh se Bizi. Kësisoj, në këte katërshe unë shoh kulmet e dekadave të futbollit shqiptar të Pasluftës të lidhura në një. E Panajoti është Panajot. Do ta kishte për nder edhe Kupa e Botës. Nuk përmbahej. 242 minutat dramatike të 1961-shit Partizan – Dinamo, janë një rast për ta kujtuar futbollin e tij unikal. Atë gol të pabesueshëm vetëm një Pano mund ta shënonte. Nuk të kam harruar Panajot Pano!

 BESNIK DIZDARI

” Gazeta “Sporti”, 2 gusht 1994 * * *

PARTIZANI 1961 – NJË PORTRET I MBAS 60 VJETËVE

Partizani ishte rikthyer te titulli mbasi kishte munguar vetëm një vit (1960). E, tash, qysh nga kjo ditë, deri nga mesi i viteve ’60, kur do të rilindte 17 Nëndori i madh, ky Partizan do të shkruante faqe të pashlyeshme të historisë së futbollit shqiptar. Madje, duke i pasuruar këto faqe me plot dinjitet edhe në arenën ndërkombëtare, deri dhe në debutimin e Shqipërisë në Kupën e Kampioneve të Europës. Të duket se me kaq, në njëfarë mënyre, merr fund edhe vetë portreti i Partizanit 1961- kampionit dramatik dhe historik njëkohësisht. Nuk është kështu. Këtë e dinte fort mirë edhe Panajot Pano. E dinte mirë sepse ai sukses nuk mund të mbërrinte kurrsesi pa të tjerët. Nuk mund të mbërrinte pa Sulejman Maliqatin “e vogël” që sa i madh që ishte në portë. Nuk mund të mbërrinte pa treshen Kraja-Resmja-Jashari që përfaqësonte një kombinim të rrallë të futbollit. I fuqishëm dhe shënues i pandalshëm Robert Jashari; një atlet i futbollit, përveçse autor golash të pashlyeshëm Kolec Kraja; truri dhe frymëzuesi i një qëndrese e larmie krijuese aksionesh Refik Resmja. Nuk mund të mbërrinte ky sukses pa një katërshe stoike e gjysmëmbrojtjes apo e mesit të fushës, siç sapo e emërtonte evolucioni i futbollit asokohe: Miço Ndini-Gani Merja-Ben Bukoviku-Lin Shllaku.

Dhe as pa treshen e mbrojtjes Fatbardh Deliallisi-Miço Papadhopulli- Iljaz Dingu, që thuajse nuk lëvizi në asnjë ndeshje prej formacionit. Po aq nuk mund të mbërrihej te ky titull unikal (i vetëm) as pa shpërthyesin e talentuar Tomor Shehu apo dhe të shpejtin Sotir Seferajn. Dhe as pa Simon Dedën po aq të paharrueshëm në elegancën e zgjuarsinë e tij, i cili me këtë titull do të mbyllte karrierën e tij të ndritshme, që niste qysh kur ai, një djalë 15-vjeçar, do të debutonte me Vllazninë në kampionatin kombëtar. Pa harruar ndërkohë as Osman Memën, që prekte çdo metër tokë të fushës, i kthyer te 17 Nëndori, duke udhëhequr historinë e jashtëzakonshme të familjes Mema në futbollin shqiptar. E sadopak, as pa Jonuz Telin e Shkodrës, i cili kishte qenë protagonist me “Partizanin e dytë”, atë që quhej Luftëtari i Shkollës së Bashkuar “E.Hoxha”. Dhe si rrufeshëm paksa u duk edhe një shkodran tjetër: Osman Djepaxhia, që vetvetiu fiksohen si Kampionë të Shqipërisë me këtë Partizan të paharrueshëm, duke e çuar në pesë numrin e shkodranëve: Shllaku, Kraja, Deda, Teli, Djepaxhia. Një pesëshe që për herë të parë në historinë e gazetarisë shqiptare po “zbulohet” si e tillë vetëm sot, në këto radhë të këtij dossier-i. Por, ky “shkodranizim” i Partizanit, nëse mund të përcaktoj kështu, qëndronte poshtë atij të 17 Nëndorit, i cili në këtë titull të Partizanit kishte kontributin e madh të plot 8 tiranasve, të cilët si futbollistë kishin lindur te 17 Nëndori (sport-klub Tirana e sotme).

Ishin: G.Merja, Bukoviku, Pano, Resmja, Halili, O.Mema, Dingu dhe trajneri Rexhep Spahiu. Ndonëse ende “dyshoj” edhe për ndonjë tjetër… E tillë ishte strategjia apo gjeopolitika e futbollit shqiptar të asokohe, ku “fabrikat artizanale” të futbollit të qyteteve që prodhonin talente të pambarim, duhej t’i dorëzoheshin “kombinatit modern” të Partizan-Dinamos. Kampionia 1961 ishte Partizani i trajnerit Rexhep Spahiu – një nga figurat e më të shquara të futbollit shqiptar, si lojtar kampion i Ballkanit 1946, si trajner rindërtues i një Partizani kampion e i argjendit të Lajpcigut. Ky ishte trajneri i cili me urtësinë, dijet, gjakftohtësinë dhe energjitë krijuese të tij mbetet aty, në panteonin e futbollit shqiptar. Me të ishte ndërtuar ky Partizan i një përgatitjeje universale fizike, i një futbolli në harmoni të plotë në lidhjet mbrojtje – sulm, pse jo, po aq edhe i një harmonie të lartë të nivelit të një shoqërie sportive “Nobël”. Në një gjykim teknik, thuajse asnjëherë ky nuk ishte një Partizan mbrojtës. Ishte sulmues i pandalshëm, çka e tregon edhe mesatarja e golave mbi 2 për ndeshje. Ajo mesatare që shpesh duket e paarritshme në futbollin e sotëm të kampionateve të Shqipërisë. Nuk ka dyshim se shtrirja e shënuesve në plot 6 emra – përjashto kryeshënuesin Pano (12 gola) – me Jasharin, Krajën, Seferajn, Ndinin, Resmen, e bënte ate të frikshëm për të gjithë skuadrat. Në asnjë ndeshje, skuadrat e tjera nuk mund të parashikonin se nga mund t’i vinin golat partizanas.

Kjo ka qenë një risi për atë kohë ose thënë në prodhimin taktik të një skuadre – kjo ka qenë simbol i vetë një harmonie të futbollit taktik, çka jo pak po përpiqej të përvetësonte edhe Partizani i gjithë këtyre viteve Këtë do ta vërtetonte shumë shpejt edhe paraqitja mbresëlënëse e këtij Partizani shqiptar në ndeshjet e tij europiane që sapo fillonin. Levski i Sofjes, Fenerbahçe e Stambollit, Norçeping e Suedisë, Spartak Plovdiv e Bullgarisë, Këln i Gjermanisë e deri te argjendi i Hanoit me CDNA të Sofjes, Honved i Budapestit, Vorvarts i Berlinit, CSKA e Moskës… Po dhe të tjera brilante të futbollit shqiptar sado modest që të ishte. Ngjarje të cilat i kam shpalosë me kohë, por të cilave mund t’i rikthehem… Partizani kishte hapur i pari dyert për te garat e mëdha të Europës për klubet shqiptare… Një kapitull i pashlyeshëm të cilin do ta pasonte plot dinjitet rilindja e 17 Nëndorit që shpejt do të mbërrinte… FUND

* Për vazhdimësi shih pjesët I, II dhe III në “Panorama Sport” të 6, 11 e 14 nëntorit 2020.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"