95 vjet më parë botohej “Gazeta e Sportit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2020 | 18:14

95 vjet më parë botohej “Gazeta e Sportit”

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Shkodër 1925 – gazeta e parë sportive…    

Ajo ishte një gazetë modeste, prej 4 faqesh të vogla, format 22.7 x 30.8 cm. Kish dalë dy herë në muaj dhe ishte shtypur në shtypshkronjën “Nikaj” në Shkodër. Megjithatë vlera e saj është e madhe. Si vlera e çdo gjëje që fillon për herë të parë, që çel një rrugë, që shkel në caqe të pashkelura. Eshtë viti 1925. Viti i një Shqipërie e cila me vetëm 13 vjet pavarësi, megjithatë ish përshkuar përmes halleve të pafund për të mbijetuar. Dhe papritmas dikush mendonte se ky vend duhej të kishte edhe gazetën e tij sportive, për ndryshe sportin e tij. Duhet të zbresim 95 vjet poshtë për të kuptuar, vlerësuar, matur, inkuadruar, peshuar, konfirmuar këtë ndërmarrje që patjetër ka vlera të kulturës kombëtare. 29 vjet para saj, më 1896 në Milano ishte botuar gazeta e parë e vërtetë sportive në histori: “La Gazeta dello Sport”. Dhe për shumë vite në Evropë pakkush e kishte pasuar. Kësisoj, “Gazeta e Sportit” e Shqipërisë është padyshim ndër të rrallat në Europë dhe ta do mendja e para në Ballkan.

Një gjë është. Vështirë të ekzistojë një gazetë sportive në qoftë se nuk ka sport. “Gazeta e Sportit” e 1925-ës, tregon se Shqipëria kishte sport. Sado modest të letë qenë. Tjetër se i ç’përmase qe ai sport. Na e tregon këtë vetë “Gazeta e Sportit”, model i vitit 1925. Me një tip letre si me ngjyrë, me shqiponjën dykrenare në ballë, më 30 tetor 1925 ajo pa dritën e botimit, dhe kaloi dorë më dorë si një befasi, si një habi e vërtetë. Eshtë vepër e Palokë Nikës, e të mirënjohurit të fillimeve sportive në Shqipëri. Edhe unë kam patur rastin ta njoh personalisht këtë pionier të sportit tonë, i cili ia kish arritur të jetonte edhe Konferencën e 1-rë Kombëtare të BFSSH më 1958 si delegat i saj. I moshuar, po trupdrejtë, 70-vjeçar por entuziast, ky kryeredaktor i parë sportiv i Shqipërisë, ishte mbase i vetmi që ish përshkuar në ndryshimet kohore të sportit tonë. 33 vjet para 1958-ës, drejtori i “Gazetës së Sportit” Palokë Nika, dilte me programin e gazetës së tij, program që synonte që:

“…Të ushtrohet edhe djelmënia e jonë në lamën e Atletizmës, që të ndjekim parimet për zhvillimin fizik trupnuer, që të përparojmë dhe na në fushatën e qytetënimit, muerëm iniciativën me formue shoqnina sportive të përbame prej djelmoçash të zgjedhun idealiste për përparim të kombit shqyptar…”.

Vërtet ishin formuar këto shoqëri. Kishte lindur “Vllaznia”, kishte lindur “Sportklub Tirana”. Kishin lindur dhe ato të Elbasanit, Vlorës, Korçës, Durrësit… Në të vërtetë në Shqipëri kishte lindur sporti, që si vetë Shqipëria, që si vetë kultura e saj kërkonte të mbijetonte edhe ai në kohëra tejet të vështira.

Gazeta e Rrethit të parë Çiklistik të Shqipërisë dhe e sportit ndërkombëtar…

Qysh në numrin e parë të “Gazetës së Sportit” mësojmë për Rrethin e parë Çiklistik të Shqipërisë, një ndërmarrje që në të vërtetë për kah risia, është shpallur europian. Patjetër që si rreth çiklistik amator, që siç kemi shkruar me kohë, është i pari në Europë. Dhe në numrin e parë të “Gazetës”, në rubrikën “Post’e Jashtme” gjejmë botimin e letrës së shoqërisë së famshme çiklistike ndërkombëtare “Bjanki” e cila thekson:

“Me gëzim të madh morëme vesht të sjellunit e Shqypnisë me biçikleta. Ju urojmë suksese të plota dhe dëshirojmë që dhe ai komb kreshnik të marrë rrugën e shteteve të mdhaja në përparimin e fizikut të masës që sot asht e domosdoshme. Pritni urimet tona ma të përzemërta”.

E pas saj një telegram nga një shoqëri franceze: “Gzohna që një shtet i vogël, por me shumë zell në përparim po i difton botës randësinë e sportit”.

Rrethi i parë Çiklistik ishte zhvilluar në shtator. Gazeta e parë sportive një muaj mbas tij. Dhe fitues i këtij rrethi Jonuz Gjylbegu mbulohet me dafinat e një fitimtari të  pashembullt. Sot, më 2020 jemi në dy 95-vjetorë si anë të një medaljeje. Çiklizmi që nxit daljen e një gazete. Gazeta që fikson çiklizmin. Dhe në numrin 3 të saj “Gazeta e Sportit” ka si sigël pikërisht biçikletën.

“Në horizontin e Shtypit Kombëtar sot duket edhe “Gazeta e Sportit”, shkruhet në kryeartikullin e numrit 2. Dhe në ato 4 faqe të vogla ajo nxiton të rrokë gjithë hapësirën e sportit të kohës. Madje dhe atë ndërkombëtar. Nga një ndeshje futbolli në Vjenë, te gara 6 ditore e çiklizmit në SHBA, ku përmendet një Ghirardeli e një Binda, nga një ndeshje boksi në Berlin, te përgatitjet për Olimpiadën e Amsterdamit e ndeshjen e madhe të Anglisë 5-3 me Belgjikën, synohet të përshkohet në kufij të gjërë të një horizonti kulturor sportiv që e kishin autorët e “Gazetës së Sportit”.

Dhe prap çiklizmi- emblemë. Me sa duket thjeshtë nga që ai ishte i vetmi sport që kishte arritur të zhvillonte një veprimtari të shkallës kombëtare, mbarë shqiptare: të famshmin Rreth Çiklistik të 1925-ës, diçka krejt e habitshme për kohën. E më 1926 “Gazeta” boton në numrin 5 shkurtit një thirrje për rrethin tjetër çiklistik “Turi ballkanik” siç e përcakton ajo në të cilin deri tash nuk e ka bërë kurrë një shtet i këtij gadishulli”.

Dhe mbas çiklizmit, natyrisht futbolli. Numër për numër. Faqe për faqe. Eshtë vetë jeta e gjallë futbollistike e qytetit të veriut me shoqëritë e tij të shumta e me emrat aq patriotikë “Lekë Dukagjini”, “Republika”, “Liria”, “Djelmënia”, “Gjergj Kastrioti”, “Studenti”, “Juventus”. Apo me futbollistë të shquar të kohës si Muhamet Halili e Lec Ndreka, Ibrahim Dizdari e Anton Mazreku, Elez Maha e Ahmet Ashikja, Rudolf Gurashi e Loro Kovaçi, aktori ynë i madh i mëvonshëm, Frederik Shiroka e Bahri Kopliku, dy mjekët tanë të shquar të viteve më mbas, shokë të shtrenjtë e të paharrruar. Dhe jo vetëm kaq. “Gazeta e Sportit” kërkon të jetë e natyrës kombëtare. Aty gjejmë reportazhin e ndeshjes së Korçës në Manastir, të ndeshjes Durrësi – Tirana, të asaj të shkollës Teknike me Normalen e Elbasanit. Do të gjejmë edhe portretizimin interesant të futbollistit të mirënjohur të “Sportklub Tiranës” Selman Stërmasi. Do të gjejmë dhe urimin që gazeta i dërgon përmes faqeve të saj Gjirokastrës:

“Gazeta e Sportit” gëzohet për shoqninë e re sportive që u formue në Gjirokastër, urime, suksese të plotë për qëllimin e shenjtë”…, siç shkruan ajo në numrin e 5 shkurtit 1925.eb937a29-d4f2-4071-9419-0dad77ff7b29 (1)

Në numrin 6 të saj do të gjejmë si gjegjës të redaksisë Musa Koplikun, i cili më mbas do të emërohej dhe drejtor në vend të Palokë Nikës, i cili mbetet përherë i zënë si organizator i palodhur veprimtarish. Mbase kjo do të ketë qenë arsyeja që kryeredaktor është ky mik i Prof. Avni Zajmit, Musa Kopliku, njëkohësisht edhe organizator sportiv pranë drejtorisë së arsimit në Shkodër. Në faqet e saj do të gjejmë edhe shkrimet e para të dala nga penda e një 17-vjeçari, që quhej Anton Mazrreku, kryeredaktor i ardhshëm i një gazete të mëvonshme, siç do të ishte “Sporti Shqiptar”, i viteve ’30, si dhe redaktori i parë i “Sportit popullor” i 30 korrikut 1945. Në faqet e saj saktësisht në numrin e 10 tetorit 1926 do të gjejmë edhe tabelën e parë të klasifikimit në historinë e sportit tonë. I përkiste turneut të futbollit të Shkodrës ku merr pjesë edhe “Crna Gorac” i Cetinjës. do të gjejmë aty sqarimin klasik: dy pikë për fitore, një për barazim. Mënyra europiane e klasifikimit që në Shqipëri, siç ka shkruar A.Mazrreku, për herë të parë e kishte treguar në vitet 20, daja i tij, patrioti i madh Luigj Gurakuqi.

2020: Nga 95 vjetori i “Gazetës së Sportit” te plot jubile të tjerë…

Sidoqoftë, jeta e “Gazetës së Sportit” do të merrte fund së bashku me vitin 1926. Po gjithsesi kjo pioniere e publicistikës shqiptare e ka zënë një vend sado modest qoftë ky. Në vetvete ajo përbën një inciativë të realizuar. Dhe iniciativat asisoj gjithmonë kanë vend të nderuar. Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një iniciativë shqiptare të përmasave ballkanike për kohën. Në vlerat publicistike gazeta shquan për kulturën e të shkruarit, stilin origjinal, ndonjëherë edhe polemizues, dendësinë e informacionit (mbi të gjitha kjo) dhe ndoshta ia vlen të studiohet sidomos për kah vlerat e reportazheve të para të gazetarisë sportive. Gjithmonë pasi ta nderosh për më të rëndësishmin: fiksimin e fillimeve të sportit të organizuar me devotshmëri e ndjenjë kombëtare në Shqipëri. Dhe në shtytjen që u përpoq që t’ia jepte.

Kësisoj ky 95-vjetor i së parës gazetë sportive shqiptare, që përkon me 95-vjetorin e rrethit të parë çiklistik të Shqipërisë, përmbledh në një dy ngjarje që na kujtojnë se traditat tona sportive i rrinë pranë me dinjitet vetë traditave të kulturës sonë kombëtare. Dhe Shkodra si gjithnjë në ballë, si gjithnjë e para: shpikëse, inisiatore, themeluese, udhërrëfyese për krejt kulturën kombëtare. Gjithsesi jemi ende në fillim. Duhet të gjurmojmë më tej. Thesari është i pashtershëm.

Kur “Panorama Sport” do t’i kthehet ribotimit të saj, pra në “shtypin e shkruar në letër”, besoj se do t’i kthehemi prap “Gazetës së Sportit” të 1925-sës me të reja të tjera befasuese rreth saj. Ky i sotmi është një shkrim për portalin e këtushëm, që në këte vit pandemie virusi, po përkon me gjithë këto jubile të sportit shqiptar:  95 vjetori i Kampionatit të parë Kombëtar të Futbollit;  95 vjetori i gazetës së parë sportive; 95 vjetori i Rrethit të parë Çiklistik të Shqipërisë; 75 vjetorët e Kampionateve Kombëtare të Basketbollit e të Volejbollit; 80 vjetorit të fillimit të punimeve për ndërtimin Stadiumit të parë në Shqipëri; 100 vjetori i SportKlub Tiranës; 70 vjetori i themelimit të një prej klubeve më historikë të Shqipërisë, sidomos në futboll e në volejboll, që është Dinamo – sot e flakur tej; 85 vjetori i themelimit të gazetës “Sporti Shqiptar” gjithashtu sot e zhdukur; për të mos harruar 90-vjetorin e Kampionatit të parë të Atletikës së Lehtë, që sapo e kemi tejkaluar disa muaj. E pse jo, edhe plot të tjera…

Këta janë histori që i bëjnë nder Shqipërisë. Nuk janë përralla…

PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"