Soue: Kam probleme me klimën, Henri është frymëzimi im

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2017 | 20:32

Soue: Kam probleme me klimën, Henri është frymëzimi im

Katër javët e para të kampionatit treguan se nuk ka rivalë që mund ta ndalin furinë e sulmuesit gambian të Skënderbeut, Ali Soue. Por, edhe në dy ndeshjet e Ligës së Europës, lanë të kuptohet se potenciali i tij është shumë i madh. Soue po kthehet në goditjen më të bujshme të Skënderbeut. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi flet për momentin e mirë që po kalon dhe “fiksimet” e tij.

Soue

Soue, katër javë kampionat. Jeni i kënaqur me veten dhe skuadrën?

Pavarësisht se është ende herët për të qenë i kënaqur, sepse janë vetëm katër javët e para të kampionatit, mund të them se është diçka e mirë. Të jesh i pari, sigurisht që të kënaq.

Keni mundur dy ekipet rivale si Partizani dhe Kukësi. A mund të themi se Skënderbeu është i pathyeshëm në Superiore?

Jo, këtë nuk mund ta them unë, pasi është shumë shpejt.  Ne po tregojmë forcën tonë si grup dhe duke qenë se jemi këtu ku jemi, kemi merita të veçanta. Nga ana tjetër, kampionati është shumë i gjatë dhe këto janë konkluzione që nuk mund të dalësh kaq shpejt. Por, unë jam i bindur se nëse luajmë kaq të bashkuar për njëritjetrin dhe kaq të përqendruar, ekipet kundërshtare do ta kenë të pamundur të na ndalojnë.

Le të flasim pak për ju. Keni bërë një start sezoni shumë të mirë. E prisnit që të ishit kështu që në fillim apo jo?

Të them të drejtën, kur erdha këtu dhe pashë nga afër ekipin, mendova që në fillim se jemi në gjendje të bëjmë gjëra të mëdha së bashku. Për këtë mund të them se pjesë e paraqitjeve të mia ka edhe ekipi. Normal që një sulmues mbi të gjitha mendon të jetë në formë që në fillim, por të jem i sinqertë nuk e mendoja se do të ishte kështu. E përsëris është merita e ekipit.

soue xhejms

Pra, nuk e mendonit të ishit kaq mirë që në fillim?

E thashë këtë, pasi përshtatja dhe ambientimi me lojën e ekipit janë kyçi i gjithçkaje. Unë kam arritur të përshtatem shpejt dhe kjo më ndihmoi shumë. Plus kësaj, ju siguroj se kam ende shumë për të dhënë. Nuk e keni para akoma potencialin tim.

Në kampionat jeni kthyer në frikë për mbrojtjet kundërshtare, por edhe në Europë po arrini të shkaktoni rrezik…

Të them të drejtën, është ndjesi e veçantë kur merr elozhe herë pas here dhe kjo më bën vërtet të ndihem mirë.

Ku ndryshon Soue i Europës me kampionatin?

Kam përshtypjen se ka ndryshime të theksuara, jo vetëm te Soue, por edhe tek ekipi. Në kampionat vlerësimi i kundërshtarit dhe përqendrimi është një diçka që duhet të jetë e gjithanshme derisa ke krijuar rezultatin në varësinë tënde. Ndërsa në Europë, përqendrimi është më i madh, çdo sekondë, pasi nëse nuk je deri në minutën e 90-të, atëherë rrezikon ta pësosh keq.

Soue

Si po shkon ambientimi me Korçën si qytet dhe ushqimin?

Për sa i përket ushqimit, nuk jam ndonjë llupës i madh. Më pëlqen kuzhina shqiptare, të paktën ushqimet që kam provuar deri më tani janë të shijshme. Në anën tjetër, përqasja me qytetin ka qenë e mirë.

Është një qytet i bukur dhe shumë i dashur. Njerëzit të përshëndetin kudo ku të shikojnë madje të ndalojnë edhe në rrugë, duket që e dashurojnë futbollin. Por pak problem kam pasur me klimën. Është më ftohtë se në Itali dhe kjo ka qenë problem fillimisht, por tani u ambientova.

Kush është lojtari idhull për ju apo pika e referimit në karrierë?

Si lojtar shembull kam ishsulmuesin Tieri Henri. Pavarësisht se kemi karakteristika jo të ngjashme, përsëri mendoj se në disa pjesë të lojës sonë është lojtari që e shoh edhe sot në video dhe më pëlqen t’i ngjaj atij. Pra, nga Henri unë frymëzohem në futboll.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"