Spaleti: Rekordi nuk do të thotë asgjë, ky tunel do vazhdojë deri në qershor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2017 | 10:43

Spaleti: Rekordi nuk do të thotë asgjë, ky tunel do vazhdojë deri në qershor

Luçiano Spaleti, në përfundim të fitores me Veronën, foli për mikrofonat e “Premium Sport”, duke e nisur me një koment për penalltinë e akorduar për verdheblutë: “Janë episode të vështira për t’u diskutuar, është e kotë t’i komentosh. Nëse arbitri e akordoi, do të thotë që pati të drejtë”.

Spaleti

PROVË POZITIVE

“Ishim mësuar me mënyra të tjera, të kërkonim top nga prapa, duke treguar kujdes. Rrezikojmë akoma, na duhet të punojmë mbi disa aspekte. Fakti që Verona na sulmoi është për t’u duartrokitur. Po ashtu, përgëzoj lojtarët e mi që ‘pushtuan’ gjysmëfushën e tyre, atë që duhet të përpiqemi të bëjmë gjithmonë. Skuadra më pëlqeu në çdo aspekt, por në disa raste ngadalësojmë ritmin, lejojmë hapësira kur nuk duhet kurrsesi të shpërqendrohemi. Por fituam psikologjikisht”.

MBI REKORDIN

Çfarë efekti i bën Spaletit fitorja? Duket se Luçiano nuk e ka mendjen te rekordet: “Asnjë, do shtohet një tjetër shkrim në historinë e klubit dhe tani le të shohim përpara. Duhet të shkojmë në fund të këtij tuneli që do zgjasë deri në qershor për të parë dritën në fund”.

IKARDI

Në një ndeshje ku nuk shënoi, i vihet në diskutim Ikardi: “Për mendimin tim zhvilloi një ndeshje të mirë, gjithmonë paraqitjet e tij i gjykoni nga golat, por me hapësirat që krijoi na dha një avantazh të madh. Është thelbësor në çdo lëvizje që bën”. Dhe e mbyll me shtyllën e Vesinos: “Shpresoj që të mos ndikojë në rekordin tonë të fatit…”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"