Çmimi “Luigj Shala” dhe 70-vjetori i Besnik Kaimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2022 | 20:28

Çmimi “Luigj Shala” dhe 70-vjetori i Besnik Kaimit

Nga BESNIK DIZDAR

besnik dizdari

A me të vërtetë këta dy emra të një titulli të vetëm mund të jenë ash tu, fort afër me njëri-tjetrin? Vështirë ta thuash. Kjo sepse kur më 1937-ën Luigj Shala u bë nga FIFA shqiptari i parë arbitër ndërkombëtar, natyrisht që arbitri ynë i shquar i mbasluftës, Besnik Kaimi, nuk kishte lindur ende. E megjithatë, ata janë afër.

Ndonëse profesor Luigj Shala – se përveç të tjerave, një nga profesorët më të mëdhenj të edukimit fizik në Shqipëri, ai ka qenë – ia kalon Besnik Kaimit. Mbi të gjitha, sepse ai është një nga universalët më të mëdhenj të sportit shqiptar, themelues, drejtues shtetëror, mësues i paharrueshëm i brezave, mandej edhe i arbitrimit.

arbitri-besnik-kaimi

Besnik Kaimi

E megjithatë, Besnik Kaimi i afrohet qoftë edhe sadopak Luigj Shalës, madje çuditërisht në një tregues ia kalon. Kësisoj, ngaqë ndërsa Luigj Shala, edhe pse qe arbitër ndërkombëtar nga FIFA, ashtu si edhe dy kolegë të tij, për fat, ai nuk arriti të arbitrojë një ndeshje si ndërkombëtar në turnetë e FIFA-s.

Ndërsa Besnik Kaimi u bë arbitër i FIFA-s, që arriti të drejtojë në rreth 35 ndeshje ndërkombëtare, deri në ekipe kombëtare të shteteve të Europës. Madje, duke qenë pasardhës i denjë i brezave të mëparshëm të mbasluftës, njeri më i madh se tjetri: Sami Kotherja, Ramazan Kuka, Bakir Dibra, Ramiz Pregja, Shazivar Gruda, Faik Bajrami, Met Myshku, Dhimitër Bardhi, Dhori Prifti, Adem Halili. Për të mbërritur te dyshja madhështore për Shqipërinë, ajo Arsen Hoxha e Tahir Kalaci.

Për t’u bashkuar te Tef Prela – intelektuali i gjykimeve, shoku im i dashtun i Gjimnazit të Shkodrës. E për të vazhduar me një brez disi më poshtë: Luan Zylfo, PLarent Kotherja e themeluesi i çmimit në fjalë, Mhill Shkëmbi. Ndërsa mbi ta qëndron dyshja e pashlyeshme e kohës së Mbretërisë: ajo Eqrem Stërmasi e Llazar Miha. Për të vazhduar me dyshen tjetër të arbitrimit të mbasluftës, të një kontributi aq të spikatur: Qazim Dervishi e Adem Karrapici. Të gjithë këta së bashku janë meritorë të edicionit të parë (Shkodër, 3 dhjetor 2001) të çmimit “Luigj Shala”.

E megjithatë, pavarësisht kësaj bashkësie të dy emrave të titullit të këtij shkrimi, them se ata, qoftë edhe si në një simbolikë, mund të jenë ashtu, fort afër me njeri-tjetrin. Deri aty saqë po guxoj t’i bashkoj pra në këtë shkrim, duke përkujtuar një përvjetor të madh të vitit 2022. Atë që ka të bëjë pikërisht me 85-vjetorin si arbitër ndërkombëtar nga FIFA, të Luigj Shalës dhe dy kolegëve të tij, Eqrem Stërmasi e Llazar Miha. Rast që më nxit të shkruaj edhe një herë për Luigj Shalën, tash në rubrikën tonë të re: “Who is Who in Albanian Sport”.

Në të vërtetë, një nxitje më tepër për këtë, u bë një rasë tjetër, ajo e 70-vjetorit të gjyqtarit ndërkombëtar të viteve ’70, sidomos ’80, Besnik Kaimi, i cili më nderoi duke më ftuar në 70-vjetorin e tij, ashtu si dhe gazetarë të tjerë: Bashkim Tufa, Dëfrim Methasani apo Gëzim Nushi a më tej… Ishte 30 korriku 2022 që sapo kaloi. Një mbrëmje e paharrueshme. Familjarë të Kaimit natyrisht, por plot kolegë, shokë e deri tek arbitrat e sotëm në aktivitet, të cilët teksa i vështroja nga afër, të gjithë në një tryezë së bashku, vetvetiu i shtova diçka më tepër portretit të tyre, nga çka njihja disi më larg përmes drejtimeve të sotme të tyre në Kampionatin e Shqipërisë.

E tash them se këta djem, janë të tjerë… E tjetër është edhe Besnik Kaimi – arbitri i tri a më shumë dekadave më parë. Shtatdrejtë e solid, serioz, por dhe i buzëqeshur aq sa ia lejonte etika e rolit edhe shtensionues, të arbitrit. E po aq i rreptë në vendime të pakthyeshme e të menjëhershme, i pakompromis, mbi të gjitha guximtar, madje në situata aspak të lehta. Them kështu sepse asokohe ka qenë shumë e më e vështirë se sot të arbitrosh ndeshje. Skuadrat ndaheshin shpesh si me thikë për sa i përket statusit të tyre sa social, aq edhe qeveritar apo politik. Çka shkaktonte që shpesh mbi kryet e arbitrave, të binin jo vetëm sende e mjete të pakëshme tribunash, por më tepër se kaq, anatema, kërcënime, “urdhra” e rreptësina mbrapaskenash, ndonjëherë edhe të frikshme. Edhe Besnik Kaimi e i gjithë brezi i tij kanë qenë nga ata gjyqtarë që i kanë përballuar të gjitha këto, duke mbajtur me pasion peshat e rënda të arbitrimeve.

305885108_1934923146693418_4663192180698077514_n (1)

SHKODËR 2005. Me fituesit e edicionit të dytë të çmimit “Luigj Shala” për arbitrat e futbollit.

E prapë unë që po dëshiroj të qëndroj edhe më fort në histori, duke kujtuar këtu mbas bukur 17 vjetëve lidhjen më kuptimplote të Luigj Shalës me Besnik Kaimin e shokët e tij. Ka qenë 7 shkurt 2005. Shkodër. Edicioni i dytë i çmimit “Luigj Shala” për arbitrat e futbollit. Një çmim i themeluar nga një njeri i shquar i arbitrimit, siç ka qenë dhe është Mhill Shkëmbi. Duke përfshirë këtu jo vetëm kontributin e tij si arbitër, por edhe kontributin që ende nuk ndal si një nga vëzhguesit më parimorë dhe më të ndershëm që ka sot futbolli shqiptar. Besoj se e kuptoni përse e theksoj fort përcaktimin “i ndershëm”!…

Dhe ja ku dalim te problemi aktual. Përse nuk kemi një çmim emërtues për arbitrat e futbollit? Më saktë, përse e lamë me vetëm dy edicione çmimin “Luigj Shala”? Edhe më tej: përveç kritikave që nuk ua ndërpresim asnjëherë, po meritat përse nuk ua nderojmë arbitrave tanë të futbollit, pa të cilët, siç dihet, nuk mund të ekzistojë vetë futbolli? Besnik Kaimi si gazetarë na nderoi fort me ftesën e tij. Një nderim pa asnjë interes. Madje duke flakur tej edhe kritikat që ne mund t’i kemi drejtuar atij në ndeshje të ndryshme, ashtu siç kemi vepruar me të gjithë arbitrat kolegë të tij. Etikë e profesionit tonë kjo… Kësisoj, pyetjet e mësipërme kanë një përgjigje fort të thjeshtë, sepse drejtimi ynë i futbollit, më shumë se kujton, ai harron. Besnik Kaimi kishte ftuar drejtues e zyrtarë të futbollit në 70-vjetorin e tij.

Nuk kishin ardhur, kushedi për çfarë arsyeje… Po ajo që mund të theksojmë edhe më fort është kjo tjetra: është historia, kultura, etika, kujtesa, pse jo. Detyrimet për të nderuar e ruajtur vlera që janë po aq të afërta me drejtimet e futbollit në Shqipëri. Më 3 dhjetor 2001, në Shkodër është organizuar edicioni i parë i çmimit “Luigj Shala”. E në këtë kujtesë të sotme, vetvetiu më lidhet edhe më fort 85-vjetori i Luigj Shalës si arbitër ndërkombëtar nga FIFA, me çmimin me emrin e tij të cilin më 2005- ën e meritoi edhe Besnik Kaimi. Ka qenë një edicion i paharrueshëm edhe ky i vitit 2005.

Protagonisti ynë u nderua në një ditë me më të shquarit Besim Hamdiu, Fahri Fani, Hiqmet Kuka, Fidai Pupa, Xhavit Fagu, Astrit Canaj, Prek Pjetrushi. Por edhe me dy emra të tjerë të përmasave gjigante për arbitrimin shqiptar: u nderua në një ditë së bashku me një nga themeluesit e Kampionateve të Shqipërisë, të drejtimit të lëvizjes sportive e të arbitrimit, kolonelin anglez Dayrell Oakley Hill dhe arbitrin e madh nga Kosova, Ismet Shurdhani, me kontribute të pazakonta në arbitrimet e futbollit të ishRS të Jugosllavisë.

305284392_5659785480739085_635315654294076610_n (1)

VITET ’30. Profesor Luigj Shala, nën kostumin e arbitrit të futbollit

Ka qenë një ditë e rrallë, teksa kishte të pranishëm edhe dy bijtë e kolonelit emblematik, të cilët erdhën posaçërisht nga Anglia: Angela dhe David Oakley Hill. Po për fat, këtu kemi mbetur: te 17 vjet më parë! A vërtet mund të shpresojmë për diçka tjetër më tej?… E tash më pëlqen të ndaj, ose më saktë, të veçoj, profesorin tonë të madh dhe të paharrueshëm Luigj Shala përmes rubrikës “Who is Who in Albanian Sport”, i ndarë nga jeta pa asnjë bujë, plot 55 vjet më parë. Siç shihet, përkimet e përvjetorëve nuk ndalin…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"