Spaleti mban karikuar Interin: Rivalët? Rëndësi ka që jemi në Champions, edhe vitin e kaluar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2018 | 10:16

Spaleti mban karikuar Interin: Rivalët? Rëndësi ka që jemi në Champions, edhe vitin e kaluar…

Të harrohet Torino, du het menduar vetëm për Bolonjën: është rruga për t’u ndjekur pas një starti negativ, me në horizont sfidat e Ligës së Kampionëve që do jetë e ndërlikuar. Luçiano Spaleti dhe Interi rinisin nga “Dall’Ara”, ku sot përballë do kenë kuqeblutë e Pipo Inzagit. “Do kërkojnë edhe ata të japin më të mirën. Ashtu si ne, Bolonja nuk ka pasur një nisje të lumtur, luajnë në shtëpi, më pas vjen pushimi. Do gjejmë një skuadër solide, duhet t’i përballim duke përmirësuar diçka në personalitetin tonë”. Zikaltrit rigjejnë Raxha Naingolanin, jashtë fushave prej 18 korrikut: “Është i rëndësishëm, por nuk mund të mbështetemi te një lojtar i vetëm, – shpjegon trajneri. – Na ofron agresivitet dhe forcë, por skuadra jonë duhet të jetë e fortë edhe kur mungojnë disa lojtarë të caktuar. Sigurisht, jemi rritur krahasuar me vitin e kaluar, edhe pse rezultatet e marra nuk janë ato që dëshironim”

spaleti.

KRITIKA – Barazimi në shtëpi me Torinon ka sjellë kritikat e para. Spaleti megjithatë sheh përpara: “Nuk shohim kritikat, duhet vetëm të ndërtojmë e të përdorim më së miri kohën tonë: është si të mësosh biçikletën. Nëse humbet brenda kritikave, konsumon energji që mund të jenë të nevojshme për ndeshjen pasardhëse. Gjithçka e analizojmë brenda grupit, çfarë ndodh jashtë lihet të kalojë. Ndeshjen me Bolonjën e kemi përgatitur në të njëjtën mënyrë, hoqëm ditën e pushimit sepse pashë disa pasiguri që, nëse i linim të kalonin, mund të përkeqësoheshin. E ndërkaq i sistemuam, diskutimi zgjati pesëmbëdhjetë minuta. Thonë se nuk dimë të reagojmë ndaj vështirësive? Jo, nuk besoj: e treguam vitin e kaluar, në gjysmë orën e fundit në ‘Olimpico’ kundër Lacios ku u pa që të gjithë u bashkuam për të arritur objektivin”. Vitin e kaluar, madje, Interi rriste nivelin kur rritej ai i kundërshtarit: një avantazh që në Champions do nevojitet. “Jam dakord, nëse sfidojmë një skuadër më ‘të madhe’ se vetja, jemi në kushte për të menaxhuar më mirë fazat e lojës”.

FORMACIONI – Ndërkaq, nga “Appiano Gentile” ditën e djeshme kanë qarkulluar lajme të mira, të përcjella nga “Sky Sport”, lidhur me formën fizike të Kuaduo Azamoahs, i gatshëm dhe i grumbulluar për transfertën e Bolonjës. Ku, për gëzimin e Spaletit, me 99% mund ta nisë si titullar: sipas raportimeve të fundit të stafit mjekësor, zikaltër ganezi, i riaftësuar pas shqetësimit në kavilje të pësuar të dielën e kaluar. Tani ka parakaluar Dalbertin dhe pritet të marrë frerët e korsisë së majtë në modulin e konfirmuar 3-4-2-1, ku pritet edhe debutimi nga 1′ i Raxha Naingolanit, i cili do vendoset përkrah Ivan Perisiçit prapa krahëve të Ikardit.

EUROPA – Në fund, kampionati lihet mënjanë: nuk mund të mos flitet për Ligën e Kampionëve dhe “grupin e ferrit” me Barcelonën, Totenhemin dhe PSV Eindhovenin: “Kemi paguar nisjen nga vazoja e katërt deri në qindarkën e fundit, por vitin e kaluar do kishim paguar për të qenë prezentë në këtë kompeticion, edhe në një grup të tillë: kryesorja është që në një nga ato gogla shkruhej emri ‘Inter’. Avantazh është që asnjëra nga skuadrat nuk lëshon pikë: në tërësi, do jetë një grup i ekuilibruar. Ne duhet të jemi në lartësinë e të tjerëve. Janë skuadra shumë të forta: nuk duhet harruar që dy prej tyre (Barcelona e PSV-ja) kanë fituar tripletën ashtu si ne (katalanasit dy herë). Duhet të mësojmë prej tyre: kështu do mund të rrisim nivelin tonë”, tha trajneri.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"