Elbasani bënte ligjin 13 vite më parë, ku janë sot heronjtë e titullit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2019 | 18:19

Elbasani bënte ligjin 13 vite më parë, ku janë sot heronjtë e titullit

VLADIMIR MEMA

13 Maj 2006. Elbasani bënte historinë e futbollit shqiptar, duke u shpallur për herë të dytë kampion i vendit. Që nga ajo kohë kanë kaluar plot 13 vite, por momentet e atij kampionati janë ende të freskëta në memorien e çdo sportdashësi elbasanas, të cilët kujtojnë me nostalgji periudhën ndoshta më të ndritur të futbollit në këtë qytet. Bëhet fjalë për vitet ku ishte e vështirë të thyeje hegjemoninë e ekipeve të kryeqytetit dhe Elbasani e provoi një vit para se të shpallej kampion këtë vështirësi.

Elbasani 2006

Në sezonin 2004-2005, kur ekipin e drejtonte i ndjeri Artan Bushati, në Elbasan pohojnë pa frikë se ishte një skuadër me më shumë kualitet se ajo e një viti më pas, që u shpall kampione e vendit, por gjërat u poqën sezonin e ardhshëm dhe verdheblutë fituan titullin me në krye Ilir Dajën. Një tifozëri që gjithashtu bëri historinë, me një stadium të mbushur plot e përplot në ndeshjet brenda dhe në dominancë në transferta. Por sot, pas 13 vitesh, dikur ajo skuadër dhe tifozëri që i jepte tonin futbollit shqiptar, ka mbetur në mëshirë të fatit…

KAMPIONËT – Bazat u hodhën pikërisht një sezon më parë, kur Elbasani u shpall nënkampion i vendit, ndërkohë që pothuajse nuk kishte qenë asnjëherë në këto nivele prej periudhës kur fitoi kampionatin në sezonin 1983-1984. Atë periudhë, në krye të ekipit vjen Ilir Daja, deri atëherë një trajner i panjohur dhe i ri, por shpërbleu guximin e drejtuesve elbasanas që i besuan një ekip të mbushur me yje dhe të paguar me miliona.

Elbasani kampion

Në këtë skuadër të gjithë ishin kampionë në stilin e tyre, duke nisur nga njeriu më i rëndësishëm i atij klubi, presidenti Arben Laze, i cili hodhi milionat për këtë ekip futbolli dhe, deri te njeriu më i thjeshtë që kapte topat, i gatshëm kurdoherë të jepte kontributin e tij. Sa u përket lojtarëve, dy ishin ata mbi të tjerët që bënë për vete tifozërinë dhe fituan zemrat e sportdashësve elbasanas, ndonëse me kalimin e ndeshjeve të gjithë shënuan emrin e tyre me germa të arta në futbollin e këtij klubi. Bëhet fjalë për kapitenin Nevil Dede, një nga më të mirët në qendër të mbrojtjes në kohën e tij, duke u bërë i pakalueshëm në prapavijë dhe duke qenë një siguri më shumë në këtë repart.

Gjithsesi, ai që konsiderohej si idhulli i tifozërisë verdheblu, edhe për shkak të temperamentit dhe stilit të tij të veçantë, ishte Skerdi Bejzade. Në Elbasan e pagëzuan edhe me nofkën “Arusha”. Një shtyllë kryesore në ekip ishin edhe portieri Elvis Kotorri, në mesin e fushës një punëtor si Safet Osja dhe në sulm një Klevis Dalipi që kishte detyrën e finalizimit të aksioneve.

Elbasani

Pa harruar as kontribuesit e tjerë, kush më shumë e kush më pak, si Abraham, Vrapi dhe Brahja në mbrojtje, ashtu si Tefik Osmani me Tetovën. Një djalosh i ri po spikaste në mesin e fushës, Hetlem Çapja, së bashku me Norën dhe Ilir Qorrin, i hidhur me kroset dhe goditjet e tij të dënimit. Pa harruar as djemtë e rinj si Merxha, Endri Dalipi, Memetaj, Kuçi dhe pa dyshim Kaçin me Oltion Osmanin. Pas Bejzades me Klevis Dalipin në sulm, përmendim Gentian Stojkun e kudondodhur në të gjitha repartet, Rizvanollin apo djaloshin e talentuar, Xhevahir Sukajn.

STAFI – Një ekipi kampion i duhej edhe një staf po i tillë, ndonëse një pjesë e mirë e tyre ishin në moshë të re, duke nisur nga trajneri Ilir Daja dhe deri te presidenti Arben Laze. Zëvendës i Dajës ishte Ilirjan File, një ishfutbollist i skuadrës së Elbasanit, i cili prej pak vitesh i ishte futur rrugës së trajnimit, ndërsa trajner i portierëve ishte një legjendë e futbollit elbasanas, Bujar Gogunja. Shef i klubit ishte Artin Kovaçi, ndërsa mjek, pasionanti Zihni Bordi. Përgatitës atletik ka qenë një emër i njohur si Rauf Dimraj, i cili kompletonte stafin. Nuk mund të harrohen ata që financuan, Arben Laze, që e ktheu edhe në një sfidë personale fitimin e titullit kampion, pasi një vit më parë ndoshta ia morën padrejtësisht, së bashku me zëvendëspresidentin, Gentian Çërragën.

Elbasani tifozet

RIVALITETI – Në futbollin e sotëm rivalizojnë Skënderbeu, Kukësi, Flamurtari apo edhe Laçi e Teuta, ndërsa atëherë Elbasani përballej me “bigët” e kryeqytetit: Tirana, Dinamo dhe Partizani. Bëhet fjalë për vite ku ishte e vështirë të rivalizoje ekipet e kryeqytetit, por Elbasani ia doli të jetë mbi të gjithë. Në fakt, rivaliteti më i madh ka qenë me bardheblutë e Tiranës, të cilët një sezon më parë, atë 2004-2005, fituan titullin në dëm të Elbasanit. Pothuajse të gjithë e pranojnë në Elbasan se atë vit e meritonte pikërisht kjo skuadër, për shkak të futbollit që zhvillonin, por ndoshta ia hoqën nga duart kampionatin me “hile”, siç pretendojnë në Elbasan. Edhe tifozërinë e fituan pikërisht atë vit, me atë që treguan në çdo ndeshje.

Osmani-Devolli Elbasani

Megjithatë, gjërat u poqën pikërisht një vit më pas, ndonëse rivaliteti ishte po i njëjtë me Tiranën dhe ekipet e tjera të kryeqytetit. Verdheblutë nuk mund t’i lejonin më vetes t’u ikte kampionati nga duart dhe e siguruan matematikisht titullin në sfidën direkte me Tiranën në “Selman Stërmasi” në javën e parafundit, duke i mposhtur bardheblutë 2 me 3, ku ndër të tjera mbahet mend goli i portierit Elvis Kotorri me penallti, që vulosi titullin. Më parë patën shënuar Bejzade me Deden, që barazuan përkohësisht shifrat pas golave të Duros dhe Salihit.

KU JANË SOT PROTAGONISTËT –Po çfarë bëjnë sot heronjtë e atij Elbasani? Shumica e lojtarëve janë tërhequr nga futbolli dhe janë bërë trajnerë apo ndihmëstrajnerë, dikush ka zgjedhur të shkojë jashtë vendit dhe dikush tjetër të hapë një biznes privat. Dikush bën menaxherin, ndërsa trajneri Ilir Daja drejton Skënderbeun. Osmani dhe Sukaj luajnë ende.

Elbasani protagonistet

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"