Spanjisht dhe greqisht, te Luftëtari ka vështirësi komunikimi mes stafit dhe lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2017 | 15:56

Spanjisht dhe greqisht, te Luftëtari ka vështirësi komunikimi mes stafit dhe lojtarëve

Për të dytin sezon radhazi Luftëtari i besoi pankinën një stafi të huaj. Nëse vitin e kaluar dominonin serbët Mlladen Milinkoviç dhe Marko Jovanoviç, këtë sezon klubi ka shkuar shumë larg, pikërisht në Uruguai. Daniel Fernandez dhe Luis Curbelo vijnë nga Montevideo, me këtë të fundit që ka një të kaluar si lojtar në Greqi.

daniel fernandez tavo

Në ditët e para skuadra ka hasur jo pak vështirësi në komunikimin me stafin e ri teknik. Megjithatë, për fat të mirë, klubit nuk i është dashur të marrë një përkthyes nga jashtë. Zëdhënësi për shtyp, Rigels Malile, zotëron disa gjuhë të huaja dhe mbi të gjitha spanjishten, të cilën e flasin trajnerët. Krahas detyrës që ka, Malile është i detyruar të qëndrojë gjatë gjithë kohës në stërvitje për t’u transmetuar lojtarëve atë që u kërkon trajneri.

Mirëpo, te Luftëtari kanë gjetur edhe mënyra të tjera për t’u kuptuar, në rast të mospranisë së Maliles. Zv.trajneri Curbelo di shumë mirë gjuhën greke. Në këto kushte, sa herë që mungon zëdhënësi për shtyp, te Luftëtari situatën e përkthimit e merr në dorë trajneri i portierëve, Ilirjan Zeko, i cili nga greqishtja e Curbelos, u transmeton futbollistëve gjithçka thotë trajneri i parë, Fernandez.

Një pjesë e lojtarëvte të Luftëtarit njohin mirë gjuhën greke dhe kjo e bën më të lehtë programin stërvitor. Por, kjo nuk do të thotë se gjithçka ka rezultuar perfekte. Prej ngatërresave në gjuhë, shpesh trajneri Fernandez ka ndalur stërvitjen, me qëllim bërjen, ashtu siç u është kërkuar lojtarëve, të ushtrimeve me karakter tekniko-taktik.

“POLIGLOTI” BREGU

Te Luftëtari nuk mungojnë njohësit e gjuhës spanjolle, as brenda ekipit. Një prej lojtarëve që “flet” mirë, jo vetëm brenda fushës, është vlonjati Dejvi Bregu. Sa herë që në skuadër ka keqkuptime si rezultat i përkthimit, Bregu ndërhyn dhe ua bën më të lehtë lojtarëve.

Mesfushori i talentuar di mirë spanjisht dhe shpesh bën përkthyesin brenda fushës, kur trajneri Fernandez kërkon diçka të shpejtë. Edhe pse futbolli ka gjuhën e vet, natyrisht shumë i rëndësishëm është fakti që idetë e trajnerit duhet të transmetohen ashtu siç ai i thotë realisht. Fernandez është një trajner shumë kërkues dhe jo pa qëllim, ndërpret disa herë stërvitjen, me merakun nëse ekipi e ka kuptuar si duhet.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"