Sot, ora 14:00/ Champions, Apolonia U-19 pret Astanën, flet trajneri i fierakëve: Shkruajmë historinë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 10:41

Sot, ora 14:00/ Champions, Apolonia U-19 pret Astanën, flet trajneri i fierakëve: Shkruajmë historinë!

Në Fier janë gati që të shkruajnë historinë në “UEFA Youth League”. Apolonia U19 pret sot në orën 14:00 Astanën në stadiumin “Loni Papuçiu” me një mision të vetëm: kualifikimin. Pas barazimit 1-1 në Kazakistan, shanset janë të mëdha. Të rinjtë kanë mbyllur dje përgatitjet dhe nuk u mbetet tjetër veçse ta luajnë këtë ndeshje, që mund t’i çojë në raundin e dytë të këtij kompeticioni. Trajneri Bledar Borova beson te kalimi i këtij turi dhe këtë e thotë gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”.

BLEDAR BOROVA

Ëndrra juaj për të luajtur në një kompeticion madhor europian u bë realitet. Si ndiheni?

Jashtëzakonisht i lumtur dhe njëkohësisht shumë krenar që puna jonë shumëvjeçare, u kurorëzua fillimisht me titullin kampion në vend dhe më pas na çoi në një kompeticion kaq të rëndësishëm europian. Prej së dielës jeni grumbulluar në Durrës.

Pse kjo zgjedhje?

Kjo zgjedhje u bë për ta mbajtur skuadrën më të qetë psikologjikisht dhe larg euforisë. Vetëm kështu kemi mundësinë që të analizojmë me kujdes çdo detaj për këtë ndeshje historike.

Në Kazakistan përfundoi 1-1. Sa për shtat ju shkon ky rezultat për ndeshjen e kthimit në Fier?

Ishte rezultat shumë pozitiv, që erdhi si pasojë e një loje bindëse. Rrjedhimisht na jep mundësinë e artë që këtu në Fier të kërkojmë me besim të plotë dhe qetësi olimpike kualifikimin e shumëdëshiruar.

Si paraqitet atmosfera në skuadrën tuaj?

Mbizotëron një frymë tejet pozitive dhe gjithashtu dua të theksoj se skuadra fierake është e plotë në organikë. Të gjithë lojtarët janë gati dhe secili prej tyre do të japë më shumë se 100% për të arritur rezultatin pozitiv në shtëpinë tonë.

A do të kualifikohet Apolonia U-19?

Astana ishte një ekip i mirorganizuar dhe se këto kompeticione europiane i njeh shumë mirë. Prandaj dëshiroj dhe pres një ndeshje shumë të kujdesshme nga ana jonë, por në fund ngulmoj shumë për fitoren tonë duke dhënë gjithçka përpara tifozëve fierakë.

Keni një mesazh për tifozët?

Kjo ndeshje nuk është vetëm për klubin dhe lojtarët, por edhe për historinë e qytetin tonë. Ndaj, i presim në stadium. Të na japin zemër dhe besim për të realizuar misionin.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"