Spanja s’ka mëshirë, 10 gola ndaj Tahitit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2013 | 8:22

Spanja s’ka mëshirë, 10 gola ndaj Tahitit

Spanje-Tahiti 10-0Një sfidë pa sens, por mbi të gjitha pa histori. Spanja përplas diletantët e Tahitit me një ortek golash dhe në përfundim të 90 minutave rezultati shifra dopio, 10-0. Por ky rezultat, edhe pse i ekzagjeruar në pamje të parë për futbollin modern, mund të kishte qenë edhe më i thellë. Mirëpo, duke qenë se trajneri i Tahitit kërkoi mëshirë përpara takimit, spanjollët në fund të ndeshjes theksuan se nuk mund t’i mëshironin më shumë se kaq dhe mbase kishin të drejtë… Me pak fjalë, mision i përmbushur, vendi i parë në Grupin A, në pritje të sfidës së fundit me Nigerinë.

SPANJE-TAHITI  10-0
GOLAT: Torres 4′, 33′, 57′, 78′, Silva 31′, 89′, Vila 39′, 49′, 64′, Mata 66′
SPANJA (4-3-3) Reina; Azpilikueta, Albiol, Ramos (46′ Navas), Monreal; Kazorla (76′ Iniesta), Martinez, Silva; Mata (69′ Fabregas), Torres, Vija. Trajner: Visente Del Boske TAHITI (5-4-1) Roshe; Aitamai, Ludivion, Vajara, Xh.Tehau, Lemaire (74′ Vero); Vahirua, Burebare (69′ L.Tehau), Karoine, Çong-Hue; A.Tehau (53′ T.Tehau). Trajner: Edi Etaeta
KARTONËT TË VERDHË: Kazorla 45′
ARBITËR: Xhamel Haimudi (Algjeri)

Pabarazi totale Të kërkosh mëshirë është diçka, por të gjesh përballë një ujk të uritur si Fernando Torres është diçka tjetër. Sulmuesi i Çelsit nuk kërkon ta humbë këtë rast dhe, pa përfunduar minuta e pestë, dhuron avantazhin, me një goditje të fortë në pozicion diagonal ndaj portierit. Në fund të takimit golat e tij do të jenë katër, shifër që e bën biondin spanjoll golashënuesin më të mirë të turneut, deri në këtë moment, pa harruar që në të 78- ën minutë gabon edhe një penallti, duke e dërguar në traversë. Për këtë Spanjë është shumë, po shumë e lehtë, ndonëse Del Boske mbajti premtimin duke hedhur në fushë rezervat e tij, edhe pse nga ana tjetër nuk është faji i tij që ka rezerva si Torres, Vija, Kazorla dhe Havi Martinez.
Golat Pjesa e parë mbyllet në shifrat 4-0, por kjo është një ditë feste, aq sa të gjithë tifozët e pranishëm në “Maracana” kishin përqafuar tifozerinë simpatike të polinezias. Nëse në pjesën e parë u tërbua Torres me një dopietë (në fund të takimit golat do jenë 4), në të dytën çmendet Vija, që, pas golit të parë në të 39-ën, 45 minutat e dyta i mbyll me një dopietë (tripletë për të), ndërsa rezultati final do të plotësohet nga “eleganti” David Silva, që festoi një dopietë dhe Huan Mata, që realizoi golin e tetë. Spanja e mbyll këtë stërvitje duke hedhur në fushë gjatë minutave finale Fabregasin dhe Iniestën, aq sa për të mbajtur muskujt e nxehur, por mbi të gjithë për t’i mbajtur të frenuar shokët e tyre të skuadrës që të mos shënojnë më shumë, sepse edhe kaq mjafton për në gjysmëfinale. Më shumë mëshirë se kaq…
Rekordet e Spanjës Me fitoren e djeshme 10-0 përballë Tahitit, Spanja e shkruan emrin edhe në librin e rekordeve. Ky sukses është rekordi absolut i golavarazhit në stadiumin mitik të Brazilit, “Maracana”, duke qenë se rekordi i mëparshëm 7-0 i “Seleçao”-s ndaj Kilit, që datonte 17 shtator 1959, tashmë është vetëm një kujtim i largët. Për më shumë, shifrat 10-0 janë gjithashtu rezultati më i thellë i regjistruar ndonjëherë në Kupën e Konfederatave, duke thyer kështu Nigerinë, e cila shënoi rekordin e saj, pikërisht ndaj Tahitit, vetëm pak ditë më parë. Në të njëjtën kohë, rezultati 10-0 mes Spanjës dhe Tahitit është gjithashtu fitorja më e thellë në një takim nën logon e FIFA-s, i cili theu rezultatin 10-1 të Hungarisë me Salvadorin, i regjistruar në Botërorin spanjoll të 1982-shit.

Hajdutët grabisin 6 spanjollë, Tahiti u bën dhurata
Dita e djeshme ka nisur mbrapsht për spanjollët. Në Resife pritej të kishte festë për skuadrën e Del Boskes dhe rivalët e tyre të Tahitit, por kjo Kupë Konfederatash vazhdon të grumbullojë vetëm probleme. Pas manifestimeve të ashpra, dje në aksion kanë hyrë hajdutët, të cilët kanë grabitur 6 futbollistë të kampionëve të botës dhe të Europës. Hoteli ku akomodohen spanjollët është zhvatur nga disa të panjohur. Sendet e grabitura kanë qenë çanta, bizhuteri, por edhe një shumë parash, diçka më shumë se 1 mijë euro në total. Këto vjedhje mendohen të kenë ndodhur gjatë kohës që Spanja kishte qenë në fushë kundër Uruguait, por vetëm në orën e fundit disa prej iberikasve kanë vënë re zhdukjen e disa prej sendeve të tyre, mes të cilëve edhe Xherard Pike, i cili ka qenë jo vetëm i pari që është ankuar, por në të njëjtën kohë ka shpërthyer kundër drejtuesve të hotelit, si dhe ndaj policisë, së cilës i ka kërkuar sqarime të mëtejshme. Gjithsesi, teksa u është vjedhur diçka disa ditë më parë, dje kundër Tahitit jo vetëm fituan, por secili prej tyre, edhe pankinarët morën si dhuratë nga tahitianët nga një varëse me guacka, në shenjë respekti dhe sportiviteti.

“Hajdutët? Jemi të lumtur me brazilianët”
Trajneri i Spanjës, Visente Del Boske, është i lumtur me ndeshjen e të tijve ndaj Tahitit, por në të njëjtën kohë e ka marrë me sportivitet edhe grabitjen që u është bërë futbollistëve të tij. “Ndeshje të tilla, ndonëse pa shumë histori, i bëjnë mirë këtij sporti, sepse fundja futboll do të thotë edhe përballje kulturash të ndryshme. Ne i falënderojmë rivalët tanë dhe, pavarësisht humbjes së shkaktuar, i respektojmë. Brazilianët po na vjedhin? Unë këtë popull e njoh për dashurinë e tyre ndaj futbollit, por ka edhe nga ata, si në çdo vend tjetër të botës, që kalojnë limitet e fushës. Prandaj, pavarësisht grabitjeve, ndihemi të lumtur mes brazilianëve”.

Torres: S’i respektonim dot më shumë se kaq
Fernando Torres është heroi i Spanjës në ndeshjen kundër Tahitit, edhe pse për të mundur kundërshtarët modestë nuk nevojiteshin heronj në fushë. Por gjithsesi, autori i katër golave ka dashur të bëjë pak ironi përpara gazetarëve spanjollë. “Nëse do më thoni për personat që kishim përballë, kurrë nuk kam parë rivalë më sportivë dhe më të respektueshëm se Kombëtarja e Tahitit, e cila jo vetëm në fushë që nuk luajti pisët, por na bëri edhe një dhuratë të bukur. Për sa i përket rezultatit, mund të them se i kemi respektuar, por më shumë se kaq nuk mund të bënim. Gjithsesi, Tahiti është shembulli më i mirë se fundja futbolli është një sport dhe vetëm kaq”.

1 milion protestues, por sfida nuk u anulua
Stadiumi i “Maracana”-s është blinduar dje nga afro 10 mijë trupa policore, të cilat kanë zënë perimetrin e këtij impianti, përpara se ndeshja mes Spanjës dhe Tahitit të fillonte. Këto masa të ashpra janë marrë si rrjedhojë e paralajmërimit të një proteste të radhës, në të cilën do të merrnin pjesë 1 milion persona. Lufta kundër shpenzimeve kolosalë të qeverisë për zhvillimin e Botërorit 2014 vazhdon, ku pas 200 mijë personave që protestuan përpara Spanjë-Uruguai, dje ka qenë një situatë edhe më e frikshme. Gjithsesi, falë ndërhyrjes së policisë dhe ushtrisë, kjo masë është ndaluar që të bashkohet dhe takimi ka nisur e ka përfunduar normalisht.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"