Sot prezantimi te durrsakët, Edi Martini e nis me dy seanca stërvitore në ditë me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2022 | 9:16

Sot prezantimi te durrsakët, Edi Martini e nis me dy seanca stërvitore në ditë me Teutën

Edi Martini do të bëjë sot prezantimin si trajneri i ri i Teutës në orën 09:00.

Edi Martini

Trajneri shkodran, që rikthehet në Durrës për herë të katërt, ka njoftuar stafin dhe ekipin se në ditën e parë do të ketë dy seanca stërvitore.

Pra, përveç asaj që do të kryhet sot paradite, skuadra do të zbresë në fushë edhe gjatë pasdites.

Në dy ditët e para pas rikthimit në fushë prej pushimit njëjavor si pasojë e ndërprerjes së kampionatit, durrsakët janë përgatitur nga zv.trajneri Bledar Hodo dhe përgatitësi atletik, Mark Dodaj.

Lajmi i mirë është se në ndeshjen e radhës ndaj Kukësit, që do të zhvillohet më 11 ose 12 dhjetor, stafi i ri do të ketë të gatshëm qendërmbrojtësit Harrallamb Qaqi dhe Artan Jazxhi.

Ky i fundit ka shlyer pezullimin për kartonë, ndërsa i pari ka kaluar plotësisht dëmtimin që e mbajti jashtë për një kohë të gjatë. Ndaj Kukësit në transfertë do të jetë edhe debutimi zyrtar i Martinit, në një kohë që gjatë kësaj periudhe pritet të zhvillohen edhe dy-tri miqësore, duke përfituar nga pauza e kampionatit.

RASTËSIA

Erzeni si gogol që sjell shkarkime te durrsakët dhe Kukësi që përkon me debutimet e trajnerëve. Më 4 shtator të këtij viti, pasi Teuta barazoi 0-0 me Erzenin, u vendos që Renato Arapi të shkarkohej nga detyra e trajnerit dhe vendin e tij e zuri Bledi Shkëmbi. Ky i fundit e nisi me një barazim 0-0 ndaj Kukësit në “Niko Dovana” me 9 shtator.

Por, pas 3 muajsh, pikërisht pas duelit të humbur ndaj Erzenit, Shkëmbi u shkarkua nga Teuta dhe u kthye në stol shkodrani Martini, i cili ka fituar gjithçka më parë si trajner i “djemve të detit” (titullin kampion, Kupën dhe dy herë Superkupën).

Si për ironi të fatit, ashtu si Shkëmbi në debutim, edhe Martini këtë herë do të ketë përballë Kukësin, por me ndryshimin që ndeshja luhet në transfertë.

Në vendin e fundit dhe me vetëm 8 pikë, durrsakët do të luftojnë për t’u ngjitur në tabelë që të mos diskutojnë mbijetesën.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"