SPECIALE/ “Alieni” Ronaldo, ja gjeografia e 700 golave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 22:58

SPECIALE/ “Alieni” Ronaldo, ja gjeografia e 700 golave

Edhe pse ky gol jubilar erdhi në një mbrëmje jo shumë të lumtur për kombëtaren e tij, duke qenë se Portugalia humbi, Kristiano Ronaldo gjithsesi konfirmohet një përbindësh në zonën rivale, duke qenë se 14 tetori 2019 do të jetë një datë që nuk do të harrohet lehtë.

ronaldo 700

Ylli luzitan vazhdon të thyejë rekord pas rekordi dhe ndoshta siç e tha ai vetë, nuk është ai që i ndjek ato, por e kundërta. Kurrikulumi i sulmuesit të Juventusit flet shumë qartë, me shifra të frikshme, sepse nëse ai me përfaqësuesen ishte i 95-ti në karrierë dhe ka madje ende shumë të tjerë për të festuar, golat e tjerë janë të shpërndarë në 32 me bluzën aktuale të Juves, 450 me atë të Realit të Madridit, 118 me Mançester Junajtid dhe 5 me Sportingun e Lisbonës.

VIKTIMAT – Nëse analizojmë golat, skuadra së cilës Ronaldo i ka realizuar më shumë në karrierë është Sevija (27 gola), por edhe Atletiko e Madridit (25), Getafe (23), Selta Vigo (20) dhe Barcelona (18 herë) janë bombarduar nga silurët e lëshuar nga 34-vjeçari iberikas. Por nëse Kristiano është etiketuar si një bomber i frikshëm, nuk lidhet vetëm me nuhatjen e tij të golit, por edhe me faktin se ai është thjesht një futbollist universal, nga një tjetër planet, pasi arrin që të realizojë në çdo formë të mundshme.

ronaldo 700 gola

E përkthyer ndryshe do të thotë në 442 gola me këmbën e djathtë, e cila është edhe e preferuara e tij; 129 me të majtën; 127 herë ka goditur me kokë; 2 herë me pjesët e tjera të trupit. Për më shumë, në 595 raste ka shënuar nga brenda zonës, 105 herë nga jashtë zone, 55 herë me goditje dënimi dhe është treguar i saktë 113 herë nga pika e penalltisë.

ZOT I CHAMPIONS-it – Kristiano Ronaldo është gjithashtu “Zoti” i Champions-it, pasi këtë kompeticion e ka festuar jo vetëm 5 herë, duke synuar rekordin e madrilenit Xhento (me 6 trofe), por gjithmonë ka ditur që të lërë gjurmën e tij, sepse jo më kot ai është edhe rekordmeni i golave në këtë kompeticion me 127 realizime, duke lënë prapa rivalin e përjetshëm, Lionel Mesin me 112 gola.

Ndërkohë, pas arritjes së kuotës 700, Ronaldo sheh përpara dy objektiva të arritshëm: legjendën gjermane Gerd Myler me 729 gola në karrierë dhe iranianin Ali Daei që me 109 në kombëtare ruan prej vitesh një rekord absolut me bluzën e vendit të tij.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"