Apolonia sfidonte Okserin në Europë, Sotiraq Tegu: Si më hoqën foton në aeroport

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 19, 2020 | 22:31


Apolonia sfidonte Okserin në Europë, Sotiraq Tegu: Si më hoqën foton në aeroport

Është një nga ikonat e Apolonisë së viteve ’80-’90, një nga emblemat e atij brezi të artë futbollistësh të asokohe. Ndonëse në kapërcyellin e të 65-ave, Sotiraq Tegu ka të njëjtën staturë si atëherë kur shkelte barin e stadiumit “Loni Papuçiu”: shtatlartë, trupdrejtë, plot finesë dhe elegancë, duket se i mungon vetëm fanella me numrin 5 për të zbritur sërish në fushë. E vetmja “dëshmi tradhtare” janë flokët e tij, tanimë “të bronztë”, që sinkronojnë me çiltërsinë dhe modestinë e tejskajshme të këtij njeriu. Përmidis SHBA-ve (ku jeton familjarisht prej 20 vjetësh) dhe Shqipërisë, pas një harrese të kaqkohshme mediatike, Sotiraq Tegu është personazhi ynë, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, për retrospektivën e tij sportive – “identiteti” i tij – e gjer në aktuale. o['oi

I përpiktë gati “kronometrik” në orarin e përcaktuar për intervistën në fjalë, na fton në tavolinën e tij në katin e dytë të një lokali në Fier. Dhe, ndonëse është takimi i parë me këtë personalitet të futbollit fierak dhe më gjerë, Tegu të krijon asisoj afiniteti, a thua të një njohjeje prej vitesh. Ekspres i shkurtër dhe bisedë e gjatë, ku koha ikën pa kuptuar në “rravgimin” e kujtimeve gjer në nostalgji të Sotiraq Tegut.

Cilat janë fillesat tuaja në këtë sport?

Shumë herët… Qysh në klasat e ciklit të ulët. Si te çdo fëmijë, futbolli nis nga rrugicat dhe fushat e improvizuara të lagjes. Fillesat i kam në qytetin tim të lindjes, në Lushnjë, për të vijuar pastaj në Fier, ku jam zhvendosur kur kam qenë në vit të parë të shkollës së mesme, aty ku aktiviteti im sportiv fitoi progres dhe vijimësi.

Çfarë është futbolli për Sotiraq Tegun? 

Gjithçka! Është pasioni im, adrenalina ime, gjaku im në vena, është jeta ime. E kam nisur këtë sport qysh në moshën 10 vjeç dhe kam qenë aktiv gjer në moshën 40-vjeçare, duke llogaritur këtu edhe kohën si trajner. Largimi nga Shqipëria më shkëputi nga kontakti direkt me futbollin, por aspak nga interesi dhe pasioni. Ndjek me vëmendje thuajse çdo eveniment futbollistik anembanë globit, duke mbajtur dhe statistika të detajuara.

 Apolonia dje dhe sot; futbolli sot dhe dje (ai i kohës suaj). Cili është kontrasti sipas Sotiraq Tegut? 

Dikur luanim për pasion, pa asfare interes, duke sakrifikuar shumë nga vetja, mes vështirësive të shtrira në të gjitha drejtimet, ndërsa sot futbolli është bërë më tepër pragmatist dhe komercial. Ka avancuar në teknologji, infrastrukturë, metodikë, por futbolli “ynë” ka qenë më i sakrificës, cilësor dhe më i sinqertë në fushë.
yyk

Ndaj asokohe çdo stadium në Shqipëri mbushej plot. Këtë analizë nuk e kam për Apoloninë, por për futbollin shqiptar në tërësi, që është përfshirë nga kësilloj sindrome pas viteve ’90. Dikur në Fier, në kohën tonë, biletat për ndeshjen e së dielës “avullonin” qysh ditën e enjte dhe stadiumi mbushej plot 2 orë përpara se të fillonte takimi. Dhe jo vetëm në futboll, por edhe në basketboll apo volejboll, ku gjithçka gumëzhinte nga sportdashësit që mbushnin shkallët e pallatit të sportit apo dhe stadiumit. E solla këtë shembull jo thjesht për të treguar shpirtin sportdashës të qytetarëve fierakë, por edhe si një stad krahasues për pyetjen tuaj. Dhe kështu ndodh në të gjithë Shqipërinë sot, me përjashtime të rralla mbase.

Le të kthehemi në nostalgjinë e “simbiozës” Tegu-Apolonia… Tegu, një qendërmbrojtës i frikshëm për çdo sulmues në atë kohë. Gjithsesi, cili ka qenë kundërshtari më i vështirë në markim për ju në Kategorinë e Parë (Superiorja sot)?

Koha kur u ngjitëm ne në elitë, mund të quhej ndër vitet më kulmore të futbollit shqiptar. Për parantezë, ju kujtoj ecurinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, në një hapësirë të shkurtër kohore. Shpresat e Shqipërisë (U-21) u shpallën kampionë të Ballkanit në 1978-ën dhe 1981-shin dhe mes 8 ekipeve më të mira të Europës në 1983-shin. Ndërkohë, në 1984-ën, në eliminatoret për Botërorin e 1986-ës, Shqipëria barazoi 2-2 në Mielec me Poloninë dhe fitoi 2-0 me Belgjikën, skuadër që atë kohë drejtohej nga i famshmi Gi Tis, pa harruar befasinë e Flamurtarit në Europë dhe dy barazimet me katalanasit: 0-0 në Barcelonë dhe 1- 1 në Vlorë.

E bëra këtë retrospektivë për t’ju thënë se ishte një periudhë ku futbolli ynë pati rritje jo vetëm në stadin e kampionatit, ndaj dhe ka pasur lojtarë shumë cilësorë në çdo repart. Dhe Apolonia ishte jo vetëm dinjitoze, por e barabartë dhe sfiduese dhe ndaj ekipeve më të mira, duke u rreshtuar mes skuadrave tradicionalisht të forta të Kategorisë së Parë. Sa i përket sulmuesit më të vështirë në markim, nuk hezitoj aspak në zgjedhje: ai ka qenë Sokol Kushta, cilësi që ai i ka dëshmuar edhe në arenën ndërkombëtare në përfaqësimet me Flamurtarin apo dhe me ekipin kombëtar, një sulmues me aftësi të rralla në lojë dhe në finalizim.

Një karrierë e konsiderueshme si juaja, pa dyshim që ruan në memorie mbresa të shumta. A mund të sillni ndonjë episod mbresëlënës për kënaqësinë e lexuesit tonë? 

Janë të shumta, si në kahun pozitiv, ashtu dhe negativ. Sot, disa prej tyre marrin paksa edhe sens humori, duke pasur parasysh edhe kontekstin kohor, ideologjinë e atij sistemi. Do t’ia nis nga viti 1986, java e parë e kampionatit dhe ne luanim në Kavajë kundër Besës së sapongjitur në Kategorinë e Parë. Fitojmë 1-0 me gol të të përhershmit Kujtim Majaci, por pati trazira në Kavajë, për shkak të përplasjes mes tifozërive dhe ne na dënuan me 6 pikë, e barabartë me 3 fitore (sistemi i fitores dypikëshe). Mbaj mend që ish-Sekretari i Parë i Partisë për Durrësin, Muho Asllani, ka ardhur pas ndeshjes në dhomat e zhveshjes dhe ka filluar të na bërtasë.
AP

Unë kam qenë kapiten i ekipit dhe i kam thënë me qetësi se nuk ishte faji ynë për atë që ndodhte jashtë fushe, por na dënuan. Vlen ky episod edhe për faktin se tifozët tanë qenë veshur thuajse të gjithë me këmisha si të Majacit. Një tjetër rast i pakëndshëm, këtë herë më ka ndodhur mua, ka qenë një ndeshje në Pukë, kur luanim në Kategorinë e Dytë (Kategoria e Parë sot). Përpara ndeshjes, një tifoz pukjan më godet me send të fortë dhe më dëmton, duke bërë që unë të mos luaj në atë takim. Kur u kthyem në Fier, më kërkuan që unë të bëja denoncim për personin në fjalë, por unë e lashë me aq. Më vonë, ai person më ka takuar dhe më ka falënderuar, duke më quajtur edhe mik. Por një nga kulmet e kënaqësisë ka qenë pa as më të voglin dyshim ngjitja në Kategorinë e Parë, ku lamë gjurmë të menjëhershme dhe Majaci theu rekordin disavjeçar të Ilir Përnaskës, duke shënuar sa askush tjetër gjer në atë kohë, plot 20 gola, qysh në pjesëmarrjen e parë në kampionatin elitar shqiptar.

Pjesëmarrja në Kupën UEFA ka qenë pika kulmore e brezit tuaj… Ka ndonjë element pikant nga këto takime?

Sa mirë që ma sollët ndër mend! Ka qenë viti 1989, ku jemi ndeshur në Kupën UEFA me një nga ekipet më të mira franceze të kohës, Okserin, ku bënin pjesë lojtarë të kalibrit botëror, si: Martini, Boli, Guerriero, Shifo, Vahirua, Kovaç etj. Ne bëmë një udhëtim rraskapitës, u nisëm nga Rinasi në orën 14, një ditë përpara ndeshjes dhe mbërritëm në Paris në mesnatë, pastaj në Okser në orën 3 të mëngjesit. Gazetat franceze madje shkruan asokohe pse ekipi shqiptar nuk kreu stërvitje përpara ndeshjes, siç tradicionalisht ndodhte, po ku të na e dinin hallin neve. Luanim për herë të parë nën dritën e projektorëve dhe as që mund të orientoheshim.. Një gazetë franceze, krahas komentit, kishte përdorur si foto ilustruese një moment kur unë kisha bërë një roveshatë gjatë ndeshjes. Unë e preva atë foto dhe e mora me vete, për ta pasur si kujtim nga një ndeshje e veçantë.
;jk

Në Rinas, gjatë kontrollit, ma gjejnë edhe atë copëz të prerë gazete dhe “ma sekuestrojnë”. Dhe, a e dini pse? Sepse në anën tjetër kishte foto erotike të rubrikës “Gossip” dhe diçka e tillë, sipas frymës së kohës, ishte rreptësisht e ndaluar për t’u futur në Shqipërinë tonë, edhe pse unë u përpoqa dëshpërimisht duke u thënë: “Shkarraviteni, nxijeni me bojë atë pjesën mbrapa, por ma jepni, sepse e kam thjesht një kujtim nga ndeshja!” As që bëhej fjalë! Trajner i Okserit ishte i madhi Gi Ru, me përvojë mbi 35 vjet në krye të kësaj skuadre. Unë kisha almanakun e futbollit italian, gjerman dhe anglez dhe isha i interesuar që të kisha edhe almanakun e futbollit francez. Dhe këtë ia kërkova pikërisht trajnerit Gi Ru, i cili ma ka sjellë kur erdhi në ndeshjen e kthimit në Vlorë.

Gjatë viteve 1984-’86, jeni grumbulluar me ekipin kombëtar, por zyrtarisht nuk keni luajtur asnjë ndeshje… 

Ka qenë trajneri Loro Boriçi ai që më ka tërhequr te Kombëtarja. Zhvillohej Spartakiada e Ushtrisë dhe ai më grumbulloi menjëherë. Zhvilluam një ndeshje kundër të rinjve të Kosovës, ku aktivizohej edhe Fadil dhe unë kam luajtur bashkë me Safet Berishën në dyshen e qendrës. Më pas kam qenë i grumbulluar edhe në ndeshje të tjera, si në Bullgari, por nuk jam aktivizuar. Me ardhjen në krye të Kombëtares të trajnerit Zyber Konçi, nuk më grumbulluan më.

Në fakt, ka qenë paksa e vështirë, në mos po shumë e vështirë për t’u bërë pjesë e Kombëtares përpara viteve ’90-të… 

Po, është e vërtetë, sepse kemi historikun e Kombëtares dhe gjithçka është e bazuar në fakte. Shumë e vështirë që një futbollist nga ekipet e rretheve të përfaqësonte ngjyrat e kombit. Ishte gati një shpërfillje. Ka pasur lojtarë të talentuar në çdo ekip, pa kaluar në emra të veçantë, por gjeje në Berat, Korçë, Kavajë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier, Shkodër, kudo. Por, nëse nuk luaje me ekipet e Tiranës, “portat” ishin pothuajse të izoluara. Bënte përjashtim Vllaznia, së cilës i përfshinin 2- 3 lojtarë, kur shkodranët kishin talente pafundësisht të denja për Kombëtaren, ndërsa vlonjatët u përfshinë pas suksesit të arritur në Europë, pasi gjeratëherë, edhe ata patën cilësimin “lojtarë rrethesh”. Imagjinoni një talent i rrallë si Kujtim Majaci, vetëm 3 ndeshje, as të plota madje, është aktivizuar me Kombëtaren.iyut

Do të shtoja dhe një episod nga ajo që më ka thënë miku im Roland Luçi, ish-sulmuesi i njohur shkodran, teksa ndodheshim bashkërisht të grumbulluar në Kombëtaren e Loro Boriçit. “Tegu, bëre mirë që do vish te Dinamo, pasi do ta kesh më të lehtë”. Kërkohesha nga Dinamo, por nuk më lejuan. Pak kohë më parë qe larguar Feim Breca drejt Partizanit dhe nuk mund të lejonin edhe një largim tjetër drejt Tiranës.

Si ju duket Apolonia sot dhe çfarë këshille do t’u jepnit lojtarëve të kësaj skuadre? 

E kam parë në 3-4 ndeshje gjatë kësaj kohe që jam ndodhur këtu, por më duhet të them se u mungon një lider mirëfilli, ai, njeriu që di ta udhëheqë skuadrën në çdo situatë. Janë ekip i ri dhe me dëshirë, ndoshta duan edhe kohën e vet, kanë perspektivë, por u duhet shumë punë. Këshilla ime? Ta duan dhe ta ndiejnë fort peshën e rëndë të Apolonisë, një skuadër që meriton të jetë stabël në Superiore. Dhe, nëse lojtarët çdo periudhë, do ta ndiejnë këtë përgjegjësi, atëherë Apolonia nuk do të bëjë udhëtimin vajtje-ardhje nga Superiorja në Kategorinë e parë, siç ka ndodhur rëndom në kaq vite.

BUJAR RAMA




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com