80 vite Pele, historia e “Mbretit të Futbollit”. Lindi në një kasolle, por pushtoi shpejt botën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Tetor 25, 2020 | 17:20


80 vite Pele, historia e “Mbretit të Futbollit”. Lindi në një kasolle, por pushtoi shpejt botën

JETON STAMOLLA

“Është e vështirë t’u bësh homazhe per sonave fantastikë, sepse nuk di nga t’ia nisësh”. Kjo frazë i përket shkrimtarit zviceran Joel Diker, por i përshtatet më së miri një burri si Pele. Ta nisim nga golat e shënuar? Nga titujt e fituar? Apo ta nisim nga legjendat që thjesht i vijnë anash? Më mirë le ta nisim me faktin aktual: dje festoi 80-vjetorin e tij. Moshën e tregon paksa, por jo dhe aq shumë, ndonëse ky numër për të mund të vlejë më tepër si një medalje, më shumë se çdo gjë tjetër Pele është futbolli! Një konstatim i shkurtër, por vështirë i kundërshtueshëm… Sepse dinte të bënte gjithçka… Përdorte këmbët si Benvenuto Çelini daltën; si Xhimi Hendriks kitarën apo edhe si Aladini përdorte llambën. E majta apo e djathta, pak diferenca kishte… Goditje dënimi apo penallti, me të njëjtin klas dhe pa asnjë problem. Gola me sasi industriale dhe asiste si një breshër në stinën e verës.

pELE

Shkurt, përjetësisht spektakolar! Megjithatë, goditja e tij me kokë ishte një specialitet që nuk i përshtatej ndoshta një burri prej vetëm 173 centimetrash, por ndoshta fakti se ai ishte një perëndi e futbollit nuk mund t’i mungonte edhe kjo “armë” e sportit më të bukur në botë. Kushdo e ka në memorien vizive kërcimin me të cilin shkoi dhe mori topin në finalen e Botërorit 1970 kundër Italisë. Një gjest mahnitës, një kërcim prej kolibri… Madje, dikush ironizoi se kishte lënë një shkallë në fushë për të kapur atë top, ndonëse shkalla nuk ekzistonte për t’iu ngjitur dhe për të qëndruar atje lart, thuajse në qiell, ku meritojnë të qëndrojnë dhe pa dyshim do të qëndrojnë përjetë legjendat.

RIVALITETI ME MARADONËN

Pele ka qenë futbollisti më i fortë i historisë së futbollit… Po, jo, ndoshta apo ndoshta jo… Për brazilianët ka qenë pa dyshim, ndërsa për argjentinasit patjetër që jo. Një tjetër mit, ikonë që lindi, ndërsa karriera e Pelesë po perëndonte, ishte Maradona, hyjnia e re e futbollit, e cila hapi debatin e përjetshëm… Pele apo Maradona… Maradona apo Pele… Diferenca mes tyre ishte sa një gjeneratë: 20 vite e pak ditë, por edhe kohë të ndryshme, duke qenë se jo vetëm bota po ndryshonte, por me të edhe futbolli, ndonëse ky krahasim vështirë se do të ketë ndonjëherë një përfundim konkret. Pele, për nga pikëpamja e spektaklit të pastër, ishte pa dyshim numri një, aq sa Santosi, për t’i paguar një rrogë të denjë dhe për t’u ruajtur që klubet e pasura europiane të mos ia rrëmbenin xhevahirin e tij, organizonte turne të gjatë në të gjithë botën. Për të parë 45 minuta Pelenë në aksion Santosi paguhej me shifra astronomike, aq sa arriti deri aty sa të luante edhe dy miqësore brenda ditës. Ndërsa për Maradonën, miqësoret përktheheshin në ndeshje bamirësie, si atëherë kur dërgoi skuadrën e tij të luante në një fushë të ngrirë, në Acerra, përpara hyrjes në të cilën Diego dhe shokët e tij e bënë nxehjen në parking.

Dhe e gjithë kjo, për të shpëtuar një fëmijë të varfër që kishte nevojë për kurime. Por, për sa i përket pjesës tjetër, krahasimi mes tyre ishte një spektakël i pastër, duke rrezikuar gjunjë e kavilje të thyera, por gjithmonë me objektivin e vetëm për të fituar. Maradona fitoi vetëm një Botëror, por e fitoi i vetëm. Pele numëron tri Kupa Bote, nga të cilat në dy prej tyre ishte protagonist absolut, ndonëse në 1970-ën ishte pjesë e skuadrës më të fortë të të gjitha kohërave, që futbolli kishte parë. Pele apo Maradona, Maradona apo Pele, nga kjo grackë është e pamundur të shpëtosh. Të tjerët, Di Stefano, Krojf, Euzebio, Ronaldo da Lima ishin thjesht garnitura e këtyre dy perëndive, së bashku me yjet e sotëm, Lionel Mesi apo Kristiano Ronaldo. Pele dhe Maradona janë thjesht futbolli, secili në mënyrën e tij, dikush me pekule dhe tjetri me kapriço e telashe, por gjithmonë të adhuruar, të dashuruar, njëkohësisht edhe të urryer…

Kurioziteti është se për një periudhë të shkurtër, që të dy kanë qenë njëkohësisht në aktivitet: në 1977-ën, në sezonin e fundit të tij, Pele ishte transferuar në SHBA, në radhët e Nju Jork Kozmos, për të mbledhur grushtet e fundit të dollarëve, për të kaluar jetën larg futbollit. Ndërsa Diego sapo kishte nisur që të magjepste Argjentinën, por shumë shpejt edhe globin, me fanellën e Arxhentinos Zhunjoresit.

Pele-Sportel-Monaco-Channel-Monaco-Video-news_900x900

SI JEZUSI FËMIJË

E pashmangshme ishte edhe ngritja e legjendës së vendlindjes së këtij fenomeni, lagjja ku ky jashtëtokësor u realizua. Nuk ishte një shpellë, por vendbanimi i parë i Pelesë të jepte mirazhin e diçkaje të përafërt nëse shihje kasollen ku lindi 80 vite më parë, ajo shtëpi nëse mund të quhet e tillë, e cila sot është ristrukturuar dhe është transformuar në një muze, të cilin mund ta shëtisësh për pak minuta dhe që mund ta memorizosh vetëm me pamje vizive, pasi fotografitë janë të ndaluara. Po flasim për Tres Koraçoes, një qytezë prej 80 mijë banorësh (80 vite më parë nuk numëronte më shumë se 20 mijë), në jug të shtetit të Miras Geraish, 287 kilometra nga kryeqyteti Belo Horizonte. Tresh Koraçoes (i themeluar në 1832) përkthehet “Tre Zemra”, por etimologjia e këtij emri është kontroverse. Historia e banorëve vendës nënvizonte se kjo zonë ishte ndërtuar në nder të zemrave të shenjta të Jezusit, Xhuzepes dhe Marias.

Ndërkohë, një tjetër histori më e trishtë thotë se në këtë zonë, tri vajza: Jusara, Jasira dhe Moema, të cilat ishin dashuruar me 3 djem të ardhur nga Goias, mbeten vetëm duke munduar zemrat e tyre, pasi tre djemtë ishin larguar pa lënë gjurmë. Por, shpjegimi i vërtetë i pseudonimit të tokës së Pelesë është vetëm një: Rio Verde, lumi që lag qytetin, në tri pjesë të tij është i lakuar duke dhënë pamjen që u ngjason shumë zemrave. Por, pas lindjes së Pelesë, Tres Koraçoes prej vitesh njihet vetëm si “Toka e Mbretit të Futbollit”, aty ku i ati Dondinjo, i apasionuar pas futbollit dhe një lojtar gjysmëprofesionit, njohu Çelesten dhe më pas solli në jetë më të madhin… Më 23 tetor 1940, kur Europa po bëhej gati për shpërthimin definitiv të Luftës së Dytë Botërore, në një kasolle braziliane lindte Edson Arantesh do Nashimento, mbreti i ardhshëm i futbollit.

AI TREN PËR NË SAN PAOLO

Lokacioni: Bauru! Emri që ndryshoi historinë: Valdemar de Brito! Dy shenjat e fatit… Bauru (sot ka gati 400 mijë banorë) është një qytet në shtetin e San Paolos, në të cilin familja Arantesh do Nashimento u transferua kur Edson, që nuk ishte shndërruar ende në Pele, pasi i ati Dondinja shkoi për të luajtur me ekipin e Bauru Atletiko Klub. Ndërsa Valdemar de Brito kishte qenë një sulmues i madh me bluzat e San Paolos, Botafogos, Flamengos, Fluminenses, Portuguesas, Palmeirasit, por edhe me të San Lorencos në Argjentinë. Për më shumë, kishte shënuar edhe 18 gola në 18 ndeshje me “Seleçaon”. Në vitin 1954, ai ishte trajneri i të rinjve të Bauru Atletiko Klub, skuadër në të cilën gjeti në dispozicion një djalë që i kishte vënë vetes pseudonimin Diko, por që në të vërtetë ishte Edson Arantes do Nashimento.

Valdemar, i cili i kuptoi shumë shpejt se sa i fortë ishte ky djalë, në fillim të vitit 1956 e thërret në zyrë dhe i thotë: “Nesër vishu mirë, do të shkojmë në Santos”. Një udhëtim i pafundmë, më shumë se 450 kilometra në një tren që transportonte qymyr, por në fund të atij udhëtimi e priste lavdia. Edson-Diko u pranua menjëherë nga Santosi dhe u “parkua” menjëherë në apartamentet e klubit, së bashku me fëmijë të tjerë. Dhe më 7 shtator 1956, kur nuk kishte mbushur ende 16 vjeç, vjen edhe debutimi mes profesionistëve, në një turne të zhvilluar në Santo Andre, kundër Korinthiansit, kundër të cilëve shënoi një gol dhe menjëherë mori një tjetër pseudonim: “Benzina” (Gasolina), si rrjedhojë e energjisë së tij të pashtershme.

pelebrazil

PSEUDONIMI I ÇUDITSHËM

Por, mes të gjitha këtyre pseudonimeve, si lindi Peleja? Edsoni kishte disa vështirësi në të shprehur dhe kur ulej të bisedonte me babain e tij, Dondinjo i tregonte të birit makthin që haste për t’i shënuar gol një portieri që quhej Bile. Këtë histori Edson ua tregonte edhe shokëve, por fakti që nuk germëzonte siç duhej, në vend të Bile thoshte Pile. Shokët e tij e tallnin dhe nisën ta thërrisnin Pile, për ta nervozuar, por papritur, Pile u shndërruar në Pele, të cilën edhe Edson dinte ta shqiptonte mirë dhe në këtë mënyrë u zhdukën jo vetëm pseudonimet e mëparshme, “Diko” e “Gasolina”, por me këtë nofkë të re Edson “Pele” fitoi një vend brenda historisë së pavdekshme të futbollit.

TROFE DHE GOLA

Më pas, pak a shumë historinë e njohin të gjithë, e cila nisi me grumbullimin e parë në kombëtare në vitin 1957, debutoi ndaj Argjentinës, ku shënoi golin e nderit, pavarësisht humbjes 2-1, por më pas, sukseset vërshuan. Në Botërorin e Suedisë (1958), vetëm duke qenë i grumbulluar, ai theu rekordin e futbollistit më të ri në histori që merrte pjesë në një turne të tillë. Por, ndërsa në finale ishte vetëm 17 vjeç e 249 ditë, ndërkohë Pele i kishte shënuar gol deciziv Uellsit, tripletë Francës dhe dopietën në finale, kundër të zotëve të shtëpisë. Dhe ky rekord i moshës nuk është thyer ende. Më pak të tijin e ndien Botërorin e dytë, në Kili në vitin 1962, ku protagonistët ishin Garrinça e Amarildo, ndërsa titulli i tretë në 1970 u vulos edhe me golin me kokë në finalen ndaj Italisë, me një kërcim që një person prej 173 centimetrash nuk mendohej se mund ta bënte.

DISA NUMRA

Ndërkohë, karriera me Seleçaon përfundoi me bukurinë e 77 golave në 92 ndeshje, ndërsa ata të karrierës në klube kanë përçarë botën. Statistikat gjysmëzyrtare të FIFA-s flasin për një total prej 1281 golash, ndonëse të paktën 500 prej tyre janë realizuar në ndeshje miqësore. Numërimi i saktë duket se është 757, por fundja futbolli nuk është matematikë, por art dhe dashuri. Në vitet ’60 Santosi e shtrëngoi fort yllin e saj, duke sakrifikuar dhe rezistuar edhe ndaj tundimit, duke parë se avokati Anjeli dhe Anxhelo Morati provuan disa herë për ta sjellë në Itali, respektivisht te Juventusi dhe Interi, por nuk ia dolën. Madje, edhe pas Santosit, në moshën 35-vjeçare, Pele pranoi që të transferohej në SHBA, te Nju Jork Kozmos, për të mbledhur paratë që do t’i lejonin të pensiononte si mbret.

pele

PUNËSIMI, MARTESA DHE FALIMENTET

Nëse dihet historia e tij në fushë, të kuptosh se çfarë ka bërë Pele si “i rritur” nuk është e lehtë ta shpjegosh. Përgjithësisht ka jetuar me pension vjetor, ka shfrytëzuar faktin se është Pele. Ka recituar si aktual në filmin “Arratisje për fitore”, së bashku me Silvester Stalonen, por edhe në të paktën 5 filma të tjerë, që flisnin për jetën e tij. Në jetën e tij ka pasur edhe një periudhë kur iu kushtua politikës, aq sa më 1 janar 1995 u zgjodh si ministri i Jashtëzakonshëm për Sportin në Brazil. Ka dërguar përpara disa projekte të ashtuquajtura “Ligji Pele”, mbi reformën profesioniste në vend, një ligj që më pas u ristrukturua dhe mori emrin “Ligji Ziko”. Në prill të 1998-ës, Pele dha dorëheqjen nga karriera politike dhe pas saj iu nënshtrua jetës së bukur dhe disa punëve si imazh përfaqësues për ndërmarrje të mëdha ndërkombëtare, por ka pasur edhe momente paniku… Për dy herë në jetë, Pele ka marrë telefonatën që askush nuk do të donte t’i vinte nga banka: “Mirëmëngjesi, ju komunikojmë se llogaritë tuaja bankare janë zero”. Pele shpeshherë ua kishte deleguar shokëve dhe miqve të tij që t’ia menaxhonin pasurinë personale, por ata që dukeshin shenjtorë shpesh rezultuan grabitës, ndonëse edhe veset e vetë Edsonit ndikonin jo pak.

Paratë, Zoti (është besimtar i devotshëm) dhe femrat, sidomos biondet, ishin pikat e dobëta të mbretit të futbollit. Në jetën e tij, Pele u martua tri herë dhe që të tria bionde: E para ishte Rosemeri dos Reis Çolbi, e cila i dha tre fëmijë: Edson (luajti portier te Santosi dhe i ka shkaktuar jo pak probleme në jetë) dhe dy vajzat, Keli Kristian dhe Xhenifer. Martesa e parë zgjati nga 1966 deri në 1978, periudhë pas së cilës shpirti i lirë i Pelesë kërkoi të “heqë prangat”, ku për shumë vite ai u shoqërua me femra të ndryshme të bukura (bujë bëri lidhja me mis Brazilin në vitin 1990, Flavia Kavalkanti), derisa në 1994-ën erdhi martesa e dytë. Në altar shkoi me këngëtaren Asiria Nashimento, e cila i dha edhe dy fëmijë të tjerë (Joshua e Çeleste). Ndërkohë, dy vite pas ndarjes së dytë, në 2010- ën nisi një marrëdhënie me biznesmenen japoneze 33- vjeçare, Marcia Aoki, me të cilën vendosën që ta kurorëzojnë martesën e tyre në vitin 2016, kur Pele ishte 75 vjeç. Shkurt, një jetë gjithmonë me gazin në maksimum, ashtu sikurse ishte edhe loja e Pelesë në fushë, në atë terren të gjelbër ku ai shkeli për herë të fundit 43 vite më parë.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com