90 vjet më parë themelohej Kampionati i 1-rë i Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2020 | 0:24

90 vjet më parë themelohej Kampionati i 1-rë i Shqipërisë

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Kur paturpësisht nuk nderojmë…

Përvjetori ka qenë tri ditë më parë, 6 prill 2020 – 6 prill 1930. Dhe dita 6 prill 1930 është dita  kur  ka nisur Kampionati i 1-rë Kombëtar i Futbollit në krejt historinë e Shqipërisë. Asnjëherë deri më sot të viteve të Mbasluftës së Dytë Botërore, kësaj date themeluese në sportin shqiptar nuk i është kushtuar asnjë vemendje, asnjë përkujtim në rang shtetëror, qeveritar apo ministror, e mbi të gjitha as në rang të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo është injoranca (padija), por dhe mungesa e atdhetarisë të një takëm njerëzish të cilët kanë hyrë pa asnjë meritë në zyrat admistrative qeveritare, ministrore në Shqipëri.

Edhe pse, bie fjala,  autori i këtushëm pak a shumë është munduar t’i qesë fundin kësaj ngjarjeje sidomos me librat e tij. Ka bërë detyrën që i vjen prej dy vokacioneve: atij atdhetar dhe atij profesional. Dhe jo vetëm atij natyrisht, ndonsëe jemi shumë pak…

Po e rikujtoj këte ngjarje madhore të jetës shqiptare edhe këtu në “faqet” e “Panorama”-ve të internetit. Edhe për të nderuar sado pak “pionierët” e 6 prillit 1930. Edhe ngaqë pothuajse të gjithë ata nuk janë nderuar përsëmbari ndonjëherë. Nuk janë nderuar jo vetëm nga shteti shqiptar, por mbi të gjitha nga ata të cilëve ata i përkasin më fort se kërkuj: mjedisit sportiv futbollistik shqiptar, Ministrive të Arësimit, të Sporteve apo të Kulturës, Federatës Shqiptare të Futbollit të viteve të sotme.

E, në vitet ’30 të qenunit anëtar i një Federate Sportive do të thoshte që të kishe kartën e anëtarësisë. E kam të ruajtur kartën e anëtarësisë të themeluesit të madh të sportit shqiptar, Dr. Samimit të asokohe. Kartën e anëtarësisë që nuk besoj se ekziston sot në Shqipërinë e vitit 2020 të Shekullit XXI. Pra, kot themi tash e parë “Federata Shqiptare e Futbollit”. Eshtë më saktë të themi “kryesia e Federatës Shqiptare të Futbollit”.

Dhe kështu si kanë shkuar punët, nuk mund të  triumfohet mbi idenë e gabuar që thotë se “historia fillon kur kam lindur unë” apo “kur kam ardhur unë këtu”. Ose historia nis vetëm me ata ose ato që “i kam përjetuar unë”, “që mbaj mend unë”, “që kam qenë unë aty”. Që do të thotë se “vetëm këta unë nderoj”, se “vetëm këta unë dekoroj”, se “vetëm për këta unë shkruaj, evidentoj apo ngre në piedestal”. Deri aty saqë edhe kur shkojnë te “pionierët” kanë paturpësinë t’i bien shkurt, të kopjojnë keq nga librat e shkrimet e të tjerëve, duke gabuar gati në çdo rresht.

Dhe për fatkeq kjo nuk ndodh vetëm në sport…

Kështu, 6 prilli 2020 pra, që përkon me 90-vjetorin e 6 prillit 1930 kur nisi Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, një ngjarje që ta do mendja se nuk do të mund  të kalonte pa u “vu oroe”, siç do të shkruante Shoqnia Bashkimi e Gjuhës Shqipe të 1908-ës.

Si studjues i këtyre punëve në të vërtetë kam vite që e bëj një gjë të tillë, qoftë edhe me nja pesë libra të posaçëm kushtuar vetëm Kampionateve të Shqipërisë që kapin pa ndalë periudhën 1930-1959. E shpresoj se shpejt do të botohet edhe i gjashti. Mirëpo, ne “jemi të vegjël”, që do të thotë se “të mëdhejtë” ose ata të cilët ia kanë mbushë mendjen vetes se vërtet janë “të mëdhej”, ndonëse në të vërtetë janë “të vegjël”, janë pra të tjerë.

Kjo është keqardhja e madhe ndaj strukturave të gjithëmbarshme qofshin: media, shtyp i shkruar apo organizma të futbollit, të kulturës ministeriale a s’di se çka, duke qenë se e gjitha kjo është edhe çështje kulture e atdhetarie bashkë, pavarësisht se këto janë cilësi që nuk i ka gjithkush. Dhe është e tmerrshme kur këto cilësi nuk ka as ndonjeri i cili me miq e pa asnjë zotësi, dije e kulturë ka kapë zyrën ministeriale.

Ndërsa ne që nuk kemi çka bëjmë tjetër, veçse të përjetojmë e të nderojmë përmes shkrimeve tona. Qoftë edhe në kësisoj periudhash të pandemive, viruseve, izolimeve, apo të mosbotimit të gazetave. Për fat, rroftë interneti!…

Në fund të fundit për ne, shéjti është lexuesi; dhe lidhja me te është synimi ynë kryesor. Për ke shkruajmë, për ke mundohemi të tregojmë, të shquajmë, të nderojmë, të spikasim, të mos harrojmë, përveçse lexuesit, popullit pra?…

Ka qenë 6 Prill 1930…

Më 6 prill 1930, 6 skuadra shqiptare i kanë dhanë jetë Kampionatit të 1-rë të Shqipërisë në futboll: SK Tirana, Skenderbeu i Korçës, Bashkimi Shkodran, Teuta e Durrësit, Urani i Elbasanit dhe Vlora. Këta ishin emërtimet zyrtare të tyre të asokohe të këtij Kampionati që ishte nën patronazhin e N. M. S. Princeshës Myzejen. Ai ishte një Kampionat që niste  me një “finale” të madhe që do të zhvillohej pikërisht aty ku kishte lindur futbolli, në Shkodër. Ka qenè ndeshja Bashkimi Shkodran – Sportklub Tirana, një 3-2 spektakolar për shkodranët (shënues Qazim Dervishi, Paç Koliqi, Gjon Kiri dhe Rexhep Maçi e Hilmi Kosova për SK Tiranën).

Do të mbetet për sot e kësaj dite unikale Rregullorja  e këtij Kampionati. E asisoji do ta nderonin edhe këto rradhë të një kulture të lartë që kanë të bëjnë me profesionin tonë, e që në drejtshkrimin e kohës, thonin:

“… Do të hyjnë pa pagesë në sheshin e ndeshjeve: Drejtuesit e Degave të Entit; Arbitrat që kanë kartë; Shëndetsori (sanitario) i ngarkuar posaçërisht; Të dy instruktorët e skuadrave; Lojtarët e riservës; Fotografët e autorizuar; Përfaqësuesit e shtypit… Shërbimi fotografik do të bëhet vetëm prej fotografëve të autorizuar prej autoriteteve vendase me shkresë; këta detyrohen t’i paraqitin Degës së Entit dobare një kopje të fotografivet të mara.”

Janë dy pika të rregulloreje që sado arkaike të duken, për çudi mund të mbeten moderne edhe pèr sot e kësaj dite. E, përsa i përket atyre të rangut teknik, dihet që qenë të përsosura.

Ky themelim i vitit 1930  hyri në histori me rastin shembullor (emblematik) të ekzekutimit të Hymnit Kombëtar, nën tingujt e të cilit po me rregullore do të fillonin ndeshjet në të gjithë qytetet ku kishte orkestër frymore.

Këtu janë themelet. Mbi të cilat do të qëndronte Sportklub Tirana – gjithmonë protagonisti i madh i Kampionateve të Shqipërisë. Pa praninë dhe interpretimet e saj të fuqishme, historia e 90 vjetëve të  kampionateve shqiptare nuk do të mund të shkruhej. Eshtë  24 herë kampione, shto këtu dhe dy titujt e Kampionateve të Luftës (1939, 1942) dhe për historinë e vërtetë (jo ate të rrênave) bëjnë plot 26 tituj të Kampionit të Shqipërisë. Rekord ende i pambërritshëm!

Sot në këte pranverë “tragjike” të dekadës së dytë të Shekullit XXI protagonistja jonë legjendare është bërë gati të marrë titullin e 27-të. Dhe ky do të jetë festimi më kuptimplotë i 90 –vjetorit të themelimit të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë që është i detyruar të skalisë emrat Begolli, Dr. Dashi, Gjinali I., Gurashi M. Gurashi R. Gurashi, Hajnali, Jolldashi B., Kajano, Prof. Karapici, Kashari, Kosova, Kusi, Maçi, Miha, Dr.Ndroqi, Sabati, Shehri, Prof. Stërmasi. Ne nuk i harrojmë.

Ndonëse te Sheshi i Fushës së Shallvares, aty ky është bar-restoranti që ne i themi “Taivani”, dhe rrugës përgjatë tij, mungon një obelisk me emërtimin “Rruga Sportklub Tirana”, apo “Rruga Lushta – Kryeziu” – dy emrat e parë që dolën prej Kampionateve të parë modestë të Shqipërisë dhe rrufeshëm u bënë kampionë e fitues kupash në tokën e Kampiones së Botës, Italisë. Ose mungon një pllakë pra, me mbishkrimin: “Këtu ka qenë Fusha e Shallvares. Këtu është shpallur kampionia e parë e Shqipërisë në futboll Sportklub Tirana”. Dhe ky është një detyrim kombëtar, jo një favorizim për s’di se ke.

(Thotë një njeri i madh: “Çfarë kulture bazë mund t’iu mëkohet të rinjve pa Historinë, që përbën shtyllën bazë; çfarë vetëdije civile mund t’i mëkosh një qytetari i cili injoron nga vjen Atdheu i tij; përse është, si është dhe si duhet të jetë?”. Dhe shton: “Kultura, ajo e vërteta, është 80 përqind histori”).

Organizatorët e mëdhej të Kampionatit të parë

Më 5 shkurt 1930, Sportklub Tirana ka riformuar “parinë vepruese” e përbërë nga Teki Selenica (kryetar), Petro Korçari dhe Zoi Xoxa (këshilltarë) e Anastas Shundi (sekretar) si dhe Anastas Koja (arkëtar). dhe se ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë Kostaq  Kotta, ka pranuar të jetë kryetar nderi i Sportklubit.

Të vjen keq që deri më sot askush nuk  ka guxuar të mbledhë rininë sportive e t’i tregojë se si mbas shumë peripecive kishte ndodhur që në Qytetin e Futbollit me emrin Shkodër, ishte formuar “Bashkimi Sportistë”, siç quhej, me synimin për të bashkuar pesë shoqnitë kryeneçe të Shkodrës të cilat nuk pranonin, dhe për t’i bindur që të marrin pjesë në Kampionatin e Parë me vetëm një skuadër.  Dhe sesi zgjidhet kryetar i mirënjohuri Taip Shkodra dhe anëtarë të kryesisë Ranko Cerenko, Teofik Bekteshi dhe Salvator Kurti.

Kuptojeni se të gjitha këto kryesi ishin degë të Federatës Shqiptare të Futbollit në qytete! Dhe… “CHAMPIONATI KOMBETAR – 6 PRILL”, siç njofton me bujë shtypi i asokohe duke u shkruar kësisoji për t’i ngjà sa më shumë të jetë e mundur Europës,  teksa më 31 mars mbrenda në Tiranë përurohej Fusha e re e Shallvares me ndeshjen miqësore Urani i Elbasanit – SK Tirana 1-0!

Kot pata shpresuar se do të nderoheshin fort sot Rexhep Jella, Mihal Sherko, Ali Erebara, Oresto Morra, Giandomenico De Marchis, dy prejt të cilëve e shihni që janë italianë: Morra dhe De Marchis, çka tregonte  një mbështetje në përvojën ndërkombëtare të atyre që dinin më shumë se ne. Jo si sot që “i dijmë të gjitha ne vetë”, ndonëse dijmë shumë pak.

Këta përbënin  pesëshen e Komisionit të Kampionateve, që nuk është asgjë tjetër përveçse kryesia e Ligës organizatore të Kampionatit Kombëtar që ne nuk e formojmë ende sot. madje duke mashtruar pa pikë zori se e kemi formuar. Duke na tronditur keqas deri dhe “udhëheqës” të FSHF-së së sotme që pranojnë të jenë presidentë të një Lige që nuk ekziston.

Askush deri më sot nuk i ka bërë një  nderim sado të vogël një deklarate të jashtëzakonshme të zotni Rexhep Jellës, i cili nënshkruan fjalë për fjalë si “President i Komisionit të Kampionatit”. Koloneli Okley Hill që do ta citoj më gjatë pak më tej, ka shkruar në kohët e vona  për te:

“Rexhep Jella ishte një burrë me taban dhe i shkathët, me flokë gështenjë e me një sjellje të përzemërt; ai njihte çdo njeri, fliste shumë mirë anglisht, turqisht, italisht dhe frëngjisht; njihte gjithashtu persishten dhe i pëlqente të lexonte poetë të vjetër. Ngiste një veturë origjinale Ford V8”.

Këta pra ishin njerëzit “e prapambetur” që aso kohe themelonin dhe drejtonin futbollin e sportin shqiptar.  Një prej tyre ishte edhe Rexhep Jella, një President i Ligës apo qoftë dhe i Federatës Shqiptare të Futbollit qysh para qershorit mëtues 1930. Kemi shkruar: nuk mund të mëtojmë që në Shqipërinë e 90 vjetëve më parë, të gjejmë organizime anglosaksone të llojit, ndonëse në to ka një stil të vërtetë europian. Deklarata e Presidentit Jella, në të vërtetë është një ide e madhe e Fair play-t sportiv të sotëm. Ai shkruan në drejtshkrimin e kohës:

“Ndeshjet sportive përveç propagandës së Sportit përgjithësisht, duhet të shërbejnë për të bashkuar shpirtët dhe për të çfarosur tendencën dëm-pruerse antagonizmesh e cilla e futur edhe në sheshin Sportiv, do të përjetësonte midis viseve dhe qarqeve të ndryshme, zëmërime dhe mërina të cillat përkundrazi duhen çdukur”.

Tjetër organizatori italian, triestini Giandomenico De Marchis, “i cili mbante nën përkujdesje çështjet sportive të vendit, një njeri i jashtëzakonshëm, i këndshëm, siç e përcakton Koloneli Hill. Dhe ishin Hilli dhe De Marchis që përkthyen rregulloren e futbollit, që ia dërgoi bash Federata e Angleze e Futbollit, e që këta të dy e shtypën dhe ia dërguan të gjithë klubeve të të gjithë qyteteve të Shqipërisë.  Edhe me këta personazhe të shquar të huaj, për të cilët Shqipëria nuk do t’ia dijë, u bë futbolli dhe sporti shqiptar.

Sigurisht, kështu si kanë shkuar këto punë,  nuk shpresoj që dikush t’i nderojë ata. Unë për vete kënaqem me pak. Kënaqem që një gjyqtar i mëparshëm i futbollit, Ing. Mëhill Shkambi, mbasi themeloi Çmimin “Luigj Shala” për gjyqtarët e futbollit – çka në qarqet e zyrave qendrore të futbollit në Tiranë e mbuloi heshtja – u kujtua pra të nderonte edhe Kolonelin, të famshmin Dayrell Oakley Hill – duke sjellë në Shqipëri edhe dy bijtë e tij të nderuar – të cilin duhet ta quajmë edhe si pionierin themelues të gjykimit të futbollit në Shqipëri.

Në Shqipëri kishte lindur Kampionati i Futbollit.

Dhe duhet rikujtuar  pa komplekse censure stili i Mbretërisë të ngjarjes së rrallë dramatike që na thoshte se Sportklub Tirana dhe Skenderbeu  kanë përfunduar me pikë të barabarta. Dhe që Skenderbeu i Korçës, një skuadër e mrekullueshme për kohën, nuk paraqitet në fushë as më 29 qershor në Korçë dhe as më 6 korrik në Tiranë, çka përbënin dy fundoret për titullin për shkak të përfundimit të Kampionatit me pikë të barabarta midis tyre dhe SK Tiranës.

Tirana kampionati i pare

NE FOTO: SK Tirana 1930 – Kampionia e Parë e Shqipërisë

Pse jo, për të treguar shpërthimin e  polemikave në shtyp midis  gazetave “Arbënia” e “Ora” të Tiranës e asaj “Gazeta e Korçës”. Dhe as se si ndodhi që SK Tirana të fitojë titullin për mosparaqitje të skuadrës korçare, megjithë ndërhyrjen e Pasquale  Lissoni-t, instruktori italian i sporteve për Korçë, por dhe trajner i saj, në të vërtetë  drejtori i degës së Korçës të Entit Kombëtar, dhe prefektit të Korçës, Hil Mosi. Çudi vërtet! Paskan patur pavarësi klubet qysh në themelim!…

Ndodhi që më 9 korrik 1930 Komisioni i Kampionatit të Futbollit  gjithnjë me përbërje ndërkombëtare e me pjestarë Seid Toptani (kryetar), Mihal Sherko, major Ali Erebara, major O.Morra, prof. G. De Marchis, vendosi shpalljen e SK Tiranës si Kampione e Shqipërisë për mosparaqitje në dy ndeshjet të rivalit Skenderbeu i Korçës. Kampionia e parë e Shqipërisë në futboll ishte shpallur kësisoj, në mënyrë thuajse aventuroze në çastin e fundit dhe me një vendim mbi tryezë! Edhe kjo hyn në histori…

Ashtu siç hyn këtu edhe kujtesa për të paditurit të cilët nuk duan të mësojnë e të dijnë për përcaktimin që ka bërë për këta pionierë të futbollit të viteve ’30, anglezi i famshëm pra, Koloneli organizator edhe i Xhandarmarisë Shqiptare, Oakley Hill – organizator i madh i Kampionateve të Shqipërisë dhe sporteve të viteve ’30 si kryetar i Komitetit Teknik Arbitral Shqiptar. Na ka lënë kësisoji këte përcaktim të jashtëzakonshëm që i bën nder vlerësimit të traditës sonë sportive:

“Futbollistët shqiptarë ,- shkruan koloneli, – kishin ide të qarta për lojën, ashtu siç luhej ajo në atë kohë. Ata luanin një futboll të fuqishëm dhe të pastër…Problemi i tyre kryesor, fillimisht, ishte se prekeshin shumë nëse mendonin se ishin trajtuar në mënyrë të padrejtë. Në fakt, gjithnjë e kam shijuar arbitrimin e ekipeve të kampionatit: ata ishin lojtarë aq të kujdesshëm dhe aq të pëlqyeshëm, njerëzorë”.

Përmbyllja, si të thuash më intime, do të ishte mbrëmbja e 10 korrikut 1930 në Hotelin “Metropol” të Tiranës – gostia e fitores së Kampiones së Parë që ka vazhduar deri në agim. Dhe se tre fjalime ceremoniale e kanë përshkuar këte mbrëmbje historike: ai i sekretarit të Shoqërisë Sportive SK Tirana, Stefan Shundi; i Nebil Çikës, drejtor i gazetës “Arbënia”; i mësuesit Ramazan Jarani, anëtar i këshillit të Shoqërisë SK Tirana.

Kështu, Sportklub Tirana me kapitenin e saj emblematik, Irfan Gjinalin, i pari kapiten i një Kampioneje të Shqipërisë në këte histori, bëhej Kampionia e parë e Shqipërisë. Kishte fituar një kampionat dramatik përmes një gare të ashpër, veçanërisht me dy konkurentë të fortë, siç ishin Skenderbeu dhe Bashkimi Shkodran.

Kjo është nisja dhe vazhdimi deri në këte 6 prill 2020 të para tri ditëve, i themelimit të vitit 1930. Që do të thoshte se Shqipëria pa përvojën e mëparshme të të tjerëve të ardhjes së futbollit në tokën e saj, kishte organizuar Kampionatin Kombëtar të Futbollit para Francës (1933), Portugalisë (1935), Zvicrës (1934), Bashkimit Sovjetik (1936), Norvegjisë (1938), Izraelit (1932), Qipros (1935), Turqisë (1959)…

Me thënë të drejtën, me këte “kundërzogizëm” që ekziston te disa qarqe të sotme prapambetëse, fanatike tejet të politizuara, sigurisht e di që kjo histori vazhdon të injorohet prej shtetit e qeverive shqiptare të sotme.

Ceremonia madhështore e vitit 1930: Mbreti Zog pret Sportklub Tiranën

Kështu pra,  më 19 korrik 1930, “n’orën 10.30 skuadra “Sport klub Tirana” u paraqit para Naltmadhnisë së tij Mbretit, në Banjat, e përcjellur prej zotnis së tij De Marchis, prej këshillit të shoqërisë e prej lojtarëve të Tiranës”,- siç thotë kronika e kohës. Një Ceremoni madhështore që bëhej në Durrës e përcjellur prej bandës së qytetit. Ku Gjeneral Leon de Gjilard ia paraqet skuadrën kampione Mbretit Zog i shoqëruar prej Princeshës Myzejen.

Princesha Myzejen

Nga  shtypi i kohës Durrës. 20 korrik 1930. Pasqyrimi i ceremonisë dhe pritjes së Mbretit Zog të Sportklub Tiranës si Kampione e Parë e Shqipërisë

E, këtu po ribotoj faqen e parë të “Gazetës Shqipëtare” 1930, e cila i kushtohet kësaj ceremonie historike me foto natyrisht të zbehta, që fiksojnë evenimentin ceremonial ku duket Mbreti Zog dhe Princesha Myzejen duke dorëzuar çmimet fituesve si dhe foto e skuadrës kampione, asaj të Sportklub Tiranës, me fanela të bardha! Një foto përtej historisë që na risjell sot Kampionen e parë të Shqipërisë. Interesante është se skuadra është e veshur pra, me fanela të bardha, jo me fanelat e saj tipike bardheblu, me të cilat kishte luajtur gjithë Kampionatin.

Ishte vepruar kështu ngaqë kjo divizë është quajtur ceremoniale për paraqitjen para Mbretit. Skuadrës fanelat e reja i kanë ardhur nga jashtë, posaçërisht për ceremoninë. Inisiatori kishte qenë vetë Leon Gjilardi, i cili së bashku me këto fanela ceremoniale i kishte dhuruar skuadrës edhe dy buste bronzi të Skenderbeut dhe të Mbretit Zog.

Dhe në fanelën e secilit futbollist është vendosur shqiponja e flamurit kombëtar, shéji i nderit për Kampionen, të cilën gjashtë herë SK Tirana dhe një herë Skenderbeu si kampione të viteve ’30, i kanë mbajtur për çdo sezon të tyrin deri në dorëzimin e marrjes së titullit prej dikuj tjetër. Eshtë si tradita  e ngjashme me “scudetto-n” tringjyrëshe të flamurit në gjokset e futbollistëve të skuadrës kampione të Serie A për çdo vit në Itali. E pse jo, me shqiponjën është një origjinalitet shqiptar.

Sigurisht sot nuk shpresoj se dikush do të më përmendë se qysh 15 vjet më parë kam propozuar se asgjë nuk pengon që Kampionet e sotme të Shqipërisë ta mbajë shéjin me shqiponjën tonë të flamurit në fanelat e saj. Aq më pak të ndodhë që me atë kundërzogizëm që vjen prej shoqërisë komuniste, e që ekziston pra ende sot, më 2020, “dikush” t’i thurte lavde fjalës së vetë Mbreti Zog që është unikale për historinë tonë, natyrisht duke u futur në kontekstin e kohës së vitit 1930, vetëm 18 vjet mbas Pavarësisë. Tha Mbreti Zog:

“Tani due me ju porositë tre sende qi janë tre parime që dëshroj t’ju rekomandoj. E para: të ndjekni zhvillimin e plotë të dashtnisë për Atdhe. E dyta: zhvillimin me zemër të kulluet e pa asnjë djallëzi të vllaznimit të plotë midis Djelmnisë dhe zhvillimin e bashkimit kombëtar. E treta: Disiplinë. Duhet të dini se pa disiplinë nuk mërrihet në asnjë sukses. Po s’pati disiplinë në mes, çdo gjë humbet vleftën e vet. Djalëria po s’dha shëmbëllen e disiplinës, përpjekjet që bën janë nul. Kini për udhëheqës këto tre këshilla e duke iu mbështetun këtyne parimeve, ecni përpara, ju që jeni shpresa e të arthmes. E arthmja e kombit asht sigurue e pra e arthmeja e juej asht e sigurtë. Shpresoj se do të vazhdojë edhe pas këndej suksesi qi kini fitue dhe uroj të përparoni edhe ma.”

Mandej ekzekutohet Hymni Kombëtar. Dhe krijohet një intimitet ose një lirshmëri tjetër, teksa Mbreti Zog iu afrohet futbollistëve të SK Tiranës, duke i falenderuar edhe një herë, por dhe organizatorët, gjeneral Gjilardin dhe kolonel Agostunucci-n. Mandej Princesha Myzejen, patronia e Kampionatit, i dorëzon kapitenit të SK Tiranës, Irfan Gjinalit, Kupën e kampiones, një top futbolli prej bronzi me mbishkrimin përkatës.

Ajo ka qenë një ceremoni e rrallë që ka vazhduar me  drekën për futbollistët e SK Tiranës. Ishin Irfan Gjinali, Rudolf Gurashi, Abdullah Shehri , Xhelal Kashari, Vasil Kajana, Gjon Sabati, Llazar Miha, Mark Gurashi, Bexhet Jolldashi, Isuf Dashi, Selman Stërmasi, Adem Karrapici, Hysen (Dake) Kusi, Mustafa Begolli, Hilmi Kosova, Emil Hajnali, Rexhep Maçi, Dr. Isuf Dashi, Dr. Shefqet Ndroqi!

Epilog: emrat e mëdhej të Kampionateve themelues të viteve ’30…

Këtu merr fund përkujtesa dhe nderimi ynë – çuditërisht  në kohë pandemie – për 90-vjetorin e themelimit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit në Shqipëri. Një histori që i bën nder jo thjesht sportit e futbollit kombëtar, po vetë kulturës dhe atdhetarisë së vërtetë shqiptare.

Dhe po e mbyll duke përsëritur edhe këtu  një nderim të veçantë Po kujtoj këtu edhe një herë të gjithë emrat e kampionëve të shtatë Kampionateve themelues të Shqipërisë të viteve ’30 me shpresën se më në fund ata do të nderohen. Kanë qenë të gjithë qytetarë familjesh fisnike e të thjeshta, djem të shkolluar apo artizanë, studentë apo dhe  universitarë të diplomuar, mësues e mjekë të cilët mbasi lenin mënjanë kostumin sportiv, i shihje rrugëve të Tiranës e të Korçës, të Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit a Kavajës tek shkëlqenin në kostumin civil të një nobiliteti. Shkoni e gjeni fotot e tyre. Dhe tek janë këtu të gjithë kampionët e 7 kampionateve të parë:

Prof. Alla M. Agolli M., Balla , H.Begeja, H. Begolli, Çoku, Dr.Dashi I., Gurashi M., Gurashi R., Gjinali I. Gjinali S., Hajnali, Hima R. Hobdari, Janku F., Jakova, Jegeni, Jolldashi B., Jolldashi R., Kajano, Prof. Karapici, Kashari, Kashariqi, Keçi, Korça, Kusi, Lisi, Lushta, Llambi S., Maçi, Maluçi, Miha, Mirdita, Dr. Ndroqi, Plluska, Petrela M., Sabati, Dr.Samimi 31; Skuka, Prof. Stërmasi S., Shehri, Zebishti, Agaj, Bimbli, Çani, Dishnica, Kulla, Marjani, Miti, Petra, Ing.Stassa, Trebicka, Ypi, Vangjel. Trajnerët Singer, Stërmasi, Qemal Omar.

Ndërsa gjyqtarët e Kampionateve themelues, po i shkruaj të plotë me emër e mbiemër: Koloneli Oakley Hill, Alush Lleshanaku, Anastas Shundi, Kristo Mihali, Mihal Kosta, Ndoc Gera, Ali Kuçi, Skender Sadiku, Telemak Anastasiadhi, Aqif Domini, Bahri Toptani, Teni Frashëri, Ahmet Ashikja, Nush Luka, Myfid Halimi, Mir Papajani, Muhamet Halili, Avni Zajmi, Anton Mazreku, Enver Kulla, Për tre prej të cilëve më 8 korrik 1937 shtypi shqiptar njoftonte: “FIFA njeh për herë të parë tre gjyqtarë ndërkombëtarë nga Shqipëria: Luigj Shala, Eqrem Stërmasi dhe Llazar Miha”. Kjo është pra treshja e parë shqiptare e FIFA-s, që kurrsesi nuk mori një mirënjohje në Shqipërinë e sotme. Ndonëse edhe  këta, dhe të gjithë të tjerët, i shërbyen Shqipërisë.

Kjo qe çka unë përkujtova për të kushedisatën herë në këte 90-vjetor të themelimit të Kampionateve të Shqipërisë – guri i parë i themelimit të cilëve u vu nga e famshja jonë Sportklub Tirana.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"