Sot radha e kombëtares U-21, Bushi: Le të ëndërrojmë vendin e parë!; Bare: Kapitenin e vendos trajneri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2017 | 0:08

Sot radha e kombëtares U-21, Bushi: Le të ëndërrojmë vendin e parë!; Bare: Kapitenin e vendos trajneri

Trajneri i Shpresave, Alban Bushi, beson te fitorja në sfidën e sotme ndaj Estonisë. Në daljen e tij të djeshme në konferencë për shtyp, tekniku kuqezi ka folur për sfidën e sotme dhe për shanset që ka ekipi të renditet në vendin e parë në këtë fazë eliminatoresh.

bushi bare

BUSHI

“Fitore të sigurta në futboll nuk ka, unë mendoj se ekipi ynë është në rritje e sipër, një ekip i bërë pothuajse i ri vjet me 6-7 lojtarë që kanë qenë, ndërsa të tjerët janë komplet prurje të reja. Mendoj që janë ndërthurur shumë shpejt me njëri-tjetrin dhe ndeshja e Francës e tregoi këtë, pavarësisht nga humbja që ne bëmë. Tregoi që jemi një ekip në bllok që luan futboll në fazën mbrojtëse, por edhe dimë të dalim në fazën sulmuese.

Megjithëse krijuam pak raste me Francën, ndeshja ishte e mirë, pavarësisht rezultatit. Mendoj që ndeshja me Estoninë do të jetë tjetër, ku do të kërkojmë që të luajë komplet ekipi në sulm, duke pasur kujdes edhe mbrapa. Do të ketë shumë agresivitet dhe mendojmë ta kalojmë me sukses.

Kemi krijuar një ekip shumë të mirë me elementë të rinj, me afro 80-90 lojtarë dhe për momentin kemi 10 mungesa, me 6 prej tyre që kanë qenë në formacion në ndeshjen me Moldavinë dhe nuk janë aktualisht këtu. Kjo është një ndeshje tjetër zyrtare që ne e kishim menduar të ishin pjesë e ekipit. Në formacion ose jo kjo do të varej nga forma e tyre.

Gjithsesi, unë jam i kënaqur edhe nga lojtarët që kam ku kemi 10 ditë që po punojmë me njëritjetrin dhe mendoj që kemi bërë gjëra shumë të mira në stërvitje dhe do Zoti që nesër t’i tregojmë në lojë”, deklaroi fillimisht Bushi.

I pyetur në lidhje me shanset që ka ekipi për vendin e parë, trajneri tha: “Mendoj që asgjë nuk është e pamundur në futboll, mendoj që është mirë që të ëndërrojmë vendin e parë, por duhet të ëndërrojmë nesër (sot) të fitojmë me Estoninë. Ky është objektivi ynë jo vendi i parë”.

Bare: Për kapitenin vendos trajneri, jemi ekip i ri

Kapiteni i Kombëtares, Keidi Bare, gjatë konferencës së djeshme për shtyp deklaroi: “Estonia është një ekip që në fazën mbrojtëse mbrohet shumë mirë, por edhe në fazën sulmuese të mos i nënvlerësojmë, sepse kanë disa lojtarë të shpejtë dhe teknikë. Ndërsa ne jemi një ekip me lojtarë të rinj dhe kemi shumë pak që punojmë me njëri-tjetrin, ku besoj se fazën sulmuese e kemi pak më mirë sesa fazën e mbrojtjes.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë asgjë, pasi ne do të japim maksimumin tonë për të dhënë gjithçka në këtë ndeshje. E vendos trajneri kush do të jetë kapiten, por, edhe pse kam debutuar me Atletikon, nuk do të thotë asgjë. Për sa i përket kapitenit, mendoj se është vendim i trajnerit. Mendoj se në këto eliminatore të shkojmë sa më lart dhe të synojmë vendin e parë dhe shpresoj që nesër (sot) të marrim një rezultat pozitiv”.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"