“Sparkata” e Deliut: Laçi do të jetë shumë shpejt në majë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 18:05

“Sparkata” e Deliut: Laçi do të jetë shumë shpejt në majë

Ardit Deliu është një nga “tre musketierët” e mesfushës së Laçit, bashkë me Juljan Shehun dhe Regi Lushkjen. 24-vjeçari me origjinë nga Kavaja luan prej katër sezonesh me fanellën bardhezi dhe është një prej titullarëve të padiskutueshëm.

Ardit Deliu

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Deliu flet pas fitores së parë në kampionat, objektivat e Laçit dhe koincidencës në start me nisjet jo të mira. Ai beson se këtë kampionat do të shënojë dhe asistojë më shumë, ndërsa e mendon Laçin sërish në majë të renditjes dhe pse jo me një trofe në fund. Deliu është i bindur se pas ardhjes së Mirel Josës gjërat do të ndryshojnë për mirë.

Ardit, më në fund vjen fitorja e parë për Laçin. Sa të rëndësishme ishin këto tri pikë?
Po e vërtetë, ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne, sepse vinim nga një nisje shumë e keqe e kampionatit. Kishim nevojë për një fitore që të ngrihej morali i ekipit.

Çfarë ka ndryshuar në skuadër këto ditë pas largimit të trajnerit?
Nuk është se kanë ndryshuar shumë gjëra, sepse edhe koha ka qenë e shkurtër. Thjesht, trajneri Noka u mundua të punojë më shumë nga ana psikologjike, sepse besoj që aty ka qenë dhe problemi i këtyre javëve.

Me këtë fitore mendoni se kaloi ai moment jo i mirë i skuadrës?
Po shpresoj të jetë ashtu, thjesht besoj që ekipi tani ka nevojë për vazhdimësi, duke filluar që nga ndeshja e radhës, ku do të synojmë të marrim më të mirën.

Skënderbeu është kundërshtari i radhës, si e shikoni këtë ndeshje?
Është e vërtetë që edhe në sezonin e kaluar kemi vuajtur pak dhe kemi lënë pikë me këto skuadra. Skënderbeu është skuadër që nuk ka ndryshuar shumë, ka të njëjtin stil loje dhe besoj që është një ekip shumë i fortë nga ana difensive dhe luajnë gjithmonë me kundërsulme, ku mendoj që duhet të bëjmë kujdes. Në tri sezonet e fundit Laçi e ka nisur gjithnjë keq, por në fund është në Europë.

A besoni që do t’ia dilni edhe këtë herë?
Po, ky është viti i tretë radhazi që na ndodh dhe realisht nuk e di pse e nisim në këtë mënyrë, por është fillimi. Për momentin nuk duhet të mendojmë fjalën titull, por thjesht t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të rikuperojmë sa më shumë pikë nga ato që i lamë në ndeshjet e kaluara. E rëndësishme është që të rikthehemi në vendet e para të tabelës, ku kemi qenë gjithmonë dhe pastaj rrugës do të shikojmë çfarë do të ndodhë.

Si e shikoni këtë sezon, ku janë disa ekipe që kërkojnë të luftojnë për vendet e para?
Mendoj që do të jetë një sezon shumë më i vështirë se vjet, duke parë që dhe skuadrat që janë ngjitur, janë të forta. Do të jetë një luftë më e ashpër për vendet e para, por edhe fundin e tabelës. Shpresoj që ne ta mbyllim sa më lart në renditje, pasi aty e kemi vendin.

A ka një objektiv të deklaruar skuadra këtë sezon?
Primare është që të arrijmë objektivin kryesor, i cili është gjithmonë te Laçi, pjesëmarrja në Europë. Përveç kampionatit, edhe kupës duhet t’i shkojmë deri në fund. Në aspektin personal, çfarë synoni? Në aspektin personal shpresoj që të përmirësohem akoma më shumë duke shënuar dhe asistuar, gjë që në sezonin e kaluar më ka munguar.

Bujar Balliu-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"