Spartaku shpallet kampion i Kategorisë së Tretë, bashkë me Klosin ngjiten në të Dytën

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Qershor 5, 2017 | 15:28

Spartaku shpallet kampion i Kategorisë së Tretë, bashkë me Klosin ngjiten në të Dytën

Është mbyllur dje kampionati i Kategorisë së Tretë për këtë sezon. Spartaku është shpallur kampion duke mundur skuadrën e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” 6-0 në takimin e luajtur në “Selman Stërmasi”. Përveç titullit, Spartaku së bashku me Klosin e vendit të dytë kanë siguruar edhe ngjitjen në Kategorinë e Dytë.

spartaku

NDESHJA

Takimi i djeshëm ishte për t’u luajtur që më 25 dhjetor të vitit të kaluar, por për shkak se lojtarët universitarë ndodheshin me pushime, u shty. Dhe Sektori i Garave pranë FSHF-së vendosi që të luhej dje ai takim, ku në fund Spartaku u shpall kampion. Nën një atmosferë mjaft të bukur festive të organizuar nga rreth 200 tifozë të Spartakut, të cilët kishin mbushur tribunën qendrore të krahut verior, ka nisur sfida.

Ka qenë një ndeshje që u kontrollua plotësisht nga Spartaku, që shënoi katër gola që në pjesën e parë. Në fraksionin e dytë, skuadra e Spartakut shënon dhe dy gola të tjerë me autor kapitenin Hysko e Denild Cane, duke plotësuar 6 golat. Vlen për t’u përmendur edhe traversa e Sejdinit, si dhe një shtyllë nga Guarino për UK ZKM.

Te skuadra e Spartakut ka shkëlqyer Amarildo Rizvani, që shpeshherë bëhet protagonist në krahun e djathtë të sulmit ku shpërthen drejt zonës, duke nxjerrë të vetëm sulmuesit me portierin Çela, që dje ka bërë pritje të shkëlqyera. Pas përfundimit të takimit, është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut.

Sulejman Demollari dhe Millan Baçi në fund të kësaj ndeshjeje kanë shpërndarë medaljet për kampionët dhe më pas Demollari i ka dorëzuar kupën kapitenit Gilbert Hysko e më pas ka nisur festa me shampanjë. Skuadra e Spartakut me president Agron Shehaj dhe administrator Fatmir Lamçaj ia dolën të zhvillojnë një garë perfekte duke arritur që në fund të shpallen kampionë dhe të sigurojnë edhe ngjitjen në Kategorinë e Dytë.

MILLAN BAÇI

Kryeorganizatori i kampionatit, Millan Baçi, pas përfundimit të garës u shpreh: “Ky kampionat, edhe pse i tkurrur për shkak të ndarjes së re territoriale, duke bërë që shumë ekipe komunash të zhdukeshin, ka qenë nga më të bukurit. Shumica e ekipeve, edhe pse në nivel amator, kanë treguar shpirt gare dhe luftë të fortë sportive.

Por gjithashtu në këtë kampionat janë eliminuar edhe disa fenomene antisportive, duke qenë nga garat më fair play. Shpresojmë që në sezonin e ardhshëm të shtohen ekipet pjesëmarrëse”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën “Panorama Sport” Millan Baçi.

ABDULLA DUSHKU






www.minuta90.com