Soue ka dedikim special për dopietën: E dija që do të shënoja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2018 | 23:00

Soue ka dedikim special për dopietën: E dija që do të shënoja

Ali Soue rikthehet te goli pas dy muajsh. Sulmuesi deklaroi pas ndeshjes për “Panorama Sport” se nuk e ndiente presionin e mosshënimit të golave, pasi skuadra kishte ecur mirë në të dyja frontet: Kupë dhe Kampionat. “Kualifikimi ka më shumë rëndësi se golat që shënova sot (dje), por mbi të gjitha rëndësi ka shëndeti i shokut tonë të ekipit, Jashanica.

Soue gol Skenderbeu

Ai dëmtim që pësoi na ka tronditur të gjithëve dhe jemi me të në këto momente. Presim lajme të mira dhe mbi të gjitha e mbështesim në çdo moment që të kthehet më i fortë se më parë, bashkë me ne. Kemi lënë një objektiv pa përmbushur dhe e dimë që ai do të jetë në fushë për të luftuar me ne.

Nga ana tjetër mund të them se kualifikimi na kënaq dhe na bën që të ecim përpara në një tjetër objektiv që ka caktuar klubi”, ka thënë gambiani. Sipas tij, Skënderbeu i ka të gjitha mundësitë për të fituar gjithç- ka këtë sezon.

“Është bukur të jesh pretendent në dy kompeticione dhe për këtë është meritë e të gjithë lojtarëve që kanë ditur të përballojnë çdo ngarkesë deri më tani. Jemi të bindur se duke qenë të përqendruar, mund të vazhdojmë përpara me këtë ritëm”, theksoi Soue, për të folur më pas për rikthimin me gol pas dy muajsh.

Soue

“Golat nuk më shqetësonin aspak sepse, sikundër e kisha thënë edhe më parë, janë çështje kohe. Rëndësi ka të fitojë ekipi. Në njëfarë mënyre, ky dygolësh është një lehtësim më shumë për mua, më bën më të lumtur. Mbi të gjitha vijnë rezultatet e grupit dhe më pas loja dhe golat e mi.

Por, nuk diskutohet, një sulmues matet me gola dhe kjo është normale që të flitet gjerësisht për mungesën e rrjetës. Gjithsesi shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm për t’u mbyllur gojën të gjithëve që nuk besonin tek unë. Golat ua dedikoj shokëve të ekipit dhe mbi të gjitha Jashanicës, të cilin e presim të rikthehet më i fortë se më parë”, përfundoi Soue.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"