1972-2022: Nga Ymer Pampuri e Briken Calja te Zelimkhan Abakarov

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2022 | 21:56

1972-2022: Nga Ymer Pampuri e Briken Calja te Zelimkhan Abakarov

NGA BESNIK DIZDARI
I sha bërë gati që në rubrikën “Përvjetorët e mëdhenj sportivë të vitit 2022”, që do të thotë se është 50-vjetori i kampionit të parë të botës nga Shqipëria, të bëja pra, këtë shkrim. Një shkrim, që në të vërtetë, mbështetet në sa e sa shkrime që i kam kushtuar ngjarjes së madhe të Ymer Pampurit të paharrueshëm. Por që duhet rikujtuar gjithnjë, ngaqë rikujtimi ka kuptimin e madh të mosharresës. Çka po e bëj edhe kësaj here, natyrisht me plot risi e konceptim tjetër.

Ymer-Pampuri

Protagonisti mirëfilli është një: Ymer Pampuri – Kampioni i parë i botës për Shqipërinë.

Historikisht, mbi të gjithë. Pa më tronditur aspak kampionët e tjerë që erdhën mbas tij, edhe pse ata mbeten përjetësisht në majat më të larta të sportit botëror.

Siç e shihni nga nëntitulli i këtushëm, këto histori i përcaktova, sa si reale shqiptare, po aq dhe kontroverse për vetë historinë e sportit botëror. Kur me “kontroverse” – fjalë e marrë prej italishtes (controversia) – kuptojmë gjykimin në ndryshueshmëri për një ngjarje a çështje, gjithnjë të diskutueshme, madje jo pak edhe kundërshtuese (kontrastuese).

Historia e varfër e kampionëve të botës nën flamurin e Shqipërisë – tashmë ata u bënë tre: Ymer Pampuri, Briken Calja e Zelimkhan Abakarov – në gjithë kontraversitetin e saj, siç do ta përimtojmë më tej, vjen e pasurohet me shqiptarët e tjerë, të cilët fituan tituj botërorë me shtete të tjera. Dhe kështu, me to, vetvetiu ata bëhen plot shtatë: Pirro Dhima, Luan Shabani, Mirela Manjani, Elis Guri dhe nga ana tjetër Ymer Pampuri, Briken Calja e Zelimkhan Abakarov. Sado kontrovers që mund të jetë ky bashkim a numërim jozyrtar që po bëj unë, do të më falin Erkand Qerimaj e Daniel Godelli, sepse edhe ata janë kampionë të botës, por me të rinjtë, e historia e sotme ka të bëjë vetëm me kampionët botërorë absolutë, siç emërtohen, pra me të rriturit. Dhe vetëm me kampionë të botës, të cilët e fitojnë këtë titull në Kampionatet Botërore zyrtare. Pra, jo të sportit profesionist a të tjerë…

Gjashtë nga këta shtatë kampionë të botës kanë qenë nga Shqipëria. Ata kanë lindur dhe janë formuar si sportistë po në Shqipëri, çka do të thotë se si përzgjedhje, formim e madje dhe lëmim apo përpunim të artit të tyre sportiv, ata i përkasin shkollës sportive shqiptare, sado modeste që mund të jetë ajo. Ky është sensacioni, kjo është dukuria e jashtëzakonshme që për nga rëndësia dhe përfundimi që na takon të nxjerrim, përbën thelbin e përmbajtjes së këtij tregimi tonit në këtë 50-vjetor.

Nga ana tjetër, papritmas gjithçka na e bën edhe më kontroverse kampioni i botës, 29- vjeçari nga Khasavyurti i Dagestanit të Rusisë, saktësisht Çåëèìõàí Àðñåíîâè÷ Àáàêàðîâ, i cili për ne dhe botën perëndimore me germa latine është: Zelimkhan Arsenoviç Abakarov. Është me kombësi çeçene, e cila përbën 30 për qind të popullsisë së qytetit të tij, Khasavyurt.

Kështu pra: Shqipëria i ka dhënë tre kampionë të botës Greqisë dhe një kampion të botës Bullgarisë – më parë të gjithë këta kampionë të mëdhenj shqiptarë dhe përfaqësues po të mëdhenj në garat e shumta ndërkombëtare me tituj ballkanikë e europianë për Shqipërinë, por të cilët Greqia dhe Bullgaria i bëri kampionë të botës. Po ashtu siç bëri kampion të botës Shqipëria, Abakarovin e Rusisë!

50-VJETORI I TITULLIT BOTËROR TË YMER PAMPURIT
50-vjetori i titullit të Pampurit ka qenë vetëm para nja tri javësh: 29 gusht. Kjo është dita e vitit 1972, kur ai u bë kampion i botës. I vetmi kampion i botës që pati Shqipëria deri në vitin e kaluar, pra, atë 2021, kur peshëngritësi Briken Calja mbas bukur 49 vjetëve u bë kampioni i dytë i botës për Shqipërinë në stilin e shkëputjes të peshës 73 kilogram, po të sportit të peshëngritjes.

Kësisoj, sa reale e po aq dhe kontroverse është edhe ngjarja epokale për te titulli i Ymer Pampurit. Kjo, ngaqë atij ky titull i është mohuar për tri dekada, çka, siç dihet, përbën një aventurë të paparë për sportin tonë. Për 29 vjet, derisa është botuar shkrimi ynë me titull “Ymer Pampuri është kampion i botës” në “Futbolli Shqiptar” më 18 nëntor 2001, askush në Shqipëri nuk e ka ditur këtë. Gjithçka i përket zbulimit të kolegut italian, Dr. Giovanni Armillota. E gjithë padituria në këtë rast, përveç të tjerave, është ashtu siç ngjet shpesh edhe sot për shumë ngjarje të sportit shqiptar, që përshkruhen pa u thelluar në arkiva për së mbari, në shkrime të vërteta e të sakta apo dëshmi autentike. Është thjesht një çështje gazetarie: një padituri dhe paaftësi po gazetarie.

Gabimi i vitit 1972 ka qenë vërtet fantastik. Ai përmban vetëm 18 fjalë, dy rreshta të botuar në “Sporti popullor” më 15 shtator 1972, që të shkruara keq, i kanë mohuar Ymer Pampurit titullin e kampionit të botës, për bukur 29 vjet. U shkrua:

“Në ceremoninë e mbylljes m’u dha medalja e rekordmenit olimpik dhe e kampionit olimpik për stilin e forcës”. Në një kohë që duhej të ishte kështu: “Në ceremoninë e mbylljes m’u dha medalja e kampionit të botës në stilin e forcës”.

Pra, jo të “Kampionit Olimpik”, sepse ky ishte vetëm një: në tregarësh, jo në stile të veçanta: bullgari Norair Nurikjan me 402.5 kg. Pampuri mundi të ishte vetëm i 9-ti. Por në stilin e forcës ai thyen rekordin olimpik. “Sportisti shqiptar, Pampuri, brenda pesë minutave thyen dy herë rekordin olimpik”, siç njoftonte rrufeshëm agjencia amerikane e lajmeve “Associated Press”.

E pra, ai është dhe kampion i botës në këtë stil, sepse turneu olimpik i peshëngritjes në Olimpiadën e Mynihut, ishte edhe Kampionat Botëror, çka ka ndodhur edhe në Olimpiadat 1964, 1968, 1976, 1980, 1984.

“I dashur doktor. Ju keni të drejtë, Pampuri është më 1972-shin me rastin e Lojërave Olimpike, kampion i botës në forcë, në kategorinë 60 kg me 127.5 kg. Të falat më të mira – Gottfried Schödl.

Ky është historiani zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes (IWF), i cili i shkruan Dr. Armillotës.

Ndërkaq, mbas 30 vjetëve, mû për këtë ndiej një kënaqësi të veçantë që jam bërë interpret që Ymer Pampurit si kampion i parë i botës për Shqipërinë, t’i kushtohet edhe një pullë postare, ku si autor kam shkruar këtë motivacion zyrtar të cirkularit që qysh më 2002-shin qarkullon në të gjithë botën filatelike e më tej:

YMER PAMPURI. Ka lindur në Tiranë. Peshëngritës i SK Tiranës. Figura më e famshme në sportin olimpik shqiptar. Sportist i përmasave botërore, Pampuri është disa herë kampion i Shqipërisë në peshën 60 kg. Nënkampion i Europës në stilin e forcës me 125 kg, medalje të argjendtë në Kampionatin Europian të Budapestit, në maj 1972. Ai është i pari dhe i fundit deri tani, i cili në Lojërat e 20-ta Olimpike të Mynihut në RF Gjermane, ka thyer rekordin olimpik të stilit të forcës së peshës 60 kg me 127.5 kg. Me këtë rezultat ai u shpall edhe kampion i botës, sepse Lojërat Olimpike ishin të njehsuara me Kampionatin Botëror. Ymer Pampuri është i vetmi rekordmen olimpik dhe kampion i botës në historinë e Shqipërisë”.

E për fat, padituria e fjalës së shkruar, të folur e “të parë”, ka vazhduar të cenojë edhe historinë sportive në Shqipëri, madje në të gjitha rangjet e saj. Çudia është se deri tash vonë, thuajse askush(me përjashtimin tonë), edhe sot nuk e përmend Ymer Pampurin si kampion i botës, por tash e parë vetëm si rekordmen olimpik.

I PARI NË “TJETËRSIM” ISHTE PIRRO DHIMA
Pirro Dhima, pra, alias Pyrros Dimas! Shkoi në Greqi dhe ndërroi flamurin shqiptar me atë grek. Thuajse u mallkua. Sidomos nga një pjesë e shtypit. Ne asnjëherë nuk kemi vepruar kështu. Madje, autori i këtij shkrimi përherë e ka trajtuar me paanësi dhe me baraspeshë kombëtare, nëse mund të thoshim kështu, por sidomos sportive dhe të historisë së fushës. Tashmë prej kohësh, të gjitha këto pasione e “nacionalizma” janë arkivuar. Por sa herë që na ka ardhur rasti, ne e kemi mbrojtur, gjithmonë për hir të vlerave të historisë, talentin shqiptar të Pirro Dhimës e kampionëve të tjerë “plëngprishës”. Sepse as ai, dhe as Luan Shabani apo Mirela Manjani, nuk janë prodhim i sportit të Greqisë, por prodhim i sportit të Shqipërisë. Gjithmonë historianëve të sporteve u takon t’i trajtojnë ata historikisht, si arritje të jashtëzakonshme, në këtë rast, të sportit shqiptar.

pirro dhimaaa

Po sot, mos e mallkojnë Akabarovin, Çeçenia, Rusia a Dagestani?

Nuk e besoj. Sot këto ndërrime janë bërë më se normale në gjithë sportin botëror.

Në të vërtetë është folur pak për titujt botërorë të Pirro Dhimës. Është folur shumë për titujt e tij të Kampionit Olimpik, tri herë rresht: 1992, 1996, 2000. Dhe jo për dukurinë tjetër fenomenale të “Luanit të Himarës”, siç e ka përcaktuar e famshmja e SHBA-së, “Sport Illustrated”, atë të titujve të kampionit të botës.

Për një përkim të rrallë, edhe në këtë tregues sensacional, titujt botërorë të tij kanë qenë plot tre. Kështu, përveçse tri herë kampion olimpik, Pirro Dhima është edhe plot tri herë kampion i botës. Një kampion i botës, i lindur, rritur dhe formuar si i tillë prej shkollës shqiptare të peshëngritjes dhe i shpërthyer e i ngjitur në majën e podiumit botëror prej Greqisë.

Plot një vit mbas titullit olimpik të Barcelonës 1992, Pirro Dhima shkon në Kampionatin Botëror të Melburnit në Australi dhe shpallet kampion i botës për herë të parë në histori në peshën 82.5 kg me shifrat 377.5 kg (175 + 202.2). Më 1995-ën ai shkon në Kampionatin Botëror të Huanxhout në Kinë dhe fiton titullin e dytë të kampionit të botës me shifrat 385 kg (172.5 + 212.5). Tri vjet më vonë, më 1998-ën, Pirro Dhima i Greqisë fiton titullin e tretë të kampionit të botës me 387.5 kg (178 + 210).

Dhe ndalon me kaq. Edhe pse i kushtuar më fort mbas pushtimit nga ana e tij të Olimpiadave, ai nuk merr pjesë rregullisht në Kampionatin Botëror, po ashtu dhe në atë të Europës. Në tërësi, Dhima është 3 herë kampion i botës, 3 herë kampion olimpik, 1 herë bronz i Olimpiadës, 1 herë kampion i Europës dhe autor i 11 rekordeve botërore.

E ka lindur, formuar dhe rritur peshëngritja shqiptare dhe frytet e mëdha e të shndritshme ia ka blatuar Greqia.

Si histori e plotë ai i takon edhe Shqipërisë edhe Greqisë. Si histori sensacionale e rangut botëror dhe olimpik i takon vetëm Greqisë. Ndonëse është një kampion “nga Shqipëria”.

Ironia e fatit për sportin grek është se sot peshëngritja shqiptare ia kalon asaj të Greqisë.

LUAN SHABANI – DY HERË KAMPION I BOTËS
Do të mbërrijë elbasanasi ynë Luan Shabani, i cili është kampioni i tretë i botës i lindur dhe formuar në Shqipëri si peshëngritës rangut botëror dhe “i rrëmbyer” prej Greqisë. Ashtu si Dhimën, edhe Shabanin, Shqipëria e ka zbuluar dhe e ka rritur me duart e veta si një talent të përmasave botërore, qysh fëmijë.

Duhet ta quajmë legjendare një foto të gazetës sonë “Sporti popullor” (që e kthyem në “Sporti Shqiptar”, tash të zhdukur për mungesë të bujshme të atdhetarisë) me autor fotoreporterin tonë plot pasion të fillimit të viteve ‘80, të paharrueshmin, Besnik Vrapi, ku Pirro Dhima dhe Luan Shabani 14-vjeçarë janë së bashku me parashikimin tonë shkencor se do të bëheshin botërorë. Nuk kemi gabuar assesi. Madje, kemi parashikuar me një formim po shkencor tonin se këta dy “pionierë”, siç përcaktoheshin nën Regjim, do të preknin botën.

shabani

Luan Shabani, në të vërtetë bëhet i madh para Pirro Dhimës. Nëse të dy janë Kampionë të shumëfishtë të Ballkanit nën fanellën e Shqipërisë, Luani i vitit 1989-‘90, është katër herë bronzi i Europës dhe një herë argjend, pra nënkampion i Europës në peshën 56 kg. Të gjitha këto, nën flamurin e Shqipërisë. Kronologjia është kjo:

Në dygarësh (260 kg) dhe shtytje (140 kg) më 1989-ën. Në shkëputje (115 kg) dhe shtytje (142.5 kg.) më 1990-ën. Dhe nënkampion i Europës në dygarësh (257.5 kg) më 1990- ën, gjithnjë nën fanellën e Shqipërisë.

Kjo ka qenë ngjarja e përmasave befasuese kur Shqipëria u rendit e treta në Kampionatin Europian të Aalborgut në Danimarkë më 13- 20 maj 1990 mbas Bashkimit Sovjetik dhe Bullgarisë! Ishte Kampionati i fundit, ku Pirro Dhima i Shqipërisë arrin pesë rekorde kombëtare. Dhe vetëm dy vjet më vonë, në Barcelonë, tash nën ngjyrat e Greqisë, ai bëhet kampioni i parë Olimpik me kombësi shqiptare. Për të mbërritur te Luan Shabani – kampion i botës e nënkampion olimpik, e deri tek Agim Xhelili – nënkampion i botës. Për fat, që të gjithë shqiptarë, përfaqësues të Greqisë!

Kësisoj, nuk duhet harruar kurrë: edhe Pirro Dhima, edhe Luan Shabani e kanë marrë fanellën e Greqisë duke qenë kampionë të Ballkanit apo të treshes së Europës si ekip me Shqipërinë dhe kanë fituar anketën e famshme të gazetës “Sporti popullor”, mitike për ne: “10 Sportistët më të Mirë të Vitit”.

Kështu apo ndryshe, Luan Shabani, alias Leonidas Sabanis, është kampioni i 3-të shqiptar, jo i Shqipërisë, por “nga Shqipëria”. I takon vitit 1995 kur Pirro Dhima rrëmbente titullin e dytë të kampionit të botës, pra në Huanxhou 1995. E përsërit mbas tri vjetëve, më 1998-ën në Lahti të Finlandës, titulli i dytë i tij botëror, kur Dhima rrëmben të tretin. Luan Shabani do të jetë edhe dy herë nënkampion olimpik (Atlanta 1996 dhe Sidnei 2000). Do të jetë edhe dy herë kampion i Europës (1996 dhe 2002), duke përmbledhur një karrierë të bujshme nën flamurin e Greqisë, por i nisur në këtë rrugë të bujshme nën flamurin e Shqipërisë.

Do të ketë ndërprerjen prej dopingut në mënjanimin befasues në Olimpiadën e Athinës, por do të rehabilitohet një vit më mbas me pjesëmarrjet e tij të fundit të ruajtjes së një nderi sportiv të atij që i thonë, “fundi i lumtur”.

Për ne Luan Shabani është ai që është: kampioni i tretë botëror i shkollës sportive shqiptare, edhe pse nën flamurin e Greqisë.

MIRELA MANJANI – “MBRETËRESHA”
Në të vërtetë “mbretëresha” është atletika e lehtë. Çuditërisht edhe Mirela Manjanin po e quaj “mbretëreshë”. Dhe ja që shkolla modeste sportive shqiptare do të prodhojë kampionen e saj të katërt të botës nën emrin e një vajze nga Durrësi, e quajtur Mirela Manjani. Do ta prodhonte për Mbretëreshën e Sporteve, atletikën e lehtë. Edhe për të Shqipëria e kishte parashikuar qysh kur ajo ishte fëmijë. Saktësi e pagabueshme, shkencore madje. Një nder i madh i kulturës atletike shqiptare.

Është vërtetë i jashtëzakonshëm parashikimi për Mirelën në krye të faqes së parë të gazetës “Sporti” (“Sporti popullor”) (9 shtator 1991), që drejtoja – përmes fotos dhe shkrimit parashikues të trajnerit të saj të parë, Enver Mysja, i cili titullon kështu:

“15-vjeçarja M.Manjani në elitën botërore për rezultatet e moshës”.

Mandej shkojmë te guximi i shkrimit të gazetarit të paharrueshëm, Matish Gjeluci, i nderuar nga ne me Çmimin “Anton Mazrreku”, i cili në të përkohshmen e Durrësit “Vegim drite”, titullonte bujshëm shkrimin e tij:

“A mund të ketë Shqipëria një Kampione Bote? Mirela Manjani e Durrësit mund të jetë!”

mirela manjani3

Vetëm për këtë shkrim dhe vetëm për këtë titull, kolegu ynë i madh, Matish Gjeluci, përveç të tjerave edhe shkrimtar e njeri i shquar i artit e kulturës në tërësi, meriton shumë më tepër se një titull gazetarie dhe është shumë më lart sesa fitues të tjerë të Çmimit “Anton Mazrreku”, të cilin gjithashtu ia kemi dhënë edhe atij. E si themelues të tij, kur ta shkruajmë pra historinë kritike të Çmimit në fjalë, natyrisht do të mbesim në jo pak risi të gjykimit historik të tij. Matish Gjeluci i paharrueshëm ka parashikuar si askush kur i ka vënë, pra, shkrimit të tij këtë titull:

“A mund të ketë Shqipëria një Kampione Bote? Mirela Manjani e Durrësit mund të jetë!”

Edhe për kaq ai e meriton një nderim edhe prej gazetarisë së Greqisë.

Mirela Manjani, atlete e Durrësit, e krijuar prej atletikës shqiptare, është shpallur për herë të parë kampione e botës në Sevilje të Spanjës më 28 gusht 1999 në hedhjen e shtizës me shifrat 67.09 që përbënin edhe rekord të ri botëror. Nën flamurin e Greqisë. Më 30 gusht 2003 në Saint Denis të Parisit në Francë ajo bëhet kampione e botës për herë të dytë në hedhjen e shtizës (66.52 m.) po për Greqinë, pjesëtare e ekipit kombëtar, të së cilit ishte. Pata përcaktuar kësisoj:

“Rekordmenia e sotme e Shqipërisë, Mirela Manjani, u shpall më 30 gusht 2003 në Saint Denis të Parisit në Francë, Kampione e Botës për herë të dytë në hedhjen e shtizës për Greqinë, pjesëtare e ekipit kombëtar të së cilës është”.

Sepse, nëse e keni harruar, megjithëse kemi shkruar disa herë, shqiptarja Mirela Manjani e Greqisë, ka mbetur rekordmene kombëtare e Shqipërisë në hedhjen e shtizës. Dhe është kampionia e katërt e botës e lindur, e formuar dhe e rritur prej shkollës së atletikës shqiptare.

Të këtillë e ka rrëmbyer Greqia dhe e ka bërë dy herë kampione të botës.

Po ribotojmë dhe këtu ndërkaq, historinë e saj shqiptare, për kujtesë kombëtare, për baraspeshë shpirtërore kombëtare, jo thjesht për “nacionalizëm”. Mirela Manjani me Shqipërinë është kjo:

1990: 48.30 m. Rekord kombëtar NEN 14
1991: 54.86 m. Rekord kombëtar NEN 15-16
1993: 54.86 m. Rekord kombëtar NEN 17-18
1994: 57.20 m. Kampione e Ballkanit Juniore
1994: 56.62 m. Kampione e Ballkanit të Rritura
1994: 53.40 m. Finaliste (e 8-ta) e Kampionatit Botëror Juniore
1995: 55.56 m. Finaliste (e 12-ta) e Kampionatit Botëror
1995: 59.36 m. Kampione e Ballkanit Juniore
1995: 57.28 m. Nënkampione e Europës Juniore
1996: 59.90 m. Medalje Ari në “Bruno Zauli”
1996: 62.46 m. Rekord i Shqipërisë në Alabama të SHBA-së

Ky i Alabamës është dhe rekordi ynë kombëtar i hedhjes së shtizës për femra, i mbetur sot e kësaj dite, pavarësisht se disa rregulla të kohëve të fundit me shtizën, homologojnë të tjerë rekorde. Tash nuk di nëse titulli Europian i kohëve të fundit për Greqinë në hedhjen e shtizës prej shqiptares Elina Xhengo(Elína Tzéngko) e lindur në Kallikatreia, përmban në vetvete një lidhje sado të vogël me bashkëkombësen e saj, Mirela Manjani…

IAAF e ka përcaktuar fjalë për fjalë kështu Mirela Manjanin:

“Ajo ka një krah hedhjeje të shpejtë e të fuqishëm, por edhe flokë të gjatë, të verdhë dhe tipare helenike prej një perëndeshe të Olimpit, përveç vendlindjes së saj shqiptare. Personifikim i forcës dhe bukurisë”.

Ne do t’i shtonim togfjalëshin tonë: “Vendsportlindjashqiptare”. Prej ku ka shkuar te historia e saj sensacionale greke (në të vërtetë, një themelim i lashtë helenik që përfaqëson një nga historitë më të rralla të kësaj gare të Greqisë cituar deri prej një Homeri dhe një Taciti). Mirela Manjani e Greqisë është kjo:

1999, Sevilje: 67.09 m. Kampione e botës (Rekord Botëror)
2000, Sidnei: 67.51 m. Nënkampione olimpike
2001, Edmonton: 65.78 m. Nënkampione e botës
2002, Munich: 67.47 m. Kampione e Europës
2003, Paris, S. Denis: 66.52 m. Kampione e botës

Mos u zgjata shumë me Mirela Manjanin, dy herë kampione e botës, ose e katërta kampione e botës “nga Shqipëria”? Kurrsesi. Më kuptojnë fort mirë kolegët e miqtë e mi të ditur, të cilët e dinë me kohë se çdo të thotë atletikë e lehtë. Është “mbretëresha” e sporteve.

POR BRIKEN CALJA ËSHTË KAMPIONI I DYTË I BOTËS PËR SHQIPËRINË
Briken Calja është kampioni i dytë i botës nën flamurin e Shqipërisë, mbas Ymer Pampurit. Ka ndodhur në vitin 2021. Në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, zhvilluar në Tashkent të Uzbekistanit, ku pjesëmarrësit e Shqipërisë arritën një paraqitje që mbërriti deri në titullin e kampionit të botës.

Ky titull u arrit prej Briken Caljes në stilin e shkëputjes të peshës 73 kilogram me rezultatin 156 kilogram. Por nuk u ndal me kaq. Çalja u rendit në vendin e dytë, atë të medaljes së argjendtë të nënkampionit të botës edhe në stilin e shtytjes (186 kg), dhe po nënkampion i botës edhe në dygarësh me 342 kg.

Ky duhet konsideruar suksesi më shumëdimensional i një sportisti shqiptar në një Kampionat Botëror. Asnjëherë deri më sot Shqipëria nuk kishte fituar tri medalje të podiumit të nderit në një Kampionat Botëror prej një individi të vetëm: Ar – Kampioni i botës dhe dy herë argjend që do të thotë nënkampion i botës. Tri medalje të shkëlqimit të arit e argjendit.

Dhe nuk ndalon me kaq. Po për herë të parë në histori një peshëngritës shqiptar u rendit i katërti në Lojërat Olimpike (“Tokio 2021”). Kjo është renditja më e lartë që ka arritur deri më sot në Olimpiada një sportist shqiptar. Ky është peshëngritësi Briken Calja i peshës 73 kg, olimpisti shqiptar, i cili u rendit pra, i katërti në Olimpiadë, në dygarëshin e peshëngritjes me 341 kg(151 +190). Por këtu ne qëndrojnë te titulli botëror i tij, te vetë podiumi i titullit të kampionit e të nënkampionit të botës, datuar viti 2021:

KAMPIONATI BOTËROR 2021. MESHKUJ * PESHA 73 KG
Shkëputje: 1. Briken CALJA / Alb 156 kg – Kampion i botës
Shtytje: 2. Briken CALJA / Alb 186 kg – Nënkampion i botës
Dygarësh: 2. Briken CALJA / Alb 342 kg – Nënkampion i botës

calja

Po të përmbledhim më tej, Briken Calja është edhe i vetmi trekampion i Europës më 2018 në peshën 69 kilogram. Shkëputje, shtytje, dygarësh. Ta do mendja se ky është një lloj bazamenti që e çoi atë te titulli i kampionit të botës duke u bërë shqiptari i dytë që qëndron pranë Ymer Pampurit të parë.

E, Briken Calja ka ende shumë punë përpara për të bërë… i

ELIS GURI – KAMPIONI I BOTËS NË MUNDJE KLASIKE!
Dhe ja tek mbërrin Elis Guri! Pata shkruar se nuk kam asnjë kompleks që “tradhtisë” që i kanë bërë Shqipërisë sportistët e famës botërore: Pirro Dhima, Luan Shabani apo Mirela Manjani – treshja legjendare – t’i jap kuptimin nacionalist të tipit “të izolimit të shkëlqyer” të Shqipërisë, siç ka përcaktuar dikur Indro Montanelli.

Nëse shumë shqiptarë kërkojnë të përjetojnë krenari për shqiptarësinë e largët, bie fjala, të Karl Gegës a të Arkitekt Kasemit, apo për atë më të afërt qoftë dhe të Aleksandër Moisiut, me emrin e të cilit ka një Teatër në Shqipëri, ndonëse ai nuk interpretoi as edhe një sekondë në gjuhën shqipe, apo dhe të një Xheims Belushi – aktori amerikano-shqiptar që pritet gjithnjë me bujë në Shqipëri, madje qoftë dhe të nobelistit amerikan me origjinë shqiptare, Ferid Murati, i cili me të drejtë u prit me shumë respekt ndër ne, nuk m’i marrin mendtë.

“Për çudi” ndihem më shumë krenar kur Elis Guri shpallet kampion i botës, siç ngjau më 13 shtator 2011, ndonëse nën flamurin e Bullgarisë, në mundjen klasike që ndoshta është sporti më i vjetër i historisë së njerëzimit. Mbi të gjitha, sepse Elis Guri nuk ka punë me prejardhje e origjinë shqiptare, por është shqiptar i pastër, është prodhim i pastër i sportit shqiptar, i dijes së tij, i shkollës shqiptare (e shihni se ashtu si dhe për peshëngritjen paska dhe një shkollë shqiptare të mundjes), i trajnerëve shqiptarë, i mjedisit shqiptar, në fund të fundit, i Shqipërisë. Kësisoj, askush, asnjë gazetë bullgare, as Federata Bullgare e Mundjes, nuk mund të më kishte penguara të shkruaja si më poshtë:

Elis Guri

“Kampioni i shumëfishtë i Shqipërisë, Elis Guri, 28 vjeç, djalë, i lindur dhe i formuar si mundës i rangut botëror në qytetin e Shkodrës me klubin Vllaznia, po dhe Dinamo, më 13 shtator 2011 u shpall kampion i botës me Bullgarinë, pjesëtar i ekipit kombëtar të së cilës prej nja 20 muajsh ai është”.

Po më mirë se unë ka shkruar gazetari bullgar, Emil Nikolaev:

“Elis Guri fitoi medaljen e artë për Bullgarinë në ditën e parë të Kampionatit Botëror të mundjes në Stamboll. Shqiptari ka nënshtruar gjithë rivalët e tij pa asnjë mëdyshje në 96 kg të stilit klasik dhe ka rrëmbyer titullin me një teknikë brilante. Në fundore (finale) 28-vjeçari Guri, i cili që nga viti i shkuar ka pasaportë bullgare, fitoi ndaj suedezit Jimmy Lidberg, 2-0. Shqiptari ka një fillim shpërthyes që në duelin e tij të parë. Elisi nuk pati probleme kundër Sinisa Hogac të Kroacisë, çka dukej si një lojë në duart e mundësit tonë të fortë, të cilin e mposhti në tapet. Mandej një fitore 2-0 kundër Avanesyan të Izraelit. Pastaj mbërrin më e vështira ndaj Rustam Totrov të Rusisë… Epërsi 2- 0, e edhe një pikë tjetër. Publiku i sallës ngrihet në këmbë për Gurin. Ishin 16.000 spektatorë! Mbërrin gjysmëfundorja (1/2) dhe kundërshtari është një peshë edhe më e rëndë: Kampioni i botës i vitit 2006, Ibrahim Abdelfatah, i Egjiptit. Por egjiptianit nuk i lihet asnjë mundësi. Është 2-0 për Gurin! Me këtë fitore kundër Abdelfatah, Guri siguron pjesëmarrjen në Olimpiadën e Londrës vitin e ardhshëm. Duhej të kalonin dy orë që Guri të rishfaqej në tapet për fundoren (finalen) kundër Lidbergut. Në pjesën e parë të garës ai e ngre lart kundërshtarin dhe fiton 1-0. Në pjesën e dytë suedezi merr një 1 pikë, por shpejt ai gabon dhe kështu Elisi fiton titullin botëror në herën e dytë të pjesëmarrjes me skuadrën e Bullgarisë. Në prill Guri kishte fituar bronzin në Europianin e Dortmundit (Gjermani)”.

Dhe është një etikë e lartë titulli dhe nëntitulli i këtij shkrimi i gazetarit nga Bullgaria.

Titullon kolegu Nikolaev:

“Guri është kampion i botës! Shqiptari fiton medaljen e artë duke çuar peshë 16.000 spektatorë!”

Që në titull “shqiptari”. Madje, edhe brenda në shkrim prapë “shqiptari”. Bullgaria mike nuk kërkon të përvetësojë asgjë. E di që ky mundës – talent i madh – është vepër e Shqipërisë, ndërsa ajo me mjeshtërinë dhe traditën e mrekullueshme që ka në këtë sport, ia ka arritur që brenda një viti ta çojë te titulli botëror. Është e rangut botëror shkolla bullgare e mundjes.

Dhe po ju kujtoj se shqiptari “par excellence” i kombëtares së Bullgarisë, Elis Guri, nën fanellën shqiptare ka arritur të fitojë medaljen e bronztë (e para në histori për Shqipërinë në këtë sport) në Kampionatin Europian. Elis Guri është një sportist fenomenal, sepse dihet, kampionët e botës janë fenomenalë. Kësisoj, ai nuk ka qenë një spontan, por prodhim i laboratorit shqiptar të mundjes.

REALJA DHE KONTROVERSJA “SHQIPËRI – BRSS”
Dhe kur kujton se i ati i tij është Iljaz Guri, kupton se i biri, Elisi, është ndërkaq, edhe një prodhim i pangjashëm sportiv familjar. Në njëfarë mënyre ai është formim i të atit të tij, Iljazit, të dëgjuar për ne, kampionit të madh të mundjes shqiptare, njeriu i parë në historinë e sportit shqiptar, i cili ia arriti që në kushte tejet të vështira, të çonte në Europë mundjen shqiptare qysh gati 50 vjet më parë! Ka qenë viti 1973 kur Iljaz Guri hyri në gjashtëshen e parë të peshës, asokohe 90 kilogram, në mundjen klasike të Kampionatit Europian të Helsinkit, duke u ndalur me kaq, thjesht sepse nuk duhej të ndeshej me përfaqësuesin e Bashkimit Sovjetik.

Ky ishte Valery Rezantsev, karriera e të cilit do të kurorëzohej me këtë bilanc gjigant: dy herë kampion olimpik (1972, 1976), katër herë kampion i botës (1970, 1971, 1973, 1975), tri herë kampion i Europës (1970, 1973, 1974). Nuk e marrim me mend se çfarë do të kishte qenë dueli i Iljaz Gurit me Valery Rezantsevin legjendar, në të largëtin vit 1973…

Por jemi te biri i tij, kampioni i botës, shqiptari Elis Guri. E këtu realiteti i madh na përzihet paksa me kontroversen që përshkon këtë shkrim.

Elis Guri i vitit 2011 mbërrin te titulli botëror me përkimin fatal: do t’i duhej të mposhtte mû pasardhësit e sovjetikut Rezantsev të vitit 1973 me të cilin e kishin penguar të ndeshej të atin e tij, Iljazin!

Elis Gurit të Kampionatit Botëror të vitit 2011, në fillim do t’i duhej të triumfonte ndaj Sinisa Hogac të Kroacisë, për 1/16-at fundore (finale). Dhe mû në këtë çast do të niste aventura “sovjetike” e Elis Gurit. Janë 1/8- at dhe përballë Gurit është “sovjetiku” Robert Avanesyan – “ish” i Armenisë – i cili ka shkuar për të konkurruar për Izraelin! Natyrisht fitore e Gurit. Kapriçot e shortit nuk ndalin edhe në ¼-at, sepse papritmas i shfaqet përballë një tjetër “sovjetik”: Rustam Totrov i Rusisë. Dhe triumf tjetër i Gurit!

Këto dy fitore ndaj “sovjetikëve” janë si një revansh për ndalimin kundërsovjetik që Partia i kishte bërë të atit në të largëtin vit 1973! Kështu, mbas mposhtjes së dyshes “sovjetike”, titulli botëror duket edhe më i afërt. Elis Guri fiton në gjymëfundore (1/2) ndaj Abdelfatah të Egjiptit, i cili, për çudi, edhe ai kishte ardhur deri këtu duke mundur po një “sovjetik”: Achkasov të Uzbekistanit! Dhe fundi i lumtur: triumf i plotë i shqiptarit, Elis Guri, të Bullgarisë – medalje e artë e kampionit të botës 2011. “Viktima” e fundit e tij është Alexandër Jimmy Lidberg i Suedisë.

Kësisoj, shfaqet papritmas çudia kontroverse: nuk arrijmë as sot mbas 50 vjetëve t’i japim përgjigje pyetjes se si Partia lejoi Ymer Pampurin të garonte me një përfaqësues të Bashkimit Sovjetik. Ymer Pampuri në titullin e tij të kampionit të botës mposhti po një sovjetik, Dito Shanicen e famshëm. Kur një vit më vonë, 1973, do të ndalohej Iljaz Guri të ndeshej me sovjetikun po të famshëm, Rezantsev!

KAMPIONI I BOTËS, ZELIMKHAN ABAKAROV I SHQIPËRISË
Dhe mbyllja e këtij shkrimi – ese historike – i përket kampionit të botës për Shqipërinë, Zelimkhan Abakarov.

Këto histori të mësipërme së bashku me historinë e tij shqiptare, sa reale, janë pra po aq kontraverse. Për një çast të duket se Abakarovi po na lan borxhet e Greqisë, që na mori tre shqiptarët tanë për t’i bërë me zotësinë e saj të pagabueshme kampionë të botës. Dhe mbas 30 vjetëve episodi shqiptar që ngjason aq fort me atë të Greqisë. Nga Çeçenia e Rusisë së ish-Bashkimit Sovjetik vjen njeriu për t’i dhënë Shqipërisë titullin e saj të tretë Botëror, pa qenë shqiptar pra. Ndërkaq, “sovjetikët” e Elis Gurit i pamë mbasi sovjetikët e të atit të tij, Iljaz Guri, na ndaluan “t’i shihnim” në shekullin që shkoi.

Abakarov Cakmashi

Tash, po prej Rusisë së Bashkimit Sovjetik, që dihet, është një nga shtetet më sportivë të historisë së njerëzimit, mbërrin Zelimkhan Abakarov, merr nënshtetësinë shqiptare dhe i jep Shqipërisë titullin e kampionit të botës në mundjen e lirë të peshës 57 kilogram, duke mposhtur përfaqësuesit e Kolumbisë, Kubës, Serbisë e SHBA-së! Por nuk harrojmë: Abakarov mposht edhe ai një ish-sovjetik “të tij”, Golomjon Abdullaev, të Uzbekistanit të ish-Bashkimit Sovjetik.

Dhe ec e mos prano tani me gjithë këto përkime reale pra, se gjithçka në këtë histori prapëseprapë nuk mungon një lloj natyre kontraverse.

Kësisoj, e gjitha çka përshkruam e treguam, të duket sikur është një histori shqiptaro-greko-bullgaro-”sovjeto”ruse. Në të vërtetë mua më pëlqen ta quaj shqiptare, duke harruar për një çast kontroversitetin e saj. Kështu mendoj se qëndroj te më e vërteta që nuk është aspak e çuditshme si në rastet e gati tri dekadave më parë të Pirro Dhimës e mbas tij edhe të Luan Shabanit e Mirela Manjanit të Greqisë; e mandej edhe të Elis Gurit të Bullgarisë – të gjitha si variant “i njëjtë”, por me kahe të ndryshme. Të katërt i lindi dhe i formoi Shqipëria, por shkuan dhe i dhanë titullin Botëror Greqisë e Bullgarisë. Ndërsa Zelimkhan Abakarovin e lindi dhe e formoi Dagestani apo Çeçenia e Rusisë dhe ai i dha titullin e kampionit të botës Shqipërisë.

Ky me sa duket është ai që sot i thonë globalizëm apo globalizim që në shqip nënkupton shumanshmërinë në përmasa botërore përmes së cilës tejkalohen kufijtë kombëtarë apo rajonalë e që vetvetiu po kërkon të kthehet në stil a mënyrë botërore tashmë në të gjitha fushat e jetës. Çka kësisoj mbërrin deri te kalimi nga një shtetësi në tjetrën edhe në sporte. E që sapo e ka prekë paksa edhe sportin shqiptar.

E çka të them më! Më mbetet të them se nuk do të kishte gjë më me kuptim që një ditë apo një mbrëmje, të shtatë këta kampionë të botës t’i bashkonim në presidencën e Shqipërisë për t’iu dhënë një titull të lartë kombëtar – ndonëse me mungesën prekëse të Ymer Pampurit – Pirro Dhimën, Luan Shabanin, Mirela Manjanin, Elis Gurin, Briken Caljen, Zelimkhan Abakarovin. Natyrisht me praninë e familjes së Ymer Pampurit – heroit të sportit shqiptar të 50 vjetëve më parë, simbol i përjetshëm!…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"