SPECIALE/ Gladbah-Lajpcig, titulli i të “varfërve” në Gjermani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2019 | 17:40

SPECIALE/ Gladbah-Lajpcig, titulli i të “varfërve” në Gjermani

Borusia Mynshen Gladbah vazhdon të kryesojë kampionatin gjerman edhe pas javës së 13-të. Skuadra e drejtuar nga Marko Rose është duke bërë një sezon fantastik, kjo u pa edhe në ndeshjen e djeshme ndaj Fraiburgut ku ata fituan me rezultatin 4-2.

lajpcig gladbah

Statistikat flasin për një skuadër që ka pësuar 3 gola më pak se kampionët në fuqi të Bajernit të cilët edhe pse kanë shpenzuar miliona në mbrojtje, kanë hasur vështirësi në prapavijë. Gladbah largoi jo pak lojtarë cilësorë në verë duke dhënë përshtypjen se skuadra do ta vuante jo pak tranzicionin. Por koha ka treguar të kundërtën.

Me lekët e fituara nga shitja e tyre, janë afruar disa lojtarë të rinj me të ardhme të madhe të cilët kërkojnë ta shfrytëzojnë klubin e Borusias si trampolinë për të shkuar në një skuadër të madhe europiane. Një nga ata është zvicerani Bril Embolo që ka marrë lëvdatat nga lojtarë si Robert Levandovksi apo ishlegjenda, Gynter Necer.

LAJPCIG – Skuadra e Julian Nagelsman mund të quhet pa frikë skuadra e dytë surprizë në Bundesligë. Me katër fitore dhe një humbje në pesë ndeshjet e fundit, lindorët renditen në dytët me një pikë më pak se Gladbahu. Kjo për meritë të trajnerit më të ri në Gjermani. Nagelsman ka ndërtuar një skuadër që shënon pa fund. Plot 34 herë kanë gjetur rrugën e rrjetës lojtarët e tij, askush si ata në Gjermani. Vendi i dytë mbahet nga bavarezët me 34, edhe pse në skuadër kanë një përbindësh si Robert Levandovksi. Motoja e trajnerit gjerman është e thjeshtë: “Të shënojmë sa herë dalim në sulm”.

Të mendosh që vetëm 4 javë nga fundi i fazës së parë, Bajerni dhe Dortmundi, të projektuar për të luftuar për titullin, ndodhen respektivisht në vendet 4 dhe 5. Edhe pse investimet në merkaton e verës kanë kapur shifrat e mbi 100 milionë eurove. Një shumë që Gladbah dhe Lajpcig do ta ëndërronin ta kishin në buxhetin e tyre. Por ja që paraja nuk mund të blejë gjithçka, të paktën për momentin. Në duelin e javës së ardhshme në Gladbah, do shohim edhe diferencat e vërteta midis bavarezëve dhe kryesuesve, të cilët kanë mundësinë më të mirë për të treguar se nuk ndodhen rastësisht në vendin e parë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"