Sota, i bindur: Apolonia ka profilin për në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2019 | 14:22

Sota, i bindur: Apolonia ka profilin për në Superiore

Fierakët kanë startuar javën e katërt të përgatitjeve për sezonin e ri. Testimet për formatimin dhe konsolidimin e grupit, por edhe intensiteti i vazhdueshëm në merkato për lojtarë të tjerë cilësorë, kjo është ritmika e përditshmërisë në mjediset e klubit.

Apolonia-gezon-me-trajnerin

Deri tani me Apoloninë kanë nënshkruar tre futbollistë: mesfushorët Smaçi dhe Sharavolli dhe sulmuesi Branica, ndërsa prej ditësh vijojnë testimet disa lojtarë të tjerë. Por fierakët mbeten ende në merkato, ku siç kanë deklaruar drejtuesit, mund të ketë përforcime në çdo repart, me përjashtim të portës.

SOTA

Mbrojtësi fierak, Eljon Sota, do të jetë sërish pjesë e skuadrës bardhejeshile për kampionatin e ardhshëm. Është një futbollist që ka njohur rritje në lojën e tij, i përshtatur nga trajnerët e Apolonisë në çdo cep të prapavijës, në krahë dhe në qendër. Gjatë kampionatit të kaluar, jo vetëm që ishte një ndër më të aktivizuarit tek Apolonia, por u bë edhe pjesë e Shpresave të Shqipërisë, bashkë me shokët e skuadrës, Harizajn dhe Mihanën.

sota-750x430

Sota është një lojtar luftarak dhe me karakter. Ai beson për një skuadër dinjitoze në kampionat. “Apolonia ka një profil të qartë si ekip, pavarësisht ulje-ngritjeve që mendoj se janë normale në futboll. Sivjet shoh që ka frymë më të shëndoshë dhe më optimiste në skuadër, madje edhe në përpjekjet që po bëhen nga drejtuesit për forcimin me të tjerë lojtarë cilësorë. Besoj se do të jemi një nga ekipet më të mira të kampionatit, nga më dinjitozet dhe me objektiva të qarta për sezonin, ku normalisht që synimi më i lartë është ngjitja në Superligë. Por duhet ta tregojmë në fushë që do ta meritojmë diçka të tillë, pasi do të jetë një kampionat i vështirë dhe me rivalë të fortë”, thotë mbrojtësi i Apolonisë, Eljon Sota.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"