Spaleti: 7 pikë avantazh nuk janë të vërteta, por është faji i Milanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2017 | 11:47

Spaleti: 7 pikë avantazh nuk janë të vërteta, por është faji i Milanit

“Mbrojtja? Është ligji i hidhur i golit. Mirabeli s’është i frikësuar? Këtë po e shkruaj…”. Muzikë, kinema dhe… Spaleti. Në prag të derbit kundër Milanit (sot, ora 20:45), trajneri i Interit karikon skuadrën e tij drejt fitores së shtatë në tetë ndeshje në kampionat.

Spaleti dhe Montela

“Nga ne nuk do ketë alibi, besoj te forca e skuadrës. Derbi i parë i Milanos do jetë një privilegj për mua. I kam përjetuar këto ndjenja që në Romë, por Milano është një qytet modern, edhe pse e lidhur me traditat dhe me një derbi që po merr vendin e parë në botë”.

MIKU

Tekniku toskan ka qenë edhe trajneri i Vinçenco Montelës. “Ka qenë një lojtar i imi, është një mik. Gjithashtu shumë i zoti, një trajner i aftë. Thotë që 7 pikë që kemi avantazh nuk janë të vërteta? Ka të drejtë, por kanë bërë gjithçka ata dhe nuk është faji ynë”. Ndërsa për Mirabelin, Spaleti e ka gati replikën: “Thotë që duhet t’u trembemi atyre? Këtë do e shënoj…”.

BROZOVIÇ KO

Dhe pa Brozoviçin, një nga lojtarët më në formë të ndeshjeve të fundit, Spaleti ka gjetur zgjidhje të tjera: “Kanselo rikthehet? Do jetë një blerje e re për ne. Mund të luajë në disa pozicione dhe është shumë i dobishëm. Ka luajtur kundër Realit e Barcelonës, me siguri nuk ka nevojë t’i tregosh si luhen ndeshje të tilla”.

KUPTIM

Me 12 pikë në 7 javë, Milani është në rrezik dhe me një humbje do ishte jashtë nga Europa pa pritur fundin e sezonit: “Nuk besoj”, vijon Spaleti. “Montela do dijë të organizohet, është i zoti. Milani luan më mirë se ne? Mua më intereson të mendoj te kjo ndeshje, ku nis gjithçka nga zero. Më intereson gjendja e lojtarëve të mi përpara ndeshjes. Nuk shoh precedentët, kush po luan më mirë apo më keq. Milani është një kundërshtar i rrezikshëm dhe rëndësi ka vetëm ndeshja që po afron”.

Dhe atyre që thonë se Interi është me fat, Spaleti u përgjigjet menjëherë: “Na ka munguar edhe fati, por kritikat tuaja (të gazetarëve) kanë qenë një ogur i mirë”. Çelësi i suksesit është mbrojtja dhe në këtë rast Spaleti citon Maks Pecalin (këngëtarin e grupit pop italian “883”):

“Siç thotë Pecali, është ligji i hidhur i golit. Mbrojtja e fortë është cilësi e një skuadre. Për momentin është shpejt të flasim sepse në ndeshjet e luajtura kemi lejuar diçka tepër”. Shpresat janë të gjitha tek Ikardi: “Ka shpatulla të gjëra, gjigante. Si ato të Ibrahimoviç”. Nuk shënon nga aksioni që me Romën? “Po, por Mauro punon edhe për skuadrën.” Mbyllja, është e përkryer: “Forca Inter, shijoni derbin”.

LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"