Sot ndaj Orikut në stadiumin e ri/ Partizani, 12 vite vuajtje për të luajtur në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2022 | 13:02

Sot ndaj Orikut në stadiumin e ri/ Partizani, 12 vite vuajtje për të luajtur në shtëpi

Sot në orën 15:00 Partizani kurorëzon një ngjarje shumë të rëndësishme, hapjen e stadiumit për ndeshje zyrtare të ekipit të parë, një dëshirë e madhe, që është shtyrë për 5 vite.

KOMPLEKSI PARTIZANI 3

Fatin për të marrë pjesë në këtë ngjarje të veçantë do ta kenë modestët e Orikut, të cilët shorti i ka vënë përballë të kuqve në turin e parë.

Hyrja do të jetë falas, si një dhuratë për tifozët, që e kanë dëshiruar këtë shtëpi aq shumë për vite të tëra.

Megjithëse kompleksi ka ende punë për t’u përfunduar, kjo ndeshje e sotmja është padyshim një gëzim i madh, që vjen pas një kalvari vuajtjesh e pritjeje prej 12-vjeçare.

TË PASTREHË – Të të nxjerrin nga shtëpia jote, ku janë rritur breza dhe është skalitur historia e lavdishme, është padyshim dhimbja më e madhe që mund t’i shkaktohet një klubi.

Këtë dhimbje qe “kismet” ta duronte Partizani. Të kuqtë, me një vendim të befasishëm të qeverisë së asaj kohe, u detyruan të dilnin nga kompleksi e të mbeteshin pa çati mbi kokë. Pas disa vitesh të pashpresë më në fund drita u ndez.

INICIATIVA – Në vitin 2012 biznesmeni dhe presidenti aktual, Gazment Demi, mori Partizanin në pronësi dhe kjo shënoi pikën e kthesës. Përtej sukseseve, ndoshta vendimi më i rëndësishëm i tij, për të cilin do të mbahet mend me breza, është ndërtimi i kompleksit, me iniciativën e Demit dhe me ndihmën e sponsorëve të klubit.

NISJA E PUNIMEVE – Në fillim kishte dyshime për vendin se ku do të ndërtohej kompleksi, por fatmirësisht qeveria, këtë herë e veshur me ngjyrë tjetër, i ktheu sytë nga Partizani dhe u mor vendimi për t’i dhuruar përmes incentivave ligjore ish-repartin ushtarak numër 4030, në afërsi të Tufinës. Me t’u ndezur drita jeshile, Partizani nisi punimet më 15 maj 2016, me shembjen e godinave të vjetra.

ZVARRITJA – Plani financiar fillestar i investimit të kompleksit të Partizanit ishte rreth 5 milionë euro dhe të sigurosh kaq shumë para, padyshim është e vështirë. Megjithatë, jo vetëm financat kanë qenë shkak i zvarritjes së punimeve.

Plani për mbylljen e punimeve kishte një afat total prej 16 muajsh, që do të thotë se Partizani do të duhej ta kishte gati kompleksin para pesë vitesh, më 15 shtator 2017.

Gjithsesi, nga korriku i vitit 2017, deri në vitin 2019 në kompleksin e të kuqve, punimet ngecën dhe atje nuk u bë asnjë punim. Në mars të këtij viti, skuadra kreu stërvitjen e parë në stadium.

Pavarësisht se ekipi luan sot, ndërtimi i kompleksit nuk ka përfunduar. Përveç stadiumit dhe parkingut, nuk është vënë asnjë pjesë tjetër në funksion.

KAPACITETI – Projekti në letër i stadiumit, ku sot do të debutojë skuadra e parë, ishte 5 deri në 6 mijë vende, por rrugës numri u ul dhe sot ndaj Orikut do të kenë shansin të jenë rreth 4300 të pranishëm.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"