Spaleti: Interi në borxh me tifozët, Ikardi i karikuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2018 | 10:05

Spaleti: Interi në borxh me tifozët, Ikardi i karikuar

Më shumë se antiJuventusi duhet të jemi antiRoma ose anti-Napoli, duke konsideruar diferencën në mentalitet të lindur nga rezultatet e viteve të kaluara. Qartë, nëse mendojmë vetëm te Sasuolo jemi anti-askush. Por, ajo humbje nuk hodhi poshtë asgjë, jemi një skuadër e fortë. Sigurisht, është e nevojshme të japim më shumë”. Është propaganda e Luçiano Spaletit në përgatitje të debutimit sezonal në “San Siro” kundër Torinos.

spaleti

“Gjatë javës kam parë etikën e duhur në stërvitje, – vijon trajneri zikaltër, – jam i lumtur prej seriozitetit të shfaqur nga lojtarët e mi. Do jetë një ndeshje e vështirë, Torino për nga tradita është një skuadër që lufton gjithmonë me thikë në dhëmbë dhe do përsërisë tipin e ndeshjes së zhvilluar përballë Romës. Ne duhet të mendojmë të shfaqim personalitet dhe vendosmëri: të marrim kontrollin e ndeshjes. Nga humbja në Rexhio Emilia më erdhi keq nga fakti se vendosëm në diskutim disa siguri të fituara kampionatin e kaluar: pikërisht nga lojtarët e sezonit të kaluar kërkoj diçka më shumë, që t’u japin mësim të ardhurve”.

EKUILIBRA

Lidhur me formacionin, trajneri nuk zbulohet: “Naingolan do jetë i grumbulluar, por duhet të kemi kujdes me direktivat e stafit mjekësor. Përveç tij, gjithë të tjerët janë në formë. Dalbert? Zhvilloi një ndeshje larg pritshmërive në Rexhio Emilia, si shumë lojtarë të tjerë. Mund të bëjë më shumë, siç tregoi në fazën përgatitore, por duhet të mësohet me tensionin e futbollit tonë për të gjetur një ekuilibër. Besoj tek ai, përndryshe do kisha kërkuar shitjen.

inter

Shkrinjar? Është rikthyer në formë optimale: plotësisht i rikuperuar. Gjithashtu edhe Keita, që duhet të jetë në gatishmëri ashtu si të gjithë. Formacioni anti-Sasuolo? Zgjedhjet do merren në funksion të ekuilibrave. A është gati skuadra për mbrojtjen me tre? I kemi konsoliduar njohuritë mbi modulin me tre në prapavijë, ndaj nuk kuptoj se ku qëndron problemi”.

PUBLIKU

Në “Meazza” tifozëria zikaltër pritet të jetë ajo e rasteve të mëdha, gati për të mbështetur skuadrën edhe në momentet më të vështira. Dhe Spaleti është i vetëdijshëm: “E kamë thënë edhe më parë, jemi në borxh me ta: duhet të dimë që mbështetja e tyre nuk na ka munguar dhe nuk do na mungojë asnjëherë, ndaj duhet të japim diçka më shumë se futbolli i luajtur, i ndërtuar me skema në dërrasën e zezë e diskutime sepse e meritojnë.

VAR

Spaleti u ndal edhe tek aplikimi i VAR-it dhe gjoba prej 10 mijë eurosh e marrë nga gjykatësi sportiv pas protestave në përfundim të Inter-Sasuolo: “Janë ndërmarrë disa modifikime, e rëndësishme është që të gjithë t’i njohin… në përgjithësi gjithçka bëhet si pasojë e një drejtësie më objektive. Lexoj edhe se kam ofenduar, nuk është e vërtetë: ndoshta edhe në këto raste do nevojitej VARi. Përveç të tjerave, situata më kushtoi edhe shtrenjtë: ekziston një rregullore, krahas gjobës së gjykatësit sportiv pagova edhe këtu brenda… mund ta imagjinoni kush e ka ndërtuar atë rregullore… “.

IKARDI

Në mbyllje, një koment mbi kapitenin: “Është dakord me mua: ka qenë gjithmonë një bomber i jashtëzakonshëm, po punojmë mbi disa ndryshime që do përmirësonin atë dhe Interin. Pyesni një qendërmbrojtës: preferon të markosh një sulmues që parkon brenda zonës së rreptësisë apo njërin që lëviz vazhdimisht dhe të humbet nga sytë?”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"