Sot ndeshja me berlinezët, Nagelsman: Fjeta i qetë pas shortit, me Hertën fitojmë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2021 | 16:16

Sot ndeshja me berlinezët, Nagelsman: Fjeta i qetë pas shortit, me Hertën fitojmë!

Para se klubet të ndalojnë për shkak të impenjimeve me kombëtaren gjermane, Bajerni dhe skuadrat e tjera do të luajnë edhe javën e tretë në Bundesligë. Sot në 18:30, skuadra e Nagelsmanit do të presë Hertën në shtëpi për të kërkuar fitoren e dytë radhazi pas asaj ndaj Këlnit një javë më parë. Trajneri 33-vjeçar ka folur dje në konferencën për shtyp për ndeshjen e sotme dhe për shortin e hedhur në Stamboll.

NAGELSMAN

Si keni fjetur pasi mësuat për kundërshtarët në Champions?

Kam fjetur shumë mirë. Ishte një short i favorshëm për ne. Do të ndeshemi me kundërshtarë interesantë në stadiume të mëdha. Mezi po pres të nisë ky kompeticion.

Sa punë do t’ju prishë ndalesa për ndeshjet e kombëtares?

Kjo është një temë që është prekur shumë në kohët e fundit. Do të më duhet të ndryshoj programin stërvitor dhe të shpresoj që lojtarët të cilët do të shkojnë në kombëtare të mos pësojnë dëmtime. Besoj se do të shkojë mirë për ta dhe për ne.

Çfarë ju pëlqeu më shumë në ndeshjen e fundit në Kupë?

Kundërshtari nuk ishte sigurisht ai që kishim menduar. Gjithsesi, Bremer nuk luajti keq. Ajo që më pëlqeu ishte fakti se lojtarët që aktivizova luajtën me seriozitet dhe kjo tregon karakter të fortë. Me këtë mentalitet duhet të zbresim në fushë në çdo ndeshje pavarësisht se kë kemi përballë.

Keni folur me Flikun?

Po, kemi folur jo vetëm për Leroi Sanenë, por edhe për lojtarët e tjerë. Ai më ka kërkuar informacion për formën e tyre, Hansi i njeh pothuajse të gjithë lojtarët e mi në detaje. Por gjithsesi, ai është një trajner profesionist dhe kërkon të sigurohet më parë për gjithçka.

Si është gjendja e skuadrës para sfidës me Hertën?

Të gjithë ata titullarë që nuk luajtën në Kupë do të jenë fushë nesër (sot). Kingslei do të jetë me skuadrën ashtu si dhe Hernandez.

Do të ketë pritje në merkato?

Jemi duke punuar dhe diskutuar për këtë gjë. Kam pasur gjithë ditën takime me drejtuesit, edhe pse jo vetëm për këtë çështje.

Nagelsman

Çfarë i mungon skuadrës?

Mendoj që na duhet një mbrojtës. Sezoni është i gjatë dhe mendoj që nëse dëmtohet dikush, ai duhet zëvendësuar patjetër.

Herta është skuadra ndaj së cilës nuk keni pësuar asnjë humbje, çfarë prisni në ndeshjen e radhës?

Ata kanë luajtur dy ndeshje ku nuk kanë qenë me fat. Meritonin më shumë. Janë një skuadër shumë interesante që në kohët e fundit janë përforcuar shumë. Janë të rrezikshëm në kundërsulm dhe për këtë gjë kemi punuar gjatë gjithë javës. Dua që nesër (sot) topi të jetë më shumë në këmbët tona sesa të kundërshtarit. Vetëm kështu do ta kemi më të lehtë të kontrollojmë lojën. Duam të fitojmë këtë ndeshje për të vazhduar serinë pozitive e cila nisi pas fitores në Superkupë.

Cili është pozicioni ideal për Sanenë?

Për mua nuk është e rëndësishme se ku luan ai, e rëndësishme është që aty ku të luajë, të bëjë atë që di më mirë. Dhe të gjithë ne e dimë se çfarë është në gjendje të bëjë ai. Jam i sigurt që Leroi do ta gjejë rrugën e tij dhe do të jetë i rëndësishëm për skuadrën tonë në këtë sezon sa të vështirë dhe interesant.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"