Apolonia-Tirana, arbitri: Si më “helmuan” që të fitonin fierakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2019 | 13:01

Apolonia-Tirana, arbitri: Si më “helmuan” që të fitonin fierakët

UVIL ZAJMI

Një cikël me arbitrat pro tagonistë. Momente, ndeshje e vendimmarrje, ku vërshëllimat, sinjalet e tyre kanë ndryshuar fatin dhe rezultatin e 90 minutave, duke mbetur gjatë në memorien sportive. Nga arbitri Isufi i Apolonia-Tirana 2-1 te sulmuesi kavajas, Kazazi, me golin e realizuar në finalen e bujshme të Kupës, Vllaznia-Besa, por të anuluar nga gjyqtari. Për të vijuar me goditjen spektakolare nga mesfusha të Muçës në derbi dhe vendimi i asistentit Ndreka për ta konsideruar të pavlefshëm. Përsëritja e takimit Partizani-Vllaznia, kur Edi Martini u ndodh në fushë dhe kur Pano barazoi.

ast

“Gjyqi” financiar i arbitrave të futbollit për një biletë treni, etj. Situata të lidhura me kohë e rrethana të ndryshme, që sot nuk mund të gjykohen si atëherë. Madje, të treguara në rrëfime të jashtëzakonshme, të rralla për “Panorama Sport”, nga vetë ata, arbitra, asistentë, futbollistë, drejtues, gazetarë të pranishëm në ato sfida. Në një cikël, ku midis shumë rubrikave të publikuara në dekada dedikuar arbitrave, kryesisht në gazetën “Sporti”, kemi zgjedhur atë që na u duk më e rëndësishme dhe që i përshtatet temës sonë, të cilën do ta titulloja: “Kur kanë gabuar e nuk kanë gabuar arbitrat” (“Kur gabojnë e nuk gabojnë arbitrat”, origjinali). Sigurisht, edhe me idenë e mesazhin e rëndësishëm “Për të rizgjuar e kujtuar të harruarat e të humburat” jo vetëm për ne, por edhe brezat që do të vijnë. E mbi të gjitha, asnjëherë për “analiza e gjyqe” me akuza e fajtorë!

Rikthim te koha e dhunës… Kjo është historia e një ndeshjeje që nis nga fletët e një ditari. Nuk ka lidhje me ndeshjen dhe mbarëvajtjen e saj, sepse nuk u drejtua nga arbitri i caktuar. Jemi në një periudhë pas 97-ës me situata të vështira, të  tensionura, agresive e jonormale për të zhvilluar një ndeshje futbolli. Atëherë kur gjithçka mund të ndodhte në fushë e jashtë saj. Mbizotëron faktori dhunë dhe ligjin e bëjnë të fortët e fushave vendëse. E tillë është ajo e treguar nga shkodrani Isufi, asistenti lezhjan Pjetrushi, Sulejam Mema, shef i klubit “Tirana” në një ngjarje jo të zakontë të asaj kohe.

Duke hapur fletët e një ditari E ka të shkruar në ditarin e tij, një ditar unik edhe nga fakti se është mbajtur me kujdes nga një arbitër futbolli. Diçka e rrallë pasi nuk e kam ndeshur më parë. Ndeshje, arbitra, asistentë, vëzhgues, dhe pak komente gjatë një karriere të nisur nga viti i largët 1977. Astrit Isufi, nga Kolegjiumi me traditë i Shkodrës, për shumë vite ka qenë arbitër i elitës, protagonist në mjaft ndeshje, nga ato më të rëndësishmet në Kategorinë e Parë, të Dytë, tek ajo kur ka drejtuar takimin e parë historik-miqësor midis politikanëve shqiptarë dhe atyre italianë luajtur në “Qemal Stafa”. Por, jo vetëm. Sfida që pasqyrohen bukur në ditarin e tij të shoqëruar me ndeshje, arbitra, asistentë, vëzhgues dhe pak komente, detaje gjatë një karriere të nisur nga viti i largët 1977, etj. I ndodhur në Shkodër për motive pune, nisur nga miqësia e vjetër me të, një djalë mjaft i sjellshëm, korrekt, i edukuar, më pëlqen të takohem e të sa herë ndodhem në qytetin ku kam një pjesë të madhe të adoleshencës sime. Por, edhe për të kujtuar kohën kur arbitronim bashkë, pastaj unë në federatë me arbitrat, ai në fushë me bilbil e më pas vëzhgues. Ndërsa më tregonte e fliste për ditarin, duke më rikthyer emocionalisht në mjaft momente edhe të harruara nga koha, ai u ndal te një faqe ku lexohej: Fier, e diel 22 prill 2000. Ndeshja Apolonia-SK Tirana (2-1), për Ka mpionatin Kombëtar, Kategoria e Parë. Kishte shënuar asistentët, vëzhguesin, arbitrin e katërt, madje edhe zëvendësin e tij. Por jo rezultatin dhe asnjë koment tjetër, ndryshe nga takimet e tjera që janë në ditar. “Nuk dua ta kujtoj atë takim për atë çfarë ngjau, aq më shumë ta lë të shkruar, pasi ende sot ndiej dhe e kam një nga momentet më të vështira të karrierës. Kam një shije e hidhur që nuk më hiqet edhe sot”, më thotë. Për një çast u ndala dhe menjëherë m’u kujtua ajo ndeshje. Historia e asaj sfide shkon përtej imagjinatës, por ishte “normale” për periudhën kur ende luhej futboll, për fusha e terrene shoqëruar me dhunë, presion dhe armë. Ajo ndeshje që nuk u arbitrua nga Isufi, ndonëse ishte caktuar ai për ta drejtuar. Dhe pas më shumë se 20 vitesh, së bashku vendosëm t’i rikthehemi asaj ndeshjeje, sigurisht parë tani e gjykuar nga një këndvështrim tjetër. Në një tregim rrëqethës, nga caktimi, nisja, ndalimi i detyruar në rrugë nga disa persona, e bashkë me ta një inspektor rrugor, ish-arbitër futbolli. Pastaj shtrimi në spital, ikja fshehurazi nga urgjenca për në postën e qytetit për të njoftuar familjen dhe kthimi në mesnatë në Shkodër. Si e mbajtën sekret pa ia treguar askujt, skenat, dhunën ndaj asistentit, atë çfarë u kishte ngjarë në kthesat e fshatit Frakull.

Astrit, nuk ju vjen keq t’i rikthemi atij takimi apo jo? Jo, aspak. Ma besoni, edhe tani pas kaq vitesh, më ka mbetur një ëndërr jo e bukur, madje e hidhur. Kujtoj se nga Komisioni TeknikoGjykues u caktova arbitër kryesor në këtë takim të rëndësishëm. Asistentë kam pasur Ridvan Krajën nga Shkodra dhe Engjëll Pjetrushin nga Kolegjiumi i Lezhës. Arbitër i katërt ishte caktuar Enver Meçe nga Vlora. Vëzhgues Esat Dollia nga Kavaja, një burrë i nderuar, korrekt e serioz. Ndeshja ishte e Shkallës së Lartë të Vështirësisë, pasi SK Tirana kryesonte, ndërsa Apolonia rrezikonte rënien në Kategorinë e Dytë.

Kur u nisët drejt Fierit? U nisa nga Shkodra të dielën paradite. Ashtu udhëtonim në ato vite, brenda ditës, as që bëhej fjalë për të fjetur një natë më parë në qytetet ku do të arbitroje. Përfundonim ndeshjen dhe largoheshim sa më shpejt. Rrugës kemi ndaluar në Lushnjë për drekë, duke ngrënë diçka të shpejtë. Pastaj u nisëm për në Fier, për të qenë në stadium 2 orë para fillimit të takimit. Kujtoj se disa kilometra para hyrjes në Fier, te kthesa në Frakull, nëse nuk gaboj, na dalin para disa persona dhe kërkojnë me insistim të ndalojmë, madje për një çast, ndërsa po drejtoja me automjetin tim “Passat” kam devijuar, duke shmangur një aksident të mundshëm.

astrit isufi

I njihnit ata dhe a e kuptuat qëllimin që kishin?

Në atë fillim jo, vetëm policin rrugor që ishte me ta, një ish-arbitër futbolli, inspektor qarkullimi në atë zonë, të cilin e kishin detyruar të dilte në rrugë, duke kontrolluar  makinat, kryesisht për ne. Pa ditur se për çfarë bëhej fjalë, ndaluam. Ata m’u afruan te xhami dhe me kërkuan se donin të bisedonin personalisht me mua. E kuptova se bëhej fjalë për ndeshjen. Në këtë moment nga makina dolën edhe dy asistentët. “Jo na duhesh vetëm ti”, më thanë. Mbaj mend se i ngrinin xhaketat duke demonstruar që unë të shihja se ishin me armë. Pra, nuk kishte shkelje trafiku apo ndonjë gabim tjetër rrugor.

Çfarë ju kërkuan?

“Ju jeni Astrit Isufi?” – më pyetën. “Po”, – u them. Njërin e kuptova se ishte përfaqësues i klubit, e kisha parë edhe në të tjera ndeshje që kisha drejtuar në Fier. “Na i merr përsipër ndeshjen, duam që të fitojë Fieri”, më thanë. “Jo – u përgjigja, – nuk mund ta bëj”. Ata ngulën këmbë. “Apolonia me patjetër duhet të fitojë”, më thanë prerë dhe ashpër. Unë i refuzova në mënyrë kategorike dhe ngula këmbë që nuk e bëj dot. “Mirë atëherë, – më thanë, – na i lër se e zgjidhim ne. Ti do të bësh si e sëmurë”, dhe u larguan. Nuk e dija çfarë kishin në plan.

Si gjykuat në atë moment?

“Dakord”, u them për t’i shpëtuar situatës, kur pas një debati të shpejtë ata goditën me pëllëmbë në fytyrë njërin nga asistentët. Të ktheheshim e të braktisnim ndeshjen nuk bëhej fjalë. Të informoja, ishte e pamundur për mungesë të mjeteve të shpejta të komunikimit, por edhe kjo nuk ishte zgjidhje, sepse do alarmonte federatën, tifozët, familjarët, etj. E vendosa që përfundimisht të mos e gjykoja takimin me presionin dhe kushtin që më vunë ata. Por edhe nga ana psikologjike, ishte e pamundur. Duhej, pra, të improvizoja rolin e të “sëmurit”. Më vinte zor nga vetja, kurrë nuk e kisha menduar më parë se do të ndodhesha i detyruar forcërisht në një situatë të tillë fyese. Kush mund të fliste e t’i kërkonte llogari dikujt në atë kohë?

Cila ishte zgjidhja dhe si vepruat?

Shkuam në stadium, i gjetëm aty. U shtriva në dhomën e zhveshjes, si i helmuar. Takuam vëzhguesin, i cili nuk dinte asgjë, pasi ne nuk i treguam çfarë na kishte ndodhur askujt, as policisë, as atij. U njoftuan drejtuesit e klubeve, që arbitri është i sëmurë, nuk mundet dhe takimin do e drejtojë arbitri i katërt, që i caktuar nga federata ishte Enver Meçe nga Vlora. Në vendin e tij do të qëndronte Zhdanov Tartari, arbitër nga Fieri, që edhe ky nuk kishte asnjë informacion dhe u ndodh rastësisht në stadium.

Pati reagim nga skuadrat e drejtues?

Nga ata të Apolonisë, jo. Them se duhet të dinin minimalisht se ndeshjen do e drejtonte i katërti dhe jo unë. Ndërsa ata të 17 Nëntorit u shfaqën mosbesues. Më vonë jam informuar se ata kishin kuptuar diçka, pasi në kohën kur ne po debatonim në rrugë, kishte kaluar Sulejman Mema, shefi i klubit që e kishte parë skenën, por pa e ditur në brendësi problemin. Siç thashë, as vëzhguesi nuk dinte gjë, i interesuar më shumë për shëndetin dhe gjendjen time.

Dhe përfunduat në spital…?

Për ta bërë sa më të besueshme që isha i “helmuar”, u detyruam të shkojmë në spital. Me makinën time, bashkë me arbitrat dhe vëzhguesin që më shoqëruan. Më lanë në urgjencë, që me siguri dhe mjeku aty e dinte motivin, se askush nuk u kujdes për mua. Kujtoj kapitenin e 17 Nëntorit, Nevil Dede, si dhe trajnerin Muça, Memën, që edhe pse kishin dijeni, u treguan të kujdesshëm për të mos acaruar situatat në dhomat e zhveshjes, korridoret e stadiumit.

90 minuta, që transmetoheshin në radio, si reagoi familja?

Ata janë habitur dhe shqetësuar kur nga radio dëgjuan se nuk gjykon Astrit Isufi dhe se i sëmurë ndodhet në spital. Nuk kishte mjete komunikimi si sot dhe i pati pushtuar ankth i madh. Kur filloi loja, jam larguar nga urgjenca, shkova në postë, nga ku i mora në telefon, u thashë se isha shëndosh e mirë dhe u tregova shkurtimisht si qëndronte puna. Sigurisht që u qetësuan. Pastaj u ktheva sërish në urgjencë si i sëmurë ku do vinin të më merrnin pas ndeshjes.

Pati reagim nga FSHF-ja?

Jo. Sigurisht, ata janë njoftuar për të vërtetën të nesërmen kujtoj. Ndeshja nuk pati probleme dhe u konsiderua e mbyllur edhe nga klubi i 17 Nëntorit. Ishte normale që një arbitër i sëmurë të zëvendësohej nga i katërti, por jo në atë mënyrë. Por, duke njohur karakterin, korrektesën time, edhe pse u gjet një zgjidhje aspak normale e morale, Komisioni i Disiplinës dhe ai Tekniko-Gjykues nuk reaguan, kur u njohën për çfarë kishte ndodhur jashtë saj. Jemi ende në vitet e luftës, ndeshjeve të vështira, të rrezikshme të pakontrolluara. Një polici që nuk reagonte, kur arbitra e lojtarë ishin nën presion dhe në fushat vendëse komandonin ende të fortët.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"