Babë e bir mjekë, ja kush i shëron sportistët shqiptarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2019 | 22:01

Babë e bir mjekë, ja kush i shëron sportistët shqiptarë

Mjekësia sportive mbetet akoma një hallkë delikate në futbollin shqiptar, por ekziston një shembull ku ky profesion vjen si trashëgimi familjare. Pikërisht, bëhet fjalë për babë e bir, Pertef dhe Perli Rusi, që pas bashkëpunimit në klube të ndryshme, tani kanë vendosur që t’i përkushtohen klinikës së tyre, duke kontribuar nga jashtë për sportin.

pertef perli rusi

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” mjeku fizioterapist Perli Rusi tregon rëndësinë që ka stafi mjekësor në një klub, burimin e dëmtimeve kryesore te futbollistët shqiptarë, momentet më të mira dhe të vështira që ka pasur në profesionin e tij me klubet. Perli tregon angazhimin aktual me ekipin e minifutbollit FC Prestige, ku vlerëson seriozitetin e kapitenit dhe njëkohësisht edhe presidenti i klubit, Fatmir Hysenbelliu. Perli shpreson që edhe i biri, Enkeli, të vazhdojë traditën familjare të mjekësisë sportive.

Sezoni futbollistik në Shqipëri sapo ka nisur, por jo të gjitha skuadrat janë të kompletuara me staf të mirëfilltë mjekësor. Mund të jetë problematik ky fakt për mbarëvajtjen e ekipeve?

Patjetër. Ka një rol shumë kryesor gjendja fizike e lojtarit në bashkëpunim me doktorët. Nuk kuptohet një ekip futbolli i konsoliduar pa praninë e një stafi të mirëfilltë mjekësor.

Edhe në 2019-ën, ka ekipe që afrojnë lojtarë pa kryer testet fizike dhe mjekësore dhe në fund u dalin të dëmtuar…

Kjo është më shumë mungesë profesionalizmi dhe mosdhënia e rëndësisë së duhur për stafin mjekësor në ekipet përkatëse. Klubet shqiptare mundohen të jenë “të lirë në miell dhe të shtrenjtë në krunde”.

Sipas jush, nga vijnë kryesisht dëmtimet në futbollin shqiptar?

Bazë kryesore është fusha stërvitore. Këto fushat me bar sintetik për mua janë jashtë standardeve, pasi mirëmbajtja e tyre ka kosto, por që asnjëri nuk e merr përsipër këtë gjë. Kështu që, kur nuk ke kushte, edhe stërvitja nuk mund të jetë specifike. Marr shembull Partizanin apo edhe ndonjë ekip tjetër, që detyrohet të shkojë në Elbasan që të bëjë stërvitje me fushë me bar natyral, që të përgatitet për ndeshjet. Tirana ka gjithë ato fusha, por për një arsye apo tjetër nuk e kanë të mundur që ekipet e Superiores të bëjnë stërvitje aty.

perli rusi

Vetëm terreni është problem?

Përveç terrenit edhe vitamizimi apo bashkëpunimi mes trajnerëve dhe stafit mjekësor. Stafi mjekësor ku duhet të ketë realisht një mjek, një fizioterapist dhe një masazhator, dhe jo të jetë vetëm një infermier që më shumë nuk është se është.

Sa ka të bëjë stafi i mirëfilltë ose i fushës te klubet sportive?

Ka të bëjë shumë. E thashë që stafi mjekësor profesional i një klubi përbëhet nga një mjek sportiv, një fizioterapist që është marrë më shumë me fushën e traumave ortopedike ose të fushës së sportit, si dhe një masazhator i mirë për të rikuperuar lojtarët në momentet që trajneri ka kryer përgatitje me intensitet të lartë.

Sa vite keni që merreni me këtë profesion?

U bënë rreth 15 vite. Viti i parë imi ka qenë me Partizanin, ku në vitin 2004 fituam edhe Superkupën. Që atëherë dhe deri para dy viteve ku ekipi i fundit ka qenë Kukësi.

Në profesionin tuaj, cila ka qenë pjesa më e vështirë?

Do të duket si çudi, por është t’i mbushësh mendjen presidentit që lojtari nuk bëhet për dy apo tri javë apo rëndësia e kripërave minerale që duhet të marrin lojtarët. U duket shpenzim i tepërt, ndërkohë që janë gjëra të vogla, por shumë domethënëse.

Po pjesa më e mirë?

Gjëja më e bukur është pa dyshim trofeu. Gjithmonë, kur ngrihet trofeu, edhe ti ndihesh se ndoshta kontributi yt me 2 apo 5% të vlerës ka zënë vend dhe e ke përmbushur me sukses gjithë atë sakrificë dhe lodhje ditore.

Gjithnjë keni bashkëpunuar me babanë (Pertefin). Si është të punoni me atë dhe a ka ndikuar ai në zgjedhjen e profesionit tuaj?

Babanë e kam pasur gjithmonë si idhull, në aspektin e fushës profesionale, sepse shikoja që gjatë gjithë kohës ishte jashtë, i rrethuar me djem të rinj, i angazhuar me ndeshje. Emocionet që na sillte në shtëpi, ishin shumë të mëdha dhe të bukura, ashtu si edhe zhgënjyese kur mundej ekipi i tij. Pertefi fillimet e tij si mjek sportiv i ka me Tiranën. Duke qenë se më injektoi këtë adrenalinë, më lindi edhe mua ideja pse të mos e vazhdoja edhe unë këtë fushë. Më tej, një shkak i madh ishte edhe pjesa e klinikës, ku u shkollova në këtë fushë në Padova në Itali, për fizioterapi dhe traumat e sportit. Dyshja triumfuese në një ekip fitues është gjithnjë mjeku dhe fizioterapisti i kompletuar. Kështu që, babai ishte mjeku, ndërsa unë fizioterapisti dhe ku kemi shkuar ne, kemi dhënë maksimumin.

Djalit tuaj do t’ia trashëgoni profesionin e familjes?

Enkeli ka shumë qejf të bëhet futbollist dhe gjatë gjithë kohës flasim për Kristianon, Mesin, si stërvitet ky apo çfarë bën ai. Nuk e di. Unë kam qejf që të bëhet i zoti për veten e tij me shkollën ,si një fizioterapist apo mjek i mirë. Ndërsa si futbollist t’ia lëmë kohës.

Klinika juaj është shtëpi e hapur për sportistët. Sa të vlerësuar ndiheni?

Aktualisht unë po bashkëpunoj me FC Prestige, me Fatmir Hysenbelliun, që është njëkohësisht kapiteni dhe president i ekipit, si dhe kapiten i ekipit kombëtar të minifutbollit. U bëra kohë që kam hequr dorë nga futbolli, por më pëlqeu shumë pikësynimi, dëshira dhe impenjimi i tij maksimal për të bërë diçka të mirë, pavarësisht se është futboll amator, por që sillet si profesionist. Kjo ishte një arsye më shumë që të merrem dhe të kontribuoj për këtë ekip. Tani në Rimini kemi një kompeticion katërditor, që është si Champions League e ekipeve të minifutbollit amator. Para tri ditësh erdhi gjithë ekipi te klinika jonë, ku kreu testet mjekësore dhe realisht na bëri habi impenjimi maksimal që ky djalë ka për këtë skuadër.

Cilët janë VIP-at që frekuentojnë klinikën tuaj?

Nga vetë etiketimi VIP-a, do të ishte mirë t’i linim anonimë.

Me shërbimet tuaja si staf, sa sportistëve u keni shpëtuar sezonin apo edhe kontratën që kanë pasur me klubet?

Shumë lojtarë të Superiores, ngaqë kanë krijuar besim te ne, pavarësisht se ku bëjnë pjesë dhe rrotullohen rreth klinikave të ndryshme, përgjigjen përfundimtare për të hyrë në lojë, gjithmonë e marrin te ne. Kanë qenë shumë lojtarë që duke ndenjur një javë më shumë pushim, kanë shpëtuar sezonin pas këshillës që u kemi dhënë ne, ndonëse kishin rekomandim për të hyrë në fushë.

Sa i përket të ardhmes, do ta ruani këtë profil që keni tani apo mund t’ju shikojmë si pjesë e stafit mjekësor të ndonjë klubi?

Me ekipet e kam mbyllur. Nuk kam më interes, pasi nuk të ofrohet edhe ajo që të ofronin dikur. Përderisa gjithsecili bën zgjedhjen e vet si në dhënie e në marrje, atëherë edhe ne kemi vendosur që t’i ndihmojmë me çfarë kemi mundësi, por nga jashtë

. Keni qenë pjesë e Partizanit, Dinamos dhe Kukësit. Me kë është më i lidhur Perli Rusi si sportdashës?

I rritur te Parku i Autobusëve në Tiranë, tifoz jam me Partizanin, por që kam punuar më lirshëm dhe më qetë, kam qenë te Dinamo.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"