SPECIALE/ Kampionate dhe Champions, ja kur fillon magjia europiane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2020 | 0:14

SPECIALE/ Kampionate dhe Champions, ja kur fillon magjia europiane

Bundesliga është një arenë fantastike, magjike, e cila diti sesi të dhurojë spektakël që fundjavën e kaluar, kur ringriti siparin, pas një ndalese 2 mujore. Por më parë, uria për futboll ishte aq e madhe, edhe kur dy vende të vogla si Ishujt Faroe (nisën më 9 maj) dhe Bjellorusia më 19 mars zbritën në fushë për të luajtur ndeshje të vërtetë, për të luftuar për pikë, për titullin kampion, për kupat e Europës dhe për mbijetesë.

HARTA

Prandaj, imagjinoni se çfarë lumi emocionesh pritet, nëse me rifillimin e qershorit do të nisin edhe ligat elitare si Italia (në program mes datave 13-20 qershor), Spanjë (premisa më 12 qershor) dhe Angli (mes 12 dhe 26 qershorit) mund të rindezin motorët dhe të kërkojnë që të “lajnë hesapet” e lëna përgjysmë.

Edhe në Shqipëri shpresat për rinisjen e Kategorisë Superiore, apo edhe Kategorisë së Parë e të Dytë, të programuara respektivisht për datat 3 dhe 7 qershor do të kishin një impakt shumë të fortë, pas një periudhe vërtet të vështirë për tifozët, por edhe për vetë futbollistë, stafe teknike e arbitra. Lufta është më e ndezur se kurrë, ndonëse shumë kampionate të tjera janë zyrtarizuar që do të nisin edhe në fund të këtij muaji, si për shembull ai hungarez (sot më 23 maj), ai në Kosovë e Serbi në 30 maj, apo ai çek (25 maj) e polak (29 maj), sinjale të rëndësishme se tashmë frika më e madhe ka kaluar dhe jeta dhe futbolli që është një pjesë mjaft e rëndësishme e saj duhet të rifillojë dhe të vazhdojë.

Sepse fundja, nga përfundimi i kampionateve në Europë varen edhe dy kompeticionet ndoshta më emocionuese të globit, Liga e Kampioneve dhe Liga e Europës. Këto dy turne është e sigurt që do të mbyllen, me formula që ende po vlerësohen, por do të rivlerësohen dhe vulosen në mbledhjen e ardhshme të UEFA-s, më datë 17 qershor, kur federatat anëtare të qeverisë së futbollit në kontinentin e vjetër duhet të paraqisin planet e tyre, ose të vendosin të lënë të ngrira renditjet finale, nëse nuk kanë kushtet dhe sigurinë mjekësore dhe higjienike për t’i çuar deri në fund.

“Beteja Europiane”

Të diskutuara dhe të aprovuara nga komisioni i kalendarëve, ekzistojnë 4 skenarë për Ligën e Kampioneve dhe atë të Europës.  I pari parashikon që këto dy kompeticione të mbyllen me skemën e përhershme, nëse nisin brenda datave 7-8 gusht, me ndeshjet e kthimit të paplotësuara të 1/ 8-ave: Juventus-Lion dhe Barcelona-Napoli, Bajern Mynih-Çelsi dhe Siti-Real Madrid. Ndeshjet do të luhen pa pushim, në mesjavë dhe fundjavë, deri në aktin e fundit, më 29 gusht, me finalen e Stambollit.

Ndeshjet teke… Janë një alternativë, e cila mund të përfshijë vetëm dy gjysmëfinalet, të cilat do të vendosin finalistet në rangun e 90 minutave, duke zvogëluar numrin e ndeshjeve nga 17 në 13, por ndoshta edhe në 11 në total, nëse përfshihen edhe çerekfinalet. Ky skenar mund të bëhet realitet nëse koha në favor është e pakët, për shkak të rifillimit me vonesë të ligave kryesore në Europë të jetë i vonuar.

Nëse nga çerekfinalet, apo qoftë vetëm gjysmëfinalet, do të vendosen që të luhen me ndeshje teke, UEFA mund të jetë ajo që mund të bëjë “arbitrin”, duke zgjedhur një fushë asnjanëse, por dy zgjidhje të tjera janë edhe hedhja me short se cila mund të jetë fusha pritëse e takimit, ose duke futur në lojë renditjen për klube, apo qoftë edhe për çështje të moslejimit të ligjeve “anti-COVID” të një shteti, për të pritur skuadra mike brenda kufijve të tyre.

Të gjitha në Stamboll… Është kjo një tjetër alternativë. Që do të thotë, pas rikuperimit të ndeshjeve të kthimit të paluajtura të 1/8-ave, të gjitha çerekfinalistet e kualifikuara do të grumbullohen në Stambol dhe të luajnë në stadiumet e kryeqytetit turk, me ndeshje teke, deri në finalen e 29 gushtit. Edhe në këtë rast do të luhej çdo 72 orë.

Ekzekutivi, më 17 qershor

Nga gjithçka u tha më lart, UEFA nga ana e saj ka bërë një tjetër hap të madh, duke vendosur që të gjitha diskutimet për kalendarët, Champions-in dhe Ligën e Europës të mos bëhen më brenda datës 25 maj, por ta shtyjë mbledhjen ekzekutive të vendimeve për në 17 qershor, ditë në të cilën UEFA nuk do të pranojë më amnezi apo pasiguri, por kërkon përgjigje konkrete nga të gjitha shtetet. Pra në datën 17 qershor, ose konfirmohen planet e rinisjes, ose dorëzohen verdiktet me renditjet e ngrira që do të përcaktojnë skuadrat kampione, ato që shkojnë në Kupat e Europës dhe ato që zbresin një kategori më poshtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"