Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2018 | 22:15

Kur trajneri i Shqipërisë ishte italiani Gianni de Biasi…

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

SHQIPËRIA – DANIMARKA 1-1 E STADIUMIT TË PARË MODERN.

“E tash ‘i mjeri’ ai!” Kështu pata shkruar. Nga fitorja në Portugali i duhej të shkonte te Danimarka mû “në kërthizë të Shqipërisë”. Elbasan 2014 – “Terra incognita!” Nuk jam prej atyre që mund të këshilloja një trajner. Këtë mund ta bënin vetëm “këshilluesit” e panumërt që kishin shpërthyer në gazetarinë apo pseudogazetarinë shqiptare. Mirëpo, a mund të ishte kaq i zoti trajneri i Shqipërisë, saqë në ndeshjen e radhës të ndryshonte krejtë- sisht taktikën, ndoshta deri diku edhe përbërjen e skuadrës?

E të flakte tej “catenaccio all’Italiana”-n që i kishte dhënë fitoren e habitshme me portugezët? Mendoja se për fatin e tij tronditës në padurueshmërinë shqiptare, do ta kishte të vështirë, shumë më të vështirë se sa në Portugali. Logjika të thoshte që nëse atë stil loje ai ia kishte arritur që me një ndeshje të vetme ta shndërronte në natyrë të skuadrës, atëherë, do t’i thosha: “Luaj prapë me ‘catenaccio all’Italiana’, siç vepronte Helenio Herrea, i cili nuk pyeste a ishte ndeshja brenda apo jashtë shtëpisë”. E vërteta ishte se trajneri De Biasi ndodhej në një dilemë të madhe…

Shqiperi-Danimarke

Më duhej, të paktën mua për vete, ta lija të qetë (ashtu si dhe lojtarët) dhe mbi të gjitha: të mos ia kërkoja me patjetër, as fitoren me Danimarkën, as kualifikimin e detyrueshëm për në “FRANCË 2016’. Aq më tepër kur dihej fort mirë se mbas ndeshjeve të mëdha, befas për Shqipërinë gati gjithmonë vinin ndeshje tejet të vogla!… Nuk më mbetej gjë tjetër, veçse t’i gëzohesha titullit të mbas Portugalisë, që të dukej se buçiste: “Shqipëria: ‘Catenaccio all’Italiana’ – Nota 10!” Dhe? Elbasan 11 tetor 2014: Shqipëria – Danimarka 1-1. Pak a shumë vështirë- sia që kisha parashikuar. Megjithatë, këtu shfaqej në mënyrën më të bujshme një “fitore” e madhe. Ishte “fitorja” e ndërtimit të stadiumit të parë modern në Shqipëri.

Kësisoj, të dukej se askush nuk po mërzitej për barazimin me danezët, me të cilët, më 1963, Shqipëria kishte luajtur ndeshjen e parë për kualifikimet europiane (0-4) dhe kishte marrë po fitoren e parë (1-0). Kishin qenë ndeshje për 1/8-at – çka në mënyrën më të bujshme kjo do të thoshte se Shqipëria kishte hyrë në 16-she të Europës. Thjesht sepse në turin e parë Greqia nuk kishte pranuar të ndeshej me të, për shkak të mbetjes në fuqi të të ashtuquajturit Ligj të Luftës, kur Italia përmes Shqipërisë kishte pushtuar Greqinë më 1940. Por ishim në vitin 2014 dhe le ta fiksojmë ndeshjen 11 tetorit 2014, barazimin “melankolik” të Shqipërisë që vinte mbas fitores 1-0 në Portugali, si ndeshjen e parë në stadiumin e ri modern “Elbasan Arena” të Elbasanit:

SHQIPERIA – DANIMARKA 1-1

11.10.2014. Elbasan. St. “Elbasan Arena”. KE 2016.

GOLAT: Lenjani 38’, Vibe 81’.

SHQIPËRIA: E.Berisha, Hysaj, Cana, Mavraj, Agolli, A.Lila (Curri 87‘), Abrashi, Kukeli, T.Xhaka (Rama 82‘), Lenjani, Bala (Cikalleshi 69‘).

TRAJNER: Gianni De Biasi.

DANIMARKA: Schmeichel, Ankersen (Bech 71’), Kjaer, Bjelland, Hojbjerg (Kahlenberg 79’), Kvist, Eriksen, Y.Poulsen (Vibe 46’),Brendtner, KrohnDehli.

TRAJNER: Morten Olsen.

GJYQTARE: V.Kassai, G.Ring, V.Toth / HUN.

SHIKUES: 12.000.

Kështu pra, mbas fitores së bukur në Portugali dhe barazimit, në fund të fundit të pranueshëm me Danimarkën, teksa e shihja Shqipërinë në krye të grupit, mendja ta donte që ajo arritje e fillimit të sundonte gjithë shpirtin tim prej gazetari. Mirëpo, për çudi nuk po më ndodhte kështu. Nuk po më sundonte ndeshja e as ndeshjet. Ajo që po më sundonte ishte stadiumi i ri i Elbasanit – stadiumi i parë plotësisht modern në historinë e Shqipërisë. Elegancë e tanë! Dhe rehati e paimagjinueshme për një spektator të stadiumeve në Shqipëri.

Shqiperi-Danimarke

Piktoresk me tribunat e tij të baraspeshuara në ngjyra. Terren i rrallë i së blertës. Më në fund një ndriçim i parë i plotë për një stadium shqiptar. (“Qemal Stafa” ishte ende gati gjysmëerrësirë, e nuk e kuptoja si nuk ankoheshin futbollistët). Tribuna qendrore – qytetari e plotë. E gjatë tejet, ajo spikaste me tribunën e shtypit, tribunën e autoriteteve në lirshmëri të pamatë. Ti vjen, ulesh, çohesh, zbret poshtë në barin e gazetarëve, ku madje për herë të parë mund të pish apo dhe hash diçka, për “risinë shqiptare” pa pagesë, siç ndodh në gjithë Europën në kësi ngjarjesh.

Futesh në sallën e shtypit: internet, tryezë pune, përshtatshmëri, kushte. Studio televizive që gazetarët shqiptarë në tokën e tyre kurrë nuk i kanë përjetuar. Ndërkaq, mbi 60 kamera të një agjencie të posaçme ndjekin sigurinë në stadium në të gjitha skutat e tij. Dhe organizim shembullor, modern i FSHF-së për të hyrë në stadium, gazetarë, fotoreporterë, spektatorë, zyrtarë, futbollistë… Endesha jashtë e brenda, teksa një pyetje po më mundonte: si ia mbërriti Shqipëria e futbollit kësaj ngjarjeje pa precedent në historinë e saj, mû kur dukej se kurrë nuk do t’ia mbërrinte, teksa ishte dhe është ende vendi i fundit në Europë për ndërtimet sportive?…

Në të vërtetë, ajo nuk ia ka mbërritur, por papritmas dha shembullin e parë se mund t’ia mbërrijë. Kështu, të shtunën e 11 tetorit 2014, më në fund Shqipëria kishte arritur një “fitore” të bujshme: brenda katër-pesë muajve ajo kishte ngritur në këmbë një stadium modern, të parin në historinë e Shqipërisë! Theksoj: brenda katër-pesë muajve! Investim 650 milion lekë, 52 për qind kontribut i UEFA-s dhe i FSHF-së, 47.9 për qind i qeverisë shqiptare. Dhe brenda pesë muajve një stadium i ri! Dikur ia kisha arritur të shihja ndeshje në fillim të viteve ’60 në Fushën e Vjetër të Elbasanit.

Më 1971 ia kisha arritur të shihja në stadiumin e Elbasanit, deri dhe Gjermaninë e 23- vjeçarëve të Jup Dervalit në praninë e Helmut Schon-it. Shi, terren i mjerë, që sa i bënte gjermanët të vinin buzën në gaz, po aq i bënte tejet seriozë për të ruajtur këmbët. Për habinë e kohës, së bashku me Ismet Bellovën, kemi udhëtuar me ta përmes Kërrabës, në autobusin e tyre, ku ndërsa po ngjiteshim mbi humnerë, ata djem të rinj i pushtoi ankthi, teksa mbyllnin sytë prej frikës. Nuk mund të harroj. “Na koritët”, iu tha presidenti i Federatës Gjermane të futbollit, i famshmi Herman Nojberger, i cili kishte përjetuar llogoret e Luftës së Dytë Botërore si luftëtar i Wehrmachtit… Mandej, në vitin 1975 kam qenë në Elbasan në fitimin e Kupës së parë të Labinotit të Mihal Gjikës me shokë të trajnerit profesor Agron Stringa.

Shqiperi-Danimarke, skuadrat dalin ne fushe

Më 1984 kam qenë në Elbasan në festën e paharrueshme të titullit të parë kampion të Labinotit të famshëm të Gogunjës, Lleshit e Popës, të të paharrueshmit trajnerit Frederik Jorgaqi. Festa të mëdha për kohën e varfër shqiptare. Të shtunën e 11 tetorit 2014 po aq të çmueshme e të shtrenjta i ndjeja të gjitha këto. Dhe çuditërisht përpiqesha t’i bashkoja me një aktualitet kuptimplotë, teksa pashë se si një qytet i tanë tash përskuqej, gëzohej, çlodhej, ndizej në një kohë të një jete krejt tjetër. Sa pak mendohet në Shqipëri për të gëzuar qytetarët e saj!… Atëherë? Problemi që dilte nga mbrëmja e së shtunës së 11 tetorit 2014 nuk ishte barazimi interesant me Danimarkën, as taktika apo strategjia e lojës, as De Biasi që po kërkonte t’i jepte, e, natyrisht t’i merrte reputacion Shqipërisë dhe as Lenjani spektakolar me golin e tij. Them se problemi apo dukuria e parë ishte ky stadiumi modern i ndërtuar apo rindërtuar brenda katër-pesë muajve.

Pata shkruar: “Harrojeni barazimin me Danimarkën, madje edhe fitoren me Portugalinë. Gëzojuni stadiumit modern të Elbasanit dhe urgjentisht filloni ndërtimin e stadiumeve të tjerë, atij të Shkodrës të parin, atij të Durrësit apo të Vlorës të dytin, atij ‘Selman Stërmasi’ të tretin, stadiumit kolkozin tribunat e rrënuara, të së cilit të vendosura mbi dhè, mund të shkatërrohen për një ditë dhe të nesërmen mund të rifillonte ndërtimi i tjetrit. Ndërsa stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’ modernizojeni dhe ruajeni qoftë edhe për historinë monumentale që ai ka për ne. E pra: e doni apo nuk e doni këtë popull, këtë rini?…

Me dy fotoreporterët e mirënjohur Adnan Hyka e Lekë Hoti u kthyem vonë, mbas mesnate nga Elbasani. Vargu i makinave nuk kishte fund, nuk mbaronte assesi, i shtrirë në dritënatën e rrugës së bukur apo tunelit europian që në ditë normale të fut për 20 minuta në Tiranë. Natyrisht pa këtë rrugë kurrë nuk do të guxonte dikush të shkonte kaq rrufeshëm te ndërtimi i stadiumit të Elbasanit. Nuk do të mund të kishte UEFA në botën e sotme që do të mund të pranonte e të rrezikonte për të shkuar atje përmes ‘lashtësisë’ së një Qafë-Kërrabe të frikshme siç u detyrua ‘ta pësonte’ Gjermania e vitit 1971″.

de biazi

Më dukej se ky ishte dhe suksesi i rrallë i trajnerit Gianni De Biasi. Ai po merrte me vete kujtimin e madh, që do t’ua tregonte gjithnjë miqve dhe pasardhësve të tij, ndoshta duke iu thënë: “Kam qenë trajneri i Kombëtares së Shqipërisë kur ky vend përuroi stadiumin e tij të parë modern në histori. Elbasan, 11 tetor 2014. Shqipëria – Danimarka 1-1 për Kampionatin Europian”.

“LUFTA” E PAPRITUR SERBI – SHQIPERI!

E mandej? Mandej do të kishim një përsëritje të bujshme të historisë, si më 1963, kur Shqipëria me një vendim tryeze kishte “fituar” dy here me Greqinë 3-0 e 3-0. Por tash, në vitin 2014, disi në një stil tjetër. Dhe pa na shkuar aspak ndërmend se përsëri me ndeshje të fituar me një vendim tryeze, Shqipëria do të eliminonte fqinjin tjetër “armiqësor” në histori. Dhe me një “sukses” të një ndryshimi të madh. Kësaj here ajo nuk do të kalonte turin, por do të “fluturonte” drejtpërsëdrejti për herë të parë në histori në një turne final të Kupës së Europës, ndryshe Kampionati Europian i futbollit. Historia do të ishte më se përmbysëse në gjithë aventurën jo thjesht të fushës së blertë, por të kulisave të UEFA-s e përtej… Akti i parë dramatik i saj do të luhej në Beograd katër ditë mbas shfaqjes së stadiumit modern shqiptar “Elbasan Arena” të barazimit me Danimarkën.

14 tetor 2014. Për tjetër gjë isha parapërgatitur. Dhe ashtu si mijëra të tjerë, tjetër gjë përjetova. I kisha ngulur sytë në ekranin e vogël, pashë flamurin “fluturues” mbi stadiumin e “Armatës Popullore” të Beogradit, aty ku Shqipëria kishte humbur 0-4 më 1967 me Jugosllavinë e Titos. Dhe mandej “lufta”. Çuditërisht, kamera serbe qëndronte tepër larg për të kuptuar telespektatori në thellësi se çka po ngjiste. Informacioni vinte me shumë ngadalësi. Më mbas, andej nga ora 23 e përtej, vërshuan pa mëshirë pamjet e “luftës”.

Dhe kur hyra në faqen e internetit të “Sportski Zurnal” – gazeta sportive më e madhe serbe dhe e një cilësie tejet të lartë – m’u përplasen titujt e pamëshirë. Mbi të gjithë titulli i madh, sundues i faqes së parë: “Vazdushni udar na Srbiju”. (“Sulm ajror mbi Serbinë!”). Dhe mbi të, titulli tjetër: “Utakmica ñà Albanjom prekinuta posle incidenta izazvanom bespilotonom letilicom sa satavom politicke provokacia”. (“Ndeshja me Shqipërinë u ndërpre mbas incidentit të shkaktuar prej mjetit fluturues pa pilot (dron), që synonte një provokacion politik”). Ishte e kotë të shkoja më tej.

Ajo që po më habiste ishte shpejtësia e madhe e redaksisë së “Sportski Zurnal” për ta ndërtuar aq menjëherë faqen e gazetës në shtyp (letër), e cila, me sa dukej, në errësirën e kësaj nate fantazmagorike të kundërfutbollit, kishte ndërmarrë udhëtimin e saj të shfrenuar qyteteve të Serbisë. Dukej qartë se për ta nuk kishte kohë për pritje apo qoftë dhe për një frymëmarrje sado të vogël për ta parë gjithçka me qetësi e paanësi profesionale. Për fat, vetëm kjo: “Vazdushni udar na Srbiju”. (“Sulm ajror mbi Serbinë!”).

Terminologji e luftës që për kolegët serbë mbërritka përmes një flamuri lart në qiell. Në të vërtetë, Serbia kishte vite që humbiste. Serbia humbiste në politikë, madje ajo kishte humbur edhe një luftë të vërtetë, atë me Kosovën e NATO-n. Tash po mbërrinte të tronditej prej një “sulmi ajror” përmes një flamuri. Pata shënuar se nuk kisha përse ta zgjasja me episodet dramatike të stadiumit të “Armatës Popullore” ku dikur ishin duartrokitur edhe katër shqiptarë të shquar të Partizanit të Beogradit: Luan Prekazi. Zenun Brovina, Xhevat Prekazi dhe më i madhi që është Fadil Vokrri. Ndonëse informacioni dhe episodet e 14 tetorit 2014, tash po bënin shètinë e botës. Serbia sapo kishte humbur së fundi edhe një “luftë” tjetër, “luftën” e fushës së blertë të sportit e të futbollit. Sado provokues të kishte qenë flamuri (e ndoshta edhe kishte qenë).

Sado inat të kishte pasur Serbia teksa Shqipëria po i dilte në fushë me shtatë djem shqiptarë të Kosovës, baballarët e të cilëve kishin qenë shtetas jugosllavë. (Po a nuk e kishte nxjerrë në fush- ën e lojës vetë Jugosllavia e Titos Kombëtaren e Kosovës më 9 nëntor 1967 në ndeshjen përgatitore Kosova – Jugosllavia 3-3?). Sado “faj” të kishte Shqipëria, e cila fitonte në Portugali, barazonte me Danimarkën dhe për herë të parë në histori vinte në Beograd si kryesuese e grupit kualifikues për një Kampionat Europian – (e Serbia kishte harruar se më 1948 Shqipëria vinte dhe barazonte 0-0 me Jugosllavinë pikërisht këtu, në Beograd, si kryesuese e Kampionatit të Ballkanit e të Europës Qendrore) – prapë se prapë Serbia nuk kishte përse të binte prè e asisoj mendimesh e veprimesh të ngushta të “luftës”e saj të fundit, mû aty ku kurrë nuk mund të ketë luftë: në këtë të sportit, të futbollit.

Ndërkaq, ajo nuk po ia arrinte të mbante as rendin në stadium. I kanë hyrë tifozë huliganë në fushë me në krye të famshmin Bogdanov. Kanë goditur lojtarët shqiptarë (rast botëror ky), madje edhe nga njerëz të shërbimit në stadium. Kanë hedhur objekte e “zjarre” në fushë. Kanë sha e fyer deri sa s’ka ku shkon më. Madje, kanë hyrë me polici deri në dhomat e Kombëtares së Shqipërisë dhe ua kanë kontrolluar çantat sportive lojtarëve të saj (rast planetar ky). Dhe mandej i kanë vënë faqes së parë të “Sportski Zurnal” titullin “e frikshëm” që thotë: “Vazdushni udar na Srbiju”. (“Sulm ajror mbi Serbinë!”). Me këtë emblemë apo simbolikë merrte fund edhe etika, edhe profesionalizmi i dorës së fundit të gazetarisë.

Qoftë edhe te “Sportski Zurnal”, e cila është një gazetë e një cilësie shumë të lartë, pra. Dhe Serbia, e cila e humbiste edhe këtë luftë. Mëkat! Mëkat sepse është një ndër vendet më sportivë të Europës dhe të botës. Sidoqoftë, le ta linim Serbinë në punën e vet dhe të merreshim me Shqipërinë tonë. Dhe unë që po kërkoja që në ndeshjen më të shkurtër ndërkombëtare që kisha parë në jetën time, të vetëm 41 minutave, të kërkoja të gjeja sportin, të gjeja futbollin. E për çudi, edhe përmes dramës së “Armatës Popullore” të Beogradit, të flisja sadopak për futbollin, në këtë rast për futbollin e Kombëtares sime dhe të të gjithë shqiptarëve. Ishte vërtet sensacionale që edhe pa tri pikët që mund t’i përcaktonte UEFA, për herë të parë në histori, mbas tri ndeshjeve të para, Shqipëria kryesonte grupin e saj kualifikues të një Europiani.

Madje, përballë skuadrave ndër më të shquarat e futbollit europian: Portugalisë dhe Danimarkës. Ndërkaq, po t’i shtonim tri pikët që me logjikë prisnim nga UEFA, atëherë pa ngurim për herë të parë në histori, Shqipëria do të ishte mëtuese e dorës së parë për të shkuar në fundoret (finalet) e Kampionatit Europian. Kështu pra, po kisha dëshirë t’i kthehesha sportit, futbollit të luajtur e ta lija Serbinë në mjerimin e saj nacionalkomunist, në dështimin dhe paaftësinë e saj të radhës për të siguruar një ndeshje futbolli. E edhe në këtë “libër” po përshkruaj paksa ndeshjen më të shkurtër në histori, atë 41- minutëshe të stadiumit të “Armatës Popullore” të Beogradit. Nuk e kemi kaluar gjysmën e fushës për bukur nja 30 minuta të tana.

Dukej qartë, përsëri ishte ajo, “catenaccio all’italiana” e udhëhequr nga pankina e Gianni De Biasi-t – “Re d’Albania”, siç kishte shkruar ato ditë për të drejtori i “La Gazzetta dello Sport”, Paolo Condo. Ku do të mbërrinim kështu? Por ja, papritmas, nis e shfaqet kundërsulmi shqiptar që krijon rrufeshëm dy episodet më të bukura për gola të ndeshjes. Përveçse rrjedhshmëri, lehtësi kalimesh e zbulimesh të vetmueme, që befas shtangin sa lojtarët serbë po aq dhe stadiumin e tanë. Kjo ishte kthesa e lojës, madje deri në atë shkallë sa të dukej se goli thuajse po mbërrinte. Mandej minuta “fatale” 41: flamuri dhe titulli vrasës i “Sportski Zurnal”. Ky ka qenë çasti kur Serbia ndoshta pësoi përfundimisht humbjen e saj më të madhe në histori. Ndonëse kishte qenë Kampione Olimpke, dy herë Nënkampione e Europës, nja katër a pesë herë Kampione e Europës me të Rinjtë dhe Shpresat, një here madje, edhe Kampione e Botës në këtë moshë, dy herë e katërta e Kupës së Botës, Kampione e Europës me klubet.

Natyrisht të gjitha këto si Jugosllavi. Nuk e paska menduar se një ditë, mû në zemër të tokës së saj, do t’i mbërrijë Shqipëria me shtatë shqiptarë të Kosovës, në të vërtetë jo prodhim i futbollit të vet, por i Europës Qendrore e asaj Alpine të Zvicrës. Serbia nuk arrinte të kuptonte as globalizimin e botës së sotme. Me sa dukej, ajo kishte mbetur te nacionalkomunizmi, për të mos shkuar te shovinizmi. Dhe Shqipëria bujshëm sapo kishte vënë kandidaturën e saj për të shkuar një herë në fundoret (finalet) e Kupës së Europës. Ngjarjet rrokullisëse do të stepnin gjithë Europën e futbollit me vendime e çvendime dhe prapë vendime – çka historia e ndeshjeve kualifikuese të Europës kurrë nuk kishte përjetuar më parë.

Mbërrin kështu, thuajse rrufeshëm, vendim i parë: UEFA vendos që Serbia fiton 3-0 ndeshjen me Shqipërinë, me sa duket ngaqë kjo nuk ka pranuar të vazhdojë ndeshjen. Serbisë i hiqen 3 pikë, me sa duket, ngaqë ajo nuk ka siguruar zhvillimin e ndeshjes. Dhe vetëm kaq mjaftonte. Mjaftonin pra, këto dy vendime për të kuptuar se sa poshtë kishte rënë organizata Europiane e futbollit. Me një fjalë, të nxjerr fitimtar ty që nuk ke siguruar ndeshjen dhe të dënoj me humbje ty që nuk ke dalë në fushën e lojës në një ndeshje të pasiguruar. Madje, kur ke qenë i plagosur (qoftë dhe pak) fizikisht mû për shkak të këtij mossigurimi!

Në të vërtetë, Serbia e pakta kishte nja pesë faje, që nisin me thirrjen kriminale “për të vrarë shqiptarët”, që kishin vazhduar me hyrjen e publikut në fushë dhe që kishin përfunduar me sulmin kundërnjerëzor fizik kundër lojtarëve shqiptarë, teksa ata futeshin në dhomat e zhveshjes. Këtë skenë të goditjes fizike deri dhe nga njerëz të sigurisë të stadiumit, të lojtarëve të skuadrës mike, nuk e kishte njohur historia e deriatëditshme e futbollit botëror. Ishte unike! Pata shkruar fjalë për fjalë: “Për UEFA-n fakti i mbifakteve, rëndësia e mbirëndë- sisë është vetëm provokimi i dronit mbi fushë dhe mospranimi i Shqipërisë për të vazhduar ndeshjen. Katastrofë juridike, naivitet drejtësie, metërmatës krejt i njëanshëm.

Dhe pamëshirë! Them që nëse ky vendim do të mbetet në fuqi, ai do të hyjë në padrejtësitë më të mëdha në historinë e UEFA-s. Atëherë, përse kështu? Nuk ia vlen të përsërisim se “Serbia ka miq më shumë se Shqipëria”, se “Michel Platini është proserb” si Franca e dikurshme, sikur të ishim në Kongresin e Berlinit a Konferencën e Londrës. Kur dihet se jemi në futboll, në sport, në një ndeshje. Një gjë është: ne nuk e urdhërojmë UEFA-n që ajo të marrë vendime të drejta. Aq më tepër që në të ne kemi vetëm 1 votë, për të cilën nuk kemi informacion se si e përdor atë FSHF-ja jonë.

Aq më tepër kur kujtojmë se UEFA e ka dënuar përherë Shqipërinë. Për shembull, UEFA e dinte që Shqipëria – asokohe për fatin tonë të keq komuniste dhe diktatoriale deri në skaj – nuk pranonte të luante me klubet sovjetike. Por as që bëhej vonë. Dhe në short binte Dinamo e Moskës – Vllaznia (1979) apo Dinamo e Kievit – 17 Nëntori (1982). Apo për të mbërritur te vendimi i pam- ëdyshje i Benfika – Partizani (1987), 3-0 për portugezët. Dhe për të mbërritur mandej te vendimi më i jashtëzakonshëm si ai i përjashtimit, moslejimit të pjesëmarrjes së Shqipërisë Demokratike në Kupat e Europës më 1992 për shkak të pasigurisë në vend. Po a kishte pasiguri më të madhe se nata shovene e Beogradit të 14 tetorit 2014?…

E pra, po të ishim sadopak të rëndësishëm për UEFA më 1992, teksa asokohe, në vitin e parë të lirisë sonë të vërtetë protestoi edhe kryeministri i vendit (Aleksandër Meksi) klubet tona mund të merrnin pjesë, qoftë dhe duke luajtur të paktën në fushë asnjanëse! Por: ik! Kjo është e vërteta e pakritikueshme. Dhe për një çast të shkon mendja të pyesësh: çka ka UEFA me Shqipërinë? Madje, edhe me Kosovën e shqiptarëve, teksa për çudi thuajse i është kundërvënë deri dhe FIFA-s, që në heshtjen e UEFA-s dha vendimin për ndeshje miqësore të Kombëtares së Kosovës. Dhe UEFA që pranon Gjibraltarin dhe jo Kosovën. Po i rikthehem paksa një trajtese që ka bërë për çështjen e Kosovës, jo autori i kë- tushëm shqiptar, por gazeta më e madhe sportive e Europës, “La Gazzetta dello Sport” e Milanos, e cila pati parashikuar pranimin nga UEFA si anëtar të saj, Gjibraltarin me vetëm 6.5 kilometra katrorë dhe vetëm 30.000 banorë popullsi!

Shkruante para pak muajve “La Gazzetta”: “Gjibraltari është thjesht një protektorat i Britanisë së Madhe dhe megjithatë Gjibraltari ka kërkuar anëtarë- simin. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, ka pranuar anëtarë- simin e tij. Kur dihet se Kosova ka deklaruar pavarësinë prej Serbisë dhe është njohur prej 96 shteteve të CIO-s”. Dhe Gjibraltari mikroskopik, i cili po merr pjesë në “EURO 2016” si pjesëtar i Grupit D, teksa po luan si gjithë të tjerët. E madje me 14 nëntor do të ndeshet në një ceremoni himnesh e flamujsh kombëtarë krejt të barabartë me Gjermaninë – Kampione Botës! Edhe pse nuk është shtet”! E megjithatë kishte dhe një lajm të mirë: Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) – organizata sportive më e rëndë- sishme në botë sapo kishte pranuar Kosovën si anëtare të përkohshme të tij.

Për çudi, nuk i bëri përshtypje askujt në Shqipëri. Kur duhej të ishte titull kubik i faqeve të para dhe ekraneve të lajmeve. Për fat, thuajse as nuk e përmendën këtë pranim. E pra, kishim të bënim me një ndër ngjarjet më të rëndësishme të asokohe për Kosovën. Dhe për atë që kuptonte sadopak, kjo nuk ishte një ngjarje thjesht sportive. Ishte një ngjarje politike e gjeopolitike e rangut të parë për njohjen e mëtejshme të vetë shtetit të Kosovës. Kështu kishte ndodhur, ndërsa Shqipëria e futbollit dhe e Gianni De Biasi-t ishte në ankth, në pritje. Çudia ishte se edhe humbja në tryezë 3-0 me Serbinë, prapë e linte aty, në krye të Grupit 1 të “FRANCE 2016” nën këtë pamje: në krye Danimarka e Shqipëria nga 4 pikë secila, Portugalia e treta me 3 pikë, mandej Serbia e Armenia me nga 1 pikë. Do të mbërrinte akti tjetër i dramës, çka do të ishte i pam- ëshirshëm për fajtorët…

* Për vazhdimësi shih Kapitujt I, II, III, IV, V të “Librit të Kombëtares” II te “Panorama Sport” e 27 qershor, 13 korrik, 4 shtator, 10 nëntor 2017 dhe 23 mars 2018.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"