Sot takimi me presidentin, Nikaj vendos nëse do vazhdojë apo jo me Kastrionit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2018 | 17:42

Sot takimi me presidentin, Nikaj vendos nëse do vazhdojë apo jo me Kastrionit

Trajneri Samuel Nikaj dhe presidenti i Kastriotit Alban Vogli do të kenë sot një takim ku do të diskutohet për të ardhmen. Të dy palët pritet të parashtrojnë kërkesat e tyre për sezonin e ri dhe nëse do të bien dakord, do të bëhej e mundur edhe hapja e rrugës për krijimin e skuadrës së re. Presidenca e Kastriotit, nga sa është shprehur në media, ka dëshirë që të jetë Nikaj “timonieri” i skuadrës edhe në Superiore, mirëpo mbetet të presim përfundimin e këtij takimi për të parë edhe rezultatet e tij.

Samuel Nikaj 3

Nga ana tjetër, drejtuesit kanë piketuar disa futbollistë nga ekipet kryesore të Superiores, me të cilët kanë nisur edhe bisedimet, por si fillim presin ta nisin nga trajneri dhe më pas do të vijnë edhe zyrtarizimet e para, qofshin këto afrime, por edhe largime. Kastrioti është rikthyer në elitën e futbollit shqiptar, pas katër vitesh mungesë. Krutanët zhvilluan një sezon mjaft të mirë në Kategorinë e Parë, duke mos njohur rivalë. Megjithatë, Superiorja ndryshon dhe nevojitet një projekt i ri me më shumë përforcime, ndaj gjithçka duhet të nisë nga trajneri. Objektivi është që të ruhet edhe grupi që mbylli sezonin e shkuar, pasi një pjesë e lojtarëve e njohin mirë Kategorinë Superiore, sepse kanë qenë në të kaluarën pjesë e saj.

Gjithashtu, drejtuesit e Kastriotit do të bëjnë edhe disa përmirësime të infrastrukturës në stadiumin e tyre, në mënyrë që të licencohen për të luajtur në shtëpi sezonin e ardhshëm. Në klub janë të bindur se do të plotësohen të gjitha kushtet që ka vënë Sektori i Licencimit në FSHF, për sa i takon infrastrukturës, e cila do të jetë e pranueshme.

Liridon Pasha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"