Sot vendimi i UEFA-s, ja tri mundësitë për Milanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2018 | 12:35

Sot vendimi i UEFA-s, ja tri mundësitë për Milanin

Milani paraqitet para Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv me një pronar të ri dhe me borxhe të zeruara. Më 10 korrik fondi “Elliot” pati njoftuar zyrtarisht hyrjen në klub e njëkohësisht paraqiti vullnetin e tij për të krijuar stabilitet ekonomik te kuqezinjtë. Ideja e amerikanëve është të krijojnë një situatë të qetë financiare, duke u mbështetur në një model operativ, që vetëfinancohet dhe brenda rregullave të UEFA-s për “Fair-play Financiar”.

milan

GJYKATËSIT
-Trupi gjykues i KAS-it përbehet nga tre gjyqtarë: një i emëruar nga Milani(zvicerani Pier Myler), një i emëruar nga UEFA (anglezi Mark Hovel) dhe një tjetër super partes (mbi palët), Ulrih Has, gjerman i lindur në Zvicër. Vlen për t’u kujtuar se institucioni i UEFA-s me qendër në Lozanë, nuk pranon dokumentacione të reja, ndaj avokatët e “Djallit” kanë detyrën delikate që të dëshmojnë që, në rastin konkret nuk i kanë dorëzuar për të vërtetuar të kundërtën e fajit, për të cilin akuzohet Milani.

kas

SKENARËT – Gjykata e Arbitrazhit Sportiv do të zbardhë vendimin e saj në orët e para të paradites së sotme. Praktikisht, vendimet që ajo mund të marrë janë vetëm tre, por në asnjërin nga këto raste dënimi ndaj Milanit nuk mund të rëndohet. Mundësia e parë është që trupi gjykues të shfajësoje plotësisht Milanin, çka do të përkthehej në pjesëmarrje në Ligën e Europës, por shoqëruar me disa masa shtrënguese në lidhje me merkaton dhe numrin e lojtarëve.

Vendimi i dytë i KAS-it mund të ketë të bëjë me një refuzim të apelimit kuqezi, duke lënë në fuqi vendimin e parë të UEFA-s. Në këtë rast, Milani do mbetej jashtë Europës, teksa e drejta për ankimim do të rifitohej vetëm pas një viti kalendarik. Vendimi i tretë mund të jetë një ftesë ndaj UEFA-s për të lehtësuar masën ndëshkimore në dëm të kuqezinjve dhe në këtë rast, “Djalli” do të përballej me një sanksion financiar ose masa të tjera, si ato ndaj Interit apo Romës në të kaluarën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"