Demollari, “Platinia i proletariatit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2021 | 22:08

Demollari, “Platinia i proletariatit”

Tirana është e paralizuar. Është ora 3 e pasdites e datës 3 dhjetor 1986 dhe nuk ka mbetur as edhe një centimetër çimentoje i lirë në stadiumin “Qemal Stafa”. Ka disa javë që nuk flitet për tjetër gjë në kryeqendrën e komunizmit: është hera e parë që në një eliminatore do të përballet Spanja me Shqipërinë.

demollari-dinamo

Hose Angel de la Casa bëri të pamundurën për t’u dokumentuar para transmetimit të ndeshjes, por ajo që mundi të zbulonte për ata burra të panjohur kuqezinj, ishte shumë pak, pothuajse asgjë. Arriti vetëm të nxirrte disa të dhëna: Sulejman Demollari, numri 11, ishte “më i miri teknikisht” dhe “rreth tij rrotullohet gjithë loja sulmuese e Shqipërisë”. Dhe informacioni ishte i saktë. Mbi barin e tharë, vende-vende me gropa, Michel dhe Butragueno përpiqen të zotërojnë topin, por më kot. Të vetmit që ndihen komodë në këtë fushë janë trupat e stërvitur të shqiptarëve që luajnë në sulm vertikal nën urdhrat e Demollarit, një gjysmësulmues i jashtëzakonshëm që i jep cilësi një ekipi jo aq të suksesshëm. Përqark fushës nuk ka kartela publicitare, por slogane marksiste-leniniste, ndër to dhe më i famshmi:

“Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”. Në minutën e 27-të, Shqipëria godet dhe shënon. Brohoret turma me mbi 30.000 spektatorë. Agresiviteti i skuadrës pritëse i çmend spanjollët. “Janë shumë të paedukuar! Dinë vetëm të zihen!”, shfryn Miguel Munoz. Këtij stili të egër, Demollari me elegancën e tij i shton disa pika shampanjë. Delikatesa e lojës së tij spikat si një petal i bardhë trëndafili mbi një thikë të ndryshkur.

sulejman-demollari

Ndërkohë që kolegët e tij stërmundohen për të kapur topin, ai përgatit skenarin për lëvizjet e radhës, por në një moment karburanti mbaron dhe Spanja mbizotëron 1-2. Për Shqipërinë, ky rezultat është poshtërues, por mundohen të mos dorëzohen. Ky brez luftëtarësh e ka gjetur tashmë komandantin. Demollari është 22 vjeç dhe nën udhëheqjen e tij, u arrit të fitohej në shtëpinë e Belgjikës së Scifo-s. Kur ky gjeni i parakohshëm të piqet, ekipi modest shqiptar ndoshta do të arrijë një objektiv sa të thjeshtë aq dhe të paarritshëm deri në atë moment: fitorja e parë në shtëpi.

*NGJITJE DINAMIKE*

Legjenda rritet në shkollën “Alqi Kondi”, një çerdhe e futbollistëve elitarë. Talenti i këtij fëmije të ndrojtur tërheq vëmendjen e Dinamos së Tiranës, klub i kontrolluar nga Ministria e Brendshme, e cila nxiton t’i hapë dyert. Në moshën 15-vjeçare, Demollari u bashkohet të rinjve të Dinamos.

Bëhet fjalë për djem më të mëdhenj se ai, por është aq i përgatitur sa brenda një viti stërvitet me ekipin e parë dhe brenda dy vitesh kthehet në një element thelbësor për skuadrën. Në debutimin e tij si titullar, në 1981, djali i talentuar shënon golin e vetëm të ndeshjes. Pas këtij goli nuk del më nga radhët e ekipit. Në kilometrin zero të stalinizmit më të frikshëm, i riu Demollari frymëzohet nga një perëndi e huaj:

Panenka

“Idhulli im ishte Platini. Unë luaja në të njëjtin pozicion me të dhe mbaja shënim lëvizjet e tij”, shprehet për “Panenka”-n. Sa herë që i jepet mundësia, lidhet fshehurazi me rrjetin italian “RAI” për të ndjekur futboll dhe për të mos humbur as edhe një ndeshje të Juves. Më pas zbret në fushë dhe lë pa fjalë të gjithë mosbesuesit: pavarësisht nga mosha e re, është i aftë të drejtojë anijen. Drejton në mënyrën e tij, me një talent të qetë, gjithmonë i sjellshëm, pa u futur në telashe. Kështu fiton respektin e të gjithëve. Shqipëria e futbollit, e mësuar me humbjet, i duhet të fërkojë mirë sytë kur skuadra e U-21, me në krye Demollarin, arriti të kualifikohej në çerekfinalet e Europianit të 1984-ës.

Dhe këtu ndodh diçka sa e mrekullueshme aq edhe e frikshme, diçka që mund të fundoste karrierën e tij dhe ndoshta t’i dënonte dhe familjen me internim. Duhet të përballej me Italinë e Roberto Mancinit. Në Tiranë, italianët e marrin fitoren me shumë vështirësi, po ashtu dhe në Bresha. Ndeshje në të cilën Shqipëria jo vetëm bën figurë të bukur, por spikat dhe një Demollar i shkëlqyer: “Në fund të ndeshjes më afrohet Bruno Pizzul, një komentator sportiv, i cili më propozoi të qëndroja në Itali. Mbeta i shastisur. Dezertimi nënkuptonte arrestimin e të afërmve të mi. Si mund të pranoja?” Në çdo transfertë të Shqipërisë, bashkë me skuadrën udhëton edhe një komisar politik, i cili mban shënime mbi lojtarët, të cilëve nuk u lejohet as të ndërrojnë fanellat me kundërshtarët. Kësaj radhe komisari është i qetë:

“Asi” i ekipit do të marrë avionin e kthimit bashkë me kolegët e tij. Demollari nuk dëshpërohet për mundësinë e humbur, pasi futbollistët shqiptarë të nivelit të parë mund të konsiderohen me fat. Në vitet ‘80, në një Shqipëri të lodhur dhe të zhytur në varfëri, ata jetojnë më denjësisht, të paktën nuk u mungon ushqimi. Populli e adhuronte. Tifozët e Dinamos i këndonin disa rreshta për të treguar supremacinë e tij teknike: “Demollar, Demollar, i bën mbrojtësit të hanë bar!” Duket se mjafton të fusësh emrin e tij te lista e ekipit, për të menduar se skuadra do të fitojë. “Në 1985, para derbit me 17 Nëntorin, dëmtova njërën këmbë.

Kur e mori vesh zv.ministri i Brendshëm, erdhi të më takonte dhe m’u përgjërua: ‘Ti fillo lojën si titullar, edhe nëse nuk mund të lëvizësh. Është shumë e rëndësishme ta trembim kundërshtarin, të shikojnë që ti je në fushë’, u shpreh ai. Luajta i çalë, bëra tre gola, dy prej të cilëve me kokë, dhe fituam 5-3″. Pamja e tij e sëmurë, me flokët që kishin filluar t´i binin dhe me mjeshtërinë e tij të heshtur, arriti të zbuste edhe tifozët e skuadrës kundërshtare. Një fenomen i ngjashëm me atë që Andres Iniesta do të përjetonte shumë vite më vonë në Spanjë. Kur Dinamo udhëton nëpër rrugët e pluhurosura të Shqipërisë dhe autobusi ndalon që futbollistët të çlodhen në ndonjë kafe, vendasit sulen me zell mbi këtë legjendë karizmatike, që di të fitojë pa ju dridhur qerpiku dhe pa u treguar aspak arrogant. Është përgjithësisht kapiteni i skuadrës, ka shënuar një ndër 50 golat më të bukur dhe një tjetër gol spektakolar i anuluar padrejtësisht në “Wembley”.

Demollari2

Ai ka thyer një rekord: është përzgjedhur 6 herë lojtari më i mirë i kombëtares, herën e parë kur ishte vetëm 19 vjeç. Në Shqipërinë komuniste, futbollistët janë “amatorë”, pasi të gjithë ose studiojnë, ose kanë një profesion tjetër. Demollari është profesor i edukimit fizik në një shkollë 8-vjeçare, u jep mësim fëmijëve për disa orë dhe më pas shkon të stërvitet. Diferenca e pagave dhe e impianteve sportive midis Shqipërisë dhe vendeve perëndimore është shumë e theksuar dhe pavarësisht kësaj, Dinamo arrin të kualifikohet në kompeticionet europiane. Disa muaj para finales së Kupës së Europës në vitin 1991, Olimpiku i Marsejës ia merr Dinamos në Marsejë, por në ndeshjen e kthimit shqiptarët mbrohen mirë. Një vit më parë në eliminatoren kundër Dinamos së Bukureshtit, skuadra arrin me sukses në pjesën finale: një top i shkëlqyer i vjen Demollarit brenda zonës, gjuajtje e fuqishme, por topi del jashtë. Një dështim ky që do të shpërblehej nga fati më pak më vonë.

*ANTIDOTE PËR USHTARËT*

Me rënien e Murit të Berlinit dhe të bllokut komunist, edhe diktatura e proletariatit në Shqipëri pëson një krisje. Në 1991 kur turma rrëzoi statujën e Enver Hoxhës në Tiranë dhe mijëra emigrantë u kapën pas anijeve në drejtim të Italisë, një pjesë e futbollistëve kalojnë kufijtë e Greqisë për t’u strehuar në ndonjë klub vendës. Demollari pret, nuk nxitohet. Një sipërmarrës grek do ta marrë me vete te Parathinaikos:

“Doja thjesht të ikja nga Shqipëria, nuk më bëhej vonë për cilin ekip bëhej fjalë”. Por, Dinamoja e Bukureshtit, i parapriu. Pronari i ri i klubit, Vasile Ianul, i ofroi një kontratë prej 250.000 dollarësh për tre vjet, shifër kjo që për vendet e tjera europiane do të dukej qesharake, por për futbollistin më të mirë të një prej vendeve më të varfra të Europës, përbënte një fat të madh. Fillimi e karrierës së Demollarit në kampionatin rumun, ishte aq i magjishëm, sa dukej si një film. Debuton me dy gola në ndeshjen kundër Petrolul Ploiestit, e cila përfundoi me rezultatin 6-0.

Driblimet spektakolare dhe fintet e tij çmendin gjithë Bukureshtin. Pëlqehej akoma më shumë impenjimi që ai kishte në ditë të veçanta për skuadrën. Kundërshtari më i përjetshëm ishte Steaua, ekipi i ushtrisë, dhe në ndeshjen e tij të parë ndaj këtij kundërshtari, Demollari shënon golin e fitores. Tifozët përulen përpara heroit të tyre të ri dhe i dedikojnë një kor që do ta shoqëroj gjatë: “De-mollari, omoara militarii!” – “Demollari, mbyti ushtarët!” Demollari u kthye shumë shpejt në makthin e ekipeve të tjera të kryeqytetit.

Deri në finale Dinamoja e Bukureshtit vazhdoi e pamposhtur dhe askush nuk i kushtoi rëndësinë e duhur skuadrës së re, Rapidi i Bukureshtit. Një Demollar i fuqishëm shënon nga 20-metërshi, më pas shënon për herë të dytë, por atë ditë Rapid ishte gjithashtu në formë të shkëlqyer, arrin ta kthejë rezultatin dhe mbizotëron ndeshjen me rezultatin 3-4.

Në mënyrë histerike, presidenti dinamovit ngrihet nga karrigia e tij dhe largohet. Ideja e humbjes së ndeshjes dhe ndoshta edhe të ligës, e gërryente Ianulin. Shoferi i tij, duke e shoqëruar me makinë, bëri gabimin të ndizte radion. Në minutat e fundit të ndeshjes, komentatori sportiv tregon si Demollari arriti ta fitonte tripletën dhe t’i siguronte një pikë skuadrës së tij: “Ianul në atë moment pësoi një infarkt dhe shoferit iu desh ta çonte në spital. Mbijetoi.”

Libri per demollarin logo

*ECJET E FSHEHTA*

Është lojtari më i dashur. Popullariteti i tij është aq i madh sa të dalët në rrugët e qytetit kthehet në një eksperiencë të vështirë. “Përpiqesha të fshihesha duke përdorur syze dielli dhe kapele, por ndonjëherë ishte e pamundur. Një ditë po bëja xhiro në park me gruan dhe vajzën, sigurisht i maskuar, kur papritur dëgjoj: ‘Demo, Demo!’ Kështu më thërrisnin. Kthehem dhe shikoj një zotëri që po i drejtohej qenit të tij. I kish vënë emrin tim”.

Fama prej djali të mirë, kish punuar në favorin e tij. Në tri sezonet që luajti në Rumani, nuk mori asnjë karton të kuq dhe vetëm një të verdhë. Po i verdhi? “Duhej të ishte i kuq. Po luanim në Piatra Neamt dhe unë simulova paturpësisht një penallti. U sula kundër arbitrit, përdora dhe disa fjalë jo të këndshme. E pranoj që e humba toruan dhe ai me të drejtë më dha karton. Pas ndeshjes po me priste. ‘Demo çfarë dreqin pate? Po të mos ishe ti do të kisha pezulluar’, mu drejtua ai. Në atë moment u ndjeva shumë i turpëruar!”.

Buzëqeshja e paqtë e Demollarit, ndien dhembje sa herë që mendon për Shqipërinë. Që nga rënia e regjimit komunist, kaosi dhe kleptokracia e kanë marrë peng vendin, tashmë të lodhur dhe të falimentuar. Edhe ekipi kombëtar i Shqipërisë është një pasqyrim i gjendjes së dëshpëruar shpirtërore në të cilën ky tranzicion po e çonte vendin. Spanja, e cila në 1986-ën u mundua aq shumë të ngrinte krye kundër Shqipërisë, në eliminatoret e Europianit të vitit 1992, arrin ta mundë atë 9-0. Por, ka ndodhur dhe më keq. Eduard Dervishi, ish-koleg i Demollarit në skuadrën e të rinjve, u bë sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit në momentet kur në llogaritë bankare të saj nuk kishte asnjë hyrje monetare. Nuk ka para për të siguruar transfertat e futbollistëve për ndeshjet ndërkombëtare. Ekipit i mungojnë edhe topat e stërvitjes. Madje, edhe prodhimi i fanellave përbënte vështirësi. Drama arrin kulmin në vitin 1992 kur ekipi zhvendoset në Dublin dhe 6 prej lojtarëve nuk paraqiten, pasi ekipet greke në të cilat luanin nuk u jepnin leje.

Ata humbën pagën e mjerë prej 18 dollarësh me të cilën Dervishi përpiqej të stimulonte ato lojtarë që merrnin pjesë. Kur shtypi irlandez bëri me dije mundimin e kësaj skuadre, “Adidas” prodhoi me shpejtësi 32 fanella të kuqë për ta dhe ua dhuroi. Të nesërmen Irlanda fiton. Por, për Dervishin fitorja më e madhe ishte të arrinte të grumbullonte lojtarët e duhur për ndeshjet e radhës: “Pa angazhimin e secilit prej tyre, kjo skuadër do ishte shpërbërë.

Nuk është aspak e këndshme të humbasësh 5 orë tranzit në një aeroport apo të udhëtosh me ditë të tëra me tren dhe autobus dhe në fund të marrësh një shifër qesharake ose më keq akoma të dalësh kokulur nga çdo ndeshje. Kur situata tensionohej, i kërkoja Demollarit që të qetësonte djemtë. Të gjithë e dëgjonin me respekt. Ai dhe gjithë gjenerata e tij mbajtën gjallë skuadrën në momentin më të vështirë të historisë”, shprehet Dervishi.

demollari

*PËRMBLEDHJE*

Ky purgator i zymtë, arrin fundin e tij në datë 7 qershor 1995, pikërisht në kohën e largimit të Demollarit si kapiten i ekipit kombëtar. Të arrije të klasifikoheshe në Kupën e Europës ishte e pamundur, por ka një objektiv më realist që kapiteni do të realizojë para se të largohet: të fitojë një ndeshje jashtë shtëpisë për herë të parë në historinë e këtij ekipi. Viktima është Moldavia.

Shqipëria imponohet 2-3. Po të kish zgjedhur që në fillim Breshan, ky artist i jashtëzakonshëm, ndoshta do kish debutuar në stadiume me mbi 50.000 tifozë. Por, bëri zgjedhje të tjera dhe karriera e tij përfundon në një vend modest të Italisë, në Atesa në Serinë D.

I lumtur dhe pa brerje ndërgjegjeje. Dervishi e lartëson figurën e tij: “Ka diçka te Demo që gjithmonë më impresionon. Debutoi kur ishte ende një fëmijë, u shpall lojtari më i mirë shqiptar për gjashtë herë, ishte kapiteni ynë, triumfoi edhe jashtë vendit… dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë i njëjti person që ishte kur erdhi te të rinjtë e Dinamos së Tiranës. Kaq i madh dhe njëkohësisht kaq i thjeshtë dhe njerëzor. Nuk e ka kuptuar ende se kush është”.

SHËNIM: Ky është artikull i revistës spanjolle “Panenka”, publikuar në prill 2021.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"