“Sot të rëndësishme ishin 3 pikët”, Josa flet pas fitores: U thashë lojtarëve të kthenin dinjitetin individual

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2022 | 20:19

“Sot të rëndësishme ishin 3 pikët”, Josa flet pas fitores: U thashë lojtarëve të kthenin dinjitetin individual

Fitorja ndaj Kastriotit ka gëzuar Mirel Josën, edhe pse erdhi me një gol pas pak sekondash e më pas me një disiplinë në mbrojtje. Trajneri ka theksuar për “Oversport” se fakti që skuadra nuk rrezikoi mbrapa ishte ajo që e gëzonte më shumë.

josa

“Patëm fatin që të zhbllokonim rezultatin shumë shpejt. Kjo falë aftësive tona si të Malës, ashtu edhe të tjerëve që fituan topin jashtë zonës kundërshtare. Jam i kënaqur se është një skuadër që mbrohet mirë, gjë që ne nuk e kemi treguar në ndeshjet e tjera. Kemi pësuar shumë gola në momente dizekuilibri dhe sot pashë një ekip më të përqendruar. Duhej të bënim mirë në daljet para, jo se kemi punuar të luajmë në kundërsulm, por kur ke një skuadër si Kastrioti që ka treguar veten, duhej të ishim më të vëmendshëm në pasin e fundit dhe konkludimin. Jam dakord për përmirësimin e lojës së Gurishtës, personaliteti dhe rëndësia e tij në skuadër do të vijë duke u shtuar nga ndeshja në ndeshje, por është e rëndësishme që skuadra të kthehet te fitoret, se oshilacionet, duke pasur parasysh se si humbëm me Egnatian ishte hap mbrapa, vinim pas fitoreve të rëndësishme, Ndeshja e sotme merrte rëndësi të veçantë vetëm për fitimin e tre pikëve dhe lojtarët ishin të përqendruar vetëm te kjo.

Lojtarët e mi duhet t’i japin shumë më tepër rëndësi qoftë vlerave të kundërshtarit, qoftë mënyrës se si luajnë vetë në mbrojtje apo presioni që i bëjmë kundërshtarit kur zotëron topin. Disa probleme i shfaqëm sot sidomos në mesfushë, nga mënyra si u bëjmë presion kundërshtarëve, vjedhim shumë pak herë topin që të dalim me befasi. Por kur fiton 1-0, vërejtjet e shumta do i diskutoj më tepër me skuadrën.

Kryesorja është që kemi një dyjavësh të qetë, mos harrojmë që luajmë në Kupë me Flamurtarin që ka pretendime. Të humbësh dy ndeshje më shqetëson, por është problemi te mentaliteti sa i përket mënyrës se si mbrojmë dhe sulmojmë.

Një skuadër duhet të dijë edhe të mbrohet mirë, sot kishim ndryshime qoftë sa u përket dëmtimeve të Bulatoviç dhe Boshnjakut. Përveç tyre u munduam të bënim lojë duke ndërtuar nëpërmjet qendrave anësore, duke ndërtuar lojën qoftë edhe nëpërmjet Hoxhajt i cili në mendimin tim në pjesën e parë ishte në nivelin e duhur. Jo sepse shënoi golin, por mënyra se si lëvizi ishte shumë e drejtë. Pastaj problemi është gjithmonë se si ne duhet të mbrojmë. Ne sot nuk u rrezikuam me raste flagrante, duhet ta kemi këtë parasysh, kundërshtari pati vetëm një dalje në krahun e djathtë në pjesën e parë që u gjuajt jashtë me kokë. Edhe në pjesën e dytë një kombinim që normalisht një skuadër si Kastrioti ka treguar që mund të godasë kundërshtarët. Ne nuk lejuam kundërshtarët që të bëjë rastin flagrant, ishte një gjë pozitive për mua. Ndoshta ishte se fola me lojtarët dhe u thashë që duhet të ktheni dinjitetin tuaj individual, se e keni humbur në ndeshjen me Egnatian, si skuadër e individ. Normalisht kur humb skuadra humbim edhe ne që drejtojmë, ndaj kryesorja për mua ishte fitorja. Tani kemi 10 ditë që të punojmë të qetë që të riparojmë ndonjë dëmtim, qoftë për të punuar pak me qetësi nga ana mendore. Se dihet që humbjet, dhe ashtu si e bëmë me Egnatian, nuk kemi qenë të qetë të punojmë, unë mund të nxjerr konkluzionet e mia pas një ndeshje, por duhet t’i nguliten në kokë lojtarëve se pse ndodhi.

A i thashë që do i vras nëse e kthejnë në pushim? Jo, jo. Nuk e përdora se skuadra po funksiononte si skuadër. Një herë e përdora dhe nuk kam ndër mend ta përdor herë tjetër. Por nuk i dihet punës se si vjen.

Unë them që atë që kemi kaluar ne nuk duhet t’i harrojmë por t’i lëmë mënjanë, duke pasur parasysh gabimet që kemi bërë dhe pse kanë ndodhur. E mira nuk ka fund, se me Tiranën mund të kënaqeshim me një barazim para ndeshjes, por e fituam. Ne jemi një javë larg se unë mendoj përherë për ndeshjen pasardhëse dhe çfarë do të bëjmë se kundërshtarët gjithashtu kanë nevojë për pikë dhe gjendje loje.

Latifi është duke punuar individualisht me terapi dhe u provua se mos futet me skuadrën por ishte e pamundur. Ndaj të shohim këtë javë se si mund të shkojë, mund të flitet nga dita në ditë. Por besoj se Latifi do të vazhdojë të jetë në terapi këtë javë, qoftë edhe stërvitje individuale. Pastaj kemi edhe problemin e Boshnjakut i cili për mendimin tim do një farë kohe më të gjatë se Latifi që të kthehet”, tha Josa.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"