Sot zgjedhjet e shtangës, ish-presidenti Gjoza do futjen në garë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2020 | 9:39

Sot zgjedhjet e shtangës, ish-presidenti Gjoza do futjen në garë

Pas një periudhe disa javore të shoqëruar me polemika dhe akuza të shumta, komuniteti i shtangës do të mandatojë sot drejtuesit e rinj. Me tërheqjen nga kandidimi të Theodhor Masllavicës, tashmë në garë për president ka mbetur vetëm kandidatura e Eglantina Çunit.CUNI

Trajnerja e Elbasanit do të kërkojë të shkruajë historinë duke u bërë presidentja e parë femër e FSHP-së. Mirëpo për ta bërë realitet këtë gjë, ajo duhet të marrë më shumë se 50+1% të votave. Kujtojmë që asambleja quhet e vlefshme nëse në të marrin pjesë mbi 50% e apo klubeve anëtare, pra nga 17 përfaqësues gjithsej, duhet minimalisht të jenë të pranishëm 9 anëtarë.

Asambleja do të do të zhvillohet në hotel “Tirana International” dhe do të nisë në orën 10:00. Por duke u kthyer edhe një herë te zhvillimet e ditëve të fundit, komuniteti i shtangës vijon të jetë i tronditur nga tërheqja e papritur nga gara, 2 ditë para zgjedhjeve e presidentit Theodhor Masllavica. Ky i fundit siç dihet dy vite e gjysmë më parë mori drejtimin e federatës me moton për ta pastruar shtangën nga doping, në një periudhë tepër kritike. Ai arriti ta fitojë këtë kauzë, pasi gjatë gjithë periudhës që ishte president nuk rezultoi asnjë peshëngritës me doping. Por Masllavica u tërhoq, duke e quajtur një vendim për arsye personale.Elez Gjoza

GJOZA KËRKON RIFUTJEN NË GARË

Ish-presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza vazhdon ta konsiderojë të pavlefshëm përjashtimin. I propozuar nga tre klube, Gjoza bën të ditur se do të kërkojë që për pranimin e tij si kandidat të vendosin anëtarët e asamblesë, para se të bëhet votimi i zgjedhjes së presidentit të ri.

Gjoza kërkon që e njëjta gjë të bëhet edhe për dy kandidaturat e përjashtuara të KD-së, Asim Belinova dhe Kreshnik Leka. Ja si u shpreh ai në prag të asamblesë zgjedhore: “Unë përpara se të zhvillohen zgjedhjet, me propozim të tre klubeve do t’i kërkoj asamblesë që të votojë për mua, nëse do të pranohem si garues në këto zgjedhje apo jo. E njëjta gjë edhe për kandidaturat e KD-së, Asim Belinova dhe Kreshnik Leka.

Ne jemi përjashtuar nga një komision prej tre vetash, ku kryetar i komisionit është sekretari i federatës, i cili ka konflikt interesi me këtë punë. Asamble është organi më i lartë dhe vetëm ajo e zgjedh presidentin dhe strukturën drejtuese”, deklaroi Gjoza.

Kujtojmë që Komisioni i Seleksionimit të kandidaturave arsyetoi se kishte konstatuar që Gjoza nuk është një kandidaturë në përputhje me kriteret statutore, ndërsa shpjegoi se përjashtimi i tij është bërë sepse nuk përmbush kriterin e nenit 12/5/d.

Si rezultat i një numri të lartë shtangistësh me doping, gjatë kohës kur Gjoza ka qenë në krye të FSHP-së, ka qenë shkaku që komisioni e ka cilësuar ish-presidentin si një person të papërshtatshëm për të përmbushur kriterin statutor të figurës së pastër morale në fushën e sportit.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"