Speciale / “Autokritika publike” e një trajneri të madh: Loro Boriçi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2017 | 20:25

Speciale / “Autokritika publike” e një trajneri të madh: Loro Boriçi!

Nga BESNIK DIZDARI

Ky është shkrimi i dytë i këtij cikli mbas atij që i përkiste “revolucionit të Marjeta Pronjarit” në Kupën e 500-vjetorit të Skënderbeut të 50 vjetëve më parë.

Më pëlqeu që ta titulloja kështu pra: “Autokritika publike” e një trajneri të madh: Loro Boriçi! Ndonëse në thelb, shkrimi që po risjell këtu bashkangjitur është më tepër kritik se sa autokritik.

A duhej ribotuar ky shkrim i vitit 1967, me autor një trajner të Kombëtares?

gjermani shqiperi

Them se po. Qoftë edhe për të hedhur poshtë rrênën e madhe se humbja e Shqipërisë 6-0 më 1967 prej Gjermanisë, paska kaluar në heshtje. Por, edhe sepse është 50- vjetori i kësaj humbjeje – vijë demarkacioni për ecurinë e çrregullt historike të vet futbollit shqiptar, por dhe pikë vërtetësie mbi gjendjen e atëhershme dhe vetë cenimin e gjeopolitikës së futbollit shqiptar të periudhës.

Dhe po aq edhe për faktin unik (të vetëm), sepse ishte hera e parë që një trajner i Kombëtares mbas një humbje të pamëshirshme shndërrohet në gazetar. Madje, në analist, siç i thonë sot tash e parë, në komentator, në kronist. Them kronist, sepse Boriçi këtu na befason teksa bën një kronikë besnike të ndeshjes.

Çka i paraprin qysh në fillim kur thotë: “Lexuesit dhe sportdashësit dëshirojnë, me të drejtë, të njihen me zhvillimin e ndeshjes nga ata që e jetuan këtë takim… për t’u vënë në dijeni mbi atë që është bërë, në mënyrë që të metat të korrigjohen dhe që niveli i lojës të skuadrës sonë të përmirësohet”.

Kjo është vetë emblema e synimit të shkrimit të tij.

Kësisoj, shihet që në të vërtetë, shkrimi i tij është edhe i një problematike të thellë. Ndërkaq, është interesant se për përkim, sot jemi në vitin e 95-vjetorit të lindjes së Loro Boriçit, për të cilin një herë, para do kohëve, pata propozuar që prej sportit shqiptar ai vit të ishte “Viti i Loro Boriçit”…

Nuk prish punë. E përkujton çdo javë Shkodra me stadiumin kombëtar “Loro Boriçi”. Tjetër punë mandej kur dëgjon që stadiumi i ri i Tiranës do të merrka jo një emër njeriu të shquar, por një emër sendi “Arena”! Ndërsa bota bën referendume për emrat e objekteve publike…

Është shumë e çuditshme se si mbas asaj humbjeje çarmatosëse, të frikshme, të pamëshirshme, që kishte nervozuar tejet Regjimin, dikush, mbasi është bërë një analizë e egër, t’i ketë thënë Boriçit që të ulej e të bënte rolin e gazetarit. Dhe ai ka marrë lapsin e ka shkruar pa ndalë, ashtu siç e kishte zakon në shumë fletë, me një shkrim të madh, ku secila fletë nuk kishte më shumë se nja tri a katër fraza. Duket që kur ka shkruar ka pas një gjakftohtësi shembullore, teksa vërejmë se shkrimi ruan mendjen e ftohtë, por të kthjelltë të një autori të ditur, i cili i njeh problemet deri në qelizë.

Shkrimi pra është kritik fund e krye. Ajo që mungon, është kritika e kritikave: që autori doemos nuk guxon t’i sulet shtetit shqiptar, i cili për dy vjet me radhë ia kishte mbyllur dyert Kombëtares së Shqipërisë. Është vërtet e habitshme, madje arrogante, se si Shqipëria vinte te kjo ndeshje me gjermanët, pa luajtur asnjë tjetër për bukur dy vjet. Ndalesa kryeneçe ishte bërë mbas një ndeshje të rrallë: 24 nëntor 1965: Shqipëria-Irlanda e Veriut 1-1 për Kupën e Botës!

Dhe eliminim i një prej formacioneve më të fuqishme veriirlandezë në histori, me në krye yllin botëror George Best të Manchester Junaited. Për çudi, një vepër “shqiptare”! Një eliminim në të mirë të Zvicrës së të mirënjohurit Dr. Alfredo Foni, italiani i famshëm i cili në fillim të viteve ’40 kishte luajtur në Serinë A edhe përballë studentit 18-19-vjeçar nga Shqipëria, me emrin Loro Boriçi. Natyrisht pa menduar kurrsesi se një ditë ky djalosh me djemtë e skuadrës së tij mbi një tabaka “argjendi” do t’i blatonte biletën për t’ia çuar Zvicrën e tij në finalet e Kupës së Botës të Anglia ’66.

shqiperi gjermani

Ngjarja kishte bërë bujë në të gjithë Europën, teksa mû në këtë ditë nëntori ’65, Kombëtarja e Loro Boriçit ndalohet për bukur dy vjet. Dhe doemos 6-0 me Gjermaninë – Nënkampione e Botës. Një varfëri e tanë ndalimi e izolimi, çka e tregon edhe fakti se me gjermanët ishte vetëm ndeshja e 8-të e Shqipërisë për Kupën e Europës dhe të botës.

Për mirë (1-1 me veriirlandezët) dhe për të keq (0-6 me gjermanët) e vërteta është se Loro Boriçi ishte njeriu, i cili, qysh në agun e jetës së tij futbollistike, në njëfare mënyre konsiderohej si një trajner i të gjithëve. Në Lojërat Ballkanike 1946, ky Loro Boriç ishte trajneri mbrenda skuadrës. Pa dashur të zbeh assesi veprën madhështore të trajnerit të pankinës, Ljubisa Brocic. Këtë e pranonin të gjithë “ballkanasit” tonë kampionë.

Modest deri në skaj, Boriçi ishte po aq ishte i rreptë e kryefortë, për të mbrojtur të vërtetën e një ndeshjeje, fitore apo humbje qoftë.

Fëmijë 10-vjeçar, kujtoj ndërkaq, humbjen historike të Partizanit 4-1 me Punën e Shkodrës, më 4 korrik 1952, që i mënjanoi atij titullin e Kampionit për vetëm 1 pikë më pak nga Dinamo. Siç e kam treguar në librat e mi, nuk e harroj Loro Boriçin, i cili nuk pushonte duke u drejtuar me ashpërsi lojtarëve të Partizanit të tij, teksa ndodhesha as një metër larg tyre, në një tunel njerëzish ngjitur në hyrjen midis rrjetës rrethuese prej teli nga ku dilnin futbollistët.

Shumë vite më vonë, tash një gazetar, teksa rrija me te, ia kujtoja këtë ndeshje “tragjike” të Partizanit dhe sidomos ashpërsinë e fjalëve të tij ndaj bashkëlojtarëve. Boriçi duke vënë buzën në gaz më thoshte: “Ata patën frikë gjatë gjithë lojës, ndërsa unë luaja në fushën time të dikurshme dhe ndihesha si në shtëpinë time”.

Po aq nuk mund të harroj kritikën që iu bë mbas humbjes 2-1 për Turneun Olimpik më 1971 në Tiranë me Rumaninë e Tataur-t, Jordaneskut e Dinkucës. “Zëri i Popullit” e kishte kritikuar fort, duke i kërkuar përtëritjen dhe zëvendësimin e disa lojtarëve. E kam takuar në qendër të Tiranës të nesërmen e këtij sulmi. “Do t’i ndërrosh lojtarët Loro?”, – e pyes. “Unë jo, – tha me vendosmëri, – këta janë Kombëtarja e Shqipërisë.”

Dhe të përzgjedhurit e tij ishin këta lojtarë të mrekullueshëm për ne: Dinella, M.Gjika, Berisha, Kasmi, Cani, R.Rragami, Pernaska, Bizi, Pano, Zhega (Leshteni), A.Janku (Sejdini)… Ai nuk ka ndërruar askënd. “Këtij ne nuk mund t’i afrohemi kurrë. Ai mendon vetëm për futbollin”. Siç më thoshte një herë Refik Resmja i madh, teksa ecnim në Rrugën e Kavajës, e pak më larg po kalonte Loro Boriçi.

Ndoshta nuk mund të ishte plotësisht kështu, megjithatë, por Boriçi ishte Boriçi. I pakrahasueshëm! Them se i tillë ai është, edhe në këtë “autokritikën” e tij për 6-0 e Gjermanisë. Nuk është një shkrim stili. Është diçka krejt e thjeshtë, por fort e kuptueshme, kronikale e problematike, mendimtare e konkluzive, realiste, por jo pesimiste.

Nga ana tjetër, po ta lexosh me vëmendje, e sheh se kemi të bëjmë, ndonëse jo fort drejtpërdrejt, me një analizë të vetë gjendjes së Kombëtares së Shqipërisë ’67 – gjithnjë në raport me nënkampionen e botës. Them me bindje se, në thjeshtësinë dhe vërtetësinë e tij, ky lloj shkrimi është sot tepër i rrallë në gazetarinë tonë të sotme…

Edhe pse protagonist i një humbjeje dërmuese, autori ruan gjakftohtësinë dhe baraspeshën, si të thuash, pa iu frikësuar askujt, teksa me guxim më fort anon kah kritika se sa kah “autokritika”, çka doemos lidershipi që drejtonte Shqipërinë, e priste. Nuk ua ka falë, duke e pritur thuajse në një “humnerë” fatin e tij. Ata e kanë lënë të vazhdonte.

Loro Boriçit do t’i duheshin vetëm edhe më pak se 8 muaj për të mbërritur te sensacioni i tij botëror, te 0-0 me Gjermaninë e Helmuth Shënit – eliminim sensacional i saj në të mirë të Jugosllavisë së Titos. Edhe kjo vepër e “Shqipërisë”. Kësaj here, ai nuk do të merrte pendën për të shkruar. Nuk ishte punë e tij dhe as nuk ishte e nevojshme tashmâ. Shkëlqimi, për hir të së vërtetës, po shpërndahej te shumë të tjerë.

Qytetari fisnik i një kulture e diturie, Loro Boriçi, ecte pa bëza rrugëve qendrore të Tiranës, me cigaren në buzë, që nuk i shuhej kurrë. I qetë e modest, natyrisht pa menduar se edhe ky 0-0 që po mbërrinte, do ta izolonte përsëri Kombëtaren e tij për bukur gati nja 4 vjet të tjerë…

Por për këtë do të takohemi pak më vonë. Tash ju ftoj të lexoni “autokritikën publike” të një trajneri të madh: Loro Boriçi 1967.

Për kujtesë të Ciklit 1967: 1. 50 vjet më parë: “Revolucioni” i Marjeta Pronjarit” (Panorama Sport”, 15 prill 2017)

borici gazeta

RRETH NDESHJES SË EKIPIT TONË KOMBËTAR ME PËRFAQËSUESEN E RF GJERMANE

Me rezultatet e arritura në disa ndeshje ndërkombëtare, ekipi ynë përfaqësues kishte bërë që në ambientin tonë sportdashës (dhe në rrethin më të afërt të ekipit) të krijohej një farë sigurie në forcat tona dhe të mendohej se futbolli ynë kishte përvetësuar një mjeshtri të mjaftueshme që duhej për t’u bërë ballë edhe skuadrave të klasit botëror. Rezultati negativ 0-6 në ndeshjen me RF Gjermane për Kupën e Europës e vuri pak si në dyshim këtë siguri në opinionin tonë sportdashës.

Prandaj lexuesit dhe sportdashësit dëshirojnë, me të drejtë, të njihen me zhvillimin e ndeshjes nga ata që e jetuan këtë takim. Jam i sigurt se këtë dëshirë ata nuk e kanë me qëllim që të shprehin pakënaqësinë e tyre, por për t’u vënë në dijeni mbi ate që është bërë, në mënyrë që të metat të korigjohen dhe që niveli i lojës të skuadrës sonë të përmirësohet. Do të mundohem t’i ve në dijeni lexuesit mbi fazat kryesore të lojës, të rreshtoj të metat dhe të nxjerr konkluzionet për përmirësimin e gjendjes së ekipit. Këto po i tregoj tani, pas analizës që u bë me lojtarë e trajnerë.

X X X

Ndeshja u zhvillua në qytetin Dortmund, në prani të 35.000 spektatorëve. Koha ishte e mirë, terreni i lagur, i butë dhe me bar. Skuadrat aktivizuan këta lojtarë:

RP e Shqipërisë: Janku; Frashëri, Mema, Vaso; Ragami, Kazanxhi; Xhaçka, Hyka, Pano, Bizi, Ishka.

RF Gjrmane: Tilkovski; Pazke, Shulc, Veber; Hotges, Bekenbauer, Overat; Dorfel, Ulsas, Myler, Leohr.

Pak minuta pas fillimit të lojës, ekipi vendas fitoi të drejtën për të ekzekutuar një gjuajtje dënimi në vijën e zonës së rreptësisë përballë portës. Formohet “muri” dhe Bekenbaueri, pas një veprimi të maskuar, godet shtyllën pingule në të majtë të portjerit tonë. Pa këtij çasti Overati, Myleri dhe Bekenbaueri sulmojnë. Duke qenë në pozicion të avancuar në krahun e djathtë, Overati kroson para portës sonë, Mema tenton të bëjë goditjen, heziton, dhe këte çast e shfrytëzon Myleri, i cili e arrin me shpejtësi topin dhe nga 6-7 metra shënon golin e parë (minuta e 5-të).

Ky gol “i përmblodhi” pak lojtarët tanë, i nxiti që të kundërvepronin me disa zbritje, por pa rezultat. Pastaj kemi rastin e favorshëm për të barazuar: Xhaçka merr një pas nga Pano, futet në zonën e rreptësisë, dhe i krijon vetes një pozicion të përshtatshëm për gjuajtje. Goditja e tij nga 7-8 m. është aq e zbehtë, sa topi kalon para portës në drejtim të vijës fundore dhe largohet përfundimisht nga Patzke.

Minuta e 23-të. Myleri përfiton nga një lëmsh pëara portës, i shkë- putet Kazanxhiut, eviton ndërhyrjen e Memës dhe nga afër shënon golin e dytë. Pas shënimit të këtij goli, loja zhvillohet për disa minuta në mesin e fushës. Lojtarët tanë luajnë me rrjedhshmëri, me pasime që në disa çaste janë të qarta, veçse u mungon shpejtësia e ekzekutimit, e metë kjo që e lejon mbrojtjen kundërshtare të organizohet dhe të evitojë rreziqet.

Kazanxhiut i paraqitet një rast i favorshëm. Ai avancon, futet në zonën e rreptësisë dhe kur të gjithë presin goditjen përfundimtare, heziton dhe bën që Shulci të ndërhyjë shpejt dhe të largojë këte rrezik serioz për portën e vet. Disa minuta para mbarimit të pjesës së pare, Ishka kryen një goditje të fortë dhe e detyron portjerin vëndas të bëjë një pritje të bukur që duartrokitet.

Pjesa e dytë paraqet dy tabllo: deri në minutën e 25-të ekipi ynë është mjaft i mobilizuar dhe nuk ka të çara në repartet e tij, kurse në njëzet minutat e fundit kundërshtarët depërtojnë me rrezikshmëri e forcë.

Momenti vendimtar që do të sjellë më vonë dhe humbjen e rëndë të ekipit tonë vjen nga një gjuajtje dënimi indirekte, e dhënë brënda zonës së rreptësisë. Frashëri pasi qëndroi 2-3 minuta jashtë i dëmtuar, hyri në fushë pa lajmëruar arbitrin, i cili dha faull: Pasi bëhet “muri” para portës sonë, Bekenbaueri gjuan, e dërgon topin në drejtim të Mylerit, i cili nga 5 metra shënoi golin e tretë me një goditje të fortë me kokë (minuta e 73-të).

Me pësimin e këtij goli lojtarët tanë kaluan çaste pasigurie dhe kjo gjë i lejoi kundërshtarët që të vazhdonin sulmet, duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara në mbrojtjen tonë. Me anë të krosimeve dhe të veprimeve të shpejta, u shënuan edhe dy gola të tjerë: i katërti nga një ndërhyrje e menjëhershme dhe e pakontrolluar, e kryer në bashkëpunim nga Vaso e Mema, rreth 16 metra larg portës, që i dha mundësi Leohrit të bëjë një finte dhe të gjuajë, duke e gjetur në befasi Jankun (minuta e 77- të).

Goli i pestë shkaktohet nga një pasim në thellësi i Overatit në drejtim të Loehrit, i cili në vrapim e sipër, i ndjekur këmba këmbës nga Frashëri, gjuan nga një pozicion jo i favorshëm, por Janku e prek topin, që shkon e përplaset në shtyllë dhe pastaj futet në rrjetë (minuta e 78-të).

Goli i fundit shënohet në minutën e 85-të me penallti: ndërhyrja e Vasos mbi Dorfelin është pak a shumë e rregullt, por arbitri finlandez e vlerë- son si të rëndë dhe jep 11-shin. Myler gjuan fort dhe shënon golin e fundit.

gjermani shqiperi loje

X X X

Ekipi i RF Gjermane u paraqit kompakt. Pothuajse të gjithë repartet e tij ishin të lidhur mirë dhe ekzistonte një harmoni veprimi në sektorët e ndryshëm. Lojtarët vepruan shpejt me top e pa top dhe u treguan të vendosur për të ndërhyrë si në çastet finale në portën kundërshtare, ashtu edhe në çastet më kritike të krijuara për mbrojtjen e tyre. Ata zbatuan me përpikmëri principin e lojës: kur ti e ke topin, je sulmues dhe kur e ka topin kundërshtari, atëherë je mbrojtës.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes, skuadra jonë pati edhe periudha me lojë të një niveli të mirë. por unë do të ndalem këtu në ato anë që nuk ishin pozitive dhe do të kap ato që na duhen për të përmirësuar gjendjen e ekipit:

E para: Sistemi i mbrojtjes që kishte dhënë disa prova se ishte reparti më i sistemuar, në disa situata u çorientua nga loja e shpejtë e sulmuesve kundërshtarë. Duke e parë lojën nga jashtë, u konstatua një farë pasigurie tek lojtarët dhe kjo rridhte nga një besim jo i plotë në forcat e veta.

E dyta: Nga ana e mbrojtësve dhe lojtarëve të mesit të fushës nuk u bë me shpejtësinë e duhur mbëshetja e sulmit. Po kështu nuk u veprua me shpejtësi kalimi nga sulmi në mbrojtje.

E treta: Mungonte uniteti midis reparteve. Distanca midis tyre nuk ruhej gjithnjë drejt. Kio gjë shkaktonte që në disa periudha ekipi kundërshtar të kapte mesin e fushës. Ky është një element pozitiv për skuadrën e RF Gjermane që është parë edhe në ndeshje të tjera.

E katërta; Mbrojtësit tanë hezituan disa herë në zgjedhjen e çastit kur duhej luftuar nga afër dhe kur duhej kaluar në kontrollin e zonës, ndërsa lojtarët e mesit të fushës nuk vepruan gjithnjë mirë për t’u dhënë më tepër forcë aksioneve.

E pesta: Lojtarët tanë e vononin pasimin dhe e mbanin topin.

E gjashta: Pati çaste kur sulmuesit tanë nuk vepruan me vendosmëri kur topi kalonte në këmbët e mbrojtësit kundërshtar. Ata duhet ta kishin të qartë, një here e mirë, se pikërisht nga ata fillon mbrojtja e parë e skuadrës.

E shtata: Kishte raste kur sulmuesit tanë qëndronin në pozicionet e tyre në mënyrë statike, pa çmarkime të shpejta, ndërsa në çastet përfundimtare para portës kundërshtare mungoi ekzekutimi i shpejtë dhe sipas rastit, i pasimit ose i gjuajtjes.

Duke analizuar këte ndeshje, skuadrës sonë i dalin disa detyra mjaft të rëndësishme.

Ne nuk mund të themi se ekipi ynë nuk pati një pregatitje të mirë, por megjithate, u pa se përfundimi i aksioneve në portën kundërshtare, prishja e aksioneve të sulmuesve kundërshtarë etj. kërkojnë një pregatitje akoma më të lartë fizike speciale dhe atletike, pasi kjo ndihmon që ritmi dhe veprimet e tjera teknike e taktike në fushë të ruhen dhe të vazhdojnë gjatë tërë 90 minutave.

Lojtari ynë duhet të vazhdojë perfeksionimin e teknikës deri sa të arrijë në automatizimin e saj, pasi kjo gjë e ndihmon që të zgjidhë më lirisht situatat që i jep loja. Megjithate, duhet thënë se në ekipin tonë ekziston në një farë shkalle kjo lloj teknike, por veprimet me topin janë akoma të ngadalshme dhe se shpesh humbet edhe qëllimi i lojës: arritja shpejt dhe në mënyrë të frutëshme drejt portës kundërshtare. Pra, përdorimi i një teknike të tillë të ngadalshme nuk është më i kohës. Teknika duhet të jetë e thjeshtë dhe të vihet në dobi të kolektivit.

Në ekipet tona dhe në ekipin kombëtar janë përdorur dhe përdoren edhe skemat 4-2-4 e 4-3-3. Skemat vihen në përdorim, por përpjekjet për të formuar lojtarë që t’i zbatojnë drejt nuk janë në lartësinë e duhur. Pra në punën tonë duhet të mundohemi të përgatitim lojtarë të tillë, që kur dalin në fushë, të jenë të aftë për t’i dhënë lojës karakter sulmues, sepse kjo është detyra kryesore dhe se kështu do të kemi një futboll më të bukur. Por kjo nuk do të thotë se këto skema, në çaste të caktuara, të vlejnë dhe të kenë karakter mbrojtës.

Duhet thënë se lojtarët tanë ishin të pregatitur nga ana morale dhe e dëshirës për të luftuar. Mirëpo, duke parë veprimet e tyre në fushë, nxjerrim konkluzionin që në këte drejtim, kërkohet një punë akoma më e madhe, pasi kjo është një armë që kur e ka skuadra e ndihmon, kur nuk e ka e dobëson.

Në çastet vendimtare, kur duhej të tregoheshim më të fortë, anët morale u zbenë dhe ndikuan në rezultatin e ndeshjes. Mendoj se këto konstatime do të na vlejnë ne, trajnerëve, ashtu edhe lojtarëve që ta përmirësojmë gjendjen e ekipit dhe ta çojmë përpara futbollin tonë.

LORO BORIÇI,
trajner i ekipit kombëtar

* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"