Spaleti pret vazhdimësi: Dua Interin e Championsit, Sampdoria kockë e fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2018 | 20:04

Spaleti pret vazhdimësi: Dua Interin e Championsit, Sampdoria kockë e fortë

Nga njëri krah shtatë minutat e përm bysjes, në tjetrin katër pikët e grumbulluara në Serinë A: fundi i një ndeshjeje që mund të ketë ndryshuar garën për Champions dhe starti në kampionat që nuk lejon më hapa falsë. Transferta në Gjenovë duhet të konfirmojë që me Totenhemin është shënuar kthesa: “Dalim nga ndeshja e së martës të përforcuar dhe të bindur që forcën e kemi: çështja është të mësojmë ta përdorim gjithmonë. Vazhdimësia, megjithatë, do vlente më shumë se tri pikët”. Përmirësimi kryesor u pa në personalitet: “Mund binim në një kurth psikologjik, duke mos u zhvilluar në rendiment. Por skuadra nuk u shpërbë për asnjë moment, ushtruam presing edhe kur ishin në disavantazh, duke detyruar Totenhemin të bënte lojë të pisët: kështu rikuperuam disa herë topin”.

spaleti

FYTYRA TË QETA – Thelbësore është të punohet, në mënyrë që triumfi madhështor të mos mbetet një episod. Dhe gjithçka kalon përmes punës: “Nëse mendoj si jemi stërvitur, gjej gjithmonë një ballafaqim të profesionalitetit dhe qetësisë. Këtu përgatitemi me seriozitet, sepse vetëm kështu fitohen ndeshjet, nuk ecet përpara me rastësi. Shoh, megjithatë, që fytyrat janë më të qeta krahasuar me të kaluarën”.

IKARDI – Në nivel loje, përmirësimi kalon nga përfshirja më e madhe e Ikardit: “Është e qartë që ai duhet të lëvizë në njëfarë forme për të kërkuar topin, por skuadra duhet të konsiderojë cilësitë e tij e ta vendosë në kushte për t’i shprehur. Mendoj se për t’u konsideruar një kampion mjafton të shfaqësh për pak sekonda talentin, për të zhvilluar një ndeshje të tërë prej kampioni nevojitet personaliteti: 95 minuta i bashkuar me skuadrën dhe gjithmonë pranë topit”. Zëvendësimi i Perisiç nuk simbolizoi “ngeljen në klasë” të kroatit: “Ivani nuk u paraqit keq: në aspektin e shpejtësisë së pastër dhe pozicionimit qëndron, flas statistikisht, një shpatull mbi të tjerët. A ka nevojë të pushojë? Kjo duhet vlerësuar”. Më pas Spaleti konfirmoi që Shkrinjar “bëri një punë të mirë si mbrojtës i djathtë” dhe ndoshta e përdor sërish në atë pozicion, ndërsa Zhoao Mario “mund të jetë i domosdoshëm nëse gjen ekuilibër”.

SAMPDORIA E SABATINI – Lidhur me rivalin e sotëm: “Xhiampaolo më pëlqen, i është dashur më tepër kohë për t’u shfaqur në këtë nivel: ka një vizion të jashtëzakonshëm, gjithmonë me ide të reja. Shpresoj që nesër (sot) të gjej në fushë edhe Valter Sabatinin, edhe pse më thonë që duhet ende të kompletojë kurat përpara se të rikthehet në stadium”.

ADANI DHE TOTI – Spaleti ka gjetur kohë edhe për të komentuar “çështjen e javës”, atë të lidhur me telekronikën e “Sky Sport”: “Festimi i Adanit dhe Trevizanit ishte mungesë respekti vetëm për gazetarët italianë që mbështesnin Totenhemin. Ata përcollën me përpikëri atë që ndodhte në fushë, ashtu si kanë bërë më parë me skuadrat e tjera. Komenti ishte spektakolar: ‘tërhoqi’ në stadium edhe ata që ndodheshin në shtëpi. I duhen bërë komplimente, duke dhënë maksimumin në disa momente të punës del në pah më e mira”. Për intervistën dhe librin e Totit, ndërkaq, do flitet në një moment tjetër: “Do lexoj librin kur të dalë i plotë, më pas mund ta diskutojmë shkurtimisht, por për momentin nuk i përgjigjem askujt, edhe pse kemi një ndeshje përpara”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"