SPECIALE/ Klasifikimi i sezonit, Liverpuli kampion i Europës. Lacio dhe Atalanta magjepsin kontinentin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2020 | 20:13

SPECIALE/ Klasifikimi i sezonit, Liverpuli kampion i Europës. Lacio dhe Atalanta magjepsin kontinentin

Një diferencë monstruoze me ndjekësit këtë sezon në Premier Ligë, por që në skenarin më të paimagjinueshëm mund të rezultojë e padobishme nëse Premier Liga nuk do t’i luajë 92 ndeshjet e mbetura të sezonit për shkak të pandemisë së Koronavirusit.

premier-a59a602f9687a44a60fa0e2f489e0b9123f828cc145b23f4_1920x1080

82 pikë ka grumbulluar skuadra e Jyrgen Klopit gjatë këtij edicioni futbollistik, një shifër që nuk është vetëm më e larta në Premier Ligë (+25 nga Mançester Siti i vendit të dytë), por është e para edhe në krahasim me rivalet kontinentale.

“SporBible” ka përpiluar listën e 20 skuadrave të 5 kampionateve kryesore të Europës, me rezultatet më të larta në kampionatet e tyre këtë sezon dhe në këtë listë shfaqen disa emra surprizë mes ekipeve elitare.

Në pritje të luajtjes së 9 javëve të fundit të Premier Ligës, që pritet ta shpallin Liverpulin kampion për herë të parë pas 30 vitesh (i mjaftojnë vetëm 6 pikë), “Reds”-at renditen në vend të parë në këtë klasifikim. Pas tyre janë kryesuesit e Ligës së Parë franceze, kampionët e Francës. PSG ka 14 pikë më pak se kryesuesit e Premier Ligës (68).

Livepuli]

Pesë pikë më poshtë nga skuadra e Tomas Tuhelit renditet Juventusi. Por vetëm një pikë më pak sesa fituesit serialë të Serisë A të Sarrit gjendet surpriza e këtij sezoni, Lacio. Skuadra e Simone Inzagit, që ka ofruar një paketë serioze për të rivalizuar me gjigantët e Serisë A këtë sezon, lë pas edhe Interin e Kontes (54 pikë), që presupozohet të jetë kundërshtari që bardhezinjtë duhen t’i tremben më shumë këtë vit.

Barcelona që ka pasur luhatje të formës këtë sezon, renditet në vend të parë në La Liga me 58 pikë, por ky klasifikim e nxjerr jashtë forme krahasuar me kryesuesit e tjerë të kampionateve elitare të Europës, duke e renditur të pestën. Pas skuadrës së Kike Setien vjen Mançester Siti dhe rivalët e Realit të Madridit. Marseja e Andre Vilas-Boashit renditet në vend të tetë, ndërsa Bajerni i Mynihut një shkallë më poshtë, me 55 pikë. Dhjetëshen e parë e mbyll Interi (54 pikë).

Disa nga emrat më interesantë të gjysmës së dytë të klasifikimit janë ato të Lestër Sitit. Dhelprat e Brendën Roxhersit lënë pas gjigantët gjermanë të Borusias së Dortmundit dhe Lajpcigut, ndërsa dy skuadrat franceze të Renit dhe Lilës fusin në formë sanduiçi skuadrën e fundit të Bundesligës në këtë listë, Borusian e Mënshengladbahut.

Në listën e surprizave nuk mungon as një prej skuadrave që dhuron një prej futbolleve më argëtuese në Serinë A prej dy sezonesh, Atalanta, e cila ka shënuar 20 gola më shumë sesa kryesuesit e Juves. Skuadra e Gjimshitit ndiqet nga Çelsi i Lampardit, Bajer Leverkuseni dhe Sevija.

Atalanta 7

Mes emrave “big” që mungojnë në këtë klasifikim janë Mançester Junajtid, Totenhemi dhe Atletiko e Madridit. Por këta të fundit të paktën gëzojnë kënaqësinë e eliminimit të kampionëve në fuqi të Liverpulit në 1/8-at e Champions-it.

Klasifikimi i Kombinuar i 5 Kampionateve Kryesore të Europës:

Ekipi       Pikë       Golavarazhi

 

  1. Liverpul 82 +45
  2. PSG 68 +51
  3. Juventus 63 +26
  4. Lacio 62 +37
  5. Barcelona 58 +32
  6. Mançester Siti 57 +37
  7. Real Madrid 56 +30
  8. Marsejë 56 +12
  9. Bajern Mynih 55 +47
  10. Inter 54 +25
  11. Lestër 53 +30
  12. Borusia Dortmund 51 +35
  13. Lajpcig 50 +36
  14. Ren 50 +14
  15. B. Mënshengladbah 49 +19
  16. Lilë 49 +8
  17. Atalanta 48 +36
  18. Çelsi 48 +12
  19. Bajer Leverkusen 47 +14
  20. Sevija 47 +10

PËRGATITI: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"