Sot pritet zyrtarizimi i Dajës te Flamurtari, pezull mbetet vetëm stafi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2018 | 15:53

Sot pritet zyrtarizimi i Dajës te Flamurtari, pezull mbetet vetëm stafi

Pritej që dje të zyrtarizohej trajneri i ri te Flamurtari, megjithatë duket se formalitetet janë shtyrë me disa orë. Ilir Daja pritet që të firmosë kontratën me vlonjatët, e cila është vonuar për shkak të marrëveshjes që e mbante teknikun të lidhur me Skënderbeun deri më 30 qershor. Tashmë që nuk ka asnjë pengesë në këtë drejtim, tiranasi mund të konsiderohet “timonieri” i kuqezinjve. Trajneri mendohet që do të firmosë kontratën dhe do të prezantohet po sot për mediat.

dajaaaaaaaa

Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar nga klubi, nuk është çudi që të gjitha këto procedura të bëhen brenda ditës. Klubi dhe trajneri i ri kanë rënë dakord prej kohësh, ndërsa bashkëpunimi mes tyre do të zgjasë për dy vitet e ardhshme. Mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me stafin teknik.

Nuk dihet nëse Ilir Daja do t’i sjellë me vete ndihmësit apo do t’ia lërë në dorë klubit që të vendosë. Kjo është një çështje delikate, që pritet të diskutohet. Drejtuesit kanë preferencat e veta në këtë drejtim, ndërsa kërkojnë që të kenë në staf Luan Birçen si trajner të portierëve dhe si zëvendës të jetë Petraq Bifsha. Megjithatë, fjala e fundit i takon pikërisht trajnerit të ri. Kjo çështje pritet që të diskutohet këtë javë, ndërsa deri më tani trajneri Daja nuk u ka propozuar drejtuesve të klubit asnjë emër për ndihmës të tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"