Sot, ora 20:45/ Kosova do kthesën, flet presidenti Ademi: Vetëm fitore kundër Qipros!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2022 | 11:55

Sot, ora 20:45/ Kosova do kthesën, flet presidenti Ademi: Vetëm fitore kundër Qipros!

Kosova pret Qipron sot në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Grupit 3 të Ligës C në Ligën e Kombeve. Në konferencën për mediat, trajneri Alen Zhires është shprehur i kënaqur me punën te përfaqësuesja e Kosovës, ndërsa premtoi se do t’i dërgoj “Dardanët” në një tjetër nivel.

Zhires Kosova

“Deri më tani jam i kënaqur te Kosova. Jam duke punuar në kushte shumë të mira. Këta futbollistë që kemi duhet të bëjnë progres. Duam ta dërgojmë ekipin në një tjetër nivel”, u shpreh fillimisht trajneri francez.

Më tej ai theksoi se kërkon vetëm fitoren ndaj Qipros.

“Qëllimi është fitorja ndaj Qipros që ta mbajmë pozitën e dytë në tabelë. Gjendja momentale e ekipit është e mirë. Muriç është lënduar në Irlandën e Veriut, prandaj nuk e di gjendjen e tij.

Amir Rrahmani ka përmirësim, por ende nuk e dimë a mund të luajë. Për lojtarët e tjerë nuk ka diçka tjetër, përveç lodhjes që është normale pas ndeshjes.

Prioriteti ynë është ta fitojmë ndeshjen, por mund të provojmë edhe lojtarë të rinj ndaj Qipros”, ka deklaruar trajneri i Kosovës, i cili nuk ngurroi të fliste edhe për ata që kanë spikatur me Ballkanin në Ligën e Konferencës.

“Emërllahu nuk i ka treguar cilësi shumë të mira me U-21-shat e Kosovës dhe është hap i madh për të që të luajë në kombëtare. Dellova mund të luajë si anësor dhe qendërmbrojtës, por në fund është trajneri që bën përzgjedhjen”, përfundoi Zhires.

agim ademi

PRESIDENTI – Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, deklaroi dje se nuk pranon tjetër rezultat përveç fitores kundër Qipros. Në një intervistë për “Klan Kosova”, Ademi theksoi se do të bëjnë më të mirën për kombëtaren.

“Besoj që nuk e kemi merituar këtë pozicion, por s’bëhet fjalë për të rënë nga kjo ligë dhe sigurisht që do të qëndrojmë në vendin e dytë dhe faktikisht nuk pranojmë asnjë rezultat tjetër ndaj Qipros”, deklaroi Ademi, ndërsa foli edhe për të ardhmen e stafit teknik me në krye Zhires.

“Ne tashmë kontratat i kemi fleksibile dhe natyrisht që varen prej rezultateve, duke pasur parasysh edhe fillimin të cilën e kemi pasur. Tani do të shohim, besoj që do të shkojë gjithçka OK, në të kundërtën do të zgjedhim më të mirën”, përfundoi numri një i institucionit të futbollit kosovar.

KS (1)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"