Sot testi me Sopotin, afrimet nuk duken tek Elbasani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2019 | 11:28

Sot testi me Sopotin, afrimet nuk duken tek Elbasani

Afrimi i lojtarëve cilësorë në merkato është kthyer në një çështje më vete për Elbasanin këtë sezon. Nëse para startit të stërvitjes, problemi më i madh ishte një datë e saktë për nisjen e saj, tani halli ka të bëjë me përforcimet, për të cilat ka aq shumë nevojë skuadra.

elbasani

Po mbushen dy javë nga fillimi i përgatitjeve dhe në Elbasan mungojnë prurjet, duke përjashtuar lojtarët që vijnë nga moshat dhe djem të rinj që po stërviten aktualisht me skuadrën. Kontigjenti aktual nuk të premton asgjë, për më tepër që sezoni në vijim pritet të jetë edhe më i vështirë për shkak të ndryshimit të skemës.

Verdheblutë janë kthyer në një klub, ku e kanë të vështirë për të bindur lojtarët me peshë të afrohen me ta, ndaj edhe për momentin sytë për përforcime i kanë hedhur te ndonjë element i talentuar që kërkon të afirmohet. Megjithatë, në Elbasan duket sikur janë të mësuar me këtë situatë, pasi afrimet janë bërë gjithnjë javën e fundit para nisjes së kampionatit.

Kështu si po shkojnë punët, ndoshta në muajin shtator do të shohim lëvizje në kampin verdheblu. Stafi teknik ka programuar për sot një ndeshje miqësore me Sopotin dhe ndoshta mund të provohet ndonjë element i ri që mund t’i bëjë punë skuadrës nga trajneri Lleshanaku.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"