Duke pritur “Katedralen moderne” të “Stadiumit Kuq e Zi”…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2018 | 22:30

Duke pritur “Katedralen moderne” të “Stadiumit Kuq e Zi”…

Nga BESNIK DIZDARI

Tre përkime më shtynë që të mbërrij te ky shkrim. I pari ka të bëjë me vitin 1938, kur Mbretëria Shqiptare synoi të ndërtonte stadiumin e parë në Shqipëri – çka sot përkon me 80-vjetorin e asaj nisme të paprecedent në historinë e Shqipërisë. Dhe ideja për t’i dhuruar qytetit një stadium, krejt në kundërshtim nga çfarë mendohej, nuk është e lidhur me regjimin italian në Tiranë, sepse qysh në vitet njëzet, Mbreti Zog “kishte menduar për të ndërtuar në qytetin e tij një stadium kombëtar dhe dokumentet për vendimet e shpronësimeve e provojnë këtë”.

besnik dizdari

Kjo ide merr forcë në vitin 1929, kur qe vendosur që “stadiumi i ardhshëm i qytetit të përkojë me Stacionin e Trenit të sotëm në veri”, siç është thënë fjalë për fjalë. Pra, në krye të Bulevardit Zog I, ai “të kishte një funksion të madh skenografik: me një hapësirë në formë eliptike e përmbyllur prej një konstruksioni që të kujtonte kolonadën e San Pietros në Romë”. Janë katër projekte, dy të ing. Pallavicini-t, kryetar i zyrës teknike të bashkisë dhe dy të ing. Kohler në ministri, i cili duket se merr përparësi. Fillimi lihet për disa muaj më tej, në 10-vjetorin e Mbretërisë, ditë e 6 shtatorit 1938, kur përurohen punimet.

Është mû aty ku ka qenë Stacioni hekurudhor i Tiranës, por ku tani fillon shtesa shumë e bukur e Bulevardit të ri, që sapo ka filluar. Ministri i Arsimit dhe Kryetari i Federatës Sportive Shqiptare, Abdurrahman Dibra, mban fjalimin përurues dhe guri i parë i stadiumit vendoset bukur e mirë në shtresën simbolike të themeleve. Prej fjalimit të ministrit rikujtoj këto radhë mbyllëse që, sot e kësaj dite, mbeten emblematike për idenë kombëtare të sportit shqiptar: “E ardhmja e çdo kombi mbështetet në një rini të shëndoshë, të fortë e patriote…

Arena Kombetare

Ky gur i parë që po hedhim sot në themelin e Stadiumit Kombëtar âsht një hap i ri i hedhun me siguri në fushën e zhvillimit e të përparimit tonë”. Për fat, vetëm kaq! E vërteta është se fillojnë punimet e para, por 7 prilli 1939 është te dera e shtëpisë. Dëshira e Mbretit Zog I, thuajse rrufeshëm kalon te një tjetër, Viktor Emanueli III, Mbret i Italisë, i Shqipërisë dhe perandor i Etiopisë, i cili vetëm disa muaj më mbas, kur nënsekretari i shtetit, Zenone Bonini, paraqet skemën për “Ndërtimin e terreneve sportive në Shqipëri”, jetëson dekretin e dhjetorit 1939: “Vittorio Emanuele III Per grazia di Dio e per Volonta della Nazione Re d’Italia e d’Albania, Imperatore d’Etiopia Abbiamo decretato e decretiamo: Art :I progetti per la costruzione, l’acquisto, l’adattamento, di  restauro e le modifiche degli impianti sportivi…” (“Viktor Emanueli III. Falë Zotit dhe Vullnetit të Kombit ne Mbreti i Italisë dhe i Shqipërisë, Perandor i Etiopisë kemi dekretuar dhe dekretojmë: Art I: Projekte për ndërtimin, blerjen, përshtatjen, restaurimin dhe rregullimin e ndërtimeve sportive…”).

Kësisoj, nga janari 1940 dhe deri në fund të këtij viti, punohet me një shpejtësi të mahnitshme nën drejtimin e ndërmarrjes italiane S.A.I.Ferrobeton, e cila është nën urdhrat e të famshmit ing. Gherardo Bosio, drejtues i “Ufficio Centrale per l’Edilizia e l’Urbainistica dell’Albania”, i cili papritmas sëmuret (ndahet nga jeta më 1941).

arena

E zëvendësojnë ing. Giuseppe Paladini dhe mbas tij arkitekti Leone Carmignani dhe Ing. Ferdinando Poggi. Projekti i ing. Bosio për stadiumin, ndërtimin e të cilit tashmâ ai e zhvendos në jug të Bulevardit, aty ku deri para pak ishte stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” i sapo zhdukur nga faqja e dheut, edhe pse ishte monument kulture! “Tirana do të ketë Stadiumin Olimpik, – siç njofton shtypi i kohës, – ndërtimi i të cilit sapo ka filluar. Do të jetë i një strukture eliptike me diametrin më të madh 274 metra, më të voglin 142, me kapacitet 15.000 spektatorë”, deklarohet në shtypin italian të kohës.

E në gjithë këtë projekt të famshëm të asaj në atë që ne sot i themi Bulevardi Dëshmorët e Kombit, viti 1942, ndërsa shënon përfundimin e Hotel Dajtit (17 shkurt 1942) – sot edhe ky i denatyruar – po aq mund të themi se shënon edhe ngritjen e stadiumit kombëtar, ndonëse pa iu dhënë dora e fundit. Për dy vjet të tjera, ato 1943-1944 nuk kryhet asnjë punim, stadiumi do të mbetet i heshtur, në çuditshmërinë e tij. Nuk do të guxojë askush t’i heqë një gur pa i prishur asgjë! Ndonëse jemi në vite lufte! Dhe rikutjoj edhe këtu: do t’i takonte Partisë Komuniste Shqiptare ta gëzonte përurimin përfundimtar të Stadiumit Olimpik të Shqipërisë, të shndërruar në Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”.

arena kombetare4

Do t’i jepej rifinitura pa prekur asgjë në ndërtimin e tij të mbaruar katër vjet më parë. Rifillohet përmes një aksioni po aq politik e zhurmëmadh sa dhe i fashizmit. Emrat e këtij rifillimi janë të shumtë. Mbi të gjithë, prof. Irfan Tërshana. Mandej, inxhinieri gjerman Danech, ing. Dedali Kosturi, Shinasi Dragoti, Nikolla Kolevaci, ing. Gjovalin Kroqi… dhe 120 punëtorë ushtarë italianë, 120 të burgosur gjermanë, 700 punëtorë shqiptarë, vullnetarë, të rinj, të reja. Katër turne nga 6 orë, 24 orë në 24 orë! 1.045.000 franga ari preventivi. Dhe gjithçka në vetëm katër muaj punë: 7 qershor – 1 tetor 1946. Stadiumi shndrit me stemën simbolike të Shqipërisë Komuniste: shqiponja me yllin e kuq në ballinën e tij! Nuk di a do t’ia lënë këtë dekor, në atë që njoftimi i sotëm “zâmadh” ka deklaruar se stadiumit të ri, i ashtuquajtur “Kuq e Zi” do t’i përjetësohet fasada “autentike”! Në të vërtetë punë gurësh…!

Siç dihet, stadiumi i pat hapur portat para kohe për hir të një ndeshjeje të famshme, sa sportive, po aq dhe të një gjeopolitike të re: Partizani – Spartak i Moskës 2-5! Kjo është ndeshja e parë që është luajtur në këtë ndërtim sportiv historik: 21 prill 1946. Dhe vetëm më 1 tetor 1946 do të “dorëzohen çelësat e stadiumit”, zyrtarisht, siç thonë kronikanët. Ky ishte stadiumi që bëri të mundur zhvillimin e Lojërave Ballkanike të para të Pasluftës, aty ku askujt nuk mund t’i shkonte nëpër mend: në Tiranën e drobitur të Shqipërisë, nga 6 deri më 13 tetor 1946, dita kur mbas fitores 1-0 me Rumaninë, Shqipëria bëhej për herë të parë dhe të fundit Kampione e Ballkanit.

arena kombetare1

Një histori sot e rrënuar së bashku me monumentin e blatimit të tij që ishte stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”. Përkimi i dytë që nxit këtë shkrim ka të bëjë me përgjigjen prapësuese të UEFA-s, çka edhe këtë – pa asnjë meritë natyrisht – e kishim parashikuar, për të mos pranuar zhvillimin e Superkupës së Europës në stadiumin e ri të Tiranës ende të pandërtuar. Merret me mend se UEFA kurrsesi nuk mund të binte dakord që të paracaktonte zhvillimin e Superkupës së Europës në një stadium që ende nuk është ndërtuar! Kështu, ajo me mospranimin e saj i ka dhënë një përgjigje disi të rreptë vetëkënaqësisë, për të mos thënë mendjemadhe shqiptare për ndërtimin e një stadiumi.

Ndërsa përkimi i tretë shtjellohet edhe më gjatë në radhët që vijojnë. Ndërkohë, kam shpresë se shumëkush nuk ka harruar se 8 vjet më parë, jam njeriu i parë, i cili përmes një shkrim në të përditshmen “Panorama”, kam dalë kundër prishjes së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Kjo ka ndodhur qysh në ditën e parë që është dhënë një njoftim për këtë lloj shkatërrimi “sui generis” të një ndërtimi, arene, stadiumi a vepre monumentale historike të Shqipërisë. Në shkrimin tashmâ “të hershëm”, atë të 5 nëntorit 2010 në “Panorama”, pata shkruar fjalë për fjalë: “…

Është histori, gjurmët e së cilës do të shuhen me ngritjen e stadiumit të ri europian që, me të drejtë, do të ndërtojë Shqipëria e sotme. Për fat, do të ndërtohet duke zhytur në nëntokë historinë e stadiumit kombëtar, stadiumit tim shqiptar, stadiumit tonë shqiptar. Stadiumit që mund të mos prishet mû për hir të historisë, kur me pak mundim, siç e kam thënë me kohë, i riu mund të ndërtohet diku tjetër. Dhe kështu, pa harxhuar asgjë më tepër, fitonim një stadium më tepër!” Nuk jam ndalë me kaq. Pata vazhduar të shkruaj edhe këtu në “Panorama Sport”.

Pata shkruar madje, në hollësi, edhe historinë e këtij stadiumi që bart mbi supe historinë e futbollit, madje dhe të sportit kombëtar. Sigurisht, mbas meje ka shkruar edhe ndonjë autor tjetër. Po për fat të keq, opinioni publik ka pasur një heshtje “sublime”. As që e ka ça kryet se po prishej stadiumi. Duket që me stadiumin nuk ka ndodhë siç po ndodh me Teatrin Kombëtar ku të paktën disa aktorë të famshëm për ne, po dhe të një atdhetarie si shqiptarë, janë në revoltë e sipër për të ndalë që “tragjedia” e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, mos të ndodhë me teatrin.

foto-stadiumiii

Për fat, hap mbas hapi, po duket se një lloj opinioni publik për një kundërshtim kësisoj është në rritje e sipër. Dhe nëse aktorët do t’i mbështesë opinioni publik, me siguri do t’ia arrijnë ta ndalin dorën arrogante të një qeverie a ministrie, e cila kujton se Shqipërinë, kulturën, teatrin apo stadiumin kombëtar ua ka lënë baba. Po tashmâ puna e stadiumit ka marrë fund.

2. Mbërrij kështu te përkimi i tretë. Ky ka të bëjë me një ndjenjë mërzie që ma nxiti një emision televiziv, i cili ndoshta gabimisht ka menduar se telespektatorët janë çiliminj, e po i gëzoj duke iu treguar se si po ndërtohet “mrekullia stadium”, se “sa i bukur që do të jetë”, se “si do të duket kulla e tij”, se “si ai do të bëhet një nga simbolet e Tiranës”, se “si në të do të mund të zhvillohen koncerte e show”, se si “jo ne, por arkitekti e ka kërkuar stadiumin me kullë”, madje deri se “si do të mund të shndërrohet në skenë edhe tribuna VIP”; dhe se si mandej, vetëm mandej, “natyrisht që stadiumi do të jetë edhe për futbollin”. Pra “natyrisht edhe për futbollin”. Gati, gati, sikur po do me thënë “jo detyrimisht për futbollin”.

Çka kjo “natyrisht”, e thënë mbas funksioneve të sipërme, vetvetiu nënkupton se ai “në radhë të dytë qenka edhe për futbollin”. Nuk besoj se ky emision apo dokumentar ia arriti qëllimit. Jo vetëm se mbi gjithçka spikatën vinçat, betonieret, parafabrikatet, hekurishtet gjigante, çerek tribunat e papërfunduara, por edhe sepse merret me mend që sot stadiumet e rinj kudo në botë, dihet se ndërtohen njeri më i bukur se tjetri, njeri më modern se tjetri, njeri më i rehatshëm e piktoresk se tjetri. Qoftë edhe stadiumi i Elbasanit apo ai i Shkodrës, për të ndërtimin e të cilëve ka shkruar plot vlerësim edhe autori i këtij shkrimi. Mirëpo, me sa duket, këto lloj reklamash a publicitetesh e konsiderojnë teleshikuesin një lloj fshatari të pagdhendur që nuk ka parë stadiume modernë me sy, e fat i madh që po iu jepet rasti të shohin një të tillë në Shqipëri.

E pra, jo ne si gazetarë, por kujtoni madhështinë, bie fjala të tribunës “Stade de Lyon” të Lyon-it të ditës së paharrueshme të Kupës së Europës, Shqipëria – Rumania 1-0 të 19 qershorit 2016, të mbushur thuajse i tani prej tifozëve shqiptarë, për të kuptuar sado pak se shqiptarët e sotëm nuk mund të propagandizohen sikur nuk kanë parë stadium me sy. Kësisoj, gjithçka m’u duk tamam ashtu siç bënin dikur kinoditarët e Kinostudios “Shqipëria e Re”, kur ndërtohej Hidrocentrali i Ulzës, që një herë në dy tre javë na tregonin para fillimit të filmit artistik në kinema, se si po shkonin punimet e ndërtimit të hidrocentralit.

hqdefault

Ndoshta kishte një logjikë asokohe, sepse drejt me e thënë, shumë shqiptarë nuk e dinin se çka ishte një hidrocentral që prej ujit të jepte dritë. Ndërsa sot ata e dinë fort mirë se çka është një stadium modern, me vende komode ulur, me ajrosje e tribunë të mbuluar, me mjedise lehtësuese krejt moderne për lojtarët, me sigurinë e qetësisë për publikun, me fushë të blertë të njëtrajtshme, me prozhektorë që ta bëjnë natën ditë, me tribuna shtypi ultramoderne e me mjedise të tjera çlodhëse.

Në të vërtetë, këto nuk arriti të na i tregonte “vetëreklama” e publicitetit në fjalë, ngaqë të gjitha këto ende nuk ishin ndërtuar. Ishte ndërtuar, si të thuash, vetëm diga e parë e hidrocentralit, madje pa provën e ujit të shkumëzuar të turbinave, siç na i tregonin kinoditarët e viteve ’50. E shihni se si, me dashje apo pa dashje, vihemi në shërbim të një propagande të një stili krejt arkaik, pse jo, madje të një stili disi të llojit të shoqërisë së shkuar, siç e kishim përvetësuar dikur ne, gazetarët e atij regjimi. Ne që mundohemi të hulumtojmë e të studiojmë sadopak ndër këto histori, e themi se propaganda e Mbretërisë dhe ajo e Fashizmit për ndërtimin e këtij stadiumi ka qenë në një nivel tejet më të ultë se kjo e ndërtimit të sotëm të një stadiumi.

Duke parë, kësisoj, pamjet televizive, më dukej sikur donin të na thoshin: “A nuk e shihni se ç’po bën Partia? A nuk e shihni se si po ua ndërton Fabrikën e Qelqit të Kavajës e atë të Telave të Bakrit të Shkodrës? Se si po ua ndërton Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit që nuk e ka Europa”? Ndonëse për çudi, shpesh Partia të thoshte edhe numrin e punëtorëve që do të punonin në këto fabrika. Për fat, për stadiumin modern të Tiranës, nuk dëgjuam të na thoshin se sa njerëz do të punësoheshin aty. Po ja që Europa, e sidomos Ballkani, nuk e paska një stadium të tillë. Dhe është aq i rrallë, saqë pa u ndërtuar as gjysma e tij, i kërkojmë UEFA-s të zhvillojë këtu Superkupën e ardhshme të Europës.

Stadiumi-Qemal-Stafa-01

E, tash më thoni: a keni pa ndokund sot një shtet ku gjatë ndërtimit të një stadiumi, teksa ai madje është në gjysmë të rrugës së ndërtimit të tij, në një dokumentar për të, të dalë e të flasë tri herë kryeministri i vendit, siç ngjau në rastin e këtushëm? A thua se ky stadium modern do të bëjë bumin ekonomik të shqiptarëve, ende të vuajtur e të varfër! M’u kujtua kryeministri i Britanisë së Madhe, legjendari Winston Churchill i vitit 1940, kur qeveria e shteti i tij, për të ndalë Hitlerin në bombardimet e Londrës, arriti të prodhonte tridhjetë avionë luftarakë në ditë për të mposhtur “Luftwaffe-n” e “G?ringut”. Dhe e mposhti. Po Churchill-i nuk doli në radio BBC për t’iu shitur mend anglezëve të tij se “prodhova 30 avionë në ditë”. Për fat, sot ndodh që Republika e Shqipërisë buçet në propagandë.

Si, për shembull, në rastin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili e ka vendosë me kohë rekordin botëror të daljes çdo ditë, pa asnjë mungesë, në të gjithë televizionet e vendit duke vetëreklamuar “punët” e tij. Kështu mësuam për të njëqindtën herë se qeveria shqiptare, FSHF-ja a dikush tjetër, po na “falin” një stadium të ri, mbasi kanë zhdukur stadiumin e parë të ndërtuar në historinë e vendit, që ishte monument kulture e monument historie.

Në vend që, siç e kemi thënë po nja njëqind herë deri tash, të riun ta ndërtonte diku tjetër, duke përfituar kështu Tirana e Shqipëria një stadium më tepër. Ndërkaq, pashë arkitektin disi euforik të ndërtimit të stadiumit (jo kryelë si ing. Gerarado Bosio i famshëm i Benito Mussolinit apo dhe kolegët e tij ing Giuseppe Paladini, ing.Ferdinando Poggi e arkitekti Leone Carmignani, të cilët projektuan dhe drejtuan ndërtimin e stadiumit të mëparshëm), i cili e quajti stadiumin e tashëm “katedrale moderne”. E di fort mirë se çdo të thotë “Cattedrale”, sepse përveç të tjerave, jam qytetar i vjetër i Shkodrës e jam rritur sa pranë xhamisë moderne të Parrucës po aq edhe pranë kishës apo katedrales monumentale të Piazza-s sime.

Megjithatë, shkova te fjalori i Zingarelli-t për të përftuar më mirë kuptimin e “cattedrale-s” Dhe rimësova se “cattedrale” do të thotë: “Kishë parësore e një dioqeze, ku ka vendin katedra ipeshkvnore dhe ku ipeshkvi zakonisht kryeson celebrimet liturgjike”. Fulvio Cordignano “cattedrale-n” e shqipëron si “kryekishë”. Sado figurativisht të ketë dashtë ta përdorte për stadiumin duke e publicitizuar si “katedrale moderne”, e shihni se arkitekti në fjalë nuk ia ka arritur assesi.

Njerëzit në stadium, jo vetëm nuk do të shkojnë me u falë apo për të dëgjuar celebrime liturgjike, por do të shkojnë të shohin shfaqje futbolli detyrimisht të zhurmshme plot britma gëzimesh sportive. Kështu pra, kujtojmë se në stadium njerëzit shkojnë me pa futboll, sport e atletikë. Ndonëse në rastin e tashëm, atletika u mallkua, pra u veprua më keq se Vittorio Emanuele III, kur me dekretin e dhjetorit 1939 e quajti ndërtimin e stadiumit “I progetti per la costruzione degli impianti sportivi”. E, “sportive” do të thotë jo vetëm për futbollin. Dhe e bëri stadiumin me pistë atletike.

Në një kohë që stadiumi i saposhkatërruar ishte stadiumi i parë në krejt Europën e Pasluftës që organizoi një Kampionat Ndërkombëtar të Atletikës së Lehtë, atë të Lojërave Ballkanike 1946. Por ju nuk i dini këto, ose bëni sikur nuk i dini. Në prepotencën e tuaj, si në rastin e teatrit, na përsërisni tash e parë se “do të ruajmë fasadën”, ndoshta gjithsej nja 20 metër katror, që jo vetëm nuk pasqyrojnë thuajse asgjë nga historia, por edhe ngaqë kurrsesi nuk do të mund të vërtetohet nëse është vërtet ajo, fasada hyrëse origjinale, teksa dihet se çfarë ndryshimesh “socialiste” pat pësuar. Papritmas më kujtohet thënia e famshme filmike: “T’i japim pak pëlhurë për me mbulue lakuriqësinë e vet”. Dhe përmes këtij shkrimi po ju dhurojmë fasadën origjinale të tetorit 1946. Këtë do të guxoni të vendosni…?

Mirëpo, kujtoni se historia fillon me ju. I pat thënë Hitleri Speerit, arkitektit të tij: “Të ndërtojmë si duam ne, që të thonë se këto mrekullira i ndërtuam ne, epoka jonë, Gjermania jonë nacionalsocialiste”. Kësisoj, e bëtë Tiranën, sot për sot, të vetmin kryeqytet në botë pa asnjë pistë atletike! Asaj atletike së cilës vitin që vjen do t’i përkujtojmë 90-vjetorin e Kampionatit të parë, qysh më 1929, para futbollit pra, kur Mbretëria jonë “e prapambetur” para se të ndërtonte stadium, ndërtoi pistën e mbretëreshës atletikë. Këtë të shtunë që shkoi, Kampioni ynë i Europës, Izmir Smajlaj, fitoi edhe një medalje të tjetër të artë në kërcimin së gjati në garat e shteteve të vogla, në Lihetenstejn me 7.90 metra.

Po ndërkaq, ai ka thyer edhe një “rekord” tjetër origjinal: “rekordin” se është i vetmi atlet kampion në Europë, i cili vjen nga i vetmi shtet, kryeqyteti i të cilit prej dy vjetësh nuk ka asnjë pistë atletike. Histori të vjetra e të ditura të gjitha këto. Unë për vete, dhe besoj se edhe mijëra qytetarë të tjerë të Republikës, u ndjeva jo mirë prej tregimit “marramendës” se si po ndërtohej pa pistë atletike stadiumi i Tiranës – “Arena e Kuqezinjve të Shqipërisë”. Siç kam shkruar para pak ditësh për një tjetër dukuri të stilit të pompave televizive, na mbyti “kuq e zia”. Flamuri kuq e zi, Kombëtarja kuq e zi, tifozët kuq e zi, stadiumi kuq e zi, transmetimet kuq e zi, shalli kuq e zi, kryeministri kuq e zi, ministri kuq e zi, tribuna kuq e zi, presidenti kuq e zi, kënga kuq e zi! Dhe sa më pak të jetë e mundur emri “Shqipëri”! Kështu, ndërrohen e vihen emra prej një prepotencë vetjake, pa referendume e logjikë historike. Kështu edhe për Kombëtaren që kurrë nuk do të luajë në këtë stadium më shumë se vetëm nja 4 a 5 ndeshje në vit.

Dhe qenka stadiumi i saj që pa u ndërtuar me prepotencë qeveritare paska marrë emrin “Kuq e Zi”! Kur këto dy fjalë s’kanë asgjë përkujtuese të përveçme emërore – sepse dihet, janë dy mbiemra – tregojnë dy ngjyra që në flamurin e tyre i kanë nja 100 shtete të botës. Shqipëria e sotme harron ata emra që, me sa duket, nuk i do: Riza Lushta e Naim Kryeziu, Refik Resmja, Skender Halili apo Panajot Pano. E në kësisoj pompozitet sunduesish “modernë” që iu është mbushë mendja se ky popull nuk merr vesh asgjë, ia “falin” stadiumin e ri “kuqezinjve”. Si puna e shkatërrimit apo ndërtimit të Teatrit Kombëtar. Kështu, hutoji sa më shumë të mundësh shqiptarët “e pa ditur”, e thuaju të gëzohen fort se si po ua ndërtojmë stadiumin e ri pa pistë, me kullë komerciale e për koncerte e shfaqje. E mandej, mbas gjithë këtyre funksioneve të tjera, “natyrisht edhe për futbollin”.

Tash, mbas këtyre fjalëve që shkrova, vetvetiu u ndjeva i lehtësuar. Dhe urova me gjithë zemër: le të fuqizohet Kombëtarja që të mos i ndodhë si Elbasanit e Vllaznisë së Shkodrës që sapo iu modernizuan stadiumet, Kampionati Kombëtar i FSHF-së i përjashtoi këta klube historike të Shqipërisë. Por kjo është “punë sporti e futbolli”. Nuk është punë qeverie e ministrie që, edhe pse iu shkatërrohen skuadrat e qyteteve më nobël të Shqipërisë, ata nuk ndihen aspak. Ndihen vetëm për publicitet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"