E vërteta e “marrëdhënieve” të Riza Lushtës me Kombëtaren e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2020 | 21:38

E vërteta e “marrëdhënieve” të Riza Lushtës me Kombëtaren e Shqipërisë

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

PJESA III 10.

E vërteta e “marrëdhënieve” Riza Lushta – Kombëtarja e Shqipërisë

Riza Lushta, i cili për fat ndeshjen e parë të tij, 17 vjeç djalë, për çudi të rrallë, e ka zhvilluar më 1933 nën fanellën e skuadrës së Shijakut, është një prej 11 themeluesve të Kombëtares Shqiptare në ndeshjen e parë po themeluese të saj më 5 mars 1936 nën drejtimin e trajnerit hungarez Samo Singer. Kanë qenë: Dovana, F.Janku, Maluçi, Pizha, Karrapici, Xërxa, Kryeziu, Lushta, Korça, M.Gurashi, H.Begeja! Dhe dihet që themeluesit janë përherë më të mëdhenjtë. Kështu mbërrijmë te Shqipëria, te marrëdhënia e Riza Lushtës me Kombëtaren e Shqipërisë.

lushta (1)

Riza Lushta na ka lënë një letër të rrallë publike, botuar në gazetën “Sporti” të Tiranës, për habinë e rastit mû me 8 nëntor 1945, mbas ftesës që ju bë, për ta bindur për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të luajtur me Kombëtaren: “Me anën e kësaj letre – shkruan Lushta, – më jepet rasti t’ju shpall ndjenjat e përshtypjet e mia më të mira për luftën heroike që keni bërë në lidhje me popullin tonë kundra okupatorit nazifashtë, kundra tradhtarëve. Kam kënduar gazetat dhe jam tepër i gëzuar duke vënë re sukseset e sportit që ju kini në çdo fushë. Do të isha i lumtur të isha edhe unë midis jush, por për fat, këtë vit jam i zënë në kontratë me skuadrën e Napolit. Kini vullnet e zell! Suksesi diftohet me lojën teknike e jo me fitimin. Ju uroj thellë nga zemra ime, çdo përparim, në çdo fushë, kështu që Atdheu të ketë mundësi të përfaqësohet me sukses edhe ndër kampionate jashta shtetit”. Këtë letër të tij e kam botuar e pakta nja katër herë, madje para nja tre vjetësh edhe këtu në “Panorama Sport”. Të vjen keq që plagjiatorët kur e stërbotojnë e paraqesin si zbulim. Kësisoj, edhe ribotimi i sotëm këtu nuk përbën ndonjë risi. Por ajo që duhet thënë është se kjo letër që përmban brenda atdhetarinë e pastër dhe filozofinë më të përparuar të sportit, edhe pse ndoshta mund të ketë pësuar ndopak redaktim nga gazeta, na shërben për të pohuar edhe një herë se Riza Lushta e donte fort Shqipërinë dhe Kosovën, natyrisht. Siç shihet e kërkon pra edhe Kombëtarja e tij e Shqipërisë të cilën ai me shokët e tij e kishin themeluar më 1936.

lushta 1 (1)

Tash le ta detajojmë pak këtë mosardhje të tij për Ballkaniadën 1946. Edhe për këtë “aventurë” ka pas e ka legjenda e rrêna sa të duash. Shumëkush për vite ka qenë rob i kësaj “aventure” të folur, të përfolur e të komentuar. Mirëpo, erdhi një ditë që gjithçka u sqarua në vërtetësinë e saj nga profesori ynë i shquar Engjëll Angoni, përveç të tjerave dhe një vlerësues i madh dhe njohës i sporteve, i cili ka patur knaqësinë të më tregonte gjithë të vërtetën e panjohur për ne. Eshtë e vërteta që ka të bëjë me ftesën që i është bërë tre futbollistëve të shquar shqiptarë të cilët jetonin e luanin në Itali, për t’u kthyer në Shqipëri menjëherë Mbasluftës në prag të Lojërave Ballkanike që do të zhvilloheshin, dhe që në të vërtetë u zhvilluan, në Tiranë në tetorin e1946-ës. Ishin Riza Lushta, Naim Kryeziu dhe Sabaudin Biçaku. Megjithatë, para se të mbërrijmë tek ajo çka do të pohojë profesori ynë i respektuar Engjëll Angoni, po shtoj se është thirrur edhe një i katërt kombëtares i 1936-ës: Haki Korça, siç më ka pohuar ai vetë në intervistën që i kam marrë në aeroportin e Torontos në Kanada, më 1995, ku ai jetonte prej vitesh. Pohimin e tij po e ribotoj këtu marrë nga “Libri i Kombëtares”: “- Unë e kam lanë Shqipërinë më 5 nëntor 1942 edhe nuk e kam pa ma Shqipërinë. U prenë relacionet me Shqipërinë. Mbesim keq. Unë kisha shkue në Romë për të studiuar për shkenca politike, kreva 3 vjet studime, por tashma ishte tepër e vështirë. I kërkuam Ministrisë së Jashtme të ndihmonte studentët.

lushta 2 (1)

Mandej erdhi Kadri Hoxha. Erdhi tek unë e më tha: “Haki, më kanë dërgue te ti shokët te Kafja e Sahatit në Tiranë dhe më kanë porositur të të marr ty. Do të bahen në Tiranë Lojërat Ballkanike dhe ti duhet të vish”. “Unë nuk vij, – i thashë, – se ju Dr. Samimin e keni zanë në burg pa kurgja, pa tradhtina e keni zanë në burg. Unë nuk vij ma të loz futboll”. Ishte fjala për kunatin e tij Dr.Vasfi Samimin – universali i madh i blegtorisë, kulturës, historisë, sportit, gazetarisë. Kështu që kemi të drejtë të besojmë se edhe Haki Korça është ftuar, në këtë rast nga Kadri Hoxha, i cili asokohe ishte me shërbim te aleatët në Itali. Ai ishte partizan i luftës, personalitet i Shqipërisë komuniste, për fat më mbas i dënuar pa mëshirë nga Partia e tij. Haki Korça ka qenë një ndër futbollistët më të shquar të viteve ’30 e për këtë, ka luajtur në 11-shin e Kombëtares Shqiptare themeluese më 5 mars 1936. Madje duke qenë menjëherë Mbasluftës në një ndeshje të jashtëzakonshme në Itali me skuadrën e emigrantëve politikë përkrah dy futbollistëve të famës botërore, hungarezët Kubala e Zelenger. Tek është tani ajo më e rëndësishmja, ajo çka na ka sqaruar dhe konfirmuar profesori i nderuar Engjëll Angoni, i cili pohon saktësisht: “Kam qenë punonjës në Ministrinë e Arsimit dhe në Federatën Sportive Shqiptare, dhe papritmas më thirri kryetari i saj Kristo Papajani. Mbasi mbylli fort derën e zyrës, më tha të ulesha para makinës së shkrimit dhe të shkruaja një telegram, natyrisht pa u lejuar t’ia thosha ndokujt. Telegrami iu drejtohej futbollistëve shqiptarë, Riza Lushta, Naim Kryeziu dhe Sabaudin Biçaku të cilët jetonin në Itali. Përmes telegramit të ftesës për t’u kthyer, atyre iu premtohej edhe punë komode në Ministrinë e Arsimit si inspektorë.

Me sa kuptohet ka qenë fjala për Naim Kryeziun si i lauruar për edukim fizik, ndoshta dhe për Lushtën. Por edhe për Sabaudin Biçakun (vëlla binjak me të mirënjohurin Vasif Biçaku) në ministrinë e Bujqësisë, i lauruar si specialist në këtë fushë. E vërteta është se telegrami u bë dhe u dërgua. Ndërkaq, dihet se mbas pak, u dërgua në Trieste, e cila ende ishte nën statusin e Jugosllavisë, shoku i tyre, futbollisti Ludovik Jakova. Prej andej Jakova i ka marrë në telefon, duke ua përsëritur ftesën secilit. Të gjitha këto veprime u mbajtën në fshehtësi të plotë dhe as u tha më mbas se çka u bë dhe se ç’përgjigje dhanë ata”, – përfundon Prof. Angoni në saktësimin e këtij episodi të rrallë. Ndërkaq, ne njohim vetëm përgjigjen e sipërcituar të Riza Lushtës, botuar në gazetën “Sporti” të Tiranës, më 8 nëntor 1945. Të jetë kjo përgjigjja e telegramit të Kristo Papajanit, për çka tregon Prof. Angoni?… Ndoshta…

lushta 3 (1)

11. Riza Lushta dhe Selman Stërmasi

E megjithatë, Riza Lushta nuk do ta harronte kurrë Shqipërinë. Ndërsa bashkëkampionin e SK Tiranës, mësuesin dhe trajnerin e tij Selman Stërmasin, do ta nderonte fort. Në raste, siç do të dalë në këtë “tregim” nr. 11, do të dinte t’i blatonte madje, mirësinë e tij të rrallë në ato kohëra të rrezikshme, çka Riza Lushta pati fatin e madh të mos i përjetonte. I mjaftoi harrimi 45 vjeçar. Edhe pse qe më i madhi. Sigurisht letra e tij e 1945-ës, shtjelluar më sipër, është një kuintesencë e atdhetarisë së tij. Për një çast të dukej se ajo nuk mund të kishte bënte, si të thuash, zyrtarisht, me Shqipërinë. Por ai kurrë nuk mund ta harronte. Ai shkon jorrallë në Kosovë, por jo në Shqipëri. Me Shqipërinë e mbasluftës pra, atë të regjimit komunist, megjithatë do ta lidhte vetëm një letërkëmbim i jashtëzakonshëm me Selman Stërmasin. Më vjen keq që asnjëherë nuk e kam takuar Selman Stërmasin. E pafalshme! Edhe pse para shtëpisë së tij në sheshin “Avni Rustemi” në Pazarin e Ri, kaloja çdo ditë. Madje më shumë se një herë. Kushedi sa çka do të më tregonte Në librin kushtuar Dr. Vasfi Samimit kam shkruar këto radhë:

“… Në sheshin qendror të Pazarit të Ri shpesh shihja dy personazhe të mëdhenj të sportit shqiptar tek kryqëzoheshin: Vasfi Samimi e Selman Stërmasi. Ata kishin shtëpitë aty dhe unë e dija se që të dy ishin themelues të sportit shqiptar. Kalonin në të shumtën në heshtje, pa tërhequr fort vëmendjen e ndokujt, madje pa mëtuar ta tërheqin këtë vëmendje. Lavdia e tyre tashmâ kishte mbetur mbas dhe pak kush kujtohesh për to… Nuk arrita të njihem me Stërmasin, ndërsa me Dr.Samimin jam njohur mu në këtë sheh të Pazarit të Ri…” Këto janë radhë sa nostalgjie po aq edhe të një droje. Nuk guxoja t’i afrohesha unë atij. Një e vërtetë është, megjithatë. E kuptoja se jorrallë tek ecte ai më shihte me vëmendje. Me siguri e dinte se isha një gazetar i “Bashkimit”, rubrika sportive e të cilit ishte bërë më popullorja në Shqipëri. Them se për këtë mund të ishte një lloj kërshërie e tij. Megjithatë, në fund të fundit, unë isha një gazetar i ri dhe aq. Pa harruar se isha gazetar i një gazete të regjimit, regjim që pa mëshirë, e kishte flakur tej Stërmasin. Por Selman Stërmasi, ndonëse prej vitesh i mënjanuar nga mjedisi publik, çka të dukej se ia kishte ndaluar regjimi me një “rregullore” të posaçme, nuk mund të ishte indiferent ndaj jetës shqiptare në heshtjen e tij. Një njeri të cilit, në një farë mënyre, i ishte ndaluar të “publikohej”, natyrisht asokohe vështirë që të lidhej sado pak sidomos me një gazetar të atij regjimi. Më vonë kam mësuar se i paharrueshmi Fatmir Frashëri e ka takuar dhe e vizitonte Selman Stërmasin. Ndërsa miku im dhe i familjes ime, muzikologu ynë i madh, profesor Ramadan Sokoli po e po. Kjo edhe për shkak të lidhjes familjare me fisin e tij. Ne të rinjtë heshtje të plotë ndaj kësaj figure! Për të shpërthyer vetëm më 1990 me botimin e shkrimeve të para.

lushta 4 (1)

Duke mbërritur mandej Shqipëria me stadiumin e titulluar “Selman Stërmasi”. Për Riza Lushtën, përveçse shok e bashkëlojtar, trajner e president i klubit, Selman Stërmasi ka qenë edhe si lloj kujdestari më i rritur për të. Është Selman Stërmasi njeriu i cili ka kryer gjithë transferimin e Lushtës në Itali me skuadrën e Barit. Mandej Mbaslufta dhe letërkëmbimi midis tyre. Fragmente të të cilit po botohen këtu nën përkujdesjen e autorit të librit të parë për Sport-Klub Tiranën, kolegut tonë Bektash Pojani.

Në një kartolinë Rizaja shkruan:

“I dashtun Selman. Mora letrën tande e u gëzova për shëndetin tand. Naimi asht si secondo allenatore i Romës, për preparazione atletica. Ma vonë do të shkoj me e pa Naimin. Përqafime. Riza”. Kartolina i përket datës 13 shtator 1963. Datë që na konfirmon emërimin e Naim Kryeziut si trajner i dytë i klubit Roma. Ç’ka sot e kësaj dite mbetet unikal, do të thoja, si një nderim për vetë historinë e futbollit tonë. Sepse dihet fort mirë që edhe Naim Kryeziu i SK Tiranës e Bashkimit Elbasanas është prodhim i futbollit shqiptar, edukim arsimor i gjimnazeve shqiptare, që do ta çonte deri në diplomimin e profesorit të edukimit fizik mbas mbarimit të ISEF-it të famshëm të Romës. Sa shumë që kemi për të zbuluar ende!… Bie fjala, kur befasisht je njohur me atë çka ka shkruar Fadil Hoxha (moshatar (1916) i Lushtës) – kryetari i parë i Kosovës, zëvendëspresidenti i Jugosllavisë, anëtari i Kryesisë së KQ të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, Heroi i Popujve të Jugosllavisë, i cili të befason teksa në librin e tij “Fadil Hoxha në vetën e parë” (2010), ai shkruan: “Në konvikt ka pasur futbollistë të mirënjohur: Riza Lushta, Mazllum Xërxa, Skender Gjinali, Naim Kryeziu…” E ka fjalën për Konviktin “Malet Tona” në Shkodër, siç shkruan vetë autori. Kësisoj na delka se të gjithë këta futbollistë, madje themelues të Kombëtares së Shqipërisë më 1936, i paskan bërë në Shkodër hapat e parë të futbollit të tyre!.. Ndonëse me Vllazninë kanë luajtur vetëm dy prej tyre: Xërxa e Gjinali. Më 17 maj 1971, Riza Lushta, midis të tjerave, i shkruan Selman Stërmasit:

lushta 5 (1)

“I dashtuni Selman, Gëzohem që televizionin e paske marrë, pse pritsha lajm prej teje e nashti jam qetësuem që të ka ra në dorë. Unë erdha mirë në Amerikë, udhëtimi ka qenë shumë i mirë, e nashti jam tue punue në vendin ku isha përpara… Bani të fala të gjithë shokëve që shef. Kur isha në Torino, kisha qejf me ardhë me ju pa të gjithë në Tiranë, porse duheshte me u kthye në Amerikë, pse më kalonte leja… Në Torino e kam kalue kohën mirë, pse njoh akoma shumë njerëz, e kam shumë shokë të vjetër, e më pëlqente me ndejtë akoma pak kohë, porse nuk ishte e mujtun…Po shoh se në Shqipni futbolli asnt tue përparue, pashë në gazetë që me Poloninë kishit barazuar, gëzohem që sporti në Shqipni ka përparue shumë.” Edhe këto rreshta janë me shumë kuptim. Rizaja gëzohet për barazimin e Shqipërisë 1-1 me Poloninë në ndeshjen e Tiranës të 1971 për Europianin. Një vit më vonë ai i shkruan Stërmasit:

“… Gëzohem Selman për Tiranën që paska dalë e dyta në kampionatin e Shqipnis. È onore me u klasifikue i dyti në kampionatin e Shqipnis, e uroj që vitin tjetër të shkojë edhe ma mirë si ka pasë shkue kur ti dirigjojshe Sport-Klub Tiranën. Nuk duhet të disturbojshe për kujtimin që po më dërgon, faleminderit mbasi qenkan prej artizanatit shqiptar e marr me gjithë qejf… Selman a i shef ndonjëherë shokët e vjetër që kanë pas luajt për Sport-Klub Tiranën, po i pe ju ban shumë të fala prej meje…”. Riza Lushta i gëzohet suksesit të Tiranës, që ai kurrsesi nuk e quan “17 Nëntori” por Sport-Klub Tirana të ndarë në tre: “Sport-Klub Tirana”, siç është shkruar në vitet ’30, e siç e shkruaj unë sot për t’iua ruajtur autenticitetin e themelimit. E mandej kalon te shokët e dikurshëm, të cilët shpreson “t’i takojë” përmes të falunave që iu çon. Më tej, më 1974, interesohet për shëndetin e Stërmasit, të cilin kërkon ta ndihmojë jo vetëm me këshilla të mjekësisë italiane, madje. I shkruan nga Nju Jorku, tash jo me dorë, por me makinën e shkrimit siç thotë: “…Këto dit bleva këtë makinën e shkrimit, sepse shpesh më vjen vështirë me shkrue me dorë”. Është vërtet diçka e rrallë se sa mirë, sa qartë dhe sa rrjedhshëm shkruan Lushta shqipen e tij në gegnishte së cilës ne këtu nuk i lëvizim presjen. Duket që shkolla shqiptare ka ngulë jo pak rrënjë edhe tek ai, Në letër tjetër, po të vitit 1974, nga Nju Jorku, ai shkruan: “I dashtuni Selman. Jam shumë i gëzuem që mora letrën tande të 7 Gushtit; ti nuk ke sepse më falënderon mue, sepse edhe unë si vëlla të konsideroj, sepse me ty dhe me shokët e tjerë sportista u rrita në Tiranë, dhe mos kujto se mund ta harroj bukën që kemi hangër bashkë… Me mall të puth dhe të thom se më ka marrë malli shumë… Edhe një herë përqafime. Rizaj”.

lushta 6 (1)

Riza Lushta, i cili ka një bukurshkrim të një kulture të kohës, zotëron edhe drejtshkrimin e shqipes së kohës së tij, deri dhe apostrofin të spikatun në “t’i”-në që shumë gazeta shqiptare edhe sot e shkruajnë gabim “ti”! Për çudi ai di edhe përdorimin e pikëpresjes në shqipet, ndonëse ka 35 vjet që është larguar. Por më e rëndësishme se kaq, është se malli për Shqipërinë nuk i ndalet. Siç shihet edhe në këto tri radhë të mësipërme ku spikat mirënjohja e pashlyeshme e tij ndaj Selman Stërmasit të cilin e quan vëlla, po dhe shokëve të tjerë të tij, Dy vjet më vonë, më 1976, Riza Lushta është kthyer në Torino: “…Jam ma se tre muaj kam dalë në pension. Kam dalë përpara moshës, pse isha mërzitë me punue gjithë vitin e erdha me jetue këtu në Torino, pse hala kam shumë shokë të vjetër dhe miq të tjerë, dhe pastaj këtu e kaloj kohën shumë ma mirë se në Nevjork dhe jam afër motrës sime që jeton në Kosovë, në Mitrovicë. Këto dit erdhi me më vizitue mbesa prej Mitrovice dhe besoj edhe un vjetin tjetër do të shkoj me vizitue motrën dhe fisin që jetojnë në Kosovë. Në Kosovë kam shumë fis si prej motrës e vllaut që më kanë ndjekë si dhe motrës Magbule që jeton… Shumë të fala shokëve të vjetër dhe unë kujtoj kohën e djalëris”…’ Do të mbërrijë më mbas te letra e tij, me sa duket, e fundit, mbasi ka marrë vesh për ndarjen nga jeta të Selman Stërmasit. Ku mbasi i shkruan zonjës Nezi, bashkëshortes së nderuar të Stërmasit “ngushëllime të zemërta për juve e gjithë të familjes”, ai shton plot mall: “… Un si shok, nuk mund të harroj kohën e bukur të djalëris që e kam kaluar me te. Selmanin e kam dasht pse ka pasë zemër të mirë me të gjithë dhe ka ndihmue shumë njerëz, dhe pa interes”. Ky qenka si të thuash, portreti tjetër i Riza Lushtës, çka në këtë letërkëmbim me Selman Stërmasin e përshkon mirënjohja e madhe, shqiptaria, mirësia, humanizmi. Çdo letër e tij përfundon me fjalët “të përqafoj me mall”. Ishte malli i shqiptarisë që duket qartë se te Riza Lushta e brezi i tij nuk u shlye kurrnjiherë.

12.Nderimi dhe mosnderimi për Riza Lushtën dhe Naim Kryeziun

Tash pa patur frikë aspak se mund të ma marrin për mburrje, nderimi i vetëm deri më sot është bërë me propozimin dhe iniciativën time si anëtar i Komisionit kombëtar të Pullës të Albapostës dhe me mbështetjen e anëtarit tjetër po anëtar i këtij komisioni, i paharrueshmi Niko Xharo. Kështu, në vitin 2002 në ceremoninë e përkujtimit të 80- vjetorit të lindjes së futbollistit dhe trajnerit të madh shqiptar, Loro Boriçi, organizuar në Pizzeria “Loro Boriçi” pranë Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, Albaposta ka bërë publikimin e emisionit të pullave të postës kushtuar për herë të parë në historinë e Filatelisë Shqiptare, figurave të shquara sportive shqiptare. Katër sportistët e parë shqiptarë që përjetësohen në një pullë postare, ishin Loro Boriçi, Riza Lushta, Naim Kryeziu dhe Ymer Pampuri. Siç shihet, në këtë katërshe historike janë dhe dy futbollistët e mëdhenj të Sport-Klub Tiranës të viteve ’30, shqiptarët e Kosovës Riza Lushta dhe Naim Kryeziu. Pullat janë punuar me shije e kulturë nga piktori Llazar Taçi. Në emër të Albapostës, i dorëzova familjes së Loro Boriçit kopjen e parë të këtij emisioni të pullës. Dhe kemi mbetur te ky emetim i pullës dhe vetëm kaq. Më vonë, përmes botimit të një shkrimi pata propozuar që rrugës përpara kafe “Taivani” ku ka qenë Fusha e Shallvares ku ka luajtur Riza Lushta të quhet Rruga “Riza Lushta”. Ndërmjet të tjerave pata shkruar: “Mbas 60 e mâ vjetëve të madhështisë, talentit dhe arritjeve sensacionale të futbollistit shqiptar, Riza Lushtës së Mitrovicës së Kosovës të formuar nga Sport-Klub Tirana e Shqipërisë, sot e kësaj dite Shqipëria-Nanë nuk ka ende një stadium me emrin e tij! Madje as edhe një turne me emrin e tij! Nuk ka as edhe një rrugë me emrin e tij…

lushta7 (1)

E gjithë rruga përpara Barit “Taivan” ka qenë pjesë e Fushës së Shallvares. Me një fjalë, duhet të besojmë se pikërisht aty ku fillojnë shkallët e para të “Taivanit” duhet të ketë qenë muri rrethues i Fushës, ose tribuna karshi, siç i themi sot. Ne vështrojmë këtë rrugë që dikur ka qenë pjesë e një skene të madhe për shqiptarët dhe futbollin tonë të kohës… Rruga para “Taivanit” e meriton të thirret: “Riza Lushta”, më e pakta që mund të bëjmë që t’iu afrohemi sado pak shqiptarëve tonë të Kosovës, të cilët i kanë vënë stadiumit të vjetër të Mitrovicës, emrin “Riza Lushta”…” Por heshtje! Edhe në këta rast vetëm kaq. Vërtet, si ka mundësi që sot e kësaj dite Shqipëria nuk i ka nderuar ende këta protagonistë ashtu siç e meritojnë?… Asnjë president i KOKSH, asnjë Ministër i Arsimit, Kulturës e Sporteve, asnjë kryeministër, asnjë President a kryetar i Sport-klub Tiranës të cilët janë kujtuar të nderojnë në këtë fushë personazhe të cilët mund të qëndrojnë dukshëm poshtë një Lushtë apo një Kryeziu, nuk kanë bërë asnjë gjest nderimi për ta. Nuk ndiej asnjë lloj keqardhje ndaj kujtdo, aq më pak ndaj plagjiatorëve të llojit shqiptar, por nderimin Lushtës e Kryeziut ia kanë bërë vetëm shkrimet tona. Ua kanë bërë vetëm grupi i “Radiotelevizionit Shqiptar” Engjëll Ndocaj, Besnik Shima dhe Xhemal Reçi i cili mbas 50 vjetëve ua solli Lushtën, tash të moshuar, në ekranin e vogël. Ua kanë bërë gazetarët e shquar Ylli Pepo, Ahmet Shqarri përmes dokumentarit të tyre që fitoi çmim në Festivalin Botëror të Filmit Sportiv.

Në Kosovë nderin më të madh ia ka bërë Mitrovica e cila i dha stadiumit të saj emrin “Riza Lushta”, ndonëse si futbollist ai është formim i Sport-Klub Tiranës së Shqipërisë. Nderin ia ka bërë revista e klubit të Barit “Il Bari” dhe drejtuesi i saj gazetari dhe historiani i klubit, që si i tillë në Itali konsiderohet legjendë, Gianni Antonucci, po dhe biri i tij drejtori përgjegjës i revistës, Michele Antonucci, të cilët më 2014 më botuan shkrimin e gjatë historik në plot pesë faqe, rreth figurës së Lushtës, duke më nderuar plot mirësi përmes letrës falënderuese të tyre. E nderimin më të fundit ia ka bërë kolegu dhe miku im i nderuar, Salvatore Lo Presti – një ndër gazetarët sportivë më të shquar të Italisë në librin e tij të kohëve të fundit “Juventus é tutta un quiz!”.. Ku e pakta nja 20 herë e ka përfshirë Riza Lushtën, në episode kuptimplote të historisë juventine. Nderin ua ka bërë gazetari i paharrueshmi ktalo-shqiptare, Allesandro Chiarella – nipi I Prof Injac Zampurttit, i cili shkoi dhe kaloi orë të tana në shtëpinë e Naim Kryeziut duke më sjellë intervistën e jashtëzakonshme botuar në gazetën që drejtoja. Pa harruar shkrimin e gjatë e aq tërheqës të Kreshnik Agollit, po për Naimin. Them se mbas gjithë kësaj çka shkrova apo rishkrova, kujtoj se Shqipëria ka heshtur për t’i nderuar fort dhe lart Riza Lushtën e Naim Kryeziun. Dhe mbas tyre për të filluar nderimin përsëmbari të të gjithë themeluesve të sportit shqiptar të viteve ‘20 e ’30, të cilët ende nuk kanë hyrë në panteonin e të nderuarve.

lushta8 (1)

Po kujtoj këtu se viti 2020 ishte viti i 95 vjetorit të Rrethit të Parë Çiklistik të Shqipërisë (1925) – i pari në Europë për amatorët; ishte viti i 90 vjetorit të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë në futboll (1930); teksa një vit më parë (2019) ishte 90 vjetori i themelimit të Kampionatit Kombëtar të Atletikës së Lehtë që është i pari kampionat sportiv i organizuar në Shqipëri. Pa harruar se ekipi i parë Kombëtar për një sport në Shqipëri është themeluar pikërisht nga atletika e lehtë,ishte viti i 100-vjetorit të themelimit të Sport-Klub Tiranës së Riza Lushtës. E plot të tjera mbas tyre. A vërtet duhet të mbetemi vetëm te shkrimet e librat tonë? Vetëm te filmat e kolegëve tonë? Që për fat kanë rrëzuar gjithnjë jo pak të pavërteta e shtrembërime që nuk po ndalin…? Si gazetar i vjetër, si historian i sporteve, besoj se më lejohet të shtoj me plot sinqeritet një sugjerim për gazetat, e sidomos për televizionet: renditini sipas vlerave shkrimet e emisionet që bëhen për historinë apo historitë e sportit shqiptar. Hiqni dorë prej spontaniteteve, rastësive apo miqësive “shoqërore”. Ndryshe historia që vjen do të na dënojë. Dhe ndoshta ka filluar të na dënojë, përderisa historia e sportit shqiptar, zë një nga vendet e fundit në shpalosjen e saj në historinë tanësore të Shqipërisë. E për gjithë këto përgjegjës të parë janë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Federatat e sporteve, institucionet Akademike, Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Përgjegjësi të cilat hap mbas hapi do të synojmë t’i shtjellojmë… FUND

Për vazhdimësi shih pjesën I dhe II në “Panorama Sport”, 9 dhe 11 dhjetor 2020.

* Botimi është ekskluzivitet i “Panorama Sport”. Asgjë nga ky botim studimor nuk mund të ribotohet prej dikujt pa lejen e redaksisë.

Mbas shortit të Kupës së Botës 2022, në numrat e ardhshëm nga ky autor:

HISTORIA e reportazhit “zhurmëmadh” të herës së parë të Shqipërisë në “Wembley” të Londrës më 1989

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"