“Brez i artë” dhe Flik, ja si po nis epoka “Bajern”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2020 | 16:08

“Brez i artë” dhe Flik, ja si po nis epoka “Bajern”

PANORAMASPORT.AL

 

Bajerni i Mynihut festoi në Lisbonë tripletën e dytë në historinë e klubit. Ishte një sezon perfekt i skuadrës së Hansi Flik që nuk kurseu asnjë trofe në sezonin e tij të parë me gjermanët. A është ky fillimi i një epoke të re në skuadrën më të titulluar në Bundesligë? “Sky” ka bërë një analizë të të gjithë sezonit që sapo përfundoi.

BAJERNI

TRIPLETA RRITI URINË NË SKUADËR

Që Bajerni i Mynihut do të bënte tripletë në këtë sezon, nuk mund ta mendonte askush në vjeshtën e 2019-ës. Pas humbjes 1-5 në Frankfurt, ish-trajneri, Niko Kovaç, duhet të largohej para kohe nga Mynihu. Në vendin e tij erdhi ndihmëstrajneri, Hansi Flik. Çfarë ndodhi më pas e dinë të gjithë. Të gjitha faktet flasin për një Bajern dominues edhe në vitet e ardhshme. Një epokë plot suksese. Ashtu siç bëri Real Madridi nga 2013-ta deri në 2018-ën. Spanjollët fituan 4 herë në 5 vite Champions-in.

BREZI I ARTË

Bajerni është ndërtuar në mënyrë perfekte. Struktura e klubit funksionon në mënyrë perfekte. Xhosha Kimish, Serge Gnabri dhe Leon Gorecka janë vetëm 25 vjeç. Kingslei Koman, Leroi Sane, Niklas Zyle, Benzhamë Pavar dhe Lukas Hernandez janë një vit më të vegjël. Pas tyre vjen edhe një tjetër diamant, Alfoso Dejvis, që është vetëm 19 vjeç. Fitimi i Champions-it ka rritur besimin te këta lojtarë që tani janë të varur në ndjenjën për të fituar trofe.

TRAJNER KAMPION

Një aspekt tjetër përse mund të quhet kjo nisja e epokës fituese të Bajernit është edhe ajo e trajnerit. Ndryshe nga Jup Hejnkes që u largua nga Bajerni në 2013-ën, pas fitimit të Champions-it, Flik do të vazhdojë të jetë numri një në pankinë. 55-vjeçari rinovoi kontratën e tij me gjermanët deri në 2023-shin dhe mund të punojë i qetë deri në përfundim të saj. Ai së bashku me trupën e tij sapo kanë nisur marshimin në Europë.

Flik

“Nëse mendoni se më mirë nuk mund të bëhet, atëherë gaboheni. Unë jam i mendimit që gjithçka mund të bëhet më mirë. Nuk kam frikë nga ajo që mund të vijë pas tripletës”, shprehej Flik në një intervistë për “Die Zeit” disa ditë pas fitimit të Champions-it.

NJË ARMË MË SHUMË

Nëse mendoni se keni parë Bajernin më të mirë të të gjitha kohërave, atëherë gaboheni. Blerja e re e bavarezëve, Leroi Sane, është duke ngrohur motorët për sezonin e ri. Ai pritet të luajë në vend të heroit të finales, Kingslei Koman. Por për Flik nuk ka rëndësi se kush je dhe sa ke kushtuar.

Bajern

Sane duhet të luftojë për një vend titullari me francezin. Një sfidë qe Sane e ka pranuar me kënaqësi. Kjo do t’i bënte akoma më mirë skuadrës, e cila nuk do ta humbiste kurrë urinë për të fituar. Objektivi i radhës është Superkupa e Gjermanisë dhe ajo e Europës, Bajerni i do të gjitha.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"